VULA E DEXHALLIT NË BALLË

0

 “Nëse dikujt i janë çrregulluar jo vetëm  shqisat,

por edhe gjykimi intelektual, madje përtej masës

së zakonshme dhe përherë, vetëm atëherë themi

se ai nuk është larg tërbimit…”

Roterdami

NGA KALOSH ҪELIKU

Populli në shumë raste është sikur edhe i mbyturi, që rroket edhe për gjarpëri dhe mundohet duke i lëvizur këmbët, duart e kokën të dalë në breg. Por, gjarpëri është gjarpër, që di vetëm të kafshojë dhe të të fundosë në fund të hurdhës. Më kot do edhe një herë të dalësh mbi ujë, ta mbledhësh veten me forcat e fundit, ta nxjerrësh vetëm pak kokën, t’i hapësh sytë. Helmi e ka bërë të veten nëpër gjak, e ka marrë rrugën nëpër damarë drejtë zemrës e kokës. Sytë dalngadalë fillojnë të të mbyllen duke e parë në breg bishtin e gjarprit sesi bëhet kulaç në diell. Herë pas here e ngre kokën, nxjerr gjuhën dhe dikur, pasi pështyn, e palon përsëri mbi bar. Dhe ti, derisa bën luftë për jetë a vdekje, ky “shpëtimtar” i njerëzimit e bën një sy gjumë në mesin e luleve… Këngëve të zogjëve…

Dy herë radhazi je fundosur i pavetëdijshëm, dhe ke dalë përsëri mbi ujë. Herën e tretë i ke vënë në përdorim të gjitha forcat që të mos fundosesh prapë, sepse: kjo ka qenë ajo e fundit, dhe po të zhyteshe edhe një herë, nuk do të dilje më kurrë përsëri në sipërfaqe. Këto janë Tri rregullat e të mbyturit, që fatkeqësisht deri më sot asnjë shkrimtar nuk ka mundur t’i shpirtëzojë, t’i servojë me aq mjeshtri në libër. Por, kjo nuk do të thotë se, këto veprime të vetë natyrës për ty janë të huaja, nuk i ke të njohura këto vrapime maratonike për në Baba Tomorr. E them këtë, se: gjithmonë, atypari ka kaluar DoktorZiu nga “Unioni i viçave”, që ta ka shtrirë dorën për ndihmë. Edhe ti, ia ke zgjatur vetëm e vetëm që të mos mbytesh, por nuk ke pasur kohë t’ia shohësh fytyrën. Gjatë kohë, ashtu dorë për dorë, keni ecur nëpër Shkretirë pa bukë, pa ujë. Në rrugë e sipër, diku larg i ke dëgjuar Trumbetat e Dexhallit. E ke zgjatur qafën të shohësh matanë Shkretirës, po qafa jote e shkurtër, që s’ka ditur të shoh më larg se para këmbëve, i ka parë vetëm disa eshtra njeriu. Aty për aty të janë marrë mendtë, ke dashur të vjellësh, sa që t’i nxjerrësh jashtë edhe zorrët. Por, vrik të ka tërhequr pas DoktorZiu (shërbetori i Dexhallit) duke të prirë nëpër Shkretirë, drejt zërit të trumbetave mes maleve.

Pas gjithë asaj rruge të gjatë, që ke bërë nëpër Shkretirë, s’di sesi: e ke ngritur kokën ta shohësh DoktorZiun (Shërbetorin e Dexhallit) në fytyrë, i cili vetëm të ka prirë për në Baba Tomorr pa e hapur gojën gjatë gjithë rrugës. Po, ç’të shohësh, tragji – komedi: DoktorZiu (shërbetori i Dexhallit) me dy gropa në ballë e ka luajtur rolin kryesor në skenën Shkretirë. Perdja është hapur, keni luajtur role, keni dëgjuar muzikë, por për çudi pak veta u kanë duartrokitur. Vetëm tani e ke kuptuar këtë lojë, pse njeri i gjallë nuk u ka rënë duarve shuplakë. E ke shtënë kokën në mes të duarve, je ulur këmbëkryq në rërë dhe ke dashur të plasësh nga inati. Gjatë gjithë rrugës të ka prirë DoktorZiu (shërbetori i Dexhallit). E ti, ke ecur pas tij si dhelpra pas herdheve të Dashit me këmborë. E gjithë kjo, nuk të vjen çudi sa ajo tjetra, si e keni gjetur rrugën, nuk keni rënë në ndonjë gropë. Ja, edhe kush të ka shtënë: që, mëtej mos të të prijë DoktorZiu (shërbetori i Dexhallit) nëpër Shkretirë. Vetëm se, tash është vonë. Trumbetat e Dexhallit, dëgjohen në rrugë… Dexhalli u pri para me një shami… E hedh shaminë, e ngre këmbën, përdredhë bythët, dhe u mëshon me sa mundet trumbetave… Qytet më qytet, sillet e trumbeton veten si “Shpëtimtar” i njerëzimit… E, të gjithë atyre që mashtrohen, dalin në rrugë t’i dëgjojnë trumbetat e tij, ai ua vë nga një vulë në ballë.

Por, mos e harroni shpërblimin: Tri ditë para Kiametit (Përmbytjes Madhe), pas trumbetave të Dexhallit, delë edhe Xhebraili me shpatën e pamëshirshme ta pastrojë botën nga njerëzit me mëkate, shërbetorët e Dexhallit me vulë në ballë…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok