15/11/2024

A duhej ta trajtonin ndryshe luftën partizane kineastët shqiptarë?

0

Nga Gani Mehmetaj

Hungaria, Polonia, Çekia, Sllovenia e Kroacia realizuan disa filma kritikë për Luftën e Dytë Botërore, ku partizanët nuk ishin trima të tërbuar, por ishin shpesh të pagdhendur, frikacakë e vrasës. Filmi shqiptar e ai serb nuk e patën këtë guxim, në ta lufta paraqitej jo rrallë sipas modelit të “Moskfilmit”.

Kinematografia shqiptare nuk arriti të realizojë asnjë film kritik ndaj “luftës nacionalçlirimtare”. Kinematografia shqiptare nuk e bëri asnjë film ku partizanët nuk do të paraqiteshin trima të çartur, por ndryshe nga sa jemi mësuar t’i shohim në dhjetëra filma të kinostudios “Shqipëria e re”. Në filmat shqiptarë formacioni nacionalist Balli Kombëtar paraqitej armiqësor, sipas modelit të filmit serbIshte e kuptueshme se filma kritikë ndaj partizanëve s’kishin si të bënin në kohën e diktaturës së proletariatit, sepse s’do ta financonte shteti proletar filmin që nuk e madhëronte luftën partizane. Në Shqipëri ishte edhe më keq: do t’i burgosnin e do t’i vrisnin regjisorët që u binte në mend realizimi i filmit, ku partizanët do të paraqiteshin në pamjen e vërtetë.

Hungaria, Polonia, Çekia, Sllovenia e Kroacia realizuan disa filma kritikë për Luftën e Dytë Botërore, ku partizanët nuk ishin trima të tërbuar, por shpesh të pagdhendur, frikacakë e vrasës.Disa nga filmat e këtyre kinematografive në vitet gjashtëdhjetë e shtatëdhjetë patën jehonë ndërkombëtare, morën  çmime, u pritën mirë nga opinioni i brendshëm, madje regjisorët u bënë yje. Në Hungari, Poloni, Çeki e Kroaci regjisorët patën pasoja, por nuk ngurruan ta paraqesin fytyrën e shëmtuar të komunizmit.

Hungaria, Sllovenia, Polonia, Çekia, Kroacia e Sllovenia bënë filma kritikë për Luftën e Dytë Botërore edhe pas rënies së diktaturës komuniste, madje bënë disa filma të shkëlqyeshëm që do të mbahen në mend. Duke e trajtuar periudhën e caktuar, nxorën në pah informata e ndriçuan bëma që nuk i kishim dëgjuar. Hungarezët e polakët u shquan për qëndrimin kritik me vepra monumentale kinematografike. Hungarezët e kishin në pikëvështrim ndërhyrjen sovjetike, kur rusët bënë masakra të papara. Polakët trajtuan tema të ndryshme të diktaturës komuniste. Masakrimin e 4.000 oficerëve polakë nga ushtria ruse e kanë dhembje kombëtare. Çekët patën një seri filmash për ndërhyrjen e ushtrisë sovjetike në Pragë, për situatat absurde gjatë komunizmit etj.

Edhe kinematografia e vogël sllovene e trajtoi gjenocidin e partizanëve serbë në Dalmaci e në bregdetin slloven, ku viktima ishte pakica italiane. Ishin kritikë edhe ndaj pastrimit etnik që e bëri Jugosllavia e Titos, në emër të luftës kundër nazifashizmit.

Është e habitshme, por edhe disa regjisorë serbë e trajtuan me sy kritikë, por më shumë me humor therës sjelljen e partizanëve serbë ndaj hungarezëve vendës në Fushën e Panonisë (Vojvodinë), vunë në pah kulturën hungareze dhe primitivizmin e ardhacakëve serbë me një gjysmë opinge e me një dhi. Por kineastët serbë e heshtën gjenocidin e partizanëve të tyre ndaj shqiptarëve në Dardani, në Maqedoni e Mal të Zi. Disa prej tyre bënë filma që e himnizuan gjenocidin ndaj shqiptarëve, madje edhe përshkallëzimin e dhunës shtetërore pas vitit 1981 e arsyetuan me dhjetëra filma artistikë.

Ngjashëm me serbët, as grekët nuk e bënë asnjë film për gjenocidin ndaj shqiptarëve në Çamëri, ose për persekutimin e arvanitasve që kinse bashkëpunuan me nazistët.  Kineastët grekë nuk i paraqitën as krimet e së djathtës greke e të klerikëve ortodoksë grekë që u prinë krimeve kundër shqiptarëve çamë. Teo Angelopulosi i madh u iku këtyre temave, ndërsa nuk i kurseu pushtetarët në tema të tjera.

Filmi shqiptar i kohës së diktaturës ideologjikisht më shumë ka përngjasime me kinematografinë sovjetike e serbe se sa me filmin hungarez, polak, çek etj. Kinematografia shqiptare jo vetëm nuk e bëri asnjë film për krimet partizane në Shqipëri, përshkallëzimin e luftës së partizanëve kundër formacioneve nacionaliste, që kishte shenja të luftës civile, por asnjëri krah i kësaj kinematografie nuk bëri film për krimet serbe në Dardani, për masakrën e Tivarit, për vrasjen e mbi 50.000 shqiptarëve në periudhën 1945-48, për luftën e lavdishme të forcave të vullnetarëve e të Ballit Kombëtar në mbrojtje të Shqipërisë Etnike e të popullatës në Sanxhak e Peshterë. Kinematografia shqiptare nuk e bëri asnjë film për krimet e partizanëve helenë, fashistëve e klerikëve grekë ndaj popullatës shqiptare në Çamëri.

Kineastët shqiptarë fatkeqësisht u treguan më të flashkët e më konformistë në tërë bllokun socialist. Ku është arsyeja e konformizmi të pafalshëm në kohën e sotme, kur askush nuk i persekuton, askush nuk i shpall tradhtarë e bashkëpunëtorë të imperializmit amerikan e nazizmit gjerman? Mendësia ideologjike e pandryshuar? Partizanët, ose nipërit e tyre janë ende në kreun e shtetit? Apo puna është më thellë?

Xhanfise Keko dallohej nga kineastët shqiptarë në këtë qasje. Ka edhe disa filma e regjisorë të tjerë, që bëjnë përjashtime nga klishetë ideologjike, por nuk janë shumë.

Mbase brezi i vjetër i kineastëve pati ngarkesa ideologjike, u edukuan në një frymë të caktuar, nuk mund të dalin nga gëzhoja e tyre, por është e pakuptueshme si nuk bëri asgjë brezi i mesëm dhe brezi i ri. Si nuk e provokoi askënd pyetja: ç’bënin partizanët kur nuk vrisnin gjermanë e italianë si në përrallat komuniste?

Në Dardani nuk u bë asnjë film për luftën heroike të forcave nacionaliste shqiptare kundër partizanëve serb e malazez dhe kundër çetnikëve të Drazha Mihaloviqit, ndërsa u bën filma për partizanë. Katërqind vullnetarë nga Tirana që erdhën me Ballin Kombëtar në Dardani për të mbrojtur bashkëkombësit nga partizanët e çetnikët, i kemi të fiksuar në fotografi të kohës, por nuk i kemi në filmat artistik. Para vitit 1999 kineastët tonë frikësoheshin me arsye të bënin filma të këtillë, sepse ishin të okupuar, pas luftës mbizotëroi mendësia enveriste e “çlirimtarëve” të rinj, ose indiferencë e skajshme.

Ndërkaq nga filmat kritikë kemi mësuar për gjenocidin rus në Ukrainë para dhe pas Luftës së Dytë Botërore (ato që nuk na i ka thënë filmi sovjetik i “Moskfilmit”) , dimë për krimet ruse ndaj popujve aziatikë, tartarëve, uzbekëve, kirgizëve. Mirëpo nuk dimë asgjë për partizanët shqiptarë jashtë klisheve të njohura filmike, nuk dimë as për krimet e partizanëve serbë ndaj shqiptarëve.

Po aq konformiste u tregua edhe kinematografia serbe ndaj krimeve partizane: i paraqiti në pjesën më të madhe sipas modelit sovjetik, ndonjëherë duke vjedhur edhe nga spektaklet e Hollvudit e duke huazuar aktorë të Holivudit . Kineastët serbë nuk e bënë asnjë film as për përdhunimet e mijëra grave serbe në Beograd e Serbi nga ushtarët e Armatës së Kuqe. Okupatorët gjermanë nuk përdhunuan gra, ndërsa “çlirimtarët”  e Armatës së Kuqe përdhunuan mijëra gra të vëllezërve serbë, por filmi serb i hesht.

Pse heshtin kineastët serbë, është punë e tyre, por kur do të këndellen kineastët shqiptarë, që t’i qasen edhe ndryshe luftës partizane e diktaturës komuniste?!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok