08/06/2026

Zanafilla e poshtërsisë së Zvernecit

0
Ardian-Ndreca

Nga Ardian Ndreca

Poshtërsia e Zvernecit e ka zanafillën me ministren Mirela Kumbaro kur mbulonte dikasterin e Turizmit e kur 12 deputetë të majtë, kinse të frymzuem prej nji letre të disa bashkiakëve të jugut që kërkonin ndryshime në ligjin 81/2017 “Për zonat e mbrojtuna”, gatuen atë që tashma njihet si ligji 21/2024 “Për disa shtesa dhe ndryshime” të ligjit 81/2017.

Ndryshuen parimet, objektivat, përkufizimet, u lejue mundësia e ndërtimit të infrastrukturës për turizmin e ekselencës me 5 yje. U shfuqizue neni 13 i ligjit 81/2017 që vështirsonte ndërtimet në zonat e mbrojtuna. Ndryshoi gjuha, aty ku flitej për ndalime, kufizime tashma flitej për “zona të pashqetësuara” dhe kaloi parimi i përshtatshmërisë i këtyne zonave.

Me datën 1 nandor 2024 nji grup prej 37 deputetësh të Kuvendit iu drejtue Gjykatës Kushtetuese me kërkesën me rrëzue ligjin 21/2024, krah tyne ishin edhe organizatat jofimprurëse “Shoqata Ornitologjike të Shqipërisë (AOS) dhe “Qendra për Ruajtjen e Ekosistemeve Natyrore në Shqipëri (Eco Albania)”.

Shfuqizimi i ligjit kërkohej për arsye se konsiderohej si antikushtetues, pse simbas tyne ligji 21/2024 ishte në kundërshtim me nenin 56 të Kushtetutës, në kundërshtim me Konventën e Aarhusit dhe me jurisprudencën e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut”, ndërsa:

“Zbatimi i ligjit ndryshues do të sillte dëme ndaj interesave të ligjshëm të shtetit, të cilat rrezikojnë që të jenë të pariparueshme ose kthimin në gjendjen e mëparshme, shumë të vështirë”.

Ndër të tjera shfuqizimi kërkohej pse:

“Ligji ndryshues cenon parimin e solidaritetit midis brezave, të deklaruar në Preambulën e Kushtetutës, pasi dispozitat e tij heqin ndalimet ligjore me qëllim lejimin e turizmit të ekselencës (me 5 yje) dhe infrastrukturës mbështetëse në të gjitha zonat e mbrojtura, përfshirë nënzonat qendrore të tyre, duke bërë që ligji

ndryshues të sjellë pasoja të pakthyeshme për këto zona dhe duke cenuar edhe të drejtat dhe interesat e brezave të ardhshëm për të trashëguar një mjedis të pacenuar dhe relativisht të pandryshuar”.

Gjykata Kushtetuese shpalli vendimin e saj me datën 31.10.2025 tue rrëzue pretendimet, të cilat simbas saj “kanë natyrë të përgjithshme, duke mos arritur të provojë pasojat e rënda, të pariparueshme dhe reale nga zbatimi i ligjit objekt kërkese”.

Pesë antarë të asaj Gjykate nuk shihnin pasoja të randa e të pariparueshme për mjedisin dhe ekosistemin të ajo që sot i kërcënohet Zvernecit!

Vetëm tre antarë të kësaj Gjykate: Xhaferllari, Papajorgji dhe Toska votuen kundër.

Mund të themi se ndryshimet e ligjit 21/2024 ishin të mendueme “ad hoc” për resortin luksoz të financuesve arab të Kushnerit.

Por ndoshta ky vendim i Gjykatës Kushtetuese u ba shkak, padashje, për këtë katastrofë të madhe të gjithë sistemit politik shqiptar!

Filozofi napoletan Giambattista Vico flet për “eterogenesi dei fini”:  kërkohet diçka dhe realizohet diçka krejt tjetër.

Kurse ne themi: asht mbushë kupa!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok