14/10/2024

YMER LLUGALIU, MËSUESI NGA KOSOVA I GJIMNAZIT TË RRËSHENIT

0

Agim Gjakova: “Një ndër figurat kosovare më të dinjitetshme në Shqipëri”

Nga Ndue Dedaj

Këto pak radhë kanë synimin e një homazhi vetjak për një njeri me jetë dramatike, Ymer Llugaliun, që u shua në Podujevë të Kosovës më 13 qershor të këtij viti. Shkrimtari i njohur Agim Gjakova e përcolli me këto fjalë ndarjen e tij nga jeta: “Ymer Llugaliu ka qenë një ndër figurat më të pastra dhe të dinjitetshme në Shqipëri, në liri apo në burg, që e mbajti lart qenien e tij kosovar”. Zor se mund të ketë një vlerësim më dinjitoz se ky për profesor Llugaliun, që mund të ishte dhe fraza e parë e një monografie kushtuar tij.

Njeriu ka disa “pengje” që e shoqërojnë për një kohë të gjatë në jetë, lidhur me njerëzit që ka njohur dhe që kanë lënë gjurmë në kohë, çka personalisht e kam zakon t’i shlyej pasi ata nuk rrojnë më. Kështu dhe me profesorin e Letërsisë të gjimnazit të Rrëshenit, Ymer Llugaliun, diplomuar në Universitetin e Tiranës, më vonë dhe ne pasardhës të tij, në të njëjtën katedër, por pa atë në krah a në krye, ku e kishte vendin.

Ishte viti 1967. Mësuesi kosovar, me një mbiemër të padëgjuar, atë vit do të fillonte punë në shkollën e mesme të Rrëshenit, e vetmja e tillë asokohe në Mirditë. Po atë vit autori i këtyre radhëve, 10 vjeç e gjysmë, do të niste klasën e pestë si konviktor në të njëjtën shkollë, ngaqë ajo ishte e mesme e bashkuar.

Mësues Ymeri, një burrë me shtatin si lis, me një ecje të ngadaltë, që dallohej për buzëqeshjen e lehtë dhe humorin e këndshëm, çka e vura re dhe kur më ktheu me shënime anash një tufë poezish, që kisha marrë guximin t’ia tregoja, edhe pse ai nuk më jepte mësim.

Nxënësit e gjimnazit që ai mësonte thoshin se mësues Ymeri iu fliste më pasion për dy gjëra, Migjenin dhe letërsinë kosovare, ku me gjasë dikush nga drejtoria apo inspektimi i kishte bërë vërejtje se nuk duhej ta tepronte më këtë të fundit dhe profesori i ishte kthyer se kështu duhej dhënë letërsia në shkollë, pa u cunguar ajo e Kosovës. Ashtu kishte vazhduar dhe më pas ta shpjegonte letërsinë, pa u tutur nga tutela zyrtare. Kjo soj “kokëfortësie” mbase qe dhe shenja e parë e vënies së tij në shënjestër. Ai qe atdhetar i kulluar, profesionist i zoti, i papërkulur para burokracisë dhe si i tillë bënte diferencën me të tjerët dhe me vetë kohën e “përkulur” para Partisë shtet.

E hoqën nga gjimnazi dhe e dërguan mësues në Kurbnesh. Aty dhe e arrestuan më 1976, duke e dënuar për agjitacion e propagandë. Kështu mësuesit dhe intelektualit trim partia dhe ideologjia bolshevike i mori Atdheun, 7 Marsin, profesionin e mësimdhënësit të pasionuar, lirinë për të cilën kishte qenë arratisur nga Kosova në rininë e tij në vitet ‘50.

Pasi kreu dënimin, punonte punëtor krahu në Rrëshen, në mos gaboj te “fusha e sportit” dhe kur qëllonte që shiheshim në të rrallë, ai përshëndeste me një lëvizje të lehtë të kokës e atë buzëqeshjen e tij të pandërruar, që nuk ia kishte fshirë vuajtja.

Duke mos e pasur mësues, kujtimt e mia për të janë tejet të pakta, e vërteta është se ai mbeti në kujtesën time si shëmbëllimi i një meteori.

Biografia e tij është shkruar gjerësisht pas 90-s, nxënës të tij mirditorë nga Rrësheni dhe Kurbneshi kanë shkuar në Podujevë dhe e kenë takuar, duke i dhuruar lule, bërë fotografi apo intervistuar, kështu që nuk do të zgjatëm në këtë anë. Një gjë dëshiroj të theksoj, është e habitshme sesi regjimi komunist asnjëherë nuk i kuptoi kosovarët që kaluan kufirin për të gjetur lirinë dhe dashurinë e tokës amë, por herët a vonë i shpalli njërin pas tjetrit armiq, të dërguar të regjimit titist etj. Ata që nuk i dënoi, i mbajti nën survejim deri në fund. Një pjesë e mirë e tyre vinin nga letërsia, si poetët Agim Gjakova e Asdem Istrefi, apo Ymer Llugaliu etj.

Ymer Llugaliu nuk u tut për të qenë as në varrimin e Musine Kokalarit, në mesgusht të vitit 1983, çka tregon dhe këtë herë dinjitetin e tij, duke u gjendur aty në vendin dhe në kohën e duhur, ndërkohë që ajo varrosej vetëm nga një dorë njerëzish, nga komshinjtë dhe komunalja.

E tillë ishte ora e tij, ajo punonte veç sipas zemrekut të gjuhës shqipe, letërsisë dhe kulturës shqiptare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok