UDHËZIME TË CAKTUARA PËR TË SHKRUAR NJË HARTIM APO NJË ESE SHKOLLORE
Nga Xhelal Zejneli
- Krijimi artistik – arsyeja, nënvetëdija dhe imagjinata
Në krijimin e një punimi artistik luajnë rol:
– Arsyeja apo racionalja dhe nënvetëdija apo irracionalja;
– Shpirti dhe ndërgjegjja;
– Imagjinata.
Hartimi apo eseja
Hartimi është punë krijuese që bëjnë nxënësit si detyrë me shkrim për të shprehur bukur dhe drejt mendimet e tyre për një temë të caktuar. Hartimi mund të jetë letrar, krijues, përshkrues, ritregues. Kemi hartim klase, hartim shtëpie. Në hartim mund të shtjellohet një temë e lirë.
Eseja është artikull i gjatë a studim me karakter kritik ose publicistik, i cili trajton në mënyrë të përgjithshme, të lirë dhe jo të gjithanshme a shteruese, çështje shoqërore, shkencore, letrare, kulturore etj. Ese mund të jetë edhe një vepër e përbërë prej disa artikujsh, zakonisht të shkurtër e të ndryshëm, që trajtojnë një temë e që kanë një titull të përbashkët; sprovë. Kemi ese kritike, ese filozofike, shkencore, historike etj.
Vitet e fundit, në vend të fjalës hartim me shkrim shpesh përdoret fjala ese që ka kuptimin përpjekje letrare.
Për shembull, po qe se e paraqesim narkomanin, gjendjen shpirtërore të tij, sjelljet dhe veprimet e tij, agresivitetin e tij, momentet e tij të krizës, dëshpërimet, hidhërimet, zemërimet, apatinë e tij, me atë rast ne krijojmë një krijim artistik, një hartim.
Ndërkaq, po qe se i paraqesim mendimet, pikëpamjet dhe qëndrimet tona rreth dukurisë së narkomanisë, për përhapjen e saj, për shtresat e shoqërisë që përfshihen prej saj etj., duke përdorur të dhëna statistikore apo edhe të dhëna të tjera nga më të ndryshmet rreth kësaj dukurie, me atë rast ne krijojmë një ese. Me këtë rast ne flasim edhe për pasojat e saj.
Gjatësia e një hartimi apo e një eseje shkollore mund të jetë 1,5 f. deri në 2 faqe (prej 450 fjalë deri në 550 fjalë).
Gjuha dhe rëndësia e saj për krijimin e një eseje shkollore:
– Shkrimi duhet të jetë korrekt, përkatësisht i lexueshëm;
– Duhet t’i kushtohet rëndësi drejtshkrimit;
– Në asnjë rast, në fillim të fjalisë, të mos përdoret viza;
– Të respektohet parimi i kryerreshtit;
– Kur gjatë të shkruarit, përfundon një mendim apo një ide dhe fillon një mendim apo një ide e re, atëherë duhet filluar me kryerresht;
– Në të dyja anët e faqes të lihen margjina nga 1 cm e gjysmë apo nga dy cm (po qe se shkruajmë me dorë dhe jo me kompjuter);
– Duhet shkruar me laps kimik, ngjyre të kaltër;
– Duhet përdorur shkronjat e shkrimit dhe jo ato të shtypit;
– Të shkruhet – përpos në fillim të fjalisë – me shkronja të vogla shkrimi;
– Kurrë nuk duhet shkruar me shkronja të mëdha dhe me shkronja shtypi.
* * *
– Punimi duhet të jetë i lidhur në pikëpamje gramatikore dhe të paraqesë një tërësi kuptimore;
– Fjalia duhet të fillojë dhe të mbarojë;
– Mendimi duhet të fillojë dhe të mbarojë;
– Fjalitë, përkatësisht mendimet duhet të jetë të ndërlidhura me njëra-tjetrën;
– Kur fillon një mendim i ri, atëherë duhet filluar me kryerresht;
– Nuk duhet të përsëriten mendimet, fjalitë apo fjalët;
– Nuk duhet dalë prej një teme në temë tjetër.
* * *
Stili
– Shumë shkrimtarë të mëdhenj, si Ernest Heminguej, Gabriel Garsia Markezi, Ismail Kadareja kanë krijuar kryevepra duke përdorur fjali të shkurtra;
– Në esenë shkollore, brenda mundësive, do të ishte mirë të përdoret një gjuhë e figurshme, gjuhë poetike; të përdoren figura stilistike (metafora, simboli, krahasimi, epiteti, apostrofa ose thirrja, personifikimi etj.).
Kompozicioni i esesë apo i hartimit shkollor
Eseja shkollore apo hartimi shkollor mund të ketë hyrje, brendi dhe përfundim. Hyrja mund të zërë rreth 10 për qind të esesë apo të hartimit. Brendia mund të zërë rreth 80 për qind të esesë apo të hartimit shkollor, ndërsa përfundimi mund të zërë rreth 10 për qind të punimit shkollor, d.m.th. po aq sa edhe hyrja.
Hartimi ose eseja shkollore mund të ketë edhe ndonjë porosi apo ndo një mesazh.
- Elemente të rëndësishme të një hartimi apo të një eseje shkollore
– Vlerë më të madhe do të kishte një ese shkollore në të cilën trajtohet apo shtjellohet një temë e re;
– Vlerë më të madhe do të kishte një punim i shkruar me një teknikë letrare të re apo me një prosede të ri;
– Vlerë më të madhe do të kishte punimi në të cilin nxënësi përdor stil të ri;
– Vlerë më të madhe do kishte punimi në të cilin nxënësi trajton apo shtjellon një temë nga një lëmë i paeksploruar apo i pahulumtuar deri atëherë;
– Në një ese shkollore mund të trajtohet apo të shtjellohet temë nga aktualiteti, temë nga e kaluara, temë historike, temë sociale, temë kombëtare, temë morale, temë psikologjike, temë dashurie, temën e luftës, temë që flet për fatin e individit, temë që flet për lirinë e individit, temë që flet për kufizimin e lirisë individuale, temë lidhur me racizmin, temë lidhur me ksenofobinë, temë për barazinë gjinore, temë lidhur me dukuritë negative në shoqëri, temë politike, temë ideologjike etj. – të gjitha këto të punuara me mjete shprehëse artistike;
– Vlerë të madhe ka punimi shkollor në të cilin nxënësi trajton një temë nga e tashmja, d.m.th. temë aktuale;
– Tema të jetë nga mjedisi yt; të jetë nga e sotmja; të shtrohen problemet aktuale;
– Në rrethanat kur një shoqëri apo një popull ballafaqohet me probleme sociale të theksuara, të përshkuara edhe me probleme të tjera morale dhe psikologjike, shtjellimi i një teme historike apo i një teme nga e kaluara, nuk do çonte peshë të madhe;
– Vlerë mund të ketë punimi që paraqet ndryshim, kthesë, risi në letërsi dhe në art;
– Punimi artistik mund të lihet i hapur apo i papërfunduar, në mënyrë që mesazhin ta kuptojë vetë lexuesi dhe përfundimin ta bëjë vetë lexuesi në imagjinatën e vet.
* * *
Roli i imagjinatës në përpilimin e një eseje shkollore
Në një ese shkollore mund të shtjellohet një temë e cila kurrë nuk ka ndodhur në realitet, por që është pjellë e imagjinatës së nxënësit. Shumë shkrimtarë të mëdhenj, në veprat letrare të tyre kanë trajtuar edhe tema të cilat kurrë nuk kanë ndodhur në jetën reale apo në botën reale, por që janë pjellë e imagjinatave të tyre.
Hapësira dhe koha mund edhe të mos dihen, si p.sh. te drama “Duke pritur Godonë” e Samuel Beketit;
Vizioni estetik
– Në punimin e vet, në të gjitha rrethanat nxënësi duhet ta mbështetet të bukurën artistike;
– E bukura në art dallohet nga e bukura në jetën reale;
– Në punimin e vet, pothuajse në të gjitha rrethanat nxënësi duhet ta mbështetet të vërtetën;
– Në një ese nxënësi duhet t’u shmanget klisheve dhe stereotipave dhe duhet të kërkojë shtigje të reja, metoda të reja, forma të reja, tema të reja, motive të reja, teknika të reja, stil të ri, gjuhë të re, figura stilistike të reja;
– Arti nuk instrumentalizohet nga qendrat e forcës, të ndikimit, të pushtetit, të vendosjes;
– Arti nuk bashkëpunon dhe nuk bashkëjeton me forcat e territ, të tmerrit dhe të ferrit;
– Arti nuk politizohet dhe nuk pranon ndikim partiak;
– Arti nuk njeh relativizëm;
– Arti nuk njeh kompromis;
– Arti nuk njeh pushtet as autoritet;
– Vetë arti është pushtet suprem dhe autoritet suprem;
– Arti nuk u bindet pushtetarëve dhe nuk njeh frikë;
– Arti nuk u bindet tiranëve, despotëve, autokratëve, autoritarëve as diktatorëve;
– Arti nuk njeh Zeus;
– Arti nuk i shërben as politikës, as religjionit, as partisë dhe as oligarkisë;
– Arti nuk është as politikë, as ideologji, as filozofi, as religjion, as sociologji;
– Arti është sferë absolutisht e pavarur dhe autonom, është sferë specifike që i ka mjetet shprehëse specifike;
– Mjet ndërtues i artit është gjuha artistike, fjala artistike, shprehja artistike;
– Karakteri universal i veprës artistike bën të mundur që vepra t’i tejkalojë kufijtë e hapësirës dhe të kohës;
* * *
Karakteri rebelues i punimit
– Në një ese shkollore nuk duhet të mitizohen gjërat;
– Arti nuk duron entuziazëm të shfrenuar;
– Në esenë shkollore duhet të ekzistojë ndjenja e dyshimit për gjërat;
– Në esenë shkollore duhet të kundërshtohet fryma, shpirti, psikologjia apo mendësia provinciale, oportuniste, konformiste dhe demagogjike;
– Arti nuk njeh kompromis me të keqen dhe me mbartësit e saj;
– Punimi shkollor duhet të kundërshtojë bashkëjetesën me të keqen;
– Punimi shkollor duhet të kundërshtojë shpirtin meskin, poltronizmin dhe ambiciet e sëmura;
– Asnjë ëndërr në këtë botë nuk është e pamundur; e pamundur është vetëm gjuajtja e hënës;
– Të mos jetohet në mite dhe në legjenda;
– Të vlerësohen legjendat popullore;
– Të ballafaqohesh me realitetin e hidhur.
III. Një hartim shkollor apo një ese mund të jetë:
– Kundërshtim i pavërtetësisë, i realitetit të hidhur, të egër dhe të rrejshëm;
– Protestë ndaj pavërtetësisë, realitetit të hidhur, të egër dhe të rrejshëm;
– Kritikë ndaj pavërtetësisë, realitetit të hidhur, të egër dhe të rrejshëm;
– Pasqyrim objektiv i realitetit të hidhur dhe demaskimi e stigmatizimi i determinantëve të atij realiteti;
– Përshkrim i një dukurie, ndodhie apo ngjarjeje;
– Observim (vështrim) i një dukurie, ndodhie apo ngjarjeje;
– Mohim i perëndive të rrejshme;
– Akuzë ndaj mbartësve të së keqes në një kohë dhe në një mjedis të caktuar.
* * *
Eseja shkollore mund të pasqyrojë:
– Luftën e individit për të mbrojtur ekzistencën e rrezikuar,
– Luftën e pandërprerë të individit për të fituar dhe për të ruajtur lirinë personale;
– Raportin ndërmjet individit dhe kolektivit;
– Sistemin totalitarist;
– Mekanizmat e diktaturës, të autoritarizmit, të autokracisë, të tiranisë, të despotizmit dhe të totalitarizmit.
* * *
Eseja shkollore duhet të ketë parasysh koncepte të caktuara të artit, si:
– Pesimizmi, nihilizmi dhe absurdi në art;
– E mundshmja dhe realja në art;
– E pamundshmja në art;
– Synimi i vazhdueshëm ndaj të madhërishmes dhe të përkryerës
* * *
– Vepra të mëdha krijojnë idealistët e mëdhenj;
– Liria e shpirtit nuk shitet për asnjë vlerë joshpirtërore.
– Në ese mund të citohen edhe mendimet e shkrimtarëve dhe të filozofëve të mëdhenj.