22/12/2024

VIRTYTET E MËDHA NË VEPRËN E TIJ POETIKE

0
Brahim-Avdyli-Thikat

-Frymëzimet filozofike, figura reale e imagjinare, ku e përcepton botën në shumë dimensione

Recension për librin poetik, „THIKAT E MLLEFIT“, nga autori Brahim Ibish Avdyli

Nga Prenda Sejdia

Kam lexuar e rilexuar vëllimin e ri poetik që më solli për recensentë poeti Brahim Avdyli dhe e prita me kënaqësi, dhe pashë që autori dëshiron rrugëtim me horizont gjithpërfshirës dhe me motivin duke hapur shumë dyer, dritare, shtigje, ndaj shihet dashuria e tij e zjarrtë për fjalën e vargun, por dhe flet për zhbërjet, helmet e dashurisë që tashmë duken sheshazi, fatkeqësisht kudo, hijet, pushtetin e vdekjes, për pranverat, flukamat, thikat e mllefit, shpenzimet, trinitë, parantezat, alergjinë, metaforikën, tragjikomedinë, apokaliptikat, meloditë e trishta, antitezat, konglomeratet, shpresat etj.

Ndaj, gjithçka që gjeta dhe solla deri tani për temat e përzgjedhura, e bëjnë autorin poliglot të fjalës ku jeta, merr frymë me frymën e poetit Brahim Avdyli, i cili gjendet në rrafshin e vet brenda poetikës por dhe letersisë shqipe pasi zbulon visare duke ndezur drita të veçanta për ta soditur e sjellë botën në poezi.

Kjo do të thotë, „je i thjeshtë në madhështi“ ndaj zotëron filigramin e artit poetik. Fisnikëria dhe dinjiteti njerëzor, janë ndër të paktat virtyte që koha nuk mund ti zhdukin as’sesi.

Thuhet se filozofitë zbehen, besimet ndjekin njëri- tjetrin ose dhe ndryshojnë por ajo që është e bukur e tillë do të mbetet, por është dhe posedim për gjithë përjetësinë.

Ndaj kjo që u shkrua më lart besoj se i përshtatet mjaft mirë Brahimit pasi në krijimtarinë e tij gjen vlerat më të larta të letersisë bashkëkohore shqiptare e sidomos të artit poetik në gjithë hapësirat shqipfolëse, ku ka lëvruar këtë zhanër letrar që në rininë e tij të hershme.

Brahimi është poet e shkrimtar, por shkon përmes shembullit personal në gjithë krijimtarinë e tij të hershme apo të vonë të cilën e lëvron përmes vlerash duke u kthyer burim frymëzimi për brezat e së ardhmes.

Pa dyshim se ai i ka vënë detyrë vetes dhe e zbaton me përpikmëri përsosjen mjeshtërore, e vjen si frymëzim për lexuesit shqiptarë, dhe i gjej te çdo fjalë a varg të krijimeve të tij duke u shprehur përmes thellësisë së mendimit, fuqisë filozofike e fjalës së mirë menduar, dytësisë së mendimit e finesave të kuptimit dhe i shpreh fuqishëm përmes metaforave pikante ku lidhen ngushtë me njëra- tjetrën.

Brahim Avdyli vjen si rrjedhë e letersisë shqiptare, e citoj kështu pasi në rrjedhën e tij krijuese përfshin fjalën e artin si arsyetimin e thjeshtë se „poezia është art i atij që di ta lexojë poezinë“.

Do sjell disa nga temat mjaft interesante që pë-rmban ky vëllim poetik: „Helmet e bukurisë“„Pranvera e shkrumbuar“„Thikat e mllefit“„Trinitë e qënies“„Parantezat e gjykimeve“„Alergjia e shkatërrimit“„Tragjikomedia e ferrit“„Apokali-ptika e fjalëve“„Antiteza e dijes“„Nuk më braktisë shpresa“;  etj. Këtu, po e marr një pjesë të poezisë:

„ 3.

 

Zotin e thërras

por ma sjellin të veshur jevgjit,

njëmijë vrima ndjenjash shtazarake

i paska prej ballit të çështjes

e deri pas vetes,

 

më dukej

se isha i dërguar nga Zot-Mërkuri

në tragji-komedinë jetike e të përkohshme

 

e asgjë të ligë nuk guxoj që ta bëj

që të më thërrasin

legjendar përjetimesh!…“

 

( Poezia “JAM MËSUAR ME ZHBËRJE” )

Fuqia e fjalës zë vend në çdo varg të kësaj poezie, krahas asaj shpirtërore dhe ngre krye mes shigjetave të kohërave duke u kthyer në qëndresë poetike e formësuar në kështjellën letrare atë çfarë i ligjëron e kaluara shumë shekullore e të sotmes, pra çka përfaqëson poeti dhe e vë në dilemë me botën dhe veten.

Çfarë kërkon poeti dhe çfarë gjen, me varg transparent krahason dy botë të qenësishme në një të vetme, sa vështirë bëhet dallimin mes botës kafshë dhe njeri e shtjelluar, e tëra hipokrizi. Ndaj fjala e vargu janë lidhur pazgjidhshmërisht me shpirtin e poetit, duke kaluar furtuna, por i duruar. Lumturitë e munguara, bota vetmitare e poetit, nuancat e emocioneve të cilat nuk përtypen assesi nga një lexim pa analizë.

Brahimi, është kritik letrar, ndaj është mësuar me skanerin dhe energjinë purifikuese dhe shpesh ndryshon frekuencat e ajrit me argumente ilustruese.

Kështu që poeti shprehet se është mësuar me zhbërjet, duket haptazi se, ai është përballur me forcën e natyrës e cila i ka dhënë poetit nga forca e saj ndaj, jo më kot thuhet se prej forcës merr forcë edhe kur të fusin në burgjet e paqena, të paqena kur ndodh e liga, e nga pësimet shuhet vorbulla e shpirtit.

Mbushur imazhe e tema të shumta që duket aq e vështirë të veçosh ndonjë, pasi brendia e tyre lë të nënkuptosh se ka arritur univerzalizimin me vlera të veçanta ku ekziston padyshim ajo lidhja e ngushtë e hermetizmit mbi fenomenet e shumta të ndodhura në harkun kohor të jetëgjatësisë së autorit.

Për poetin padrejtësitë janë llava ku harbon dhe përfshin honet e shpirtit dhe përcëllon botën ku gjendesh, aty mes flakërimave e shpresat e pritura, si kundër edhe poezinë e vendos po në të njëjtën drejtëz a baraspeshë “Në vend të Zotit qenka kryemadhi i zoti i djajve”, vendos gjithashtu mirësinë e zotit me dëmin e madh të pësimeve në vorbullën e shpirtit, në formën më filozofike të mundshme ku gjithçka thotë Brahimi vjen nga pika e mendimit.

 

„ 4.

 

Gjak pabesie

rrugëve të botës

 

edhe për gjëra të liga

që kurrë nuk i kam bërë

prapë po i laj,

 

shprehimisht e kam pranuar

fuqinë kozmike

e fëmijët e vegjël

i kam mbajtur mbi vetull

 

prore kam ruajtur

për bardhëzimin e vargjeve

me ngjyrën boreane të maleve

 

e askujt borxh

nuk i mbetem

frymimeve për të nesërmen…“

 

( Poezia „THIKAT E MLLEFIT“ )

 

Kjo poezi mban dhe titullin e librit.

E fuqishme në tërësinë e saj dhe thellësisht tronditëse dhe bartëse e dhembjeve të jetuara e pa të jetuara jo vetëm të autorit, por një pjese të madhe të shoqërisë dhe shoqërive dhe ndjehet si përfaqësuese e kohërave të vështira.

Ama, duket se në këtë libër shkruhen tmerri a konvergjencat që bien njëra pas tjetrës si p.sh, pabesia si ligësi e egër apo shpifjet mbi qenien njeri. Duket se poeti është besimtar te natyra e gjithësia ndaj përkushtohet me mish e shpirt pasi fëmijët i mban mbi vetull me tërë forcën dhe energjitë duke ndjerë përgjegjësi njerëzore.

Shpirti i tij i badhë, thotë fjala e vargu se ngjan me ngjyrën boreane të maleve, duket se gjoksin e tij, fuqishëm ia kthen erës.

Kur të krijuarit a të shkruarit bëhet nga pena e stërvitur dhe e talentuar, bën t’i përzgjedhësh kaloritë që kthen si vlerë për një jetë të shëndetshme, pos që zbukuron artin e fjalës me fjalët e shpirtit, ndonëse rëndesa është e dukshme. „Lum kush di ta ushqejë shpirtin se ju bëhet vend edhe të tjerëve“, kjo thënje biblike sikur gjen vend në poezitë e këtij vëllimi poetik, dhe natyrshëm lind ky binom mes poetit dhe lexuesit, ndaj ky libër është shkruar me gjakun e shpirtit dhe do të ju shërbejë kryekëput shpirtërave njerëzor.

Poeti, ashtu e ka përballuar mes sfidave një jetë si në varg apo një shumicë e shoqërisë duke ndjekë shtegëtimin e tij pasi sillet si kujtesë dhe përkujdesje, që ta kemi përparësi zhvillimin mendor, dhe ngjan sikur një njeri vjen para nesh i lindur mes valëve dhe shqetësimeve të mëdha, dhe vetëm për t’u sprovuar ndërkohë sjell imazhe të fuqishme që mposht ligësitë e pabesitë dhe përcjell ndjenja kolektive që rrjedh nga përvoja e ekzistencës dhe i përcjell njëkohësisht mesazhe popullit të vet të shumë vuajtur ku ndërlidhet pikëllimi si binom i poetit me lexuesin.

 

„ 1.

 

Vargu qarkullon

nëpër lugje e kodra të djallëzisë,

 

aty lodron

oligarkia e krijesave

të përçudshme

 

fishkëllon me të madhe

fundosjen e mileniumeve,

 

digjem nga dhembja

në pamundësinë e kuptimit.

 

2.

 

Më del tymi

nëpër kapakun e mendjes-

 

rrjedhje me mjegullnajë

 

e njeriu dergjet

nëpër dridhjet e mosbesimit,

 

me shpërfillje

na zë kudo alergjia e shkatërimit…“

 

( Poezia „ALERGJIA E SHKATËRRIMIT“ )

 

Poeti është gjithnjë në kërkim të përsosjes së shprehjes, ndaj dëshmon fuqi poetike në çdo varg, strofë e poezi ndaj godet me tehun e fjalës peshuar mirë.

Shpesh e ndeshim filozofinë e goditjes në nivelin e lartë të mendësisë së intelektit, ku bën të rrebelosh ndjenjat për frontin që hap autori me nocionet si „nëpër kodra e lugje të djallëzisë lodron oligarkia e krijesave të çuditshme“.

Dihet që, opsioni më i mundshëm dhe real është goditja për t’i dhënë vlerë fjalës por dhe ngjyrë e dritë vargut në ndërtimin e veprës por dhe jetën njerëzore. Sikur të motivon sintonia me hapësirën e të menduarit në gjithë labirintet me hermetizmin që autori sjell në varg, strofë a poezi.

Autori ka përjetuar brishtësinë e shekullit dhe ka ndërtuar oazën e tij duke qenë se efekti kohë është edhe ilaçi më i mirë e mësues inspirues, ndaj është origjinal brenda inividualitetit të tij krijues dhe tërësive universale në një proces të gjatë përmes psiko- filozofisë.

„Më del tymi nëpër kapakun e mendjes“, kur vorbullohen fjalët e vargu merr flakë, gjëmon përmes fjalës qan dhe i këndon shpirti njëkohësisht për brengat dhe përçapjet që rrinë aty strukur, diku skutave të shpirtit pasi prej hijes, territ verbon dhe qiellin blu, vërshojnë turbulencave të papritura ku dhe ajri mungon, dhe duket se shëmti e errët i bie horizontit dhe epokat mbjellin terr mbi dritën.

Autori artikulueshëm vigjilon personalitetin dhe botën që e rrethon.

Autori vjen në perfeksion në pikëpamje të interesave motivuese por dhe tematike, e kjo bën autorin të ketë fron por impulset e nervit nuk gjejnë dot qetësi.

Ky vëllim vjen si testament që kërkon „ringjallje a rizgjim“ nga motet e hidhëta të shëmtisë të epokave dhe imazhet shërbejnë për thellim studimi në këndvështrimin poetik dhe krejt dimensionet universale dhe eksplorimit nëpërmjet përjetimit, vargut që përbën të magjishmen duke e hasur kudo në varg, strofë e poezi.

Poezia e Brahimit, është plot frymëzime filozofike, figura reale por dhe imagjinare, përjetime personale, ku përcepton botën në shumë dimensione dhe përcjell porosi e mesazhe por edhe unitet.

 

„ Asnjëherë nuk më lë

shpresa e mbjellë në shpirt

 

të mbijetuarit e dhembjes

i sjellë nëpër meditimet e zemrës,

 

mendja lart e zemra është në mes

pa e pyetur edhe atë

nuk merret vesh çështja e botës,

 

atje e kam mbjellë kaherë

energjinë magnetike të mbijetesës

 

AI është Zoti i Madh

i të gjitha materieve dhe imaterieve

që shenjëzojnë gjithësinë

 

kur i dëgjojmë zërat e trishtueshëm

prej botës paralele

në botën e përkohshme

e prekim zemrën

 

dhe e dimë mirëfilli

se shpresat kurrë nuk shuhen!“

 

( Poezia „NUK MË BRAKTISË SHPRESA“ )

Më pëlqen ta citoj sërish bukurinë e vargut dhe thjeshtësinë në dukje ndonëse mjaft estetike, ku skalitë bukurinë e vlerave, ndaj s’i shuajnë dot vitet as shekujt. Kaq këndshëm i shijoj këto vargje në tërësinë e këtij libri, pasi thellësin e mendimit arrin te caku i autorit ku zotëron eklipsi mes gjenive me drejtësitë dhe absurditetin. Me xhevahirët mund të bësh stoli të bukura, ama një ditë iu bie shkëlqimi, kurse fjalët e fuqishme që burojnë nga guvat e shpirtit artistik të Brahim Avdylit, bëhen monumente kulture për të realizuar ëndërrën në përjetësi.

Lexone këtu mesazhin madhështor që vetë e përcjellë poeti në poezi, prandaj është aristokrat i fjalës së përzgjedhur me mjeshtri si ilaç i trurit që ua transmeton brezave.

Vargu ka peshë, ka art dhe vlerë, ka mesazh e përjetim plot ndjenjë dhe përcjell emocion.

Në vëllimin poetik „THIKAT E MLLEFIT“ gjendet i gjithë universi i shpirtit krijues, prestigji i shenjëzuar ndër kodet semantike i gjuhës së ashpër dhe frymës së shpirtit dinjitetshëm njerëzor, aty ku parafytyron portat e ferrit monstruoz, aty mes demonëve të veshur hijshëm me petkat e mrekullueshme të mashtrimit, gjen kurajon për të përcjellë mesazhe të bardha shprese dhe për ta çuar deri në fund misionin e tij të shenjtë brenda gjithë koloriteve.

Ky stil brehtian me ide të qarta, ku të shëmtuarës i vë fytyrën e mospëlqimit dhe përballet me kundërshtitë përmes mesazheve përçuese.

Brahim Avdyli ka kultivuar shprehje të pastra artistike të mendimit filozofik në përpjesëtime të përkryera në sensin e artistit poet brenda lëmisë të letërsisë shqipe. Poeti kërkon përmirësimin e rendit jetik, bën thirrje për ndërgjegjësim të mendimeve, ndjenjave apo veprave të pastra përballë anti vlerave.

Autori paraqet karakter e virtyte të larta në raport me zhvillimet shoqërore.

Ndjenjat dhe kënaqësia estetike e përbërjes shumë dimensionale është thelbi dhe vizioni poetik tek Brahim Avdyli ku modelon universin në unison me botën që e rrethon, pasi aq ndjeshëm artikulon emocionet dhe tensionin që shkakton përmes vargjeve e bën funksionale me konstruktin poetik.

Kështu që, uroj pafund suksese Penës së ndritur të autorit, të ketë sa më shumë frymëzim për krijime të shumta brilante nga gurra e pashtershme dhe muza e poetit Brahim Avdyli.

Dritë dhe refleksion në krijime dhe botime të reja plot vizion për një botë në zhvillime të reja, e sa më lehtë e këndshëm për lexuesin.

Udhë e mbarë plot bardhësi librit.

„Gurrë e pashtershme për ju poet,

është frymëzimi“

Lezhë, më 27 shkurt 2024

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok