27/12/2024
Astrit-Lulushi

Nga Astrit Lulushi

Të gjitha luftërat fillojnë shumë kohë para se të qëllohet plumbi i parë dhe vazhdojnë shumë kohë pasi plumbi i fundit të ketë bërë punën e vet. Hoxha me “shokë” mbollën komunizmin në Shqipërinë e lodhur; si foshnje e morrën në duar, e shtrënguan fort, nga dashuria a tjetër, dhe e asfiksuan. Ajo që ishte planifikuar si marrje e shpejtë e pushtetit, u bë një nga konfliktet më të hidhura e më të gjata të Partisë me Popullin. Familja u shkatërrua; u krijua e re, dhe vëllai u hodh në luftë me vëllain. Të gjithë përballeshin me të njëjtën pyetje: “Me cilën anë je?”, si në ndeshje futbolli. Vendimi mund merrej në sekondë, por pasoja ishte e vazhdueshme për pjesën tjetër të jetës; dikush merrte anën e pushtetit dhe dikush hidhej në Ferr. Të merrje anën ishte e vështirë, derisa provoje a dëgjoje për vuajtje, krime, vrasje, burgje, internime (që s’duhej të kishin ndodhur) dhe vendosej se çfarë lloj shpirti kishe. Pastaj filloje të flisje, flisje, e flasje dhe bëheshe produkt i sistemit.

Në zemrën e njeriut mbillen shumë fara, por asnjëherë nuk dihet se çfarë do të rritet. Mund të bëhesh i keq dhe përfiton përkohësisht. Mund të jesh i varfër, por ke shpresë. Dielli ende shkëlqen ditën dhe hëna bën dritë natën. Kur edhe shpresa humbet, një farë zilie fillon të rritet. Kur shtytja të merr përpara, ke vetëm një detyrë, të zgjedhë anën. Disa zgjedhin anën e fituesit. Kjo është pika ku bota e tyre nis të formohet dhe nuk ndryshon më. E ardhmja shpaloset se si do të jetë.

Kur jemi fëmijë, besojmë se bota është plot magjira. Besojmë në mite e legjenda, dhe se koha pret, tashmja mund të ndalet, dhe e ardhmja është e përcaktuar nga fati. Kjo është bota që mbajmë mend nga koha e fëmijërisë, por që s’do të donim ta kishim njohur a provuar kurrë, botë ku njeriu bëhej simulant, i poshtër, dembel; si i dergjuri në shtrat, i cili kur sheh shiringën hidhet e thotë: “Doktor, jam mirë, nuk kam gjë”, dhe del me vrap nga spitali.

Të jesh jashtë është mirë. Jeton më mirë, takohesh me shumë njerëz të ndryshëm, sheh vende të mrekullueshme. Kur lëviz, njeriu jeton. Por duhet të jetë gjithmonë e kundërta; kur jeton, njeriu lëviz. Nga kjo lind edhe nevoja për të qenë i lirë, që pastaj të mund të jetosh. Pra, është vullneti i lirë dhe jo vullneti i detyruar apo “puna vullnetare” (shpikje e asaj kohe për të kontrolluar lëvizjen e njerëzve).

Dhe nëse atje ku shkon, njerëzit duan të dinë për të kaluarën tënde, u thuaj një gënjeshtër, tjetri bëhet kurioz, kërkon përsëri, dhe ti u thuaj se vjen nga një vend i çuditshëm, se nuk di të qash, as të duash, as të kundërshtosh, se nuk e njeh dhimbjen që sjell dashuria. Dhe nëse duan ta dinë, thuaji edhe se do të kthehesh kur të mbarojnë vendet për të jetuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok