ZIJA SHEMSIU- ARMATIMIN E KEMI FUTUR PËR TË IU SHPORRUR JUVE NGA TROJET TONA, DERI SA TË BASHKOHEN NË NJË SHQIPËRI ETNIKE
T’I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:
(1950- e mbytën më 1 maj 1985)
Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Në kohën kur, marrëdhëniet në mes Jugosllavisë dhe shteteve të llagerit socialist kishin arritur kulmin e vlimit, dhe pritej se Jugosllavinë do ta gllabërojë Bashkimi Sovjetik, e Kosova e mbarsur me padrejtësi të shumta mezi po çapitej kah mesi i vitit 1950, në fshatin Përlepnicë të Gjilanit, më 1 korrik 1950, u lind Zija Shemsiu që në vitet e mëvonshme për Serbin do të jetë personi më i rrezikshëm. Zijaja ishte fëmija i tret i Hasan e Lutfije Shemsiut (nga gjashtë fëmijë që kishte kjo familje). Ai u lind në një familje atdhetare dhe bujare, ku të parët e saj kishin marr pjesë në luftëra të ndryshme për çlirimin e atdheut. Bile, edhe Shtabi i Mulla Idriz Gjilanit, para se të bënte sulmin në Gjilan, më 23 dhjetor 1944, kishte qenë i vendosur në shtëpinë e Zenel Shemsiut, gjyshi i Zija Shemsiut. Si fëmijë Shemsiu ishte dallua nga moshataret me zgjuarsinë dhe çapkënllëqet që kishte bërë në lagje. Ishte tej mase i edukuar dhe kishte shumë shokë. Ishte i dashur për të gjithë, por nga natyra ishte shumë i drejt dhe padrejtësitë i luftonte në çdo mënyrë. Në moshën 7 vjeçare fillon mësimin fillor në fshat dhe i përfundon me sukses të shkëlqyeshëm. Mësuesin e donte shumë, andaj ishte e natyrshme që ai të vazhdonte shkollën Normale në Gjilan. Në Normale, ai u takua dhe u shoqërua me nxënës atdhetar, dhe me ta krijoi miqësi. Ishte i pandarë me Fatmir Salihun, Irfan Shaqirin e me shumë të tjerë. Me ta shoqërohej dhe ndodhte shpesh gjerë në orët e hershme të mëngjesit të debatonin për situatën e rëndë politike në Kosovë dhe për padrejtësitë e shumta që i bëheshin popullit shqiptar. Ata e thoshin haptas se për këtë robëri dhe shtypje të pushtetit jugosllav ekziston një zgjidhje, por për të realizuar atë duhet punuar shumë dhe duhet luftuar. Bënin plane të ndryshme, dhe punonin fortë për të. Më vonë filloi të shoqërohej me Rexhep Malën, Isa Kastratin e me shumë të tjerë.
Për organizimin e demonstratave në Gjilan, Grupi politik e kishte caktuar me detyrë Asllan Kastratin. Ai me 10 nëntor 1968, udhëton për Gjilan dhe takohet me Rexhep Malën, Fatmir Salihun dhe Irfan Shaqirin. Që nga ajo ditë, në mes studentëve që kishin marr përsipër që të organizonin demonstrata, ata u takonin çdo ditë, dhe në shtëpi të ndryshme. Por, kur lindi nevoja se duhet të shkruhen parullat, ata siguruan një bunker, që gjendej në afërsi të shtëpisë së Fatmir Salihut. Edhe Zija Shemsiu nuk qëndroi duarkryqë, më 1968, u fut në bërthamën politike që në nëntorin e vitit 1968 do të kulmojn me demonstrata gjithë popullore në Gjilan dhe gjithandej në Kosovë. Ai do të jetë ndër të parët që me parulla ndër duar do të shpërthej rrethimin që e kishin vu pushtetarët e Gjilanit për ti izoluar pjesëmarrësit.
Më vonë, për angazhimin, organizimin dhe pjesëmarrjen në demonstrata, hetuesit e udbashët filluan të gjurmojnë organizatorët dhe pjesëmarrësit. Shumë veta u arrestuan e shumë nga ata u dënuan. Por, politika jugosllave si gjithmonë ishte e kujdesshme me një qëllim të caktuar, që në opinionin ndërkombëtar nuk donte të zgjonte kureshtjen ngase ajo vazhdimisht thoshte se punën me forcat burokratike e kishte përfunduar më 1966.
Personat që i arrestoi, nuk i dënuan edhe shumë, ngase planet e okupatorit ishin më shumë se perfide. Ata pas një kohe një e nga një i akuzoi për veprimtari të tjera ilegale dhe në këtë mënyrë iu shqiptoi dënime të mëdha burgu.
Shemsiu edhe pse ishte regjistrua në fakultet, qe i detyruar që ti ndërpresë studimet ngase bisedat e shpeshta informative, torturat dhe maltretimet e mëdha që iu bënë Shemsiut në hetuesi, ai u detyrua që të largohet nga Perlepnica, dhe të marri rrugën e mërgimit.
Në fillim të viteve të shtatëdhjeta, Zijah Shemsiu kalon kufirin dhe vendoset në Zvicër. Ai e dinte se atje vepronin shumë atdhetar andaj edhe iu bashkohej atyre. Shemsiu edhe më herët njihej me Kadri Zekën dhe një takim me të ishte i mirëseardhur. Nga ajo ditë ishin shokë të pandarë derisa nuk i ndau vdekja tragjike e tyre. Te Kadriu gjeti vëllain e mikun e ngushtë i cili e ndihmoi në shumë aspekte të jetës së re në mërgim. Ai s bashku me Kadriun u angazhuan në organizimin e mërgimtarëve për të reaguar në momente të duhura. Angazhimi më i madh i tyre vije në shprehje gjatë periudhës kohore 1981-1983, kur në shumë vende të Evropës si në Bernë, Gjenevë, organizuan tubime të mëdha me mërgimtarët, për të kërkuar të drejtat kombëtare në ish Jugosllavi. Zijah Shemsiu ishte i dalluar si një personalitet me virtyte të larta kombëtare. Andaj edhe e zgjedhin anëtar të Komitetit drejtues të organizatës së LRSSHJ ku në përbërje ishte edhe Hasan Mala, Xhafer Shatri, Saime Isufi, Kadri Abdullahu e tj.
Kosova mezi kishte ecur në vitin 1981, Zija Shemsiu me shok po bënin përgatitje marramendëse për fillimin e demonstratave po të atij viti. Kërkesa për Kosovën Republikë ishte e mirë por ai donte edhe më shumë, donte që bashkimi kombëtar të bëhej njëherë e përgjithmonë. Ai ishte në rrjedha të organizatave ilegale patriotike dhe angazhohej në to, por me formimin e e organizatës “Lëvizja për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi”, ai u bë anëtar i saj. Organizata ilegale “LRSSHJ” u formua me 14 gusht 1982. Kjo organizatë u formua nga organizatorët e mëparshëm të organizatave të ndryshme ilegale që vepronin jashtë vendit (në Perëndim). Ky bashkim u arrit pas një pune dhe aktiviteti të dendur të ilegales. Kjo organizatë ka udhëheqjen qendrore, pjesë të së cilës gjenden në vend dhe në Perëndim. Emrin që e mban tani kjo organizatë, është emri i saj i tretë me radhë. Në fillim e kishte emrin “Zëri i Kosovës”, më vonë, me bashkimin e organizatës “Zëri i Kosovës” me organizatën “Fronti i Kuq” u shndërrua në “Frontin e Kuq Popullor” dhe tani në organizatën ilegale “LRSSHJ”. Udhëheqës i kësaj organizate ishte caktuar ilegalisti i njohur i organizatës “Grupi Revolucionar”, Xhafer Shatri, që kishte ikur nga burgu dhe ishte vendosur në Zvicër. Organizata kishte edhe organin e vet “Zëri i Kosovës”. Gjatë hetuesisë, organet kompetente më 1983 zbuluan në Kosovë shtatë grupe ilegale, që vepronin sipas platformës së “LRSSHJ”-së. Parulla kryesore e organizatës ishte “Kosova-Republikë në kuadrin e Jugosllavisë”, prapa së cilës qëndronte kërkesa për bashkim kombëtar me shtetin amë – Shqipërinë. Në bazë të disa të dhënave, kësaj organizate okupuesi ia kishte frikën, sepse ishte një organizatë e organizuar mirë dhe bashkëpunonte ngushtë me organizata të tjera simotra që vepronin në Gjermani, në Zvicër, në Belgjikë, në Francë, në Danimarkë, në Suedi dhe në Austri. Më 1983 kjo organizatë organizoi demonstrata antijugosllave para Parlamentit Evropian në Strazburg, në Nju-Jork, në Frankfurt, dhe në Bruksel me rastin e Ditës së Republikës. Ku në të gjitha këto merrte pjesë edhe Zija Shemsiu.
Gjatë kësaj periudhe Zija Shemsiu veç që kryente shumë punë propagandistike me mërgimtarët shqiptar, ai u angazhua që të sillte armatim nga atje për trimat e lirisë. Zija Shemsiu ishte organizator i blerjes dhe transportit të armëve nga Perëndimi në Kosovë. Më 9 tetor të vitit 1983, kur Zija Shemsiu dhe bashkëpunëtori i tij Sami Kurteshi nga Gjilani u arrestuan në afërsi të Beogradit, te këta dy veprimtarë u gjet armatim kryesisht i destinuar për kryerjen e aksioneve diversante, të cilat janë veprimet e para luftarake parapërgatitore për kryengritje të përgjithshme në vendet e pushtuara.
Më 24 maj 1984, në Gjykatën e Qarkut në Beograd, dolën para trupit gjykues, të përbërë nga gjykatësja Natalija Jankoviq, kryetare e trupit gjykues, Dobrivoje Gerasimoviq, anëtar dhe gjyqtarët porotë Velisha Çelikoviq, Sretka Marin dhe Vasilija Ristiq, anëtarë, u mbajt proces gjyqësor kundër të akuzuarve: Zijah Shemsiu e Sami Kurteshi, për shkak të veprave penale nga neni 114 dhe 136, alineja 1 të LP-së të RSFJ-së, Fetah Shemsiu, Hasan Shemsiu, Shaban Shemsiu dhe Taip Zeka, për shkak të veprave penale nga neni 114 dhe 136 alineja 2 të LP-së të RSFJ-së. Pas përfundimit të aktgjykimit ka shpallur këtë aktvendim.
Sipas aktvendimit K. nr. 171/84, trupi gjykues dënon:
- Zijah Shemsiu (1950), Përlepnicë (Gjilan), punëtor – 13 vjet burg
- Sami Kurteshi (1960), Gjilan, student – 9 vjet burg
- Fetah Shemsiu (1958), Përlepnicë (Gjilan), punëtor – 5 vjet burg
- Hasan Shemsiu (1958), Përlepnicë (Gjilan), bujk – 4 vjet burg
- Shaban Shemsiu (1947), Përlepnicë (Gjilan), profesor – 4 vjet burg
- Taip Zeka (1944), Kamenicë e Kosovës, kontrollor – 5 vjet burg
Në aktgjykim thuhet se të akuzuarit “gjatë periudhës nga maji i vitit 1981 e deri më 10 tetor 1983 në shumë vende të Evropës Perëndimore dhe në Jugosllavi kanë kryer vepra kundër shtetit dhe kundër organeve të pushtetit për ndryshimin kundër kushtetues të rregullimit federativ të RSFJ-së”.
Zijah Shemsiu dhe Sami Kurteshi akuzohen se janë dalluar në veprimtarinë antishtetërore me paraqitje dhe me pjesëmarrje në demonstratat e organizuara kundër Jugosllavisë, kanë bërë betimin dhe janë bërë anëtarë të organizatës ilegale “Lëvizja për Republikën Socialiste të Shqiptarëve në Jugosllavi”, në gusht të vitit 1982 në Billin të Zvicrës, qëllimi i së cilës ishte krijimi i Republikës Socialiste në kuadrin e Jugosllavisë. Më vonë janë zgjedhur në Këshillin Drejtues të Organizatës dhe vazhdimisht kanë punuar për qëllimin e organizatës, duke hyrë ilegalisht në vend, duke futur armë, municion, eksploziv dhe aparate e materiale me përmbajtje kundër shtetit. Me këtë rast kanë përfshirë edhe anëtarë të tjerë në organizatë dhe nëpërmjet tyre kanë shpërndarë dhe kanë fshehur armë e materiale.
Zijah Shemsiu, së bashku me Salih Bashën, kanë kaluar katër herë ilegalisht kufirin midis Jugosllavisë dhe Italisë te vendi i quajtur Kozina në Slloveni dhe në Kosovë kanë sjellë: 2 pistoleta, 2 toki-voki, 2 pushkë “Vinçesterka”, mbi 600 fishekë kalibrash të ndryshëm, material për ilegalen, si: gazetën “Zëri i Kosovës” (mbi 2.000 ekzemplarë) dhe 4o libra të autorëve të ndryshëm të botuar në Tiranë. Herën e pestë është futur ilegalisht me Sami Kurteshin më 9.10.1983, por gjatë rrugës organet e sigurimit i arrestojnë në Beograd. Këtë radhë me vete kanë sjellë: 1 pushkë automatike, 2 pistoleta, një kilogram eksploziv plastik, 12 detonatorë, 5 metra skopza me ndezje të ngadalshme të eksplozivit, 2 thika ushtarake, 625 fishekë kalibrash të ndryshëm dhe 1.700 ekzemplarë të gazetës “Zëri i Kosovës”, organ i organizatës “LRSSHJ” dhe 19 libra të tjerë, të botuar në Shqipëri.
Fetah Shemsiu, Hasan Shabani dhe Zekë Kadriu, me ndikimin e Zijah Shemsiut dhe duke u shpjeguar se atdheu është në rrezik dhe se populli ka nevojë për ta, janë anëtarësuar në radhët e organizatës “LRSSHJ” dhe me përgjegjësi të plotë kanë pranuar detyrat e saj. Veprimtaria e këtyre tre anëtarëve, kryesisht ishte e orientuar në ruajtjen dhe fshehjen e materialit që e sillnin ata nga jashtë. Së pari e paketonin dhe e fshihnin në varreza, e më vonë e shpërndanin sipas nevojës.
Zijah Shemsiu gjatë veprimtarisë së vet ilegale ka qenë shumë aktiv dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm në angazhimin sa më të madh të anëtarëve të rinj në organizatë. Para trupit gjykues nuk ka mohuar asgjë, por së bashku me Sami Kurteshin kanë thënë se “Armatimin e kemi futur për të iu shporrur juve nga trojet tona, deri sa të bashkohen të gjitha trojet shqiptare”, dhe se nuk pendohen për veprat e kryera, porse do të luftojnë edhe më tej për realizimin e qëllimeve të organizatës së cilës i takojnë.
Gjatë qëndrimit në burgun hetues të Beogradit, torturat ndaj Shemsiut ishin më se të tmerrshme. Pas shqiptimit të dënimit prej 13 vjetësh burg të rëndë, e dërgojnë në Burgun Qendror të Beogradit “CZ“. Në burg takon edhe shumë shokë të tjerë që ishin dënuar me vite marramendëse burgu. U takua me Hydajet Hysenin, Bajram Kosumin, Ali Lajçin, Gani Gocin e shumë të tjerë.
Gjatë qëndrimit me shokët në këtë burg, lindi edhe ideja që të shkruanin fillimisht një letër -protestë nga të burgosurit politik shqiptar: Hydajet Hyseni i dënuar me 15 vjet burg, Zijah Shemsiu, me 13 vjet burg, Bajram Kosumi, 15 vjet burg, Ali Lajçi, 15 vjet burg dhe Gani Koci i cili ishte i dënuar po ashtu me 15 vjet burg. Fillimisht, ky shkrim u pagëzua me emrin “Letër Kryesisë së RSFJ-së”, që u shkrua në burgun famëkeq “CZ” (Burgu Qendror) të Beogradit, në prag të katër vjetorit të demonstratave gjithë popullore të Kosovës, më 1981. E më vonë u botua si broshurë “Ngjarjet në Kosovë nuk janë kundërrevolucion”, e cila u botua në vitin 1986, nga biblioteka “Liria”, e organizatës “MLK”, dhe ka 146 faqe. Kjo “Letrën…” nga vet përmbajtja e vërejmë se atë e kishin përgatitur gjatë, duke hedhur për çdo ditë nga diçka në të, duke shtuar e hequr me korrektësi çdo gjë që ishte e rëndësishme për historinë dhe për momentin. Për ta përfunduar diku në ditët e para të marsit të vitit 1985, kur edhe iu dorëzua organeve kompetente të Burgut Qendror të Beogradit. Më saktë, letra u dorëzua me 8 mars po të njëjtit vit, ndoshta kjo datë edhe nuk ishte ashtu krejt e rastësishme, ngase përputhej edhe me përvjetorin e katërt të nismës së demonstratave studentore të vitit 1981.
Dhe jo rastësisht, pas dorëzimit të letrës nga ana e të burgosurve politik organeve kompetente, në burg dhe në kreun e saj, u ngrit një “alarm”, ku përsëri i tërë mllefi u shpreh te të burgosurit politik shqiptar, dhe menjëherë pas dorëzimit të saj, të burgosurit politik që ishin nënshkrues të letrës u shpërndan në burgje të ndryshme anë e kënd ish-Jugosllavisë. Dy nga të nënshkruarit u transferuan në Nish, një në Zajeçar, një në Pozharevc, ndërsa Zija Shemsiun e ndaluan në Burgun Qendror të Beogradit. Dhe e tërë kjo, nuk ishte aspak befasuese për të burgosurit ngase një gjë të tillë edhe e kishin pritur. Ndërsa, me të burgosurin politik Zijan, gardianët e burgut me gjasë kishin edhe disa hesape të pa kryera që iu kishin grumbulluar prejse kishte rënë në burg. Ai me trimërinë dhe guximin e vet kaherë kishte tërhequr vëmendjen e gardianëve dhe hetuesve serbë për qërim hesapesh me të. Edhe pse fizikisht e kishin dërmuar, duhet thënë hapur se po mos të ishte guximi i tij prej një atdhetari të devotshëm sot, nuk do të kishim as këtë broshurë “Letër…” (protestë), në duart tona, që vjen si ushtimë për një kohë të rëndë që e përjetuam. Ai edhe nëpër atë zjarr, edhe nëpër ata dryna e grila arriti që një kopje të kësaj letre, nëpër mes të një burgosuri ta nxjerr jashtë dhe tua dërgoi shokëve të idealit.
Pas dorëzimit të letrës, organeve hetuese të Burgut Qendror të Beogradit, thuajse iu dha edhe një shkas edhe më i madh për të përdorur tërë arsenalin e dhunës që kishin në dispozicion ata. Për një muaj e më tepër rresht nuk pushuan torturat e metodat më shtazarake që u përdorën ndaj tyre. Mllefin më të madh pa dyshim e shprehen ndaj të burgosurit politik- Zija Shemsiut, të riut nga Perlepnica e Gjilanit, i cili ishte i dënuar me grupin që ilegalisht kishte sjellë armë nga shtetet e Perëndimit për nevoja të ilegales në Kosovë. Ndaj tij përdorën mjetet e metodat më barbare, dhe më 1 maj të vitit 1985 e likuiduan fizikisht. Për vdekjen e tij, arsyetimi ishte i thjesht, (si rëndom kur i mbytnin djemtë tan ) se kishte vdekur nga një sëmurje e rëndë në burg. Por, e tërë kjo farsë nuk kaloi tek populli, se ata vetëm ishin të mësuar si i vdisnin patriotët dhe se nga çfarë “sëmurje” vuanin. Me 4 maj, organet e burgut të Beogradit ftuan familjaret që ta merrnin trupin e pajetë të atdhetarit Zija Shemsiut. Por kur e sollën në fshat e hapen arkivolin dhe çfarë të shihnin, Zijaja i tyre, ishte i prerë në fyte me një mjet të fortë, dhe kjo ishte “sëmundja” nga e cila u mbytë heroi. Varrimi i Zijas me 5 maj 1985 ishte madhështor në varrezat e fshatit Përlepnicë. Populli e qau dhe e lau me lot trimin e tyre duke i thurur këngë e duke emërua rrugë e shkolla në nderim të tij.
Vdekja e atdhetarit Zija Shemsiut u hesht nga organet kompetente, nuk u njoftua opinioni, siç bënte zakonisht në raste të tilla , edhe një arsye tjetër ishte edhe më e madhe se Zija Shemsiut, ata i frikoheshin edhe kur ishte i vdekur.
Ndërsa, ndaj të burgosurve të tjerë, që ishin hartues të “Letrës…”, masat ndëshkuese u shtuan, dhe nuk ishin të rralla edhe ndëshkimet kur i qonin në qelit e ftohta e të vetmuar të kalonin muaj të tërë.