28/04/2024

POETI ME FLATRA

0

Nga Timo Mërkuri

I-Duke lexuar poezinë e Preng Maca “Flatrat” kushtuar poetit Agim Spahiu mu kujtua legjenda e Dedalit dhe Ikarit, babë e bir, që të mbajtur rob nga Minotauri në labirinthin e tij të famshëm,  për të shpëtuar ndërtuan krahë si të zogjve dhe u ngritën në fluturim, por Ikari, si një djalosh pa përvojë, duke ju gëzuar lirisë së fituar papritur  dhe i lumturuar  që mund të fluturonte, duke bërë lojra fluturimi në ajër ju afrua së tepërmi diellit, rezet e të cilit  aty lart ishin shumë më të ngrohta dhe e shkrinë dyllin me të cilin ishin ngjitur krahët. Djaloshi fatkeq ra në det, ku u mbyt dhe  më  as ati i tij Dedali, i dëshpëruar kërkoi vetë vdekjen duke u rrëzuar e copëtuar mbi shkëmbinj dhe nga gjithë ky rebelim na ka mbetur kjo legjendë dhe emri Ikar i detit që përkujton jo aq birin fatkeq se sa mitin e tyre.

Këtë ngjarje të njohur nga mitologjia greke e kemi parë si një metaforë të rrezikut të synimit dhe kërkimit të lirisë përmes shpirtit krijues, por sot shohim se na jep një qasje origjinale me poezinë “Flatra” të poetit Preng Maca, bazuar kryesisht te ideja e përbashkët dhe elementët e përdorur në poezi me ngjarjen mitologjike. Në qoftë se do shqyrtojmë qasjen e mundshme do kishim këto elementë:

Dedali ndërton krahë prej druri për të fluturuar e për të shpëtuar nga robëria (labirinthi) dhe si një mjeshtër druri që ishte ndërton krahë për të fluturuar si zogjtë, ku krahët shihen si një formë e shprehjes artistike të dëshirës për liri por dhe pasionit të krijimtarisë, simbolizuar nga flatrat në poezi, por ndryshe nga Dedali që i ndërtoi, poetit i mbinë vetvetiu krahët (taalenti, frymëzimi etj), duke qënë pjesë organike e qënies së tij (shpirtërore)si poet. Në këtë kontekst, fluturimi mund të interpretohet si liria e shprehjes dhe krijimit.

Ikari, i entusiazmuar, fluturon shumë lart dhe afrohet diellit, moment ku që shihet si shprehje e një suksesi të pasigurt dhe një ambicjeje e pashtershme që po përballet me rreziqe të mëdha, ku në poezi këtë moment rrezikshmërie deri në humbje të jetës, poeti e paraqet nëpërmjet një sërë imazhes, e metaforash: “ kur t’i kesh ato flatra  duhet t’i fshehësh,/ndërsa përpiqesh t’i fshehësh ato dhembin,/ pastaj ti do të jesh në një dhembje të vazhdueshme , të padurueshme./do të kërkosh ndoshta më pas që t’i presësh” me të cilat e paralajmëron poetin “Ikar” , Agim Spahiun, i cili pati fatin që të “mos rrëzohej” në det, por dhe fatkeqësinë që të mos e gëzonte për shumë kohë fluturimin..

Nxehja e diellit dhe shkrirja e dyllit që lidhte krahët e Ikarit simbolizonë rrezikun dhe  pasojat e fluturimit, duke shfaqur ashpërsinë e sfidave që vijnë me një kërkim për liri, që në poezi shprehet te vargjet: “A e di?/Nëse do t’i presësh /ti do të vdesësh”.

Në përgjithësi, kjo qasje duhet të interpretohet si  shqyrtim mbi tensionin midis dëshirës për liri dhe sfidave që vijnë me këtë dëshirë në kontekstin e veprës së Dedalit dhe Ikarit dhe poezisë “Flatrat”.

II-Nëse shohim poezinë “Flatrat” nga Preng Maca në kontekstin e një rebelimi ndaj shtetit monist dhe e krahasojmë me mitin e Dedalit, nuk mund të mos vërejmë disa ngjashmëri dhe elementë simbolikë të përbashkët. Le ta shohim në këtë qasje:

Labirinthi i mitologjisëë greke përfaqëson kufizimet dhe vështirësitë që viheshin  nga shteti (monist) ndaj aspiratave dhe dëshirave për liri të shtetasve  përgjithësisht  dhe poetëve  veçanërisht. Në këtë kontekst, flatrat në poezi mund të interpretohen si simbol i shpirtit krijues dhe imagjinatës që është nën kërcënim nga kufizimet dhe censura e shtetit monist.

Dedali, duke ndërtuar krahë prej druri, dhe Ikari duke fluturuar drejt lirisë të shihen si figura të rebelimit që përpiqen të shpëtojë nga kufizimet dhe të qenurit rob të Minotaurit, ose në kontekstin tonë, rob të shtetit monist.

Ngritja e Ikarit lart, pranë diellit duke qeshur e lozur në ajër shfaq entusiazmin (ëndërrat me krahë) dhe mosnjohjen e rrezikut  (shkrirja e dyllit) dhe pasojave të mundshme të përpjekjeve për të kapërcyer kufizimet. Kjo është një metaforë për rrezikun dhe sfidat që përcjellin krijimtarinë dhe rebelimin ndaj një shteti monist.

Në poezi, flatrat përfaqësojnë ndjenjat, imagjinatën dhe shpirtin krijues të poetit, të cilat të fshehur nga sytë e autoriteteve dhe censurës, shfaqen si një formë e rebelimit, një përpjekje për të tejkaluar kufizimet dhe censurën të imponuar nga shteti monist.

Në këtë kontekst, shohim se poezia dhe miti kanë  temë të përbashkët rebelimin ndaj kufizimeve dhe përpjekjeve për të arritur lirinë dhe shparehjen e lirë artistike, ku u  duhet të ballafaqohen me kërcënimet dhe pasojat e revoltës së tyre kreative kundër një sistemi të caktuar.

III- Poezinë “Flatrat”  poeti Preng Maca jka kushton poetit Agim Spahiu dhe e ka shkruar me shumë dashuri e ngrohtësi shpirtërore, sa që të krijohet përshtypja se ata të dy do kishin qenë miq të ngushtë. Sigurisht do befasohesisht po tju thoshja se ata të dy nuk ishin njohur në asnjë rast, nuk ishin takuar kurrë fzikisht, i vetmi takim i tyre ka qënë shpirtëror, në planetin e poezisë. Kjo është arsyeja që portretizimi poetik që Maca i bën Spahiut është portret shpirtëror, ngrohtësia e të cilit dëshmon talentin poetik të poetit Maca dhe botën e tij të pasur. Sigurisht që një poezi e tillë plot me ndjenja i takon denjësisht poetit Agim Spahiu, talenti i të cilit jo vetëm që e ngriti atë në qiellin poetik,  por dhe e shpëtoi atë shpirtërisht nga robëria e censurës. Unë e kam njohur Agim Spahiun gjatë kohës që kam qenë me punë në Helshan të Kukësit në vitet ’80, një djalë i bukur, me baluke të gjata, krehur gjysëm anash mbi ballë, që gjithnjë ishte me një trishtim të hollë në sy, si pasojë e goditjeve të njëpasnjëshme që i bënin strukturat mediocre të partrisë dhe të shtetit. Unë nuk e di për rrethet e tjera, por di që organet e partisë dhe të shtetit në Kukës “shkrofëtimin” dhe  “u vente dora në kobure porsa dëgjonin fjalën poet”. Më kujtohej që në një nga takimet tona, (më saktë në një bashkëudhëtim me këmbë nga fshati Tregtan gjer te kthesa e fshatit Fajza, ku unë u ktheva për të bujtur atë ditë te Met Dervishi dhe Flora Gjondeda ndërsa ai vijoi rrugën për në Krumë) biseda solli dhe  zhurmën që bënin organet e rrethit për një manjetofon që poeti kishte siguruar, thua se ishte një vepër e ndaluar. Agim Spahiu ka vuajtur shumë në përndjekjen që i bëhej, ku ngado që të kthehej do shihte si lartësoheshin rreth tij muret e labirinthit monist, por ai “nxorri” flatrat e talentit të tij poetik për të fluturuar jo vetëm mbi muret e këtij labirinthi, por edhe të kohës, duke hyrë në epokën e re shumë vite para se të rrëzoheshin “muret e Berlinit” shqiptar. Prandaj është e bukur qasja me Dedalin dhe Ikarin në funksion të kohës moniste, ku ai, ndonëse ju afrua shumë “diellit” nuk u rrëzua, pasi flatrat nuk i kishte të ngjitur me dyll, por i kishte pjesë të organizmit të tij (poetik).

Unë dua të besoj që poeti Maca ka patur parasysh këtë qasje mitologjike kur e krijoi poezinë me metaforën e flatrave, kjo dhe për faktin se poezia ka një shtrat mitologjik në strukturën  artistike të saj, ku:

Flatrat janë  metaforë e fuqishme për ndjenjat, shpirtin artistik dhe imagjinatën që janë realisht të kufizuara nga regjimi, ndaj themi se përdorimi i flatrave si metaforë është element kyç i poezisë. Flatrat shërbejnë si një figurë simbolike që përfaqësojnë përpjekjet për liri dhe shprehje artistike, të cilat mund të jenë nën kërcënimin e kufizimeve dhe censurës, ku  vargu “Sa fatkeq je o njeri… një flatrambajtës si ti!” ndërsa sugjeron një vlerësim të lartë për poetin si një rebel kundër kufizimeve dhe një shpallje e aritjes së lirisë së tij artistike, shpall njëkohësisht edhe  mundin e përpjekjet e tij për të mposhtur pengesat pse termi “flatrambajtës” tingëllon si   “flamurmbajtës”)  . Përdorimi i “tokësorëve”  gjithashtu është një metaforë për shoqërinë e zakonshme dhe kulturën masive. Duke e paraqitur poetin Spahiu si diçka më shumë se një “tokësor,” poeti  Maca pohon dallimin a poetit (Spahiu) ndaj masës dhe zakoneve të vendosura nga shoqëria.

Përdorimi i imazheve poetike, si dhembja e vazhdueshme dhe fluturimet në ëndrra, ndihmon në krijimin e një pasqyre vizuale dhe thelbin e poezisë, duke kontribuuar në forcimin e ndjenjave dhe ideve të shprehura në poezi.

Nëse shohim flatrat si shpirt krijues, ato personifikohen si një forcë ose entitet që ka veti dhe veprime njerëzore.

Pra,e parë në gjerësinë e saj,  poezia mund të quhet një vepër metaforike dhe simbolike, pasi shfrytëzon këto teknika letrare për të shprehur mesazhet dhe ndjenjat e saj në mënyrë të veçantë.

IV- “Flatrat” e poetit Prenga Maca është një poezi e shkruar me dashuri dhe adhurim për poetin Agim Spahiu. Në këtë interpretim  përmban disa elementë dhe vargje që e shprehin në mënyrë të dukëshme këtë ndjenjë të autorit. Kështu : titulli i poezisë: “Flatrat” tregon se poezia është dedikuar poetit Agim Spahiu, fakt që  në vetvete shërben si një indikacion i ndjenjave të veçanta, vlerës së krijimeve të Spahiut dhe dhimbje për vuajtjet e tij në diktaturë, si dhe ndikimit që poezia e tij ka patur mbi poetin Maca.

“Më trishtove kur më the, se të kanë dalë flatrat” , një varg i bukur poetik, i cili  kuptohet si një reagim emocional ndaj titullit të bukur të gjetur prej vetë poetit Maca, por tëshprehur si një njoftim i Spahiut. Realisht poezia ka formën e një bisede miqsh me tone të ulëta, thua se druhen mos i dëgjon dikush, duke sjellur në sfond një kohë tjetër

Vargu “…dhe me fluturime i sheh ëndrrat” sugjeron se poeti Spahiu shihet si një burim i frymëzimit dhe shpirtit artistik, pasi fluturimet dhe ëndrrat janë simbole të lirisë dhe imagjinatës krijuese.

“Sa fatkeq je o njeri… një flatrambajtës si ti”, varg mund të konsiderohet si një përsiatje dhe vlerësim i lartë për poetin Spahiu, ku përdorimi i “flatrambajtës” mbart konotacionin e një titulli me rëndësi (flamurmbajtës) dhe interpretohet si një shprehje e lartësimit të poetit.

Vargjet: “A e di? Nëse do t’i presësh, ti do të vdesësh”  shfaqin një ndjesi tragjike dhe mund të interpretohen në mënyrë të ndryshme: si një paralajmërim për një lloj sakrifice apo vuajtje që poeti mund të përjetojë në rast dorëheqjeje nga krijimtaria poetike, për të cilën aq shumë i është sugjeruar Agim Spahiut në monizëm, për të mos u përndjekur. Unë ju them se organet në Kukës kishin shumë frikë nga poezia e Agim Spahiut (dhe jo vetëm), është kjo frikë e tyre që çoi në masa të ashpra ndaj poetëve të tjerë. Në Kukës, në kohën e monizmit i ishte shpallur luftë poezisë.

Te vargu “…Miku im të lutem ruaju” fjala “lutem” përforcon ndjenjën e thirrjes dhe kujdesit ndaj mikut  Spahiu,, fjala “ruaju” ishte një këshillë që ja jipnin poetit gjithë miqtë e tij të sinqertë, ndërkohë vargjet: “Kur t’i kesh ato flatra duhet t’i fshehësh, ndërsa përpiqesh t’i fshehësh ato dhembin” sugjerojnë një ndjeshmëri  dhe  dhimbje të padurueshme që shoqëron shpirtin krijues të poetit Maca, (i cili spostohet në kohën e poezisë) për mikun e tij, pse flatrat, si simbol i imagjinatës dhe lirisë, duhet të mbahen dhe fshihen për të shmangur pasojat e njohura nga kufizimet dhe censura.

Është pikërisht dashuria vëllazërore mes dy poetëve që i sugjeron Macës vargjet :”…pastaj ti do të jesh në një dhembje të vazhdueshme, të padurueshme. do të kërkosh ndoshta më pas që t’i presësh” ,  vargje që shfaqen si një parashikim i mundshëm i sfidave dhe vuajtjeve që mund të përjetojë poeti ( Spahiu) për shkak të përpjekjeve për të mbajtur fshehur pasionin e tij poetik.

Të tronditin vargjet profetike:”Do të kërkosh ndoshta më pas që t’i presësh. Por e pamundur o mik i vlerë! Nëse do t’i presësh, ti do të vdesësh”, të cilat kanë një konotacion tragjik me fatin e poetëve në monizëm, të cilët sido që të vepronin do kishin një përfundim të dhimbshëm. Prerja dhe sakrifica mund të shihen si një pasojë e dhimbëshme e dëshirës së madhe  për liri dhe krijimtari poetike.

Pra, poezia “Flatrat” shpreh një adhurim dhe dashuri për poetin Agim Spahiu, duke e konsideruar atë si të veçantë e të vlerësuar mes (krijuesve) tokësorë e shprehur kjo imazhe të fuqishme, që gati na afrojnë me një shenjtërim të figurës së mikut të tij poet. Në këto vargje adhurimi dhe dashuria vijnë si dallgë njera pas tjetrës, duke shpërndarë imazhe që u ngjasojnë stërkalave të detit mbi shkëmb, ku përthyhen si në prizma drita e na shfaqin një brerore dritësimi mbi kryet e poetit Agim Spahiu. Kemi pak poezi me kaq shumë dallgë shpirti.

Sarandë, Janar 2024

 

Preng Maca

 

FLATRAT

 

(Poetit  Agim Spahiu)

 

Miku im të lutem ruaju!…

Më trishtove kur më the,

se të kanë dalë flatrat

dhe me fluturime i sheh ëndrrat!

Është e vështirë të kesh flatra.

(këto gjëra të veçanta më trembin!)

kur t’i kesh ato flatra  duhet t’i fshehësh,

ndërsa përpiqesh t’i fshehësh ato dhembin,

pastaj ti do të jesh në një dhembje të vazhdueshme , të padurueshme.

do të kërkosh ndoshta më pas që t’i presësh.

Por e pamundur o mik i vlerë!

A e di?

Nëse do t’i presësh

ti do të vdesësh.

Sa fatkeq je o njeri…

mes tokësorëve,

një flatrambajtës si ti!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok