21/12/2024

Unë jam, (duhet të jemë!) ndryshimi

0
Llesh-Ndoj

NGA LLESH NDOI

Besoj se në botë, ka pak popuj të tjerë që janë në mënyrë të vazhdueshme e të qëndrueshme të pakënaqur me gjendjen në të cilën janë gjendur e gjenden, se sa shqiptarët. Kjo, e parë në një këndvështrim pozitiv e dashamirës është tregues i mirë. Njeriu, për nga natyra e tij, asnjëherë nuk kënaqet me atë që ka arritur dhe lufton për më shumë. Kjo është shtysa e vazhdueshme drejt zhvillimit, një shtysë që, e ardhur së brendshmi, ka forcë të madhe shndërruese e transformuese. Por, nuk është e vështirë të konstatosh se mes kēsaj dëshire, kërkese vijuese dhe realitetetit tonë, hendeku është shumë i madh. Gjithnjë mes dëshirave, ëndërrave e arritjeve, realitetit, krijohet diferencë, por kur kjo diferencë është e kapërcyeshme, ajo bëhet stimuluese, ndërsa kur bëhet hendek i thellë dhe i vështirë për t’u kapërcyer, ai shndërrohet në faktor depresiv, në faktor stresues, që nxit në rrugë pa krye njerëzit. E parë kjo në rrafsh të shoqërisë, shndërrohet në burim braktisje, shkatërrimi, mohimi të vetvetes. Shpesh ia kam bërë këtë pyetje vetes, e gjithnjë kam patur një përgjigje të brendëshme timen, por kurdoherë përtej saj, më lindnin pyetje e pikëpyetje të reja, duke e bërë përgjigjen një process, e jo një akt të vetëm, një shkop magjik që me fuqi hyjnore do t’i “barazonte” ëndërrat me realitetin, e ne do të ndjeheshim sa hap e mbyllë sytë, të lumtur.

Sipas mendimit tim modest, ne shqiptarët endërrat tona gjithnjë i kemi parë jashtë vetes dhe shpresat për realizimin e tyre, po ashtu… E kemi konsideruar veten objekt të tyre, por kurrë jo edhe subjek, nga i cili varej e varet përafrimi me realitetin. Historia ka shumë shembuj me të cilët mund t’a ilustrojnë këtë ide, thuajse në të gjitha fazat e zhvillimeve historike, por unë do të ndalem në kohët tona edhe pse argumentet janë më të dallueshëm e kokëfortë, por edhe pse analiza modeste e tyre, ka më shumë vlerë se një përshkrim i thjesht historik i fenomenit.

Vitet e para të shekullit XX, sollën njohjen e Shtetit të Ri Shqiptar e të shpalljes së pavarësisë së tij, si një arritje e madhe e mbërritur në saj të përpjekjeve e luftërave tē vazhdueshme të shqiptarëve kundër Perandorisë Osmane dhe e rrethanave gjeopolitike të kohës, por kjo u pasua menjëherë nga veprime copëtuese të trojeve shqiptare, duke e defaktorizuar atë e ndarë në shumë copa, thjesht e vetëm për të kënaqur orekset e shfrenuara të fqinjëve! Faktori shqiptar nuk u tregua unik, i bashkuar e me kërkesa maksimale ndaj perandorisë, pavarësisht situatave të pafavorshme që u krijuan, por u mjaftua me “të keqen më të vogël”, apo “të mirën” e ”falur” prej tyre: Të pasurit e një Shqipërie tē Pavarur, ndonëse e copëtuar dhe e cunguar në ashtin e saj. Parë në këtë kendvështrim, në asnjë mënyrë nuk mund të mohohet rëndësia e kësaj arritjeje. Ndoshta, pa të ëndërra shqiptare nuk do të shihej kurrë, por kjo ishte krejt pak e jo pa “fajin tonē”, atë tē paraqitjes cope – cope të trojeve tona, gjë që ua lehtësoi të fortëve edhe copëtimin tonë.

Vitet pesëdhjetë të shekullit njëzetë i vunë shqiptarët përballë mundësive që të siguronin, krahas Pavarësisë edhe Lirinë e tyre. Lufuan e sakrifikuan kaq shumë, sa rrallë popuj të tjerë, në raport me numrin e popullsisë, por çfarë arritën? – Liria u fitua vetëm për atë që ishte njohur si Shqipëri, ndërkohë që pjesët e tjera të trojeve shqiptare vetëm sa ndryshuan “pronarë” e kaluan nga një pushtues tek tjetri; Fatkeqësisht edhe në pjesën e Shqipërisë zyrtare, ky çlirim do të rezultonte me një “pushtim”, i cili vinte ndryshe nga ai klasik me të cilin ishim mësuar deri atëherë. Vendin e pushtuesit klasik e zuri pushtuesi ideologjik. Dhe ne “ia falëm” atij rreth pesëdhjetë vite të jetës sonë, duke e parë endërrën si diçka “jashtë nesh”. Përkrahëm çdo reformë (me ndonjë përjashtim!) duke e duartrokitur e duke i menduar ëndërrat tona si të huaja, gjersa e gjetëm veten përballë humnerës së madhe të krijuar mes asaj çka kishim ëndërrar, e asaj ku ishim, humnerë e cila gati – gati sa s’na përpiu të gjithëve! Edhe në situatën e re ku u gjendëm në vitet e fundit të shekullit të njëzetë, e fillimet e shekullit të ri, përsëritëm të njejtat gabime si në të kaluarën. Na rrëmbeu teoria e “lirisë pa cak”, teoria e “çekut të bardhë”, teoria e “lugës së florinjtë” me të cilën do “t’na ushqenin” të tjerët, mjafton që ne të “shkulnim nga themelet” komunizmin (nënkupto: çka kishim arritur fizikisht!) e të ngrinim dy gishtat.

Asnjë ndryshim që përafron ëndërrat me realitetin nuk solli edhe kjo më shumë se “grushti” i viteve pesëdhjetë, vendosur në raport me kohën kur ndodhi. Natyrisht fituam shumë, e ky opinion imi, kurrësesi nuk mund t’i mohoje arritjet, por hendeku mes ëndërrës e realitetit nuk u ngushtua aspak, në mos u thellua më tej edhe për shkak të horizonteve të reja që u mundësuan. Se me ëndërrat ngjet si me malet. Sapo të arrish një finish, në horizont të shfaqen maja të reja. Kjo është stimuluese, natyrisht, por kur hendeku thellohet ndjen se gjunjët s’të mbajnë më e i nënshtrohesh dorëzimit, duke fajësuar për këtë “malin që largohet”, jo veten e faktin që nuk po mund të ecësh sa e si duhet. Varja e fatit të ëndërrave të tua tek të tjerët, jashtë vetes, qoftë edhe në fuqi të padukshme, si perëndia, duke përjashtuar veten si subjekt aktiv në realizimin e tyre, ka qenë e mbetet njëri ndër ata faktorë që ka limituar ecjen tonë përpara me ritmin e ëndërrave, po e po, por edhe me ritmin e kohës. – A nuk ishte tipike e kohës së komunizmit shprehja: ç’më duhet mua, çfarë bëj unë? – Apo: Kur se vé ujin në zjarr kryetari se fëmijët e mij janë pa bukë, pse duhet të merakosem unë? – A nuk thonin: Partia i di të gjitha! – A nuk u shëndrruam kështu nga qënie të vetëdishme në “vegla”, pjesë e një mekanizmi që na zhveshi nga të qënit njeri? – A nuk vazhdon e njejta mendësi, veçse me pamje të ndryshme edhe sot?

Ja, disa fakte!

Teoria e nivelit zero, e shkatërrimit të komunizmit nga themelet, e konceptuar jo si shkatërrim i mendësive komuniste, por si shkatërrim i uzinave, fabrikave, shkollave, spitaleve, ndërmarrjeve ekonomike, a nuk bëri që ne të shkatërronim gjithshka kishim, si të huajën, në vend që t’a shndërronim atë e t’a shpërndanim proporcionalisht si djersë e të gjithëve? – A nuk na solli kjo hendekun e madh e të pajustifikuar pasuror në vetëm pak vite, gjë që thuajse na dërgoi në luftë civile? – A nuk ishte teoria e “çekut të bardhë” baza ideologjike e mendësisë, se “mund të ulem me fjet fukara, e të zgjohem milioner”, mosrealizimi i të cilës solli grabitjet e mëdha (edhe me dhunë!) ndaj njëri – tjetrit e shikimin e kapitalit si diçka që na takon pavarësisht në se punojmë apo jo për ta arrit atë e të justifikojmë çdo udhë që të qon drejt saj? – A nuk shpikëm në këtë funksion lloj – lloj mekanizmash hajdute si privatizimin e pasurisë kombëtare, tenderat, PPP – të, bordet, koncensionet e shumëçka tjetër si këto? – A nuk i varëm edhe tash ëndërrat “për t’u bërë si gjithë Evropa”, e kur kjo e pamë se nuk arrihet, mësymë udhët e botës, deri në pakthim dhe u përpoqëm t’a bëjmë Evropën si veten…

Mund të rreshtoja pafund momente e mendësi si këto brenda Shqipërisë zyrtare, por po e le pak atë për ndonjë argument “shqiptaresk” jashtë saj. Kosova u bë shtet, 100 vite pas Shqipërisë, në saj të një përkimi të mirë e sinkronizimi të interesave e luftës heroike të kosovarëve me ndërgjegjësimin e faktorit ndërkombëtar. Ishte kjo njëra ndër arritjet e kohës, më e shumëpritura e më se e merituar dhe pse e vonuar. Por sot, kur jemi njëzet vite më pas, pak përparime janë bërë. Akoma Kosova nuk është anëtare e strukturave rajonale e globale, për më tepër gjendet akoma nën ethet e një lufte e rreziku permanent me shovinistët serbë. Dhe fajin e ka, as më pak e as më shumë, BE dhe SHBA. Ne, mjafton të thurim teori, bile të tilla që “e bëjnë botën të mendohet”, të luftojmë njëri – tjetrin në vend që të vendosim në ballë si objektiv bashkimin, të vjedhim sa mundemi, të pasurohemi e të ndërtojmë vila. Gradaçiela e resorte, xhami e kisha (këto disi me kursim, për shkaqe që s’është koha e vendi t’i analizojmë!) e populli ynë do të jetë i lumtur…

Kurrë nuk arritëm që ta unifikojmë të drejtën për të endërruar me detyrën, për të luftuar pēr t’i bërë ato realitet në të njejtin subjekt: vetveten. Është kjo arësyeja, që si në planin personal edhe në atë shoqërorë, si në planin e brendshëm shtetëror edhe në marrëdhënjet me të tjerët, si në planin mbarëshqiptar edhe në raportet me botën e qytetëruar, fajin e mosarritjeve e shohim si të huajin, jashtë vetes sonë. E për ndonjë arritje, sado e vogël qoftë ajo, mburremi e kërkojmë grada e çifliqe të pa merituara, duke mbetur thuajse në vendnumëro në rrjedhat e zhvillimeve historiko – shoqërore.

LLESH NDOI

Lezhë, 15 tetor 2023

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok