21/12/2024

Udhë të mbarë “Zëri i Mërgimtarit” dhe jetë të gjatë artistike!

0
Hysuka-Zeri-Mergimtarit1

Nga Hamdi Hysuka*

Siç dihet, nëntori është muaji i datave historike kombëtare. I pari është kur Pavarësinë e Shqipërisë e shpalli kryeheroi, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, më 28 Nëntor të vitit 1443. Mbi kështjellën e Krujës ngriti Flamurin kuq e zi, me shqiponjë dykrenore. Nëntori i dytë është data 28 e vitit 1912, kur në Vlorë u mbajt Kuvendi i Pavarësisë, i cili shpalli Shqipërinë të lirë e të pavarur. Kështu, pas 469 vjetësh, Ismail Qemali ngriti flamurin kombëtar kuq e zi. Katër vjet para Shpalljes së Pavarësisë, më 14 deri më 22 nëntor të vitit 1908, në Manastir u mbajt Kuvendi mbarëshqiptar i alfabetit të shkronjave shqipe, në të cilin morën pjesë delegatë nga të gjitha viset shqiptare. Në atë Kongres u miratua alfabeti i sotëm shqip, i njësuar. 29 Nëntori i vitit 1944 është dita e çlirimit të Shqipërisë, datë e lavdishme e historisë së popullit shqiptar.

Ditë historike kulturore është dhe 6 Nëntori i vitit 2022 kur në Novara të Italisë u themelua Shoqata “Bashkimi i Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë”. Festimit të kësaj date iu shtua përurimi i Antologjisë “Zëri i Mërgimtarit”, me poezi nga autorë të të gjitha vendeve të botës, ku jetojnë e punojnë shqiptarë.

Prandaj, në nderim të festave të nëntorit dhe 1-vjetorit të themelimit të Bashkimit të Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Zëri i Mërgimtarit” Itali, më 18 Nëndor 2023, në Novara u organizua takimi poetik “Nëntorët e lavdishëm të tokës Arbërore”. Morën pjesë drejtues të shoqatave kulturore artistike, artistë e aktorë, shkrimtarë e poetë, piktorë e skulptorë, moderatorë e recitues, si dhe konsujt e Konsullatës së Kosovës në Milano, zotërinjtë Diamant Kastrati dhe Driton Blakçori. Pas Himnit të flamurit shqiptar dhe atij italian, kryetarja e Bashkimit të Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Itali, znj. Trandafile Molla (Baja) përshëndeti të pjesëmarrësit.

* * *

Pas i kisha rilexuar poezitë e “Zërit të Mërgimtarit”, përgatitur nga poetja Trandafile Molla (Baja), ndjeva dhe besova se të 46 poetët përfaqësues u bashkuan në lokalet “Aula Dedaktike soto Museo e Circolo del Lettori”. Se poetikisht ishin mes nesh, duke filluar nga: Gjokë Dabaj, Përparim Hysi, Meçan Hoxha, Myftar Gjonbalaj, Hamdi Hysuka, Kujtim Stana, Iliaz Bobaj, Petraq Risto, Ndue Dragusha, Valbona Jakova, Sokol Demaku, Bajram Canameti, Tyran Prizren Spahiu, Fatmir Musai, Halim Dulluku, Kasam Shaqirvela, Xhavit Gasa, Xhemile Aliu, Ramazan Çeka, Agim Desku, Ligor Shyti, Ramë Oraca, Trandafile Molla (Baja), Jusuf Zenunaj, Mirvete Kabashi (Leku), Polo Çipa, Diana Zhiti, Vahid Hyzoti, Rizah Sheqiri, Robert Shkurti, Beqir M. Cikaqi, Dhimitër Nica, Janaq Jano, Pranvera Belba (Fusha), Fatmir Gjata, Eda Miri, Fatmir Neli, Shefik Ferat Arifi, Vera Istrefaj, Eltona Lakuriqi, Vjola Petrit Braho, Anxhela Shurdhi (Ziso), Marek Belba, Blerta Tmava Veselaj, Hidajete Hasani, Jokida Mati.

Krejt natyrshëm me vargjet e tyre ata rrëfejnë jetën që bëjnë në dhé të huaj… Me kaq vërtetësi, me mesazhe shpirtërore, rrallë se gjen mpleksje malli për vendlindjen, për tokën, për nënën, për barin, për pluhurin e udhëve të fëmijërisë, për jetën në mërgim…. Brenda secilës poezi ka një ngjarje, një personazh, por dhe shumë emocion, mall, shfrim dhe thirrje shpirti.

Siç thekson në parathënie prof. Zija Vukaj, shkrimtar shkodranë, studiues e përkthyes i mirënjohur, “Antologjia “Zëri i Mërgimtarit” është një vëllim poetik i vyer dhe interesant”. Ai rendit disa arsye:

Së pari, si gjetje e poetes Trëndafile Molla (Baja), e cila ka një kontribut të çmuar në eksplorimin dhe përzgjedhjen e një numri të konsiderueshëm poetësh, shumica prej të cilëve jetojnë në të katër anët e botës dhe një pjesë e kësaj trupe poetike janë poetë shqiptarë nga viset e Kosovës.

Së dyti, për larminë e profileve poetike që përmban ky libër.

Së treti, për shumëllojshmërinë e motiveve, të teknikave dhe procedimeve letrare”.

Sipas prof. Zijait, motivi i mërgimit sillet nga autorë të ndryshëm në trajta të ndryshme dhe në këndvështrime të ndryshme. Diku perceptohet në përmasat e tragjedisë, (citoj):

Të zeztë ne, na i hëngri deti njerëzit

na i hëngrën kurbetet, dikujt i morën vajzën, djalin

vëllezërit, rininë… (Gjokë Dabaj)

Diku përcillet si trishtim nën sfondin arketipal të Urës së Qabesë. Një toponimí e kobshme që ka ngjyer me të zezë fate mërgimtarësh përgjatë historisë së kombit tonë:

Këtej Urës së Qabesë me azilantë linjat plot,

nga sytë-këmbët për një shpresë,

udhës së pa udhë e pa Zot… (Hamdi Hysuka)

Në disa njësi poetike mërgimi përcillet në formë introspektive nga vetë mërgimtari, nga bota e tij e brendshme, nga kuvendimi lirik me vetveten, si një gjendje vetmie që e ndjek bartësin e saj edhe kur është në shtete të zhurmshme të botës:

Vetëm buzë oqeanit, i panjohur për ‘të

vij nga një det i vogël me dallgët zarfa malli,

zgjohem si një këngë nën zë… (Petraq Risto)

Në optikën poetike të zërave të mërgimtarëve janë vendosur moria e pafund e përjetimeve të heronjve lirikë, pasojat e mërgimit, si ikja e pjesës më vitale të popullsisë, boshatisja e fshatrave etj, ku ligjërimi poetik merr trajtat e këmbanave të alarmit me nota gati elegjiake:

Zëra kullash pa banorë, zëra arash pa punëtorë

zëra oborresh pa fëmijë, zëra rrugësh pa njeri. (Bajram Canameti)

Këto pasqyrime, me variacione të ndryshme, spikasin dhe në poetë të tjerë: Dhimitër Nica, Robert Shkurti, Trëndafile Molla (Baja), Jusuf Zenunaj, Mirvete Kabashi, Polo Çipa, Rizah Sheqiri, Beqir Cikaqi etj. Po kështu, në këtë vëllim poetik ndeshim dendur motivin e vendlindjes. Në vargjet e poetes Xhemile Hoxha (Aliu) ky motiv merr trajtat e një kushtimi në formë ode-je:

Shqipërinë e dua, atje e kam nënën

e dua Kosovën, ajo m’freskon zemrën

atje kam shtëpinë, atë vatër të vjetër

buzë atij shpati kujtimet kanë mbetur.

Ndërsa në lirikën pikante të Dhimitër Nicës derdhet një dhimbje personale alla Esenin:

Kisha shumë kohë pa shkuar në vendlindje,

tek oborri në vend të nënës, / më priti një trëndafil i tharë…

Një çast që meriton vëmendje dhe që mund të përfshihet brenda këtij motivi është qasja poetike narrative e poetit Iljaz Bobaj me legjendën piluriote, “Dasma”:

Një çast… e rrëmbeu brenga, / si furtunë mbërrin në varreza,

-Ngreu, Vitë, dil nga varri, / se sot na martohet djali!

Shpesh lirikat e vendlindjes mbizotërohen nga tone pesimizmi:

Në vendin tim më shumë jam bindur, / sa herë që vij në behar,

më pak shoh një shpresë të lindur, / më tepër shoh një shpresë të vrarë. (Shefik Arifi)

Motivin e dashurisë poetët e kanë kryefjalë. Ky është impulsi që vë në lëvizje gjithë botën e brendshme të tyre në aktin e krijimit. Në këtë këngëtore e gjejmë në variacione nga më të ndryshmet, por gjithnjë dhënë me një delikatesë tradicionale të poetikës shqiptare. Te poeti Fatmir Gjata kemi një vargëzim të përkryer klasik alla lasgushian me një 14-rrokësh, me cezura të rregullta kompozuar prej dy hemistikësh 7-rrokësh:

Fërshëllej një melodi dhe ca zogj më ulen pranë,

zëmë këndojmë për dashuri, të dëgjohet në çdo anë,

rrihni krahët o trumcakë, cicërini dhe për mua

zgjo mendimin fluturak që t’i them se sa e dua!

Te poetja Eda Miri ndeshim karakterin bipolar të dashurisë (gëzim-trishtim):

Po iki larg e po të them adio, / madje po të them edhe lamtumirë,

ndoshta larg meje do të jesh i lumtur, / ndoshta larg meje do ndihesh më mirë…

Më sensual dhe idilik jepet motivi i dashurisë nga poeti përmetar, Janaq Jano:

Unë, apo ti e thirre perëndinë / si erdhi erosi në mes nesh,

ajzbergun “Titanikut” me puthje ia shkrimë,

qiejt e ndezur vërshuan rrebesh.

-Në këtë libër antologjik, -thekson prof. Zija Vukaj, -kemi shumë poezi kushtuar Kosovës. Ndoshta kjo shpjegohet edhe me harkun kohor të krijimtarisë së këtij brezi poetësh, me jehonat dhe reminishencat e rrugëtimit të popullit shqiptar të Kosovës në dy dekadat e fundit. Ishte kjo finale e një historie të gjatë vuajtjesh e gjëmash, që nuk la shpirt pa tronditur e përfshirë.

Autorja e kësaj përmbledhjeje, Trëndafile Molla (Baja), jo vetëm që e ka jetuar këtë kohë me shqetësim atdhetar, por mbase kjo ka qenë periudha e qëmtimit dhe e sistemimit të fondit poetik të këtij vëllimi. Poeti Ndue Dragusha sjell gjithçka përmes familjes Jashari, që përbën simbolikën më të fortë të rezistencës:

Ka një ëndërr që ndrin më shumë se të tjerat,

lindur mbi buzë të rreshkura,

dhe plagë si lulekuqe mbi trup të atdheut.

Poeti Kujtim Stana, përmes kësaj lirike peizazhi, sjell bukur një copë Kosovë me bukuritë e saj magjike:

Më shfaqesh përrallshëm në grykë të Rugovës,

e shndritëshme, mitike, vezulluese, si perlë

e freskët, e kristaltë, si shkrirjet e dëborës

e hijshme, mes bjeshkësh, e ëmbla Pejë!

Poeti Ramë Oraca e jep poetikën e dhimbjes brenda vetes, përzier tragjikisht me intimitetin e vet:

Hape atë perde të vrugët, e dashur / i sheh të huajt si vijnë madhështorë,

kërkojnë burime të reja gjaku, / në luginën e lulëkuqeve…

Shumë njësi poetike të këtij vëllimi janë kushtime ndaj poetëve tanë të shquar. Fatmir Neli i ka kushtuar Pjetër Budit një poezi të shkruar në distikë:

Guri i Bardhë të përkundi, / gur të quhet edhe emri

gur më gur më pas u rrite, / gur i madh për dhè e shqipe.

Nga Përparim Hysi kemi kushtim Lasgush Poradecit:

Kush ta vrau shpirtin e bukur / që lëshonte vetëm xixa,

pse tërë jetës ndenje “strukur”, / sikur vije që nga “Bibla”?

Për Migjenin vjen një kushtim poetik nga Kasam Shaqirvela:

Ngrihu Migjen, në do për të parë / se Shqipëria ku ka mbërritur,

dhe mjerimi si në këngën tënde, / shpimi brinjëve na ka drobitur.

Duhet evidencuar fakti se shumica e autorëve shkruajnë me vargje të matura dhe me rimë. Kjo prozodi dëshmon, së pari, dominimin dhe sigurinë e autorëve në procesin e krijimit, së dyti përvojat e gjata të tyre në leximin e mirë të poetëve tradicionalë dhe ushqimin e hershëm me artin e tyre të fjalës. Natyrisht që rima është element pozitiv, që i jep muzikalitet tekstit poetik dhe ka një rol memorizues edhe në procesin e deklamimit. Përfundimisht, thotë prof. Zijai, “Zëri i Mërgimtarit” i vjen letërsisë sonë si një prurje e vlefshme dhe përbën një stacion të këndshëm leximi dhe meditimi.

* * *

Në vazhdim u përurua triologjia poetike: “Foleza e poezisë”, “Duaje veten”, “Zgjidhja e artë”, e shkrimtarit dhe poetit Myftar Gjonbalaj, e cila përbën një ngjarje në botën letrare shqiptare. Sipas studiuesit të njohur, kritikut letrar, Fatmir Minguli, vëllimi “Foleza e poezisë” i këtij poeti është realisht një lloj ditari poetik, që autori e ka qëmtuar nga jeta e përditshme. Nuk kemi të bëjmë thjeshtë me një ditar, por me shpërthime poetike, të cilat janë si buqeta me lule, herë për dashurinë, herë për natyrën, herë për humorin, herë për trimërinë shqiptare, herë për kujtimet nga vegjëlia e herë për shpërthim atdhetar dhe herë-herë shpërthime mbi integritetin e tokave shqiptare. Vargjet e poetit vuthjan Myftar Gjonbalaj kanë forcë të jashtëzakonshme, sepse arrin të transformojë emrin e një objekti, fenomeni në një tjetër objekt, në një tjetër fenomen, duke sjell analogji mes tyre edhe pse ata nuk kanë lidhje natyrale. Ja, psh. “Masin “brirët” si “azgana”, “I vesha vargut një kostum”, “Trak e trak, nis e flet” etj. Por nuk janë vetëm këto metafora origjinale që burojnë nga historia e madhe e shqiptarëve. Pikërisht ky është dhe konstatimi letrar për poezinë e Myftar Gjonbalaj, një poezi e cila figurat artistike letrare i ka me aromë të vendlindjes. Prandaj, -thekson kritiku Minguli, -me plot gojën them se Myftar Gjonbalaj, me vëllimet e tij me poezi, po ndërton një piramidë të poezisë autoktone shqiptare, që emeton dritë mbi jetën e shqiptarëve jo vetëm në Shqipëri, por kudo ku ka shqiptarë. Vetë poezitë e poetit Myftar Gjonbalaj janë shprehje e një teknike metrike plot eksperiencë, ide, emocione, fantazi dhe mbi të gjitha një përmbledhje alkimike e të gjithë këtyre elementëve poetikë. Me origjinalitetin e tij poetik ai vjen si një ogur për të ardhmen e shqiptarëve.

-Në poezitë e Myftar Gjonbalajt, -u shpreh poetja Trandafile Molla (Baja), -fryn erë shqiptare, me mallin që çdo ditë djeg në shpirtin e frymëzuar të poetit, i cili jeton me ëndrra dhe shpresa të realizuara të vendlindjes, aty ku ndihet gurgullima e ujëvarës që zbret nga malet, duke i dhënë freski luginës plot blerim. Jo gjatë leximit, por duke i studiuar poezitë e autorit, më bien ndërmend poezi të Fishtës, të Naimit e Çajupit, të Nolit e të Asdrenit. Pothuajse të gjitha poezitë e tij kanë frymë popullore shqiptare. Poeti ynë është atdhetar i flaktë. Këtë e hasim te vargu i tij patriotik, ku dallohet stili i ri. Është aq njerëzor, sa nuk e do vendin e tij vetëm për malet dhe fushat, por edhe për njerëzit. Një vend kryesor në libër zë malli i bijëve të ikur nga vendlindja në dhé të huaj, ku plaga e marrë nuk mbyllet kurrë. Ajo është gangrenë epidemie, që rëndon mbi zemrën e atdheut, siç vuan zemra e poetit tonë.

* * *

Po në këtë ditë festive u promovuan dhe dy botimet e reja në prozë: “Prapë dukej e bukur” me tregimeve e novela dhe rubairat “Në kulmin e diellit dhe dritë mos të kesh” të poetit e shkrimtarit Lumo Kolleshi. Sipas kritikut e botuesit, Mark Simoni, poeti përmetar, Lumo Kolleshi, që jeton në Milano, herë pas here i sajdis patriotët e qytetit të tij dhe shqiptarët me nga një libër të ri. Dhe si një kulinarist i mirë, nuk iu sjell atyre përherë të njëjtin zhanër letërsie, por ua zhdavarit shijen, duke punuar dhe propozuar letërsi alternative. Këtë radhë ai erdhi me 108 rubaira, që rrinë në korpusin e librit të tij si në një lojë gurësh diamanti që i mban në dorë prestigjatori.

Këto poezi nuk i përkasin një konteksti kohorë të dallueshëm, por kohës universale të njerëzimit, këtij njerëzimi që rreket mes paudhësive, andrallave, pushteteve të ashpër, hileve dhe grackave. Në pamje të parë duket si nië libër i lehtë dhe i shkruar thjeshtë, pa shumë figura dhe i pa ndërlikuar. Por magjia e forcës së tij pikërisht këtu qëndron, te raporti direkt me lexuesin, duke thënë të vërteta të mëdha me mjete shumë të kuptueshme.
Vargje, sentenca, kalke poetike vezullojnë kudo nëpë libër. Ja disa prej tyre: “Fati nuk është budalla, / Udhën nëpër natë ia tregon qorri”, “Më kërkuat tymin, nga thellësitë u nxora flakën, / Hirin më kërkuat, prushin u hodha nga trupi imi i ndezur”, “Shtegëtoi me shtergun dhe një shpirt i shqipes, / Shtegëtoi në viset e lashta të Buzukut”. Me një libër të tillë Lumo Kolleshi i vjen jo vetëm qytetit të tij, por letërsisë aktive të vargut të shqipes.

*Klubi Letrar “Pjetë Budi” Mat, Albania

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok