22/12/2024

VRASJA E DEPUTETIT HAJDARAJ E MONITORUAR NGA POLICIA!

0
Smajl-Hajdaraj

Shtatorja e Smajl Hajdaraj, Hero i Kosovës, vlerë shtesë për qytetin e Pejës

NGA IDRIZ ZEQIRAJ

Në përvjetorin e 22-të ekzekutimit zyrtar të deputetit Smajl Hajdaraj, nderojmë me përkujtesë veprën e tij madhore: si inxhinier i diplomuar, veprimtar politik, kryetar i LDK-së të Rugovës, komandant i Shtabit të UÇK-së për Rugovën, deputet i Kosovës.

I lindur, i ritur dhe i edukuar në Familjen atdhetare të Arif Rekës, ish i burgosur politik, në ishullin e vdekjes të Golji Otokut, Smajl Hajdaraj trashëgoi atdhedashurinë, urtinë, trimërinë dhe, mbi të gjitha, ndjenjen e lirisë dhe të demokracisë. Andaj, përgjatë jetës së tij iu përkushtua këtyre qëllimeve fisnike.

Kjo dëshmohet edhe me letrën-Testament, të lënë nga Smajl Hajdaraj:

“Nuk jam hamendur fare, por me tërë potencialin tim politik dhe autoritativ, i jam bashkangjitur luftës së shenjtë çlirimtare. Mendoj se këto të vërteta dhe këto punë, nuk duhet të harrohen nga askush.  Jam tepër i emocionuar për lirinë e fituar dhe bëj apel që të angazhohemi të gjithë së bashku, për ndërtimin e Pavarësisë së Kosovës – qëllimi ynë i tanishëm”.

Një kryebandit, i veshur me pushtet, në shoqërim të bandës së tij, kishte ndaluar veturën e Smajl Hajdaraj, duke e kërcënuar me revole në dorë: “Ose hiq dorë nga LDK-ja dhe Ibrahim Rugova, ose plumb kokës!” Komandanti e kishte shpërfillur kërcënimin, edhe pse e dinte forcën e tij, ngaqë, më parë, soji i tij kishin ekzekutuar veprimtarë të LDK-së, ushtarakë luftë-bërës të FARK-ut të Ibrahim Rugovës dhe kundërshtarë të tjerë politikë, përfshirë edhe brenda llojit, nga LPK-ja, për ta shmangur konkurrencën politike në të ardhmen. “Megjithatë, -pushka top-, se unë nuk komandohem nga ti dhe banditërit tuaj”,- ishte gjegjur luftëtari Smajl Hajdaraj.

Një “arsye” shtesë e SHTAB-istëve kriminelë të “UÇK-së të LPK-së”, për ta likuiduar edhe fizikisht

Smajl Hajdaraj, është fjalimi i tij brilant, me rastin e formimit të Brigadës të UÇK-së në Rugovë: “Brigada jonë do të jetë në koordinim me institucionet legjitime aktuale të Kosovës”, që nënkuptonte Komandantin Suprem, të Forcave të Armatosura të Republikës të Kosovës, të themeluara në vitin 1991, Presidentin Dr. Ibrahim Rugova. Kjo i tmerroi hafijet e Sigurimit të Enver Hoxhës.

Dhe, Mejdani e Klosi e katapultuan në Shtabin e Rugovës një ushtarak, nga “kuzhina” e tyre! Pinjolli dinjitoz i Familjes Atdhetare Hajdaraj, djali i luftëtarit nacionalist, Arif Reka, komandant Smajli, për hirë të unitetit, pranoi çdo zgjidhje, që do ta mbante të bashkuar Brigadën e Rugovës dhe popullin e asaj treve. Por, kuqaloshët e LPK-së, hafije të dyfishtë, të Sigurimi hoxhist dhe të UDB-së, kishin plane cubërie e sabotuese të luftës. Dhe, kjo u dëshmua, në vijimësi, deri edhe në vrasjet serike të kundërshtarëve politikë, përfshi edhe Smajl Hajdaraj, Hero i Kosovës.

Në vazhdën e kërcënimive faktike, ndaj veprimtarit shumëdimensial Hajdaraj, komandantët kriminelë të “UÇK-së të LPK-së”, nuk e donin në jetë atë, andaj ngarkuan me mision, një SHIK-as të tyre, për ta ekzekutuar Smajl Hajdaraj. Por, ndodhë një fat në fatkeqësi për atë, falë reflektimit, rrjedhimisht, edhe pendesës, duke analizuar historikun atdhetar të Familjes Hajdaraj, ndër dekada e shekuj.

Dhe, merr vendimin papritur dhe të prerë, i shkonë në shtëpi, Smajl Hajdaraj, viktimës të shenjëstruar, nga shefat e tij dhe rrëfehet: “Kjo revole më është dhënë nga eprorët e mi, më thanë se ka kushtuar 1.000 marka, enkas për me të vra ty. Por, unë hulumtova, historinë tënde personale e familjare dhe nuk më rezulton asgjë nga akuzat e shefave të mi, për ty. Prandaj, vendosa të mos e kryej urdhërin, krimin, edhe pse kjo mund të më kushtojë me jetë.” Parashikimi i tij, mjerisht, rezultoi i saktë. Pak muaj para vrasjes së Hajdaraj, vritet, në rrethana enigmatike, në shtëpinë e tij, “thyerësi i besës”, pse nuk e zbatoi urdhërin vrastar.

E gjithë kjo, që u tha, është e vërtetë, madje në shkallën sipërore. Është e faktuar, e deponuar në organet përkatëse vendore dhe të UNMIK-ut. Megjthatë, askush nuk është marrë në përgjegjësi! Ndërkohë që edhe ekzekutimi zyrtar i Smajl Hajdaraj, nuk është në domenin shqyrtues të Gjykatës Speciale të Kosovës, me seli në Hagë, sepse, paradoksalisht, komandantët vrasës kështu vendosën!

Pasuria e abuzuar e Kosovës, vazhdon të bëjë “mrekullira”, duke e sjellur vërdallë drejtësinë në Kosovë.

Drejtësia e kapur nga komandantët e PAN-it, me saktë, kuadro të Hashimit dhe të Ramushit, ka bllokuar procesin e Vettingut dhe të tjera, që lidhen me atë. Milionat e abuzuar, nga buxheti i brishtë i Kosovës, për pagesën e 40 mijë “veteranëve” të rrejshëm dhe pagesat e dhjetra avokatëve, zhvatës e horrakë, të Hagës, janë dy hajnitë zyrtare, tmerruese e turpëruese të Kosovës, për sot dhe mot.

Fisnia dhe afria bashkëpunuese me Presidentin Rugova, shtoi dozën inatçore të krerëve të LPK-së, respektivisht, të PAN-it të sotëm. “Presidenti Rugova është në rrezik jete, na duhet një makinë e blinduar”,- e porosiste Smajl Hajdaraj vëllanë e tij, Fazliun, në Gjermani. Dhe, një rreth i ngushtë mërgimtarësh dhanë nga 1.000 marka, e ndonjëri edhe më shumë, duke e përmbushur porosinë, në një kohë rekorde.

Njëri nga grupi i atentatorëve, që e shënjestroi me tritol Presidentin Rugova, nga burgu i Dubravës, do të deklaronte: “Po të ishte veturë e zakonshme, do të fluturonte në ajër, së bashku me Rugovën!” Edhe pse dihen, me emër e mbiemër, treshja e atentatimit dhe deputeti veteranë, i cili instruktoi atentatin, askush nuk u muar në përgjegjësi! Madje, i pikasuri për ekzekutim, ishte qytetari i parë i Kosovës dhe vrasja eventuale, do të konsiderohej si “vrasje e cilësuar!” Personi që pranoi krimin dhe të gjithë skenarin, tashmë, vuante dënimin për një tentim-vrasje të përsedytur, madje të përsetretur!

Atentatin e dështoi, pikërisht, makina e blinduar, cilësore e solide, e përballoi shpërthimin e tritolit, duke pësuar vetëm dëmtime serioze. Dhe, ky dështim i tërboi “komandantët” e krimit. Por, kriminelët të stazhionuar në krimet serike, tashmë, i kishte zënë gjaku dhe nuk u pajtuan me dështimin. Andaj, projektuan dhe skenaruan kompensimin me një atentat të radhës. Hakmarrja u përzgjodh për fis, madje mashkullin më të mirë të fisit: kryetarin e LDK-së për Rugovën; Komandantin e UÇK-së për zonën e Rugovës dhe deputetin e Kosovës, Smajl Hajdaraj.

Familja Hajdaraj, e cila ka informacione të dorës së parë, për disa që ishin pjesë të vendimit dhe të ekzekutimit të deputetit Hajdaraj, në mesin e tyre, sot, të shpërblyer me dekoratën “Hero i Kosovës”! Dhe, shtronë pyetjen legjitime: “A mund të jetë edhe vrasësi, edhe viktima -Hero-)!” Kjo ndodhë vetëm në Kosovën tonë, të përgjakur nga Serbia, por edhe nga disa komandantë të “UÇK-së të LPK-së”.

Varrezat e dëshmorëve, janë bërë si “lesh Arapi”. Kujtoni varrosjen pa kriter në varrezat e dëshmorëve, në Prishtinë, të vrarëve në aksionin fort të dyshimtë në Kumanovë. Kush i dërgoi dhe pse?! A nuk paska Ilirida 40 djem, për t`i dalë zot Kumanovës dhe më gjerë në trojeve të tyre?  Dekada më parë, shqiptarët e Iliridës, në fushë-betejë, e mundën Maqedoninë dhe e detyruan të kërkojë ndihmë ndërkombëtare.

Më vonë u mësua se djemtë e Kosovës, të dërguar në Kumanovë, “mish për top”, i komandonte një agjent zyrtar i Shërbimit maqedon! Aty mbeten të vrarë  djem atdhetarë, por në mes tyre kishte edhe nga ata që kishin dhënë -dajak dhe vjelur haraç e vota-, për partitë-banda dhe pjesë e vrasjeve politike. Dhe, kjo ka mbetur e shkruar në gazetat dhe mediat e kohës, sidomos përgjatë vitit 2015.

Ata që mbijetuan dhe vuajnë dënimet drastike në burgjet e Maqedonisë së Veriut, e kanë kuptuar hilenë, kurthin dhe kërkojnë hetimin, deri në prishjen e gjyqit, duke ngulmuar për një rigjykim ndërkombëtar. Por, heshtin komandantët në Prishtinë dhe ata në Iliridë!? Vërtet, e dhimbshme dhe turpëruese.

Përpjekja kriminale, për t`i lënë krimet numerike e makabre, ndaj kundërshtarëve politikë, pa adresë, pa emër, tashmë, është e dështuar. Të gjithë ata që shantazhojnë apo atakojnë, dëshmitarët, qofshin ata të hapur apo të koduar, si dhe ata që kërkojnë rehabilitimin e të dyshuarëve, ende pa e thënë e dhënë vendimin Gjykata e autorizuar, për krimet e luftës dhe të pas luftës, janë hipokritë, maskarenj, të poshtër, pjesë e krimit, me elemente të bollshme të rrugaçërisë. Thjeshtë, janë lehaqenër të neveritshëm.

Komandanti i djeshëm dhe Heroi i sotëm, Smajl Hajdaraj, e parandjeu rrezikun, e denoncoi atë, dy muaj më parë se të vritej, në organet përkatëse, duke e kërkuar mbrojtjen afërt të policisë. Për ironi, Policia në vend që ta ruante atë, u bë pjesë e krimit, duke u bërë roje e ekzekutorit. Dhe, kjo u provua kur vajza e Smajl Hajdaraj, e pa babain e shtrirë dhe të përgjakur, të cilin kriminelët e kishin goditur me 11 plumba, kryesisht, në gjoks dhe kokë, lëshoi zë të lartë vaji dhe britme.

Polici i uniformuar, i cili “rastësisht”, u ndodhë në minutën e parë, në hyrje të pallatit, ku ndodhi krimi, e qortoi vajzën: “Pse po bërtet, nuk u bë nami që u vra baba!” Ja, deri ku kishte arritur guximi dhe cinizmi i policit bandit, të njërës nga partitë-banda të PAN-it, të cilat i koordinonin bandat, në krimet vrastare të kundërshtarëve politikë!

Meqenëse Familja Hajdaraj e njohu policin në fjalë, më vonë, në rrethana të dyshimta, “aksidentohet” për vdekje. Kështu ka ndodhur edhe me treshën kriminale, që atentatoi kuadrin e LDK-së, mikun e Presidentit Rugova, Fetah Rudin, duke e lënë përjetësisht në karrocën invalidore. Dhe, pikërisht, atë ditë, shefat e krimit, të cilët e monitoronin aksionin vrastar, organizuan “aksidentin”, duke i shkelur si minjtë, argatët e tyre kriminelë.

Për çudi dhe ironi – njëherësh, shoferi dhe kamioni vetëshkarkues, aksidentues-vrasës, u zhdukën pa gjurmë, qëllimshëm. Buzë rrugës rajonale Lipjan-Shtimje, është ngritur kompleksi memorial, kushtuar atyre dhe trajtohen si luftëtarë, me beneficionet përkatëse shtetërore!!! E tupshme dhe kriminale!

Atentati ndaj deputetit Smajl Hajdaraj, i monitoruar, zyrtarisht, nga Policia e Kosovës, vërtetoi në plotëni, deklaratën bombë të Kolonel Tahir Zemaj, komandant i Betejës fitimtare të Loxhës, sot, Hero i Kosovës: “Nuk ka asnjë krim ordinier, ekonomik apo politik vrastar, pa pjesëmarrjen e Policisë të Kosovës; TMK-së dhe të “komandantëve” të UÇK-së të LPK-së!” Dhe, kjo, tashmë, është dëshmuar katërcipërisht.

LPK-ja, krahu ekstremist enverist-stalinist, i instruktuar nga Sigurimsat me ideologji filo-sllaviste të Enver Hoxhës, i barti nga Shqipëria në Kosovë, metodat fashiste që praktikuan komunistët shqiptarë, kundër opozitës nacionaliste dhe popullit shqiptar, nën instruktimin e emisarëve jugosllavë, Mugosha-Popoviq, gjatë Luftës së Dytë Botrore (LDB), për marrjen e pushtetit me dhunë. Komunistët e Hoxhës, luftën çlirimtare e konvertuan në luftë civile, qytetare. Këtë e vërtetoi Komisioni i Aleancës Antifashiste Botërore, prandaj Shqipëria u përjashtua nga përfitimi i reparacioneve, dëmshpërblimi i luftës.

Qeveria e Përkohshme e Kosovës, e themeluar nga Mejdani-Klosi, në Tiranë, ishte e njëjtë-tipike me Qeverinë komuniste-fashiste të Enver Hoxhës, të themeluar në mbarim të LDB. I vetmi ndryshim ishte në kohë-zgjatje: fashizmi hoxhist sundoi për 45 vjetë, ndërsa ai PAN-istë 15 vjetë!

Falë pranisë ndërkombëtare, e cila frenoi revanshin fashist-lëpëkeist-hoxhist, përndryshe, Kosova do të përfshihej në luftë qytetare. Thënë më troç: kidnapimet, arrestimet, torturimet në burgjet e shumëta rurale, deri në vrasje, në Shqipëri dhe Kosovë, gjatë luftës. Dhe, pas luftës, kanë vazhduar ekzekutimet, ditën për diell dhe natën në errësirë, në makina dhe prag të shtëpisë, të ushtarakëve të FARK-ut, kuadrove dhe veprimtarëve të LDK-së, bashkëpunëtorëve të Presidentit Rugova dhe aktivistëve të tjerë, të konsideruar si kundërshtarë politikë të LPK-së, respektivisht, të partive-banda, PDK, AAK, NISMA, të koalicionuara në PAN.

Shumë qindra familje, përfshirë edhe Familjen e Smajl Hajdaraj, anëtarët e të cilave u ekzekutuan, me lista emërore dhe urdhëra SHTAB-iste, ushqenin shpresën se Gjykata Speciale e Kosovës, me seli në Hagë, do të hetonte, gjykonte dhe dënonte komandantët kriminelë, hartues të listave vrastare dhe urdhër-dhënës të drejtëpërdrejtë ose me sekserë, të bandave ekzekutore.

Komandantët kriminelë, e kanë pranuar krimin vrastar të kundërshtarëve politikë, kur këmbëngulën që hetimi i krimeve të kufizohet vetëm deri në fund të vitit 2000! Ndërkohë që krimet politike, përfshi edhe vrasja e dëshmitarëve, kanë vazhduar edhe në vitin 2020, kur Beogradi ia besoi shpërndarjen e dosjeve të Hagës në Kosovë, Shoqatës të OVL të UÇK-së, për ta shtrirë përçarjen vrastare ndërshqiptare. Për rrjedhojë, nga denoncimi i bërë me dosje, të paktën, dy dëshmitarë të Hagës janë vrarë. Normalisht, çdo krim, qoftë edhe ai i denoncimit të emrave të dëshmitarëve, me pasojë vdekjen, dënohet, të paktën, me 15 vjet burg.

Me shumë keqardhje, premtimi solemn i Lëvizjes Vetëvendosje dhe personalisht i Albin Kurtit, se “do ta luftojmë krimin dhe korrupsionin, po sa ta gëzojmë pushtetin”, pjesërisht, është realizuar. Krejt i dështuar është hetimi dhe ndëshkimi i vrasjeve politike dhe i korrupsionit paraprak. Shumë zhurmë u bë për “peshqit e mëdhenj”, të cilët kanë grabitur dhe vjedhur pasuritë e Kosovës! Por, askush nuk pësoi asgjë! Përkundrazi, janë organizuar në sulmin frontal, me slloganin klishe: “Sulmi, mbrojtja më e mirë!” Ndërkohë që krimit kurrë nuk i skadon afati!

Kryeministri Kurti emëroi kryetar të “Komisionit për Krimet e Luftës”, Shahin Idrizin, por pa i përmendur vrasjet politike të shqiptarëve. Dyshohet se Kurti u pendua për “biletën një kahëshe për në Hagë”, për Hashim Thaçin. Dhe, këtë e përforcon edhe deklarata e Kurtit, kur thotë se “nuk besoj se ka vrasës nga UÇK-ja”, ndërkohë se në gjitha vrasjet politike, janë pjesëmarrës kriminelë nga “UÇK-ja e LPK-së” dhe paguhen si “veteranë të UÇK-së!”

Vizitat në Hagë të disa ministrave të Albinit, janë skandaloze, përjashto ata të detyrës ligjore, si Albulena dhe Glauku. Edhe deklarimet paushalle, si “besojmë në pafajësinë e krerëve të UÇK-së” dhe pallavra të tjera, janë të poshtra e provokative, për shumë qindra familje, të cilave u janë vrarë familjarët, për motive politike.

Prokuroria e Hagës, e para dhe e dyta, kurrë dhe asnjëherë, nuk kanë arrestuar dhe, aq më pak, dënuar asnjë njeri të pafajshëm. (Përjashto një rast në Ferizaj, i ngatërruar në emër dhe i liruar brenda dy ditësh, me kërkim-falje dhe dëmshpërblim të majmë). Ndërkohë, në Kosovë, ka shumë qindra kriminelë që bredhin të lirë, gëzojnë pensionin e TMK-së, një paradoks i llojit të vet; të UÇK-së, me një serë përfitimesh të tjera. Dhe, ky është kontigjenti prej 40 mijë “veteranësh” të rrejshëm, njëherësh, shumica klientelë elektorale e partive-banda PAN-iste.

Shantazhet dhe kërcënimet ndaj komandantëve FARK-istë dhe të veprimtarëve të LDK-së, kanë qenë vrazhdëta e kriminale. “Ahmet Krasniqi i ka ditët e numëruara, ne do ta vrasim”,- thoshte në një takim me mërgimtarët, në Suedi, i ngakruari me punë të Jashtme i LPK-së, Bardhyl Mahmuti. Dhe, askush nuk e pyeti atë, ku e dinte ai për “ditët e numëruara të ministrit në fjalë”?! Vërtet, ato ditë, minstri i Luftës u ekzekutua, zyrtarisht, me urdhër të Tiranës zyrtare dhe klyshërve të saj, LPK-së.

Edhe kërcënuesi me revole i komandantit Smajl Hajdaraj ka emër. Juristi Shaban Manaj u kidnapua në mesditë, nga kriminelë me emër, u ekzekutua dhe u përdhos kufoma, me djegie, deri në karbonizim! Banda komplete vrastare u arrestua, u hetua dhe, paradoksalisht, u lirua, për ta vrarë kreun e bandës, për t`ia faturuar krimin atij dhe dosja u mbyllë!?

Vonë u kujtua ish-zëdhënësi i UÇK-së të LPK-së, Jakup Krasniqi, ta akuzojë Hashim Thaçin me shokë, për tradhti ndaj Kosovës, sepse sabotuan luftën, duke mos e futur fare në luftën e Kosovës, atë “UÇK-në” e tyre. Dhe, sot, përkujtojnë tej 400 masakrat dhe mburrën me Betejën e Loxhës dhe luftën e Kosharës, përkatësisht, fitore të Kolonel Zemajt dhe Ministër Krasniqit me oficerët e tyre të karrierës dhe të ushtarëve trima FARK-istë, që ata i përgaditën për luftë. Por, lavdinë e tyre nuk e duruan kriminelët enveristë dhe i ekzekutuan. Njëjtë vepruan me Smajl Hajdaraj, Komandant Drinin, Sabahate Tolaj, Isuf Haklaj, Ukë Bytyçi, komandant “Korbi” dhe dhjetra të tjerë.

Më 28 nëntor 2023, Pejës iu kthye në Shtatorën e bronztë, veprimtari, luftëtari dhe deputeti Smajl Hajdaraj. Në perurimin e bujshëm dhe gjithë hijeshi, në mes tjerash, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se “Smajl Hajdaraj është vetë historia e trimfuese e Republikës të Kosovës. Ai ishte një personalitet i kompletuar, veprimtar dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Presidentit Rugova, luftëtar dhe komandant i shquar, intelektual, deputet, atdhetar i devotshëm, Hero i Kosovës”.

Përjetësimi në Shtatore e Heroit Smajl Hajdaraj, përveç Familjes Hajdaraj, ishte dëshirë dhe kërkesë edhe e opinionit shqiptar, në veçanti të Mërgatës. Dhe, si zakonisht, koordinimi i mirë i LDK -së në Kosovë dhe Mërgatë, Ramadan Kurtmuqaj, kryetar i Nëndegës të LDK-së, në Rugovë dhe i Këshillit Qendror, për  ngritjen e Shtatorës; me Shoqatat “Sali Çekaj” në Gjermani dhe Zvicër si dhe Shoqata “Rugova”, në SHBA, të kryesuar, përkatësisht, nga Osman Ferizi, Gent Ferizi, Saim Tahiraj dhe Feriz Muriqi, gjithnjë me mbështetjen e bashkëpunëtorëve të tyre të vullnetshëm, shquhen në aksione. Ishin po këto subjekte, të cilat financuan Kompleksin Memorial madhor, “Dr. Ibrahim Rugova”, në fshatin e origjinës, në Malaj të Rugovës.

Veçoi me emër veteranin e Mërgatës dhe të LDK-së, bacë Nikollë Skelaj, i cili së afërmi hynë në të `90-at, gjithnjë aktiv. 10 vjet më parë, me rastin e 80-të vjetorit të datëlindjes, e bëmë festë, si dasëm. Ishte nënkryetar i Nëndegës për Bavari. Ndonëse kishte autorizim financiar, për ngritjen e Shtatorës të Heroit Smajl Hajdaraj, me koordinatorin për Mërgatën, Osman Ferizi dhe aktivistin e palodhur, Afrim Mulaj, përshkuam afro 100 km., rrugëtim, për të dërtuar me kryeplakun tonë fisnik, bacën Nikollë, në shtëpinë e tij, si dhe për ta vizituar Nënë-Martën bujare, të cilët, për gjysmë shekulli kanë pritur e përcjellur mysafirë të shumtë dhe zyrtarët nga trevat shqiptare, në Retorantin dhe motelin-bujtinë të  tyre.

Ai kishte një listë të gjatë emërore me numra telefonash. Dhe, të vonuarit në aksion, i shqetësoi për herë të dytë. “Sot kemi vendosur ta përfundojmë aksionin, për Shtatorën e komandant Smajlit, dua përgjigje. Këtu kam edhe kryetar Osman Ferizi me shokë”,- fliste shkurt baca Nikollë. Dhe, përgjigja ishte pohuese, sepse Plakun e mirë nuk e kthen askush bosh. Dhe, kur falenderojmë bacën Nikollë, me emër, sikur i kemi falenderuar të gjithë kontribuesit e aksionit, për Shtatorën e Smajl Hajdaraj.

Të përmendurit më sipër, kanë realizuar shumë aksione memoriale historike dhe humanitare ndër vite. Vetëm vitin e shkuar, 2023, për këto qëllime, realizuan 200 mijë euro. “Hijen e lehtë e paska pasur Heroi Smajl Hajdaraj, ngaqe ende pa funduar aksioni për Shtatorën e Heroit Rrustem Bruqaj, nismoi dhe realizoi atë të Hajdaraj, madje tepricën e parave e dhurojmë për ndërtimin e shtëpisë, të një luftëtari të Kosharës, me banim në Mitrovicë”, – tha koordinatori, i vyeshëm e klasik, i këtyre aksioneve, Osman Ferizi, ish-kryetar i LDK-së, në Gjermani.

Një mirënjohje të veçantë meriton ish-i burgosuri politik, ish-luftetari i UÇK-së dhe tani kryetar i suksesshëm, i komunës të Pejës, Gazmend Muhaxheri, i cili u bëri “strehë”, në qytetin e Pejës, bashkëluftëtarëve të tij, tashmë, në Shtatore: Kolonel Tahir Zemajt, komandantëve Rrustem Bruqi e Smajl Hajdaraj, si dhe disa të tjerëve më parë. Peja piktoreske, -Peja lule e Dukagjinit-, tashmë, është stolisur e zbukuruar më Shtatorët e bronzta të Heronjëve tanë. Përkujdesje fisnike kryetar Muhaxheri ka dëshmuar edhe me rastin e ndërtimit të Kompleksit Memorial “Dr. Ibrahim Rugova”, në fshatin Malaj të Rugovës.

Mirënjohje dhe falenderim për Skulptorin e talentuar, Gëzim Muriqi, i cili ka realizuar, mjeshtërisht dhe suksesshëm, Shtatorët: e Presidentit Rugova, në Malaj dhe Istog, të Kolonel Tahir Zemaj, Rrustem Bruqaj, Smajl Hajdaraj, në Pejë, dhe vepra të tjera të historike e artistike. Përkrah Muriqit, si gjithëherë, është edhe Arkitekti i zëshëm, Blerim Bajraktari, i cili, veç tjerash, ka shkëlqyer në artin e arkitekturës të Kompleksit Memorial në Malaj, me Kullën e traditës, Shtatorën e Presidentit Rugova dhe mjedisin rrethanor, me përshtatjen bjeshkore.

Përhajr Shtatorja e Smajl Hajdaraj Peja jonë! Lavdi në përjetësi Heroit Smajl Hajdaraj dhe të gjithë të rënëve për lirinë e Atdheut-Kosovë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok