22/12/2024

VARGJE FISHTIANE MBI TRADHTINË

0
Gjergj-Fishta1

(Fletëza fishtiane), 3

Nga Prend BUZHALA

Ka jo pak tekste letrare e joletrare, në të cilat Fishta shfaq zemërimin e tij të pafund, e shfaq  ndaj të shkuarës, por e shfaq sidomos ndaj aktualitetit të kohës së tij. Ai nuk e drejtonte këtë zemëratë poetike kundër individit si të tillë, por kundër problemeve e fenomeneve që e mundonin shoqërinë shqiptare. Duke e përqendruar kësisoj energjinë e tij, ai hapte shtigje edhe për përgjigje adekuate. Edhe nëse e drejtonte sulmin e tij gjithë mllef ndaj personit të caktuar, ai atë do ta përdorte me arsenalin e tij polemik, antik e satirik. Vetë Aristoteli e ka thënë: “Çdokush mund të zemërohet – kjo është e lehtë, por të zemërohesh me personin e duhur dhe në shkallën e duhur dhe në kohën e duhur dhe për qëllimin e duhur dhe në mënyrën e duhur – kjo nuk është në fuqinë e të gjithëve dhe nuk është e lehtë.” Këtë forcë e energji aristoteliane e kishte edhe Fishta.

Dinte ta ruante drejtpeshimin emocional, paqen e brendshme mendore e prirjen për të menduar qartë.

1.

Nuk e di se ku e kishte hidhërimin e tij poeti i shquar anglez William Blake, kur ka thënë: “Është më e lehtë ta falësh një armik, se sa ta falësh një mik.” Dhe, nuk është e habitshme, pse, në këso rastesh, intelektuali i tradhtuar apo miku i tradhtuar në besimin e tij, e ndien veten mizorisht fajtor pikërisht PSE KA BESUAR!

Drama e përjetimit të kësaj situate, si në ato të tragjedive shekspiriane, sigurisht, nuk është e lehtë për t’u përballuar. Te drama JUDA MAKABE e At Gjergj Fishtës lexojmë:

“Nji tradhti,nji namë, nji dhunë,

Për t’u kja me gjak e lot!

Shka t’a baka nieri i jot,

Nuk t’a baka vetë anmiku…”

E Lahuta, thanë, qenka trashëgimi e këlyshve të Rusisë…

Sa të vërteta e të sakta tingëllojnë vargjet që i thur Fishta për trandjet dramatike të kohës te “Lahuta…”:

”Uh! Europë, ti kurva e motit,

Qi i rae mohit besës e Zotit,

Po a ky â shêji i gjytetnís:

Me dá token e Shqypnís

Per me mbajtë klysht e Rusís?

Po ti a kshtû sod na i perligje

Njata burra qi m’ kto brigje

Per tý vehten bânë flije

Kur ti heshtshe prej ligshtije?

Edhe koha jonë i ka Hamletët e vet, heronjtë e vet…

Dhe një Hamlet përballet me dyshimet e tij sfilitëse, por vendos që ta godasë vetë krimin, tradhtinë… dhe jo të hidhet në anën e të ligës…

Dramaturgët e dinë që pazari me etikën njerëzore, u ngjet vlerave të tregut:

“Tradhtia është si diamantet, nuk ka asgjë në botë që tregtari i vogël nuk arrin të bëjë me anë të saj.”, thotë dramaturgu, humoristi dhe gazetari anglez Douglas Jerrold.

2.

Sokrati i dikurshëm, kur pranoi që më mirë ishte të shkonte drejt vdekjes, duke pirë gotën e helmit për fajet e paqena, se sa të jetonte me servilizmin e pështirosur që do ta njolloste ndër shekuj veprën e tij; na e jep edhe profilin e intelektualit me etikën e fortë të urtësisë, na e jep edhe sot shembullin e një kulture të etikës dhe moralit kundër TRADHTISË MORALE, TRADHTISË INTELEKTUALE, TRADHTISË INSTITUCIONALE dhe me NDERIMIN E PAGUAR ME JETË ndaj LIGJIT, qoftë ai edhe i padrejtë.

Dhe kjo etikë kulture politike, ka vlerë sidomos kur ka trokitur a troket në ndërgjegjen politike dje e sot…dhe gjithsesi do të trokasë edhe nesër… me pyetjen torturuese biblike: “Hej, kah je nisur, ku po shkon?! Quo vadis, quo vadis, quo vadis”

Pyetja e tillë i drejtohet njeriut (shenjtor, intelektual, pushtetar… etj) që tradhton misionin e tij jetësor e shpirtëror. I ndodh, sepse në vend të kësaj etike, Njeriu i Tillë e vendos pabesinë, interesin primitiv, servilizmin mizor (e këtë të tillin intelektual shohim me profilin e profesurës në Universitet, në institucione, në parlament, nëpër partitë politike apo në institucione shtetërore në shërbim të mizorisë)…

Dhe po qe se ti nuk e dënon krimin, të ligën, padrejtësinë, të pavërtetën dhe injorancën, por i rehabiliton ato, i ndjek ato pas, ke bërë KRIM TË DYFISHTË.

3.

Pakënaqësitë lindin edhe zemëratën letrare. Ndodh një shpërthim i vrullshëm si kundërshtim i së ligës për veprimet e padrejta. Kundër jonjerëzores. Në rastet e Fishtës, padrejtësitë kundër kombit shqiptar, të brendshme e të jashtme.

Dhe ai nuk e kurseu këtë zemëratë kundër askujt.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok