VINÇENC PRENNUSHI, NJERIU I VLERAVE KOMBËTARE

“Martir i Demokracisë”
“Austria e bazonte politikën e saj mbi shqiptarët nacionalistë dhe ngarkonte me punët e Shqipërisë ata njerëz që e dinin shqipen më mirë se çdo arnaut.” Fan Stilian Noli
Nga Hazir Mehmeti, Vjenë
Në historinë tonë shekujve Austria u dallua si përkrahëse e kombit shqiptar krahas fushës politike, ekonomike dhe në fushën e arsimit e kulturës. Nisur nga kjo mbështetje, Austria u bë vendi ku u shkolluan shumë figura të njohura kombëtare dhe akoma sot e kësaj dite shkollohen në Universitetet e Vjenës, Grazit, Insbrukut, Linzit, Klagenfurtit, Kremsit e qytete tjera të Austrisë me mijëra shqiptarë Në këtë vështrim të shkurtër do ndalemi tek figura e njohur historike, tek Martiri i Demokracisë, Vinçenc Pennushi i cili jetoj nga viti 1885 gjerë në vitin 1949.
Vinçenc Prennushi u lind në Shkodër, ishte folklorist, poet, publicist, përkthyes, klerik dhe shenjtor shqiptar. Mësimet e para i mori në vendlindje dhe i vazhdoi në seminarin e Troshanit, Pjesërisht shkollën e mesme e mbaroi në Troshan, viti 1903, kur edhe dërgohet për studime në teologji e filozofi, e përfundon në Tirol të Austrisë. Qe në vitin 1904 fillon të shkruan pjesën letrare “Rrënimet e Jerusalemit”, kurse vepra letrare me karakter fetar shkruan katër vite më vonë (1918) me titull “Fjala e Zotit” dhe në vargje përmbledhjen “Grueja shqyptare”, e para vepër letrare e tij e botuar në shtypshkronjën françeskane dhe “Vorri i fratit”. Në këtë vit ai merr drejtimin e revistës “Zani i Shna Ndout” paralelisht ai drejton edhe revistën e mirënjohur “Hylli i Dritës”. Ishte bashkëpunëtor i gazetave “Posta e Shqypnisë” dhe “Ora e Maleve”.
Ishte poet i shquar, ishte publicist i veçantë dhe orator i shkathtë. Në vlugun e aktiviteteve, në vitin 1917, bëhet anëtar i “Komisisë Letrare Shqipe” në Shkodër ku u përcaktuan rregullat e para të drejtshkrimit shqip, u bë një ndër themeluesit e bashkëpunëtorët e grupit më të rëndësishëm të Opozitës Shqiptare, që në vitin 1923–24 formuan edhe revistën e njohur “Ora e Maleve”. Aty botuan penat më të njohura të kohës, mes tyre edhe Vinçenc Prenushi, njëri nga më të rëndësishmit. I magjepsur nga folklori i Shqipërisë së veriut, mblodhi këngë popullore nga kjo trevë e lashtë shqiptare.
Në vitin 1911 në Sarajevë me ndihmën e arkeologut dhe historianit austriak me origjinë çeke, Carl Patsch boton “Visaret e Kombit, Kangë gegnishte”. Këngë folklorike të mbledhura dhe renditura prej tij. Në Shkodër shfaqi dramën “E tradhtuemja”, nga Rolado të cilën e përshtati në shqip, pastaj boton dramën me pesë akte “Prej robnije në liri”.Vinçenc Prenushi, nga studiuesi ynë i njohur,Eqrem Çabej, quhet “Poet i qytetit të Shkodrës”, me përmbledhjen e tij të njohur poetike: “Gjeth’ e Lule”, një përmbledhje e bukur dhe përmbajtjesore. Më 1939 boton poezitë “Kuq e Zi” dhe “Ushtari i vogël” i përzgjidhet në një antologji arsimore për shkollën e mesme. Botoi përkthimin “Fabiola, a kisha nën dhe e mî dhe” të Kardinalit Viseman. Përktheu gjithashtu Danten dhe sociologun Weber. Në vitin 1933, përktheu e botoi romanin “Quo Vadis” të Sienkievicz. Në vitin 1939, përktheu dhe botoi romanin e Silvio Pelico-s “Burgjet e mia”.
Disa vargje nga poezia e tij Gruaja shqiptare.
VINÇENC PRENNUSHI
Gruaja shqiptare
Ju qi kjani n’ dekë t’ njij djalit,
E, permysë mi ket bujare,
N’ te nderoni bin shqyptare;
E tuj puthë e mall e vajë
Njat flamur, qi dora e sajë
Diejti aq bukur me qindisë,
Pse dashtnija e kisht’ molisë;
Lidhniu tok: Per herë dashtnija
Per vend t’ uej t’ u jet stolija;
…
Ngjyra e sajë, njomsi prendvere,
Përtrin viset e Shqipnis;
Vinçenc Prenushi ishte shumë i frytshëm në veprimtarinë e tij letrare e artistike, mes tjerash ishte edhe drejtor i suksesshëm i kolegjit françeskan ku ishte edhe profesor, drejtor i shtypshkronjës françeskane dhe Guardian i Kuvendit Françeskan, pastaj Provincial i françeskanëve.
Më 14 Mars 1914, kur në kalanë e Shkodrës u ngrit nën brohoritjen e mbarë popullit të Shkodrës flamuri kombëtar, ku At Vinçenc Prenushi do mbante fjalimin e tij.
Më 19 Mars 1936 Selia e Shenjtë e emëroi peshkop të Sapës, detyrë të cilën e mbajti deri në vitin 1940, kur u emërua kryepeshkop metropolitan i Dioqezës së Durrësit, duke pasur nën administrim kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranën. Mbas vdekjes së Imzot Gaspër Thaçit, në Shkodër, më 26 Maj 1946, dhe arrestimit të Don Mikel Koliqit, famullitar i Shkodrës, Imzot Vinçenc Prennushi u ngarkua me detyrën e Primatit Katolik të Shqipërisë.
Më 19 maj 1947 Imzot Prennushi u arrestua dhe filloi t’i nënshtrohej një kalvari vuajtjesh fizike e psikologjike, të krijuar nga regjimi komunist shqiptar. Më 18 dhjetor 1947, Gjykata Ushtarake e Durrësit, e përbërë nga kryetari, major Gjon Banushi, anëtarë, major Xhule Çiraku, kapiten Halim Ramohito dhe prokuror, kapiten Petrit Hakani, hapën gjyqin kundër tij. Vendimi i Gjykatës së Durrësit u përcoll për shqyrtim në Gjykatën e Lartë të Tiranës, bashkë me një relacion të prokurorit të Durrësit, i quajtur Sotir Qiriaqi (data 1 dhjetor 1947). Gjykata e Lartë Ushtarake Tiranë, e përbërë nga kryetar, major Niko Çeta, anëtarë, kapiten Nexhat Hyseni, kapiten II Mustafa Iljazi dhe sekretar aspirant Thoma Rino, më 23 shkurt 1948, mbasi shqyrtoi çështjen e të pandehurve “refuzon kërkesën e tyre”. Me zemër të sëmurë Monsinjor Prenushi vdiq nga tortura çnjerëzore në burgun e Durrësit. Pas rënies së diktaturës shpallët “Martir i Demokracisë”, në vitin 1993. Në përkujdesje ndaj figurave me vlera kombëtare, Muzeu Historik Kombëtar e përkujtoj Vinçenc Prennushin dhe veprën e tij.
Historia tragjike e shumë intelektualëve në komunizëm duhet ndriçuar akoma, një detyrim gjeneratave që vijnë.