21/12/2024

Xhelil Musa vlerësohet në Berlin me çmimin e krijuar në kujtim të gastronomit legjendar shqiptar Anthony Athanas

0
Xhelil-Musa

Nga Sadbere Emshiu, Shyqyri Fejzo

Në hierarkinë dhe yjësinë e qiellit memorial të Dardanisë ka  shumë figura që lidhen me zhvillimet politiko-shoqërore të atyre vendeve. Historia njerzore flet se çdo epokë prodhon heronjtë e saj. Për të nxjerrë në plan të parë tipa dhe karaktere të veçantë të Dardanisë i  jemi drejtuar aktivitetit të gjallë të tyre. Një nga këta personalitete është dhe Xhelil Mehmet Musa. Zoti Xhelil Mehmet Musa u lind më 10 Korrik të vitit 1950 në fshatin Pozhoran të komunës së Vitisë në Kosovë. Ishte fëmija i parë i 11 fëmijëve që lindi, rriti dhe edukoi familja patriote e Mehmet e Ajshe Musa. Xhelili ishte një fëmijë i mbarë. Familja e varfër që “ngjynte bukën me dhallë”, kur i thonë një fjale, u kujdes shumë për djalin që të rritej e zhvillohej. Në vitin 1957 Xhelili nisi shkollën fillore të Pozharanit.  Mësues  i parë i tij ka qënë Zaker Ramizi. Koha kalonte dhe Xhelili rritej. E shikonte  dhe vetë e prekte konkretisht varfërinë ekstreme të familjes që si çift bënë 11 fëmijë, ku vetë ai ishte fëmija i parë. Me mësime shkonte mirë. Kishte interes të mësonte sa më shumë dhe me cilësi. Vitet kalonin dhe ja ku Xhelili kalon në shkollën 8 vjecare të Gjilanit, e cila ishte 16 km larg fshatit.

Varfëria ishte një realitet dhe në vorbujt e saj ishte përfshirë edhe Xhelili e familja e tij. Por varfëria, jeta e vështirë dhe e mundimëshme në familjen me shumë fëmijë i dha shumë mësime, midis të tjerave  të cilat vlejtën shumë për jetën. Më pas ai preferoi të regjistrohet në  shkollën e mesme  teknike të cilën e përfundoi me sukses duke fituar mjeshtërinë e metalgëdhendësit..  Si fëmija i madh dhe atij i ra barra për të ndihmuar familjen.  Për këtë, më pas ai shkoi në Vojvodinë ku punoi tre vjet për të nxjerrë bukën e gojës.  Punonte atje në kushte të vështira deri  14 orë në ditë.

Për gjeneratën e parë të shqiptarëve ardhja e tyre në Gjermani ishte ura e parë e hedhur midis dy vendeve. Kjo ishte një urë e brishtë, me shumë të pa njohura, të cilave u bënë ballë emigrantët e parë, midis tyre dhe Xhelili. Ai në Hamburg provoi një seri punësh, duke bërë dhe kualifikime cilësore për sejcilën prej tyre. Punoi për një kohë në gjigandin gjerman „KRUP” si tornitor (metalgëdhendës). Bëri kurset përkatëse për shofer dhe mori patentë 2 dhe 3, duke u bërë me sukses shofer autobusi. Në kohën e lirë  natën vazhdonte punën si shofer taksie. Në vitin 1983 kreu 6 semestra kurse te vizatimit teknik. Më pas iu kushtua artit të guzhinës e hotelerisë. Në kualifikimet e punën e Xhelilit vihej re përqëndrimi i lartë, kualifikimi cilësor dhe vullneti i madh për të kapur e çuar çdo punë deri në fund me sukses. Ksisoj ai ngjitëte shkallët e kualifikimit me shpejtësi dhe forconte besimin tek gjermanët për një njeri puntor, të saktë dhe me gjithë cilësitë që kërkonte puna dhe vetë Gjermania.

Mbasi erdhi në Hamburg, mbas 4 muajsh u njojt me një vajzë gjermane, Silvia Magor, me të cilën bashkëjetuan 5 vjet dhe në vitin 1976 u martuan. Ai flet me super relative për bashkëshorten e tij e cila duke parë energjitë e zgjuarsinë e Xhelilit, si dhe synimet për të ecur përpara, e mbështeti fuqishëm në të gjitha hapat, si në mësimin e gjuhës gjermane, kualifikimin e tij në mësimin e marrjen e patentave 2 e 3 për makine e deri autobus në vitin 1973, në mësimin e vizatimit teknik në 6 semestra në vitin 1982. etj. Më pas do e nxitëte e ndihmonte si bashkëshorte e bashkëvepruese në ngritjen dhe konsolidimin e bizneseve.

Krahas punës intensive, konsolidohej e rritej dhe familja e re. Tashmë ajo u shtua dhe me dy djem, me Ardiantin dhe Samiun. Ardianti sot është bisnesmen, ndërsa Samiu deputet në Bundeshtagun e Hamburgut me rol aktiv ne politikë.

Në vitin 1983 hapën lokalin Restorant „Adria Grill” me të cilin vepruan me sukses deri në vitin 1988.Më pas u shtuan lokalet deri  sa  në vitin 1994 u gjendën me 10 restorante. Kështu, Xhelil Musa ngjitëte një nga një shkallët e jetës së suksesëshme, i sigurtë dhe i vendosur. Ai dhe e shoqja si partnere në bisnese, kanë zbatuar në kushtet konkrete kërkesat e psikologjisë së suksesit të kohës.

Këto objekte bisnesi që rezultuan të suksesëshme, kishin qartësinë e mendimit të Xhelilit e bashkëshortes tij, e cila ka qënë jo vetëm ndihmsja  kryesore por edhe nxitsja e frymëzuesja e këtyre.

Të rrallë janë njerzit si Xhelil Musa, i cili për gati 50  vjet veprimtari, punoi dhe veproi për të ngritur e mbajtur familjen e tij:-punoi dhe veproi për kauzën kombëtare;-punoi dhe veproi për të ngritur ura bashkëpunimi dhe miqësie midis dy popujve tanë, popullit shqiptar dhe atij gjerman. Këto janë tri shtylla të forta që Xhelil Musa ngriti për 50 vjet me rradhë, shtylla  të forta këto mbi të cilat qëndron madhërishëm portreti dhe vepra i këtij atdhetari dhe humanisti shqiptar.

Duke aderuar si antar i Partisë PSD gjermane  që nga viti 1980 Xhelili ishte njeriu kryesor që sqaroi para politikës gjermane pozicionin, përpjekjet e luftën e shqiptarëve të Kosovës për të mbrojtur të drejtat e tyre deri në shkëputje e mëvetësi.Në vitin1991 Xhelili organizoi takimin e politikanëve shqiptarë të Kosovës me deputetin gjerman Hans Kloz për sqarimin e disa problemeve që nxirte koha. Xhelili në çdo takim e veprimtari do të shtronte çështjen e shqiptarëve të Kosovës. Me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë e ditës së Flamurit aiorganizoi një mbrëmje solemne me  pjesmarrjen e  shumë shqiptarëve nga treva të ndryshme si dhe 70 politikanë e autoritete gjermane, midis të cilëve 6 deputetë të Bundeshtagut, si dhe zoti Folker Ruhe ish ministër i Mbrojtjes të Gjermanisë në kohën e luftës në Kosovë.

Ai punoi me mish e me shpirt për ardhmërinë e Kosovës. Si atdhetar i dallueshëm roli i tij është i gjithëanëshëm në pjesmarrjen në tubime, në sensibilizimin e çështjes së Kosovës, si dhe përdorimin e mediave të ndryshme, simboleve si flamurët, pankarta shtypi  etj që ndihmonin për sensibilizimin. Nuk ka ngjarje, aksione, mobilizim forcash e mjete financiare ku të mos jetë dhe roli e kontributi i Xhelil Musa. Pastaj, dihet që periudha nga vitet nëndëdhjetë deri në shpalljen e Pavarësisë së Kosovës ka qënë e gjatë, plot peripeci, por edhe arritje. Xhelili punoi intensivisht në veçanti për të bërë të njohur objektivat përse lutonte UÇK dhe populli shqiptar i Kosovës , në autoritetet e larta politike gjermane, me synim të merrte përkrahjen e mbështetjen e plotë të Gjermanisë. Dhe atë përkrahje e mbështetje me shumë punë e peripeci, e arriti së miri.

Një takim interesant i z.Xhelil Musa ka qënë dhe ai që është bërë në vitin 1997 kur skuadra kombëtare e futbollit të Shqipërisë do të luante me Gjermaninë në Hanover.Dashamirës i zhvillimeve sportive dhe mbështetës i talenteve të reja,Xhelili ka prezantuar,nxitur e ndihmuar talente të sportit të Kosovës dhe Shqipërisë.Për këtë pozicion ai është edhe i zgjedhur i FIFA duke dhënë rolin e tij.

Në thelb identiteti i zotit Xhelil Musa është i pa ndarë nga humanizmi dhe bujaria. Këto veti ai i ka shpalosur në vazhdimësi, të cilat me theks kanë dalë në momentet më të vështira për vendin dhe njerzit. Ndihmoi dhe ndihmon me gjithë forcën problemet e vendit, si gjatë luftës e me vendosjen e demokracisë,të shqiptarëve cilatdo qofshin ato, të sportit e talenteve etj.Familja e Xhelil Musa dhe djali i tij Samiu, në qytetin e Hamburgut janë të njohur si persona të cilët rrezatojnë mirësi e kujdesen shumë për bashkëkombasit. Në bisnesin e tyre punojnë kyesisht shqiptarë. Rekomandojnë e propozojnë në firma e bisnesmenë gjermanë njerzit që kanë nevojë për punë si dhe ndjekin ecurinë e tyre. Ata ndjekin brenda dhe jashtë vendit hallet, si gëzimet e hidhërimet e njerëzve pa i kthyer shpinën vendlindjes. Personaliteti Xhelil Musa është nderuar dhe mban një sërë tituj e dekorata, si Dekoratën e Lartë të Kuvendit të Shqipërisë „Nënë Tereza”, të komunës së Vitisë në Republikën e Kosovës, „Qytetar Nderi i Komunës së Vitisë”, të FIFA si i zgjedhur tepër aktiv, të Lidhjes së Shkrimtarëve të Mërgatës, „Ambasador për Paqen”.Këto ditë Xhelil u nda me çmimin në panairin e parë dhe më të madh në botë të gastronomisë shqiptare në Berlin, me emërtimin  “ATHANAS”. Ky çmim synon të njohë arritjet e jashtëzakonshme të sipërmarrësve shqiptarë në botë, të cilat mund të tregojnë sukses biznesi në fushën e gastronomisë.

Gjithsej, tre gastronomë shqiptarë u shpërblyen, dy nga SH.B.A dhe Xhelili për Evropë. Është nder i madh të rrëmbesh në këtë konkurim të madh çmimin e merituar “ANTHONY ATHANAS”. Theksojmë shprehjen që i takon rasteve të tilla të lavdishme. “Njeriun nuk e nderojnë titujt e dekoratat. Përkundrazi, njeriu i nderon ato.”

Xhelil Musa ka qënë dhe mbetet një misionar i rëndësishëm aktiv duke punuar në vazhdimësi për të ngritur rolin e shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërisë dhe vendeve të tyre  dhe  integrimin drejt Europës.

Sadbere Emshiu, Shyqyri Fejzo

Hamburg, Tetor 2024.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok