Nga Blerim Latifi

I PARI

Duke i futur në kontrollin e tij të plotë serbët e Kosovës, Beogradi ka siguruar një nivel të lartë dhe tejet efektiv të ndërhyrjes në punët e brendshme të Kosovës.

Në termat e politikës ndërkombëtare kjo quhet “ndërhyrje e paligjshme e një shteti në punët e brendshme të një shteti tjetër”.

Kjo në rastin tonë bëhet edhe më shqetësuese për faktin se shtetet të cilat e kanë mbështetur dhe njohur pavarësinë e Kosovës, nuk po e shikojnë se diçka të papranueshme këtë ndërhyrje të vazhdueshme të Serbisë në rendin e brendshëm kushtetues të Kosovës. Askush prej tyre nuk po i thotë Serbisë se duhet t’i japë fund kësaj ndërhyrjeje, e cila, në fund të fundit, e ka veç një qëllim: me komprometu pavarësinë e Kosovës.

Si mund të kuptohet kjo?

Me gjasë ka një konsensus ende të pashpallur të shteteve perëndimore që veriut të Kosovës t’i jepet një status i veçantë politik brenda shtetit të Kosovës.

Po e quajnë “Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe”, por të gjithë e kanë të qartë se prapa këtij termi në dukje të parrezikshëm, fshihet diçka më shumë, një lloj autonomie serbe në veriun e Kosovës.

Ngërçi shumëvjeçar në marrëdhëniet e Kosovës me Perëndimin e ka shkakun pikërisht në mospajtimin rreth kësaj çështjeje. Askush në Prishtinë nuk ka guximin që të vendosë vulën e shtetit të Kosovës mbi një dokument që përmban autonominë për serbët e Kosovës. Secili ka frikën se me këtë do të përfundojë në klubin e tradhtarëve të historisë kombëtare. Shkaku i kësaj frike kanë rënë tri qeveri. Mund të bjerë edhe e katërta, edhe e pesta.

I DYTI

Kur jemi të marrëveshja e mbrëmshme, kush çka fitoi prej saj?

Perëndimi e arriti qëllimin e tij për të shmangur rrezikun e shpërthimit të vatre të re konflikti të armatosur në Evropë, në kohën e tronditjes së madhe nga lufta në Ukrainë.

Serbët arritën ta ruajnë status quonë e deritanishme të qarkullimit me targat e kohës së Millosheviqit.

Ne fituam një premtim të kotë se nuk do të lëshohen më targa të tilla nga Serbia. Dhe kur kemi të bëjmë me premtimet e Serbisë, dihet se cili do të jetë fati i tyre.

Përfundimisht kjo marrëveshje është dështim i qeverisë së Kosovës.

Dhe krejt çfarë njeriu mund të përfitojë nga një dështim, është të marrë leksionet e duhura për të mos e përsëritur atë në të ardhmen.

Është dëshirë e të gjithëve neve që t’i japim fund poshtërimit të shtetit të Kosovës në veri dhe kjo nga shumë kush quhet “rikthim i dinjitetit”.

Por çka është dinjiteti i një shteti?

Është ushtria e fortë dhe ekonomia e zhvilluar. Ushtria e fortë për të garantuar rendin kushtetues në çdo pjesë të territorit dhe ekonomia e zhvilluar që mundëson mirëqenie të qëndrueshme për popullin. Aktualisht ne nuk e kemi asnjërën prej tyre, prandaj është e udhës që të jemi të kursyer në përdorimin e fjalëve të mëdha, sepse nuk  i ndihmojmë praktikisht përmirësimit të gjendjes.

Leksionin tjetër të rëndësishëm duhet të marrë vetë kryeministri Kurti, e ky është leksioni se politika nuk është marshim triumfal i vullnetit personal, por një negociim tepër i bezdisshëm, kokëçarës, i interesave dhe forcave që janë në lojën e saj.

Për të dalë mirë në këtë lojë, duhen nerva të forta, durim tepër i madh, ekipe me njerëz të ditur dhe mbyllje e veshëve ndaj zhurmës që bëjnë militantët partiakë në pazarin e thashethemnajës të rrjeteve sociale. Sepse, siç na mëson Hegeli, të jesh i pandikuar nga thashethemnaja e opinionit publik është kushti i parë formal për të arritur ndonjë gjë të rëndësishme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok