14/10/2024

Kriminelët në pushtet nuk i duan njerëzit, duan shfrytëzimin e territorit!

0

Nga Enver Bytyçi

‘He çfarë thuhet ndonjë e re? Më duket se Basha ka ba marrëveshje me Ramën’! Ky thash e them është përhapur jo vetëm në Tiranë. Më ka qëlluar të shkoj gjithashtu në rrethe dhe ta dëgjoj jo vetëm nga demokratët. Disa shprehin me këtë inatosje, dyshim, pse jo edhe frikë, se mos lideri i opozitës do të merret vesh me Ramën dhe kauza e lirisë dhe demokracisë merr fund në këtë vend. Disa të tjerë ‘të shkolluar’ e madje që hiqen se dinë gjithçka, flasin me siguri matematike dhe e marrin të kryer një akord të përbashkët Basha-Rama. Ka nga ata që përdorin emrat e njerëzve të afërt të kryetarit të PD-së dhe në emër të tyre flasin gjithë kompetencë, sa herë në ditë na flitka Lulzim Basha në telefon me Edi Ramën. Një mjegullnajë e e përhapur përmes institucionit të thash e themeve që institucioni i propagandës së qeverisë ka instaluar në Shqipëri.

Shqipëria është një vend i vogël dhe thash e themet përhapen lehtë nga njerëzit e paguar të Edi Ramës. Jo vetëm në këtë rast! Duhet të kemi parasysh faktin se instrumenti që ka përpunuar e drejtuar institucionin e thash e themeve është ristrukturuar nga qeveria e rilindjes përmes njerëzve të sigurimit të shtetit. Këtij shtabi të sprovuar në kohë diktature i shtohen repartet e gatshme të ‘demokratëve’ të pakënaqur dhe të joshur me llokma privilegjesh nga qeveria.

E gjithë propaganda e thash e themeve të pushtetit nuk flet për marrëveshje normale midis palëve. Ajo ushqen ndjesinë dhe mendimin e gabuar se midis Bashës dhe Ramës bëhen negociata të fshehta. Në një vend delesh dhe injorantësh loja me konspiracionin është shumë dobiprurëse për propaganduesit dhe mashtruesit. Ndaj dhe gjithë tymnaja e ngritur nuk është se nuk le gjurmë. Por cila është e vërteta sipas asaj që Immanuel Kant e konsideron si logjizëm?

Lulzim Basha para një viti e më shumë ka deklaruar në parlamentin shqiptar se Edi Rama nuk mund ta gënjejë dy herë. Ishte kjo një vetëkritikë e njëkohësisht një premtim publik, të cilin mediat e përcjellin ende sot.

Fshehtësia e bisedimeve dhe sidomos e një marrëveshjeje të dytë si ajo e 17 majit 2017 do ta fundoste kreun e opozitës. Ndërkohë thash e themi i përhapur nga Edi Rama dhe nga demokratët antidemokratë synon pikërisht që të mbjellë edhe më tej mosbesim te opozita dhe kreu u saj. Mosbesimi i shoqëruar me aksiomën e propagandistëve të rilindjes, sipas së cilës ‘të gjithë janë njësoj’ bëjnë të mundur zhvleftësimin e protestave dhe denoncimeve të opozitës në sytë e opinionit publik. Kësisoj, kryeministri intrigant i thash e themeve, Edi Rama, arrin qëllimin e tij në disa mënyra:

Së pari, ushqen idenë se ‘Ky vend nuk bëhet’. Pse i duhet Edi Ramës kjo psikozë masive në Shqipëri? Sepse me këtë tezë ai i përcjell shqiptarët si emigrantë jashtë Shqipërisë. Maskarenjve autoritarë dhe diktatorë nuk u duhen njerëzit, u duhen territoret. Ata nuk synojnë qeverisjen e njerëzve, por grabitjen e pasurive të territoreve. Si kategori e tillë Edi Rama nuk ka asnjë ndjenjë dëshprimi ose hidhërimi pse shqiptarët po ikin nga atdheu i tyre. Ndërkaq psikoza se ‘Ky vend nuk bëhet’, nxit largimin e njerëzve të ditur të këtij vendi. Kësisoj këtu do të mbeten ‘delet’ dhe grupimi mafioz i grabitjes dhe dhunimit të deleve. Këtij grupimi kriminal u duhen delet, sepse ato e shohin si parajsë 10 mijë lekshin e punës në parcelat e hashashit.

Së dyti, Përmes idesë se ‘të gjithë politikanët janë njësoj’ Edi Rama ushqen mosbesim te politika, indiferencën e qytetarëve ndaj politikës, indiferencën politike e madje edhe urrejtjen për politikën. Indiferentizmi politik favorizon suksesin e rilindjes për manipulimin, blerjen e shitjen e votave e për pasojë zhvleftëson çdo proces zgjedhor. Ky lloj mekanizmi bizar e përjetëson pushtetin e Ramës.

Së treti, kryeministri i Shqipërisë përmes thash e themeve për gjoja një marrëveshje tinëzare e të fshehtë midis tij dhe kreut të opozitës, krijon atmosferën anti-Basha dhe rrit kultin e tij, madje deri në atë masë sa disa të thonë: ‘Nuk ke çfarë t’i bësh, Edi Rama është i zoti’! Nga ky moment zotësia ndërron pronar. Pronar i saj bëhet një kryeministër mashtrues, i lidhur me kriminelë dhe mafiozë.

Përfundimisht mekanizmi mafioz i Edi Ramës në bashkëpunim me ish- sigurimin e shtetit për përsëritjen e 17 majit 2017 punon për interesat e kryeministrit në detyrë. Në këto kushte cili do të ishte përfitimi i Lulzim Bashës? Asgjë. A është e mundur që një njeri normal të bëjë partneritet me dikë që i merr të gjitha dhe vetë nuk fiton asgjë? Duhen mendje të sëmura që ta besojnë këtë formulë.

Përveç kësaj, në këtë rast duhet të besojmë se opozita dhe kreu i saj i dorëzuan mandatet e deputetit, me qëllim të caktuar: Sipas thash e themeve, që Edi Ramës t’i japin gjithçka që ai do, pushtet e pasuri pa kufi?! Absurde ta mendosh, jo më ta thuash një arsyetim të tillë! Opozita dhe kreu i saj, Lulzim Basha, nuk dolën nga parlamenti për ta përjetësuar pushtetin e turpshëm e kriminal të Edi Ramës! As nuk nxorën nga salla e parlamentit kriminelët e Ramës, me qëllim që ata të shkojnë në burg dhe kreu i bandës kryeministër të gëzojë pushtet-para-salltanete!

Ngado që ta mendosh dhe analizosh thash e themnajën e prodhuar në laboratorin e zyrës me kosh basketbolli brenda saj, nuk del asnjë lloj llogari se midis rilindjes dhe opozitës do të ketë një marrëveshje të fshehtë. Megjithatë ajo që ndodhi më 17 maj 2017 ka shërbyer si burim besueshmërie për propagandën denigruese të Edi Ramës!

Tiranë, më 18.09.2019

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok