VAJTIMI ME PAGESË TE SHQIPTARËT E REKËS SË EPËRME

0

Nga Prof. Dr. Avzi MUSTAFA

Në zakonet që kanë të bëjnë me vdekjen dhe përcjelljen e të vdekurit ekzistojnë shumë rite, që janë pagane ose parapagane. Një ndër zakonet shumë të vjetra është edhe kur një i vdekur vajtohet me një lloj të kënduari të përvajshëm.

Vajtimi ka qenë i pranishëm edhe në popuj të ndryshëm, ku disa rite e zakone janë zhdukur ose kanë marrë forma të ndryshme. Sot, përveç ngjashmërive, kanë dhe diferenca, madje diferencat nuk janë ndërmjet popujve, por ato janë dhe brenda një kombi.

Dhimbja për ata që largohen nga jeta shprehet në mënyra të ndryshme. Për shembull, në veri ka pasur vajtime dhe me goditje të kraharorit, çjerrje fytyre, vajtime me britma e rënkime. Gati te të gjithë popujt e Ballkanit ekziston që në lashtësi një traditë e vajtimit, siç thuhet me “argatë”, e cila është përcjellë dhe në ditët tona. Kjo traditë është e njohur te grekët, rumunët, vllahët, turqit, kroatët, malazezët, serbët, maqedonasit e bullgarët, por edhe në disa vende të tjera botës etj.

Është kjo një traditë shumë e moçme, që ekziston edhe te shqiptarët: kur dikush vdes, kërkohet që dikush të vijë e ta vajtojë të vdekurin. Këtë punë e kanë bërë disa gra ose burra, që janë quajtur “vajtoca” e “gjamatar” të paguar.

Vajtimin ndër shqiptarë në shekujt e fundit e bëjnë vetëm gratë dhe atë vetëm ditën, Këto gra, që e vajtonin të vdekuri, paguheshin qoftë me para ose me natyrë.

Ashtu siç pohon i madhi Eqrem Çabej, dikur nga viset greke kanë ardhur një numër i madh i vajticave me pagesë . Po ashtu edhe në Shqipërinë e Veriut, sidomos në krahinën e Mirditës, janë paguar vajticat, por më të njohura kanë qenë vajtica e rrethit të Peshkopisë dhe të Zajazit të Kërçovës. Edhe sot e kësaj dite mund të dëgjosh shprehjen “kjo duhet të vajtohet me gra Zajazi” ose “të qafsha me gra Zajazi”, sepse ato kanë vajtuar mallëngjyeshëm dhe në polifoni në ditën e tretë të vdekjes .

Duke parë format e tyre të përgjithshme dhe nga struktura e vargjeve dhe të ritmit, ato dëshmojnë se janë ndër llojet ma të vjetra të folklorit tonë. Ashtu siç thonë folkloristët, e vaji me ligje është “improvizime që shpreh dhimbjen e thellë, por edhe jep një pikturë të cilësive të të vdekurit, një portret të plotë, herë-herë fizik e shpirtëror të tij”. .

Në historinë e vajtimit, sipas studiuesve, dallohen pesë periudha. Periudha e parë, që është më e vjetra është ajo ku vajtimi përfshin britma dhe rënkime me zë, që i bënin familjarët e të vdekurit. Faza e dytë është vajtimi në vargje, që ka ecurinë e një ritmi gati ad libitum. Këtë e vajtim e kanë bërë anëtarët e fisit të afërt ose të largët, sidomos gratë e moshuara, por të fisit të vet. Faza e tretë përfshin vajtimin nga një  grua e huaj që posedon aftësi dhe zë të mirë. Vajtimi në këtë fazë merr një karakter të këndimit, duke përdorë “improvizimin që shpreh dhimbje, por që bën edhe një portret, herë fizik e herë psikologjik, të të vdekurit”.  Faza e katërt është faza kur një familje për të vdekurin merr një grua me pagesë, e cila dallohet me aftësi vajtimi, ndërsa vajtimi i saj merr karakter të zanatit. Ajo që e kryen këtë punë, për këtë punë paguhet me natyrë ose me para. Faza e pestë është ajo kur vajtocat janë përkryer me këngët e vajtimit dhe janë provuar në shumë raste për të vdekurit. Në këtë fazë vajtocat janë të fisit ose edhe të largëta. Në shumicën e rasteve ajo është një grua që vajtimin e ka profesion.

Si te shumë popuj të botës, krahas zhvillimit kulturor të përparimit të njerëzimit si dhe nën ndikimin faktorëve socio-ekonomikë, edhe vajtimi kohëve të fundit e ka humbur atë karakter që e kishte dikur, por mbetet vetëm si një moment, që do të kujtohet si “një vdekje e kënduar mirë”.

Një zonë mjaft interesante që i ruan traditat, ritet e zakonet e moçme, kjo për shkak të kushteve natyrore e historike, është vajtimi me pagesë që ruhet në Rekën e.Epërme. Te shqiptarët e Rekës së Epërme, si një zonë e izoluar dhe si një vend ku mallkimi i shenjtë është “kripa huaj”, që do të thotë se njerëzit përveç kurbetit nuk kishin asgjë për mbijetesë, vdekja e një familjari u shkaktonte dhimbje si kudo, por në këtë zonë, përmes vajtimit, kërkohet shfryrje, lehtësim shpirtëror.

Vajtimi tek Shqiptarët e Rekës së Epërme ka rol të veçante socio-ekonomik dhe patriarkalo-religjioz, ku shumë lehtë shpërthen lirizmi. Për nga forma e brendshme është shumë nostalgjik. Kështu vajtimi në këtë zonë e ka ritmin e lirë, ashtu siç thonë vendasit – një dramë e gjallë e të folurit me një tronditje e me theks pikëllues.

Vajtimi për vdekurin, i krijuar ad hoc, vjen nga dhimbja dhe është plot figura të fuqishme, pyetje retorike, ka lirizëm të fjalëve përkëdhelëse, gëlon nga epizmi i mallkimeve, që krijon atmosferë tepër emocionuese, që i trondit të gjithë ose, siç thonë rekasit, “loti del vetë”. Në Rekë gruaja që mbahet mend mban emrin Sarafka nga Niçpuri dhe nëna Selvije nëna e Dilaverit nga fshati Volkovi..

Në këtë trevë në fillim çdo i vdekur është vajtuar me anëtarët e familjes, sidomos gjyshja, nëna ose motra në praninë e grave e të fisit e të fshatit, kurse burrat kanë bërë përgatitjen e të vdekurit dhe sigurimin e ushqimit për të largëtit e farefisit, si dhe sigurimin e rakisë, që është pirë për “shpirt të vdekurit”.

Tek shqiptarët ortodoksë të Rekës së Epërme vajtimin e kryejnë gratë nga fisi i të vdekurit, por edhe një grua e huaj me pagesë në natyrë. Me rastin e vdekjes së ndonjë anëtari të familjes, të gjitha gratë angazhohen që t’i ndihmojnë jo vetëm gratë e familjes, por edhe gratë e tërë fshatit. Nëse familja është ekonomikisht e dobët ose nuk ka burrë shtëpie, të vdekurin e vajton një grua që është e fisit dhe në moshë ose ajo që përgatit ushqim për njerëzit që vinë për ngushëllime.

Në qoftë se familja është e pasur, ata e paguajnë një grua që di “të “rendit”, siç e quajnë rekasit “renditicë”, cila e ka aftësinë e britmës dhe rënkimit, por edhe posedon aftësi të invecionit, si dhe intelegjencë, kulturë dhe muzikalitet. Ajo e fillon vajtimin në formën e një bisede poetike me zë të zgjatur, duke renditur fjalë për të vdekurin sipas moshës e virtyteve të të ndjerit apo të së ndjerës. Vajtim me “renditje” nëpërmjet vargjeve, që i thotë “renditica” që paguhet, shoqërohet nga gratë e fisit, që i ndihmojnë në korr dhe që mund të jenë deri më 20 veta. “Renditica” ulet te koka e të vdekurit, ndërsa gratë e tjera qëndrojnë ulur anës së krahëve të të vdekurit

Nëse i vdekuri vajtohet te varri, vajtojca me pagesë qëndron mbi kokën e të vdekurit ose e ulur në gjunjë para këmbëve të të vdekurit. Vajtoca fillon të rendisë me fjalë të zgjedhura, duke përdor fjale më ton të gjatë e melankolik. Pas disa vargjeve ose një strofe, ajo e ngre zërin dhe pas çdo vargu të tretë ndërhyn korri i grave. Kur vajtojca jep shenjë se gratë që këndojnë në kor duhet të ndalojnë, ato pushojnë. Vajtica rendit fjalë mbi të vdekurin dhe përsëri jep shenjë që të ndërhyjë korri, por tani ndryshon nga vajtimi i mëparshëm – tani pas “renditcës” përsëritet vargu i tretë dhe pas një pushimi shumë të shkurtër, grat në kor e përsërisin dy vargjshin si dhe afërsinë dhe epitetet e të vdekurit si “i miri i nonës”, “punëtori i nonës”, “trimi i nonës”, vëllau i motrës etj. Ky vajtim bëhet në një dhomë të katit të parë të shtëpisë, por edhe në odën e miqve.

Pasi i vdekuri vajtohet ose “rënditet” për disa orë, pastaj i vdekuri dërgohet prej shtëpisë në kishë. Aty çdokush që e merr pjesë, si gratë ashtu edhe burrat, ndezin qirinj, lënë ca para për kishën dhe sipas ardhjes së ngushëlluesve rrinë disa minuta dhe dalin jashtë për të lënë hapësirë për të tjerët. Pasi i kryen prifti të gjitha ritualet religjioze, të vdekurin e dërgojnë në varr. Rrugës prej shtëpisë e deri në kishë dhe prej kishe deri në varrezë vajtojca e vajton të vdekurin, siç thonë rekasit thonë “shum vikatën”.

Të afërmit marrin me vete ndonjë veshje, fotografi, arme ose gjësend që i vdekuri e ka dashur. Vajtoca e fillon vajtimin kur burrat e kapin arkivolin dhe ajo gjatë rrugës vajton duke ecur. Edhe grat e fisit mund të ndërhyjnë në kor, duke e përsëritur jo vetëm vargun e tretë, por strofat e plota. Ky vajtim në popull është i njohur me emrin “Njona renditën, qetra i nditën” ose, siç thonë në Rekë, “Njona e ze, e qetra i ndihin”.

Në bazë të kësaj, mund të konstatojmë se në këtë zonë kemi një dallim nga trevat tjera shqiptare, sepse këtu dallojmë dy lloje vajtimesh me pagesë, si:

Vajtim me renditje “Renditën” (që behet një bisedë me të ndjerin në vargje, i “vajtoh me zo” dhe

Vajtim që është njohur në këtë anë me emrin “vajtoj  gjunjazj” (vajtoj duke ecur)

Varësisht prej gjendjes ekonomike, ndodhë që dikush nuk mund të sigurojë vajtojcë me pagesë. Në atë rast këtë vajtim e bën, ashtu siç thonë vendasit, “mangjarnica” – ajo që i përgatit ushqimet për shpirtin e të vdekurit. Ajo angazhohet dhe nga familjari i jepet ndonjë basmë, peshqir ose diçka tjetër, por patjetër edhe pogaçe. Në të shumtën e rasteve më shumë e bëjnë për “shpirtin e të vdekurit”, por merret vetëm pogaçja, që është traditë e kamotshme e rekasve.

Kur angazhohet “vajtojcë” me pagese dhe ajo vjen nga ndonjë fshat tjetër, ajo së pari merr të dhëna për të vdekurin: fëmijë, djalë, nuse, babë, vëlla, gjysh etj., mbi punën që ka kryer, mbi shkaqet e vdekjes, mbi statusin ekonomik të familjes, mbi karakterin, sjelljen etj. Mbi bazën e këtyre virtyteve vajtojca krijon vargje ose vajton me zë, duke përdor fjalë që e lartësojnë të vdekurin përderisa ka qenë gjallë, vajton për bukurinë, punën e planet e parealizuara etj.

Te vajtimi me të ecur zëri i vajtojcës është i hollë dhe i lartë. Në këtë vajtim po ashtu marrin pjesë gratë që këndojnë në kor. Te ky lloj vajtimi “vajtojrica” vajton pas arkivolit të të ndjerit me zë të lartë kurse gratë e tjera vijnë pas, duke e shoqëruar prej vargut të tretë e deri te dyvargëshi dhe duke e rikënduar pasthirrmën “oe, e kuku.”.

Vajtojcat me pagesë në Rekën e Epërme vajtojnë në mënyra të ndryshme për njerëzit e vdekur. Secila vajtojcë vajton ashtu siç i vijnë në mendje vargjet për secilin të vdekur, ashtu siç e meriton ai sipas statusit social që ka pasur në fshat dhe sipas moshës dhe gjinisë. Në Rekë nuk ka ndonjë skemë për të vajtuar, por ka fraza të rënkimit e të vajtimit që përdoren sipas mundësive dhe situatave. Kur vajton vajtojca e paguar, në të vërtetë ajo improvizion. Ajo që është karakteristike gjatë vajtimit është përdorimi i tri rikëndimeve, të cilat vijnë në mënyrë ndërrueshme kur vajtohet në përgjithësi. Rikëndimi i parë është: “A-o, o-ve! (A-o, o kuku!), i dyti është: “U-o, o kuku!” (U-o, o kuku!) dhe i treti: “I-ho, o ve!” ( I –ho, o kuku!)

Një shembull për djalin e pagëzuar që ka vdekur:

A gjalo, a-o, o-ve!

Ty të pagëzonja (zonte nona),

E të shtinja në kryq,

I-ho, o –ve!

E përzinja me fminë

U-o, o kuku!

(Rikëndimi përsërit)

E të lidhja halis në kallepket

A-o, o-ve!

E ty të lidhte dada

I –ho, o –ve!

E ty të këndonja!

U-o, o –kuku!. .

Te vajtimi në ecje në Rekën e Epërme vajtojca së pari lëshon një britmë, pastaj një ofshamë, një thirrje në formë pashirme dhe më zë të hollë e të lartë për të tërhequr vëmendjen e njerëzve ndaj të ndjerit, por edhe për të krijuar një lidhje psikologjike ndërmjet të vdekurit dhe të gjallëve.

Vajtimi nga vajtojcat me pagesë në këtë zonë fillon me një këndim monoton me më shumë fjalë në fillim e pastaj ngrihet zëri me korin e grave në rreshtin e tretë, por pa e prishur plotësinë organike të kuptimit, si p.sh.:(vajtimi i priftit)

Ku bone katundarvet,

Edhe kishvet,

Edhe isanit?

“A-o, o-kuku”

Sa mirë vijne në kishë,

Sa mirë kandonje,

Sa mirë i zgjonje insanin,

Sa mirë ti prift na zgjonje!

Ene na mas teje grarendjim,

Se ke i mirë shum!

Ose (vdekjen e një djali)

A bir kë më bone!

Si m’u vdore!

Si nuk pret nona!

Da dale vera,

Ti nuk gjeigjesh ma,

Edhe nuk sheh ma:

Si do dale vera;

E nuk sheh malet si da qelin!

Nuk gjeigjish qyqen

Si da këndojnë!.

Te vajtimi në të ecur, që është një karakteristikë e vetme e kësaj zone, mund të  shihen qartë gjurmët rituale të dramës popullore. Në këtë vajtim shihet edhe baza e tragjedisë në përgjithësi dhe fillet popullore të aktrimit dhe teatrit.

Vajtimi  më  i madh në ditën e vdekjes dhe të varrimit, por mund të vajtohet i vdekuri edhe në ditën e dyzetë, në gjysmë viti, në trevjetorin e vdekjes dhe në ditën e “shpirtrave”.

Vajtimi, si për nga forma, ashtu si për nga struktura e vargjeve dhe ritmi, është ndër llojet ma të vjetra të folklorit tonë. Mirëpo, duke pasur parasysh se vajet janë shumë të lashta, ato sot kanë evoluar.

Vajtimi në Rekën e Epërme, përveç pasqyrës psikologjike, e reflekton edhe tërë filozofinë e malësorëve dhe vlerësimin e vlerave që shprehin ndjenjat njerëzore ndaj babait, vëllait, nënës, motrës e etj.

Siç dihet, te shumë popuj vajtimi është i ndaluar me rastin e vdekjes së ndonjë personi. Ndalesë ka pasur edhe nga kisha, por edhe nga pushtetet. Sidoqoftë, vajtimi ka një rëndësi të madhe për fokloristikën, etnologjinë, letërsinë popullore, historinë e religjionit, por – për fat të keq – është studiuar fare pak.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok