21/12/2024

Varfëria shpirtërore e intelektualëve!

0
Florim-Zeqa1

Shkruan: Florim Zeqa

Secili njeri e ka një dhunti natyrore, por jo të gjithë dijnë ta shfrytëzojnë atë. Të lumtë ata që e zbulojnë veten, përpara se të abuzohen nga të tjerët! Njerëzit me shpirtë të pasur asnjëherë nuk bien pre e lakmisë, por digjen si qiriu për t’ia ndriçuar rrugën shoqërisë.

Urrejtja dukuri e shëmtuar e shoqërisë sonë

Ndër dukuritë më të shëmtuara të një qenje njerëzore janë; urrejtja, xhelozia, mendjemadhësia, karrierizmi, lakmia, interesi, etj, ku të gjitha së bashku e përbëjnë varfërinë e skajshme shpirtërore.

Këto dukuri janë të shfaqura më së shpeshti tek politikanët, intelektualët e fjetur dhe militantët partiakë. Mirëpo, për fatin e keq, viteve të fundit varfëria shpirtërore është bërë dukuri e shëmtuar e shoqërisë njerëzore në përgjithësi, e cila po na shkakton dëme të pariparueshme, ndarje dhe përçarje shoqërore të përmasave kombëtare.

Egoizmi, urrejtja, mendjemadhësia, karrierizmi, lakmia, xhelozia dhe inatet personale brenda shoqërisë sonë, i kanë arritur nivelet më të larta, të cilat shpesh kulmojnë me sulme verbale, sharje dhe ofendime nga më të rëndat.

Kur i dituri bie pre e varfërisë shpirtërore

Varfëria shpirtërore dhe morale e intelektualëve janë shpërfaqje e personalitetit të dyfisht dhe mungesës së edukatës familjare. Shpirtngushtësia dhe xhelozia e intelektualit janë varfëri shpirtërore e kthyer në urrejtje patologjike ndaj tjetrit që është më i ditur dhe më i ngritur.

Varfëria ekonomike nuk i dëmton njerëzit e ditur aq sa i dëmton egoizmi dhe varfëria e brendshme shpirtërore. Mund të ndodhë që njerëzit të vdesin nga uria si pasojë e varfërisë, por më e dhimbshme është “vdekja” e përditshme e njerëzve shkaku i shpirtit të varfër dhe egoist!

Njerëzit në këtë botë mund të jenë të pasur me para, të kenë pasuri enorme materiale, por nëse ju mungon pasuria shpirtërore, ju mungon gjithçka!

Thënë ndryshe, ka diçka që është më e rëndësishme në jetën e njeriut sesa ana materiale, pra është pasuria shpirtërore.

Varfëria shpirtërore e një intelektuali para së gjithash vjen si produkt i urrejtjes dhe xhelozisë. Dëshira apo ambicia për ta parë vetën të parë dhe mbi gjithë të tjerët, shpeshëherë edhe kokat më të mençura i bën të bien pre e varfërisë shpirtërore. Kurse ambicia dhe mendjemadhësia janë dukuri vrastare dhe armiku më i fshehtë i një intelektuali në ngritje e sipër!

Kur dikush mendon që i di të gjitha dhe e ndjen veten superior ndaj të tjerëve, atëherë ai vlen më pak se çdo njeri tjetër, bie në nivelin e një kafshe të uritur!

Njerëzit me shpirtë të pasur janë atdhetarë të vërtetë

Egoistëve dhe karrieristëve çdo herë u pengojnë sukseset e të tjerëve, ata mbeten të ngujuar në lëvozhgën e tyre dhe mundohen t’ua zënë diellin të tjerëve.

Shpërfaqja e varfërisë shpirtërore e një intelektuali vjen në shprehje, kur e sheh ngritjen e një personi tjetër me nivelin e njëjtë intelektual, dukuri e cila është prezente kudo në shoqërinë tonë, filluar nga nivelet më të ulëta e deri tek ato më të lartat, të nivelit akademik!

Intelektualë me shpirtë të pasur konsiderohen ata njerëz, të cilët e vendosin interesin e përbashkët shoqëror përpara vlerave materiale dhe interesit personal. Të tillët janë atdhetarë të vërtetë në kuptimin më të mirë të fjalës.

Intelektualiteti nuk është produkt i shkollimit të lartë dhe as i pasurisë materiale, por i edukatës familjare dhe dhuntisë natyrore (Zotit).

Shpirtëvarfërit i pengon suksesi i të tjerëve, gjë e cila i bënë ata të mjerë dhe të papërfillshëm në shoqëri, të cilët xhelozinë e kthejnë në urrejtje patologjike ndaj të tjerëve.

Përderisa në të kaluarën jo shumë të largët, per sukseset e një intelektuali, mburrej familja, lagja, fshati, qyteti dhe shoqëria në tërësi, sot intelektualin e shquar së pari e urrejnë kolegët, miqtë dhe të afërmit, injorantët dhe politikanët karrierist nga frika ngritjes së tij, kurse shumica e popullatës e admirojnë dhe respektojnë (edhe pa e njohur personalisht) në bazë të veprave të mira dhe kontributit vlerëmadh për vendin, shtetin dhe qytetarët në veçanti.

Pa dashur që ta personalizojë varfërinë shpirtërore të intelektualëve, shpirtgjerësia ime është e gatshme t’ua pranojë kërkimfaljen për gabimet e bëra ndaj meje, por asnjëherë nuk e preferojë hakmarrjen si mjet ndëshkimi, pasi hakmarrja i tejkalon përmasat e varfërisë shpirtërore të intelektualit dhe njeriut me edukatë të shëndoshë familjare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok