13/12/2024

Vetëvrasja si akt i dëshpërimit qytetar!

0
u1_Entela-Binjaku

Nga Entela Binjaku

Kur ende shoqëria shqiptare jeton kufizimet për shkak të pandemisë, kur lëvizja lejohet për pak orë falë marrjes së lejes në një platformë digjitale, media njoftoi opinionin për vrasje, plagosje, vetëvrasje. Të ndodhura në fare pak orë, në disa zona të vendit, vëmendja u përqëndrua tek dy faktet e para e më pak tek fakti i tretë. Një djalë rreth të 30-tave, i sapo bërë prind dhe një mesoburrë, respektivisht nga një zonë e vogël urbane dhe nga një qytet të madh në zemër të Shqipërisë, zgjodhën të njëjtën formë të dhënies fund të jetës. Me këtë akt ata prodhuan jo pak traumë për familjet, të afërmit e të njohurit e tyre. Për vetë profilin psikologjik të familjes shqiptare, lidhjet mes pjestarëve janë shpirtërore ndaj dhe gjurmët që lë kjo traumë tek ata janë të thella dhe të dhimbshme. Post-trauma që zgjat në kohë, lëndon shumë njerëz dhe kjo do të kërkonte më shumë energji për t’u ardhur në ndihmë në përballjen me të. Vetëvrasja godet si të rinjtë ashtu edhe të vjetrit, të pasurit e të varfërit, gratë dhe burrat, të martuar ose jo, të divorcuar, të dobët e të fortë, të zakonshëm apo dhe njerëz të veshur me pushtet, nëse jeton në fshat apo në qytet etj. Në vendin tonë sipas burimeve zyrtare në periudhën 1 janar -27 prill të këtij viti janë kryer 37 akte të vetëvrasje dhe 41 tentativa.

Kjo është shifër është më e ulët se e njëjta periudhë e vitit të kaluar ku u realizuan 55 akte vetëflijimi dhe 43 tentativa.

Për trajtimin e vetëvrasjes përveç faktorëve demografikë, pra moshës, gjinisë, mjedisit ku jeton individi, duhen marrë në shqyrtim edhe faktorët e zhvillimit psikik, biologjikë si dhe ato që lidhen me historikun e jetës së personit. Duke i analizuar mund të gjejmë edhe forma për të parandaluar këtë dukuri. Sjellja vetëvrasëse është e lidhur me disa karakteristika psikologjike që në përgjithësi mësohen kur pyeten të afërm apo miq të personit që ka kryer këtë akt. Prej tyre merren informacione që bëjnë të kuptosh disa simptoma të periudhës që e paraprin këtë akt dhe që në përgjithësi flasin për një depresion të vështirë dhe të gjatë, ankth, humbje të kontrollit, ndjesi të pamundësisë për të ndryshuar situatën, çrregullime bipolare të humorit etj.

Vetëvrasja është trajtuar gjerësisht nga sociologjia, fushë që i jep një rëndësi të madhe zinxhirit shkakësor, ku shkaku i njërës ngjarje është pasoja e një ngjarjeje tjetër. Një përkufizim i vetëvrasjes do ta qartësonte aktin: „vetëvrasja është çdo rast vdekjeje që  ndodh në mënyrë të drejtëpërdrejtë ose jo të drejtëpërdrejtë i kryer nga vetë viktima që e di se ç’rezultat do të prodhojë”. Vetëvrasja është akti i dëshpërimit të dikujt i cili nuk dëshiron më të jetojë.

Themeluesi i sociologjisë si disiplinë universitare dhe organizatori i shkollës franceze së sociologjisë, Emil Dyrheim i kushtoi këtij akti veprën e tretë më të rëndësishme të tij. Me largimin e këtij mendimtari nga jeta më 15 nëntor të vitit 1917, u mbyll përkohësisht një etapë e një kapitulli shumë domethënës të zhvillimit të sociologjisë.  Rëndësia e madhe e veprës së tij qëndron në trajtimin shkencor dhe me rigorozitet të një dukurie shoqërore,  siç ishte rritja e numrit të vetëvrasjeve nga fundi i shekullit XIX. Një nga meritat kryesore të kësaj vepre lidhet me hapjen e perspektivës së analizës sociologjike, duke nxjerrë në dukje kushtëzimin shoqëror të gjykimeve morale. Në përgjigje të kësaj dukurie Dyrheim pohonte nevojën e një autoriteti moral laik, i aftë të nxiste ndërgjegjësimin mbi vlerën që ka bashkëjetesa qytetare; në gjendje të dilte kundër cilësdo ideologjie që përçonte idenë se qëllimi i vetëm ku duhet të synojë njeriu në jetë është përparësia ekonomike. Ky studiues me studimin e kësaj dukurie kërkonte të provonte se “një akt që në dukje ka të bëjë me vullnetin e individit,  në fakt është i lidhur ngushtësisht me realitetin shoqëror”. Sipas tij, edhe pse në shoqëri të ndryshme përqindjet e rasteve ndryshojnë,  gjendet në to njëfarë rregullsie dhe thjesht grupimi i karaktereve psikologjikë është i pamjaftueshëm për të dhënë natyrën dhe shkaqet e vërteta të vetëvrasjeve.

Dyrheimi arriti në përfundimin se arsyet e vetëvrasjeve duhet t’i kërkojmë tek “mungesa e orientimit, dobësimi i marrëdhënieve shoqërore, humbja e ndjesisë së kolektivizmit, “degjenerimi moral”, besimi fetar në rënie. Rrënjët e kësaj dukurie nuk janë vështirësitë e jetës; njerëzit i japin fund ditëve sepse ata nuk  dinë ku ndalen nevojat e tyre si dhe cili është qëllimi i vërtetë i veprimeve të tyre”.

Për mjaft studiues realiteti shoqëror është objekt studimi i lëvizshëm dhe dinamik. Për hir të kompleksitetit që ka, ky realitet analizohet dhe interpretohet edhe me ndihmën e disiplinave të tjera, që kanë në qendër njeriun dhe me ndërveprimet e tij me të tjerët.

Raymond Budon pohonte se “individi nuk jeton i ndarë nga faktorët e jashtëm që e kushtëzojnë atë”. Pra kushtëzimet kulturore dhe institucionale marrin një peshë shumë të madhe në shpjegimin e prejardhjes dhe të motivimit të veprimit individual siç është edhe në rastin tonë vetëvrasja.

Indiferenca e shoqërisë, dobësimi i fuqisë morale në këto vite, ndryshimet që kanë pësuar strukturat  e shoqërisë sonë,  bëjnë që shkaqet që çojnë në vetëvrasje të mbeten shpesh të pa trajtuara.Vështirësitë në komunikimin midis brezave, mungesa e empatisë, individualizimi i jetës shoqërore, humbja e referencave të vlerave, mënjanimi, tëhuajësimi i individit,  kriza e identitetit etj., janë disa prej  dukurive që mund të trajtohen të  lidhura me tiparet e shoqërisë së këtij shekulli.

Duke shqyrtuar rastet e ndodhura veçanërisht së fundmi, mund të pohojmë se vetëvrasja ndodh në situata krizash, papunësie apo varfërimi. Nuk është varfëria në vetëvete, por varfërimi si proces, humbja e një statusi të caktuar ekonomik që rrit prirjen për vetëvrasje.

Në shoqërinë moderne specialistët diskutojnë për vetëvrasjen që lidhet me mungesën ose humbjen e ekuilibrit ekonomik, me humbjen e vlerave të referencës, me lëkundjen te vlerat e moralit, tipare të cilat e përshkojnë gjerësisht shoqërinë tonë.

Stabiliteti i lëkundur i institucionit të familjes, konkurenca e ekzagjeruar në raportet shoqërore, humbja e qetësisë e shkaktuar nga e ardhmja e pasigurtë, prirja për ta lënë mënjanë individin, marrëdhëniet gjithmonë e më shumë të kufizuara, të gjitha këto mund të favorizojnë vendimin e një individi për t’i dhënë fund jetës.

Sipas Luhmann “në shoqëritë moderne nuk janë individët protagonistët e vërtetë të procesit të komunikimit, por janë rolet dhe funksionet, sistemet shoqërore dhe mjediset ku ata veprojnë”. Duke u mbështetur në këtë pohim mund të themi se në kushtet kur mjedisi nuk është mbështetës dhe as mirëkuptues, kur nuk ka ngritjen e duhur kulturore për të ardhur në ndihmë, kur rolet që individët kryejnë tronditen dhe funksionet humbasin, kur sistemi shoqëror është në një kaos të vazhdueshëm dhe të pandërprerë, ku sistemi i vlerave as nuk të shpërblen dhe as nuk të nxit, edhe përpjekjet për të parandaluar këtë dukuri duhet të shumëfishohen dhe të gjejnë angazhim të të gjithë faktorëve të lidhur me të.

Hapja e qendrave të këshillimit në komunitet, shtimi i institucioneve të kujdesit të shëndetit mendor, politikat për rritjen e integrimit të individit në familje e në grupin shoqëror ku ai jeton, përkrahja e vlerave të solidaritetit njerëzor, përcjellja e vlerave që ka komunikimi ndërpersonal, vendosja e numrave pa pagesë apo platformave digjitale në shërbim të njerëzve në rrezik për këtë akt, organizimi i fushatave kombëtare në parandalim të kësaj dukurie, shërbimi psikoterapist si shërbim miqësor dhe jo autoritar dhe stepës, do të ishin disa mënyra që së paku do të ndihmonin në uljen numrin e rasteve të qytetarëve që i japin fund jetës.

Nëse nuk bëhet asgjë në ndihmë të parandalimit, do të duhet shumë energji e shpenzuar në dobi të lehtësimit të dramave që shkakton një dukuri e tillë. Por ku ndodhet kjo energji? Sa energji ka  kjo shoqëri tashmë e drobitur nga varfëria, skamja e tejzgjatur, indiferenca, humbja e besimit tek autoritetet, që komunikon çdo ditë e më pak horizontalisht, të rrisë kahun e presionit qytetar vertikalisht për më shumë shërbime dhe vëmendje ndaj qytetarëve më të dëshpëruar?

Nëse ajo nuk lëvron mundësitë që ka krijuar, edhe opinioni do të vijojë të jetë shpërfillës ndaj çdo njoftimi që i jepet përciptazi dhe ndaj çdo jete që ndërpritet diku, si akt i dëshpërimit qytetar!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok