21/12/2024

UÇK & NATO, ISHIN SI DY DUART QË LAJNË NJËRA TJETRËN

0
Dilaver-Goxhaj

NGA KOLONEL DILAVER GOXHAJ

Nga koha në kohë po na shtohen “analistë”, “filozofë”, ushtarakë nga uniforma po edhe nga ata me shkollë; thënë më saktë, politikanë dhe intelektualë të të gjitha fushave, duke u munduar të bindin opinionin shqiptar se Kosovën nuk e çliroi dhe nuk kishte mundësi ta çlironte Ushtria Çlirimtare e saj (UÇK-ja), por veç Amerika. Dhe po guxove t’i kundershtosh,  nuk përtojnë të të cilësojnë “antiamerikan”, apo heretik, (një lloj inkuizicioni), pse guxojmë të themi të vërtetën e mundësive të UÇK-së. Dhe për këtë na paraqesin argumenta nga me absurdët.

Më të zellshëmit e këtij “inkuizicioni” janë ata që nuk kane lexuar fare histori ushtarake,  janë nga ata që kur u luftua në Kosovë gjatë viteve 1997-1999 ose  nuk kanë ditur se çfarë bëhej në Kosovë, ose nuk u vjen mirë të flitet për aftësitë e popullit shqiptar në Kosovë; ndoshta ashtu ua kërkon servilizmi që kanë në gjak. Dhe, “argumenti” më bindës që përdorin këta zotërinj të gjithëdijshëm, na është përgjigjja: “As mos u shkoi ndërmend që  UÇK-ja e vogël ta mundëte ushtrinë dhe politicinë e madhe serbe!”.

Kjo përgjigje e këtyre zotërinjve të bind se nuk e njohin aspak historinë e Shqipërisë e të gjithë popullit shqiptar. Harrojnë këta zotërinj se Shqipëria e Skënderbeut, që atëhere nuk ishte as gjysëm milioni, iu kundërvu me sukses për një çerek shekulli Perandorisë më të madhe të kohës? Nuk e dinë këta zotërinj se edhe ushtria shqiptare vullnetare e Lidhjes së Prizërenit mundi ta përballonte reagimin e po asaj Perandorie, edhe pse ne atëherë nuk kishim shtet shqiptar? Nuk e dinë këta zotërinj që e ngrenë zërin në qiell për pamundësinë e çlirimit të Kosobës nga UÇK-ja, që në 1920 në Vlorë 4-5 mijë fshatarë shqiptarë hodhën për 3 muaj  në det Perandorinë Italiane? Nuk e dinë këta zotërinj të “ditur” se  edhe gjatë LANÇ-it Ushtria Vullnetare Nacionalçlirimtare Shqiptare, e lindur nga guerilja, arriti ta çlironte këtë Shqipëri që kemi sot me forcat e veta, si asnjë shtet tjetër në Evropë, edhe pse përbëheshim me një popullsi njëmilionëshe? Ajo ushtri partizane përballoi ushtrinë e Italisë fashiste  që mbajti në Shqipëri lart nga 100 mijë ushtarë, dhe më pas atë ushtri të Gjermanisë naziste lart nga 70 mijë ushtarë, edhe pse të dy këto ushtri pushtuese  shkatërruan ose na rrafshuan përtokë 850 qytete dhe fshatra  nga 2.500 që kishte atëhere Shqipëria. Ishte ajo ushtri e vogël, (sikundër ishte edhe UÇK-ja), që u shkaktoi të dy pushtuesve, (italianë e gjermanë), 58.639 të vrarë, të plagosur ose të zënë rob, u shkatërroi afro 100 tankse dhe autoblinda, 1,334 topa e mortaja, 2.855 mitraloza dhe 1.934 kamjona, pa llogaritur pushkët, municionet dhe depot që u shkatërruan ose u kapën.

Luftën e bën morali dhe jo armët

Apologjetët e kësaj propagande antishqiptare, duke qenë skeptikë, nuk duan ta pranojnë se Serbia angazhoi në Kosovë gjithsej: 145.554 forca; prej tyre 15.779 pjesëtarë të MPB; 61.892  nën komandën e Korpusit të Prishtinës; 13.000 Njësitë Speciale Policore; 200 trupa Njësia Speciale Antiterroriste (të cilët përdornin uniforma të kamufluara ngjyrë gjelbër-hiri dhe çizme të modelit “Gore-Tex”); 54.683 trupa ishin forcat rezervë –policore, që përbëhej kryesisht nga pjesëtarët e ish “Beretave të kuqe” të formuara më 1991, të cilët kishin marrë pjesë në luftrat në Kroaci e Bosnjë-Hercegovinë.

Mos harrojmë, se 95.000 prej atyre forcave sulmuese kriminale kishin ardhur në Kosovë një vit më herët se të angazhohej NATO-ja me aviacionin e saj, gjë që e dëshmoi në Gjyqin e Hagës kundër Millosheviçit, ish-Komandanti NATO-s, Gjenerali Uesli Klark. Ato forca agresore-kriminale serbe, edhe pse vranë mbi 13 mijë civilë duke i varrosur në mbi 530 varreza masive, përfshi 1 mijë e 400 fëmijë të moshës nën 18 vjeç; edhe pse shkatërruara 100 mijë e 589 shtëpi; edhe pse dëbuan jashtë Kosove mbi 1 milion shqiptarë, megjithatë ndodhi ajo që e deklaron edhe Presidenti Klinton më 23 maj 1999: “Megjithse Millosheviçi ka dëbuar me qindar-mijëra shqiptarë kosovarë nga shtëpitë e tyre, ai nuk e ka eleminuar Ushtrinë Clirimtare të Kosovës. Madje radhët e saj po shtohen dita-ditës, ajo ka filluar të ndërmarrë ofensiva kundër forcave serbe, të cilat fshihen skutave për t’u shpëtuar goditjeve ajrore. Tani Millosheviç po përballet me sigurinë e vazhdimit të situatës ajrore, me këmbënguljen e UÇK-së dhe me mundësinë për t’u përgjigjur përpara popullit…” (“Ne luftën, ju paqen”, 1999, f.82), duke arritur në fund mbi 25 mijë luftëtarë fronti, të organizuar në 28 Brigada, të ndara në 7 Zona Operative.

Madje UÇK-ja u rrit duke i shtuar sulmet, edhe pse iu bë Kosovës embargo nga Perëndimi, gjë që vërteton moralin e lartë të UÇK-së. Nëse edhe UÇK-ja do të furnizohej nga Perëndimi sikundër furnizojnë sot Ukrainën, UÇK-ja e kishte çliruar vetë Kosovën, pasi morali nuk i mungonte. “Në luftë, – ka thënë Napoleon Bonoparti,- gjendja morale përbën tre të katërtat e lojës. Pjesa që mbetet varet nga fuqitë fizike“. Si kujtoni ju trimat e paneleve televizive, se ky moral nuk mund ta çlironte Kosovën?!

Kjo ushtri popullore i asgjësoi armikut 1.166  ushtarë e policë, (deklaruar prej ish-kryeministrit të Serbisë, Mirko Cvetkoviç, me rastin e 11-vjetorit të fillimit të bombardimeve, në 2010). Ndërsa Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi (Natasha Kandiç) ka dhënë shifrën 276 ushtarë e policë të Serbisë të vrarë nga bombardimet e NATO-s, duke i dhënë me emra. Kjo do të thotë se në çdo 4 armiq të asgjësuar, 3 janë asgjësuar prej UÇK-së.

Sipas dëshmisë së Oficirit të sigurimit të Serbisë, Zoran Milovan Stojoviç, dhënë në 1 prill 2003, vetëm nga 1 janari deri në 30 nëntor 1998 numëri i sulmeve të kryera prej UÇK-së ishte 1486. Në këto sulme u vranë, 105 anëtar të MPB-së dhe 37 anëtar të UJ-së si dhe u nxuar jashtë luftimit 481 nga të cilët 96 civilë serbë vendas të armatosur, 283 anëtarë të MPB-së dhe 102 anëtar të UJ-së.

Sipas raportit të Komisionit Special të NATO-s, të 16 shtatorit 1999, (vetëm) në Kosovë janë shkatërruar: 93 tanke, por nga Serbia pranohet se vetëm 3 janë asgjësuar nga aviacioni i NATO-s, sikundër thuhet në Uikipedia, të tjerët i ka asgjësuar UÇK-ja.

Është vetë Millosheviçi që e pranon në Hagë që vetëm në muajin nëntor 1998 UÇK-ja ka kryer 470 sulme kundër forcave ushtarako-policore të tij, ndërsa në muajin dhjetor 1998, 1854 sulme, duke i shkaktuar atyre vetëm për dy muaj 244 të vrarë dhe 566 të plagosur, gjë që e pranon në parim edhe Gjenerali Klark. (“Kosova Sot”, 24.12.2003).

Skeptikët kundër UÇK-së

Jo, mor, jo, o ju skeptikë ndaj aftësive të popullit tuaj, nuk jemi antiamerikanë, jo, por jemi realistë. Jepi Qezarit atë që i takon Qezarit, ka thënë dikur Krishti. Jo më kot  Koltunov thotë: “Për të vërtetën jam gati të ulërij si ujku”. Si skeptikë që jeni, ju i ngjasoni atij ekstravagantit që del me fener për të parë a ndriçojnë yjet. Prandaj, nuk keni pse prishni gjakun duke ulëritur: “U BuBuuuu! U mohua Amerika!”

Mos u trondisni, se ne nuk na lejon ndërgjegjia dhe  nderi i ushtarit të popullit që ta mohojmë ndihmën që na dha Amerika dhe Anglia, ndryshe do të ishim tipikë si ju që jeni mosmirënjohës ndaj luftës së UÇK-së, e cila më së shumti u vjen nga padija se lexoni vetëm veten.

Ne, pjestarët e UÇK-së e dimë më së miri se kushdotjetër, se nga 1.000 avjonat e NATO-s që u angazhua në atë luftë kundër Serbisë, 80 për qind ishin avjonë të SHBA; e dimë dhe atë, se nga rreth 38.000 fluturime aksionesh që u kryen nga NATO-ja, 85% e tyre u kryen mbi Sërbi dhe vetëm 5.100 fluturime u kryen kundër forcat serbe në Kosovë. Besoj se këto shifra e fakte u bindin se peshën kryesore të asaj lufte, edhe kur u angazhua NATO-ja, e mbajti mbi shpatulla UÇK-ja, të cilën e pagoi me gjakun e 2.131 dëshmorëve dhe mbi 4.000 të plagosur e invalidë, duke u “përballur me një kundërshtar, i cili është munduar që të maksimizonte vdekjet dhe mizeriet e shqiptarëve në Kosovë“,(Uesli Klark, “Kosova Sot”, 25.12.2003).

Por ne, nuk mohojmë gjithashtu edhe përkrahjen politike e diplomatike të Amerikës, përkrahje e cila e rriti shumë e më shumë besimin tonë për fitore si dhe kurajon për të luftuar; gjithashtu, ne e dimë më rë se ju, se angazhimi i NATO-s me aviacion, jo vetëm që e shpejtoi fitoren e luftës sonë, duke na shpëtuar mijëra e mijëra jetë njerëzish. Për këtë i jemi edhe më shumë mirënjohës Amerikës, por edhe atyre shteteve të BE-së që i detyroi Amerika të angazhoheshin në atë luftë.

I gjithë ky sulm mediadik kundër “pamundësisë luftarake të UÇK-së për çlirimin e Kosovës” gjatë këtyre 23 viteve të pasluftës, e që sapo vjen e po intinsifikohet (!), është një presion i qëllimshëm që ne, pjesmarësit e asaj lufte të heshtim, që Gjykata Speciale e ngritur qëllimisht, të mos nguroi ta shpalli UÇK-në “grup i organizuar terrorist” sikundër thuhet në akuzën e asaj Prokurorie, që nesër ajo luftë të shpallet luftë civile dhe Kosova t’i kthehet Serbisë. Ju ndoshta e keni të pamundur ta kuptoni se nuk u lejon vetëmburja duke u hequr si shumë të zgjuar. Por lusim që ta keni nga injoranca dhe jo ga urrejtja ndaj UÇK-së.

Por, zotërinj kundërshtarë të UÇK-së, fiksojeni mirë, se UÇK-ja u përball me një ushtri nga më të fuqishmet në Ballkan, u përballëm me një ushtri që kishte përvojën e 5-6 viteve luftë me Kroacinë e Bosnjën, që drejtohej nga oficerë me përvojë të fituar në ato vite lufte ndërshtetërore. Duke qenë se Serbia kishte një ushtri të atillë, po të mos ishte lufta e UÇK-së, NATO-ja as që kish për t’u angazhuar në atë luftë; por, edhe nëse angazhohej vetëm me aviacion, pa ekzistencën e UÇK-së, do ta kishte të pamundur fitoren me Serbinë. Po të mos ishte lufta jonë çlirimtare, të cilën ata që e nisën as që e kishin menduar kurrë se do t’u vinte në ndihmë NATO-ja, të jeni të bindur se ushtria e Serbisë nuk do qe shkulur edhe sot nga Kosova. E dinim edhe atë, që nëse nuk do qe angazhaur NATO, lufta do të vazhdonte gjatë, të bindur, se shumica e kombit shqiptar do t’i ishte bashkuar UÇK-së, ndoshta edhe ju atdhetarët e sotëm.

As mund të çlirohet ose të pushtohet një vend vetëm me aviacion
Mos u duket çudi dhe as vetëmburje që po u flas me këtë gjuhë. Sepse, së pari, “Historia nuk njeh ndonjë rast që fuqia ajrore të ketë pasur sukses e vetme”,… “ngaqë e keqja e fuqisë ajrore kur është e vetme është se e len inisiativën në duart e armikut”,… “Në çdo luftë është këmbsoria që duhet të ngrejë flamurin e fitores në fushën e betejës.“, ( sikundër shkruan Shefi i Shtabeve të Bashkuara Amerikane, Kolin Pauell, “Udhëtimi im amerikan”, f.371,381,388). Dhe,së dyti, duke i mbajtur UÇK-ja të angazhuara forcat tokësore serbe duke i ekspozuar në terren, vetëm kështu aviacioni amerikan e angles mundi të plotësonte misionet e tij.
Nuk ka ushtarak me përvojë që të mos e dijë se një nga parimet operative bazë është që komandanti në terren ka gjithmonë të drejtë. Dhe ai komandant ishim ne, UÇK-ja, ndërsa komandantët e NATO-s e shikonin situatën nga larg, në Televizorë, të cilët, pa ndihmën tonë do të ishin përherë të gabuar. Ne ishim në skenë, ne e preknim terrenin, duke u përballur me forcat serbe dhe duke i gjykuar ato. Aviacioni i frontit, sado i shumtë e i fuqishqëm që të ishte, po mos të kish bashkëveprimin tonë që luftonim nga toka, po të mos kish informacionin tone të shpeshtë në çdo kohë për gjendjen në front dhe në thellësi të armikut, (i cili në terminologjinë ushtarake quhet shenjëtregim), do ta kish pothuajse të pamundur nënshtrimin dhe kapitullimin aq shpejt të Serbisë, sikundër e thekson edhe vetë Gjenerali Kolin Pauell.

Dhe këtë detyrë të domosdoshme UÇK-ja e kreu 24 orë gjatë 24 orëve të çdo dite të asaj lufte 78 ditore. Informacionin e jepnim ne, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së. Kush nuk e di, le ta mësoi: INFORMACIONI ËSHTË FUQI. Planifikimi jo vetëm i luftës, por edhe i çdo sulmi nga toka dhe ajri kundër objektivave tokësorë të kundërshtarit, është një mozaik i dhjetra e qindra detajeve shqetësuese; dhe këto detaje i jep informacioni që është në kontakt me forcat tokësore të armikut.

Avionët e NATO-s, por edhe ne, me të vërtetë synonim të bombardoheshin forca serbe të fshehura nëpër qendrat e banuar e nëpër pyje, por duhej të bënim kujdes që mos të bombardoheshin populli i thjeshtë, gratë dhe fëmijët, si dhe forcat tona, dhe që edhe ndodhën.

Lista e objektivave që raportonim ne në çdo 2-3 orë, por shumë herë edhe më shpesh, përfshinte që nga dislokimi i instalimeve dhe pozicionimet e forcave serbe, deri dhe te tanke të veçuar e të groposur, si në front e në thellësi, deri ku kalonte vija e çdo transheje të armikut; përfshi gjithë linjat e tij të furnizimit e të ndërlidhjes, pa harruar vijën e ndodhjes së forcave tona dhe vendgrumbullimet e popullsisë së zhvendosur nga qendrat e banimit.

Këto i pranon edhe Gjenerali Uesli Klark kur i bëhet pyetje në Gjykatën e Hagës: “Cilat ishin burimet tuaja të informimit?” Ai përgjigjet: “Këto ishin burime të besueshme të inteligjencës amerikane, plus raportimet nga vetë terreni”, (“Kosova Sot”, 26.12.2003, f.15).

Prandaj e thashë dhe e them me zë të fortë, se po të mos ekzistonte UÇK-ja, ushtria serbe edhe sot nuk do qe tërhequr nga Kosova dhe ne do të ishim ende duke luftuar.
Nuk e besoni rolin madhështor e tepër të domosdoshëm të UÇK-së? Po u jap një mori shembuj të hershëm e të tashëm.
Të gjithë e dimë që edhe pse zgjati 10 vjet fushata e bombardimeve sistematike “Rrolling Thunder” e SHBA kundër Vietnamit të Veriut (RDV), prej Gushtit të vitit 1964 deri në vitin 1975, nuk e nënshtruan dhe nuk e nënshtruan dot amerikanët. Dhe atë luftën “e vetme nga ajri” e bënte po kjo Amerikë që veproi edhe mbi Serbi, superfuqia më e madhe e gjithë kohrave, e cila bombardoi me të gjitha llojet e armëve e municioneve, si dhe me të gjithë teknologjinë më të sofistikuar ushtarake për atë kohë, duke hedhur mesatarisht 7 (shtatë) kg bomba për çdo vietnamez, ose 3 (tri) herë më shumë bomba se sa u hodhën gjatë gjithë Luftës së Dytë Botërore. Në total, vetëm në periudhën 5 gusht 1964- 5 gusht 1966, numëri i avjofluturimeve amerikane mbi RDV ishte 240 mijë; në 1967 ishin 30 mijë në muaj, në 1968 edhe më shumë. (Davidson F.B. “Lufta në Vietnam 1946-1975”, M. 2002). Dhe përfundimi?

Përgjigjen na e jep ish-sekretari DASH-it, z.Henri Kissinger: “Me kalimin e muajve, debati i brëndshëm u përqëndrua gjithnjë e më shumë në parakushtin e Hanoit që Shtetet e Bashkuara të caktonin në mënyrë të njëanshme një datë për tërheqjen, si formë për përfundimin e luftës.”, (“Diplomacia”, Tiranë 1999, f.689). Kjo do të thotë, se ishte pala sulmuese, SHBA që kërkuan të uleshin në bisedime dhe jo pala që goditej. Përherë, është pala humbëse ajo që kërkon bisedime, thotë Kissinger. Edhe pse kundër Vietnamit u përdorën bombat me napalm dhe lëndët kimike, madje edhe bomba me peshë 7 (shtatë) ton, të hedhura nga aeroplanët e rëndë bombardues B-52, të cilat shkrinin gjithçka në një rreze prej 100 metrash atje ku binin dhe që shkaktonin një tërmet disaballësh në një rreze prej 3,5 kilometrash, e përsëri pala mbrojtëse nuk kapitulloi.

Dhe, si e shpjegoni nga ana ushtarake ju apologjetët mohues të UÇK-së atë tërheqje të SHB nga Vietnami?

Mësojeni! Sepse aviacionit amerikan i mungonte informacioni nga toka. Ishte kjo mungesë e rëndësishme që e çoi Amerikën në atë heqje dorë nga lufta, sikundër shprehet vetë pjesmarrësi në atë luftë, Gjenerali Kolin Pauell: “Ne kishim humbur lidhjet me realitetin. Gjithashtu ishim mashtruar nga teknologjia. Armiku ishte primitiv, ndërsa ne ishim vendi me teknologji më të përparuar në botë. Kështu, nga dyqani i Maknamarës dilnin mrekulli të tilla si “nuhatësi i njerëzve”, një pajisje që mund të diktonte që nga avjoni edhe koncetrimin e urinës në tokë. Nëse diktohej urinë në territorin armik, e kuptonim që aty kishte përqëndrim të tyre dhe ky përbënte një objektiv për goditjen tonë.”, (“Udhëtimi im amerikan”, SH.B.U, Tiranë 1999, f.114).
Për mungesë bashkëveprimi nga toka dështoi edhe operacioni i koduar “Desert one”, i 24 prillit 1980, për të shpëtuar 53 pengjet amerikane të kapur nga iranianët e që mbaheshin robër në ambasadën amerikane në Teheran që prej pesë muajsh. “Plani parashikonte, – shkruan Kolin Pauell, – që helikopterët të transportonin trupat në një zonë pranë Teheranit dhe agjentët e SHBA në Iran do të sillnin aty kamjonët për të dërguar komandot në ambasadën amerikane, ku do të përpiqeshin të eleminonin rojet… Por ishin dobësitë në zinxhirin e komandim- komunikimit që kontribuan në dështimin e misionit.”, (Po aty, f. 179-180)
Për të bindur edhe më skeptikun, por jo analistët e mirëpaguar e mohues të mediave servile shqiptare, sepse ata edhe pse janë të bindur nuk mund ta kapërdijnë një të vërtetë të tillë sado shkencore të jetë analiza, prandaj dhe po i referohemi luftës së 29 shteteve më të fuqishme të botës, përfshi këtu edhe Rusinë, që luftuan gati 10 vjet kundër ISIS-it, madje në një terren krejtësisht fushor, kundër një ushtrie pothuajse guerile, duke kryer jo më pak se 100 aviofluturime në ditë, dhe nuk e mundën dot. Përkundrazi, ISIS-i vijonte të zgjeronte territoret e veta! Pse? Sepse aviacionit të 29 shtetve u mungonte informacioni nga terreni ku zhvillohej lufta; u mungonte ai informacion që i jepte UÇK-ja NATO-s.
Edhe në Luftën e Gjirit, në vitin 1991, “Zbulimi në fushëbetejë ishte një faktor me rëndësi të jashtëzakonshme dhe Shvackopfi kishte në dispozicion të tij të dhëna nga disa burime shumë të rëndësishme… Rëndësi kishte çdo e dhënë që të jepte informacion për vënien në lëvizje të forcave armike… Për ta bërë atë sa më efektiv, Shvarckopfi hartoi plane të veçanta dhe tepër sekrete për të përdorur në thellësi të frontit irakian, forcat speciale zbuluese.”, (M.E.Morris “Stuhia e Shkretëritrës”, Tiranë 1992, f.63-64).

Ndërsa gjatë Luftës në Kosovë NATO nuk e pati të nevojshme të përdorte forcat e veta speciale të zbulimit, sepse ishte UÇK-ja.
Këta shembuj plot fakte që unë solla nuk janë të vetmit, ka edhe shumë e shumë raste të tjerë. Por çfarë na tregojnë këta shembuj?

Tregojnë atë që e pranon Gjenerali Kolin Pauell: “Historia nuk njeh ndonjë rast që fuqia ajrore të ketë pasur sukses e vetme“, nëse nuk ka tradhëti nga pala që goditet me aviacion, sikundër ndodhi në Luftën e Irakut në vitin 2003.
Mund të lindë natyrshëm pyetja se ku e mbështeste UÇK-ja besimin në fitore, vallë vetëm te zgjatja e luftës?

Edhe atje, pasi është strategji e domosdoshme për një luftë guerile, të cilën e thekson edhe Henri Kissinger: “Çdo vend që angazhohet në luftë guerile duhet të përgatitet për një luftë të gjatë. Ushtria guerile mund të vazhdojë për një kohë të gjatë taktikat: “godit e tërhiqu”, edhe me forca shumë të pakta”.(“Diplomacia”,f.629).

Dhe këtë strategji të suksesshme, “godit e tërhiqu”, UÇK-ja e bëri formën kryesore të luftës së saj ditën që Serbia u largoua nga Rambujeja dhe filloi Operacionin “Potkoi”. Kjo strategji e re u bë tmerr për ushtrinë serbe. Këtë e kanë pohuar edhe vetë gjeneralët serbë në Gjyqin e Hagës. Njëri prej tyre është gjenerali Bozhidar Nikolla Deliç, i cili gjatë Luftës në Kosovë ishte komandanti i Br.549 e Këmbësorisë së Mekanizuar, me bazë në Prizren, i cili deklaroi: “Mënyra e luftimit të UÇK-së ishte duke iu shmangur çdo lloj luftimi të drejtpërdrejtë. Ata përdornin taktikën: godit dhe ik“.

Ishte kjo strategji që bëri të mundur dështimin e operacionit “Potkoi”, me të cilin “Serbia desh të bënte pastrimin etnik në shkallë të gjerë kundër popullatës shqiptare në Kosovë“, (U.Klark,”Kosova Sot”,22.12.2003).
Vlen të theksohet se këtë objektiv të Operacionit “Potkoi”, UÇK-ja, me strategjinë e re të saj, kish arritur ta dështonte para se aviacioni i NATO-s të fillonte sulmet kundër forcave serbe në Kosovë, qysh në 1 prillin e vitit 1999. Dihet që sulmet e aviacionit të NATO-s kundër forcave serbe në Kosovë filluan në 14 Prill, tre javë më pas si kishin filluar luftën nga ajri; si rrjedhojë e kushteve të vështira meteorologjike.

Dhe këtë mision ne e arritëm pa ndihmën e NATO-s, të cilën e pranon në Hagë edhe vetë Gjenelari U.Klark: “Sqaroj, unë nuk e kam komanuar UÇK-në. Ne kurrë nuk e kemi ndihmuar UÇK-në. Ne nuk e kemi udhëzuar UÇK-në. Ne nuk e kemi ndihmuar formacionet e saj.”, (“Kosova Sot”, 24.12.2003).
Duke pasur parasysh se NATO e kish luftën e saj të parë dhe, si e tillë, ajo kish hyrë në një luftë të kufizuar, me mandat të kufizuar, për një qëllim të kufizuar, ndaj dhe duhej të përmbushej sa më shpejt.

Mirëpo, dihet që lufta është një ndërmarrje që thith gjithçka. NATO e filloi luftën, por po të mos e kish afruar UÇK-në për bashkëveprim, kish gjasa ta humbiste perspektivën e përfundimit të asaj lufte. Ajo perspektivë e NATO-s nuk humbi, falë UÇK-së; ishte UÇK-ja ajo që ia mundësoi NATO-s ta realizonte atë luftë për 78 ditë, sa dyfishi i kohës së Luftës së Gjirit, “Stuhia e Shkretëtirës”, e vitit 1991, edhe pse kishin të bënin me një ushtri 3 herë më të vogël se ajo e Irakut, si në forca edhe në mjete, edhe pse zotëronin totalisht ajërin.

Prandaj kemi të drejtën morale të themi: Me të vërtetë që SHBA dhe NATO na ndihmuan të çliroheshim shumë më shpejtë e shumë më lehtë se sa ne parashikonim, por ama ishte UÇK-ja ajo që ua zbardhi faqen atyre. NATO-ja dhe UÇK-ja ishin si dy duar që lajnë njëra-tjetrën.
Dikush edhe mundet me kokëfortësi prej budallai ta kundërshtoi këtë të vërtetë. Por po sjell këtu faktin tjetër që e njëjta situatë ishte edhe në Bosnjë, luftë e cila zgjati tre vjet. Do pyesni: Pse tre vjet? Sepse nuk u vendos bashkëveprimi luftarak midis forcave ajrore të NATO-s dhe forcave tokësore të Bosnjës, sikundër u vëndos me UÇK-në gati 8 orë para se të kryhej sulmi i parë ajror. Dhe këtë nuk e them vetëm unë që u ngarkova ta mbaja atë bashkëveprim luftarak, por e pohon edhe vetë Shefi i atëhershëm i Shtabe të Bashkuara të SHBA, Gjenerali Kolin Pauell: “Zgjidhjet tona varionin nga goditjet e kufizuara ajrore përreth Sarajevës deri në bombardimet e serbëve në të gjithë teatrin e luftimit. Unë theksova se asnjëri nga këto aksione nuk garantonte që të ndryshonte sjelljen e serbëve. Vetëm trupat tokësore mund ta bënin këtë. Bombardimet e rënda mund t’i bindnin ata të lëshoni diçka, por nuk mund t’i detyronin t’i ndërprisnin luftimet. Dhe, përballë goditjeve ajrore të kufizuara, serbët nuk do ta kishin të vështirë t’i fshihnin tanket dhe artilerinë në pyjet dhe mjegullën e Bosnjës, ose t’i mbanin ato afër popullsisë civile.“, (“Udhëtimi im amerikan”, f.454).

Prandaj u desh t’i ofrohej Milloshit Çmimi Nobel i Paqes që të ndërpritej lufta dhe Amerika të mos angazhohej në Bosnjë me forcat e saj tokësore.
Ato taktika që përdorën në Bosnjë, ato taktika përdorën forcat serbe edhe në Kosovë. Këtë na e pohon vetë Komandanti i NATO-s, Gjenerali Uesli Klark, duke e pranuar faktin se ishte UÇK-ja, ajo që i nxirrte forcat, tanket dhe artilerinë serbe nga pyjet, qendrat e banuara dhe mjegullat e Kosovës, duke i ekspozuar para aviacionit amerikan dhe angles: “Ne gjithashtu pranonim informata nga UÇK – ja, që kishin të bënin me luftën, e cila zotëronte vijën dominante, vijën kyçe të komunikacionit në veri, në drejtim të Beogradit…Lufta e vazhdueshme e saj i detyronte shpesh forcat serbe të delnin në terren të hapur, ku na jepej neve mundësia t’i godisnim ato. Ne kishim informata të konsiderueshme rreth planeve të UÇK-së për të sulmuar brenda në Kosovë… UÇK-ja i nxirrte batalionet serbe nga fshatrat, permes dyluftimeve, duke na dhënë neve mundësinë t’i sulmonim nga ajri.”, ( Uesli K. Klark ” Waging Modern War”, Oxford, UK, 2001, f. 330)
Por Gjenerali Uesli Klark pranon edhe atë çka shprehëm më lartë, se fitorja e asaj lufte nuk erdhi vetëm prej NATO-s. Ajo ishte fitore e përbashkët, e NATO-s dhe e UÇK-së. Si e tillë, prandaj e kanë urdhëruar z.Uesli Klark që atë luftë të mos e quaj luftë, por thjesht një operacion; një stërvitje, me demek! Dhe ai, duke i qëndruar besnik kodit të nderit të oficerit amerikan, nuk mundet ta mohojë të vërtetën, prandaj, qysh në hyrje të librit të tij, (“Waging Modern War”, Oxford, UK, 2001,f.V), shkruan: “Ne është dashur ta festojmë suksesin tonë, por për arsye se nuk mund ta cilësonim si luftë, nuk mund ta cilësonim atë as si fitore, edhe përkundër faktit se e tillë ishte“.

UÇK-ja nuk ishte organizatë terroriste

Por, menjëherë, sikundër është bërë e njohur, KFOR-i, me në krye Gjeneralin anglez Xhekson, pasi e mori gjithë dokumdntacionin e luftës së Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, në nëntorin e vitit 1999, ia ka dorëzuar edhe Serbisë! Pse, vallë, Amerika dhe Anglia nuk i deklasifikojnë dokumentat e luftrave të tyre para një çerek shekulli e më shumë, ndërsa dokumentat tona luftarake ia dha agresorit kundër të cilit luftuam edhe ne edhe NATO?

Prandaj dhe Serbia ka deklaruar se këto dokumenta do t’i përdorë si fakte për ata që kanë dalë e do dalin para Gjykatës Speciale Ndërkombëtare kundër UÇK-së, e cila është instaluar në Belgjikë, me vendim të Parlamentit të Kosovës. O tempora! O Mores! Dhe, mos harrojmë se atje do të shkojnë ëndërrimtarët, edhe pse Gjenerali Uesli Klark deklaroi me zë të lartë para Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë: “Unë nuk e pranoj definimin e UÇK-së si organizatë terroriste… ajo ishte një shpërthim i një lëvizjeje të rezistencës.Unë dua ta them këtë për tu regjistruar si e dhënë.” (“Kosova Sot”, 25.12.2003).

Por, me sa duket, kjo Gjykatë ka qenë paravendosur qysh në Rambuje, duke e pranuar edhe vetë delegacioni i Kosovës me në krye drejtorin politik të SHP të UÇK, Hashim Thaçin dhe Presidentin e atëhershëm të Kosovës Ibrahim Rugovën, ndryshe pse NATO do të rrëmbente ditaret tanë luftarakë dhe t’ia dorëzonte Serbisë? Këto lajme na bëjnë të hedhim dyshime se cilat kanë qenë arsyet që Komanda e TMK nuk i ka dorëzuar ato dokumenta në Arkivin e Kosovës, por i mbajti deri sa një ditë ka pranuar t’ia dorëzoi KFOR-it? A duhet të ketë pasur vallë një marrëveshje të papublikuar politike a ushtarake, që komanda e KFOR-it t’ia dorëzonte Serbisë dokumentat e SH.P. të UÇK-së? Apo kjo të ketë ndodhur ngaqë Rezoluta 1244 e OKB e quan ende Kosovën pjesë integrale të Serbisë? Derisa edhe zotërinjtë Hashim Thaçi e Kadri Veseli nuk kanë reaguar kur Serbia deklaroi se i ka marrë këto dokumenta nga KFOR-i, mos vallë do të thotë se kanë qenë edhe ata dakort? Mos vallë kjo ka qenë arsyeja pse u çarmatos tak-fak UÇK-ja, për të cilën znj. Medlin Ollbrajt, në librin e saj “Zonja sekretare”, (Tiranë 2003,në f.493-494), shpreh habinë: “Për habinë e disave, UÇK-ja nënshkroi një marrëveshje çmobilizimi me Xheims Rubin-in, i cili kishte qenë ndërmjetësi i bisedimeve, por megjithatë vazhdonte të kishte shumë dyshime për qëllimet e këtij grupi”.

Duke u bazuar në Marrëveshjen e Rambujesë, ku UÇK-së as që i përmendet emri, por veçse nënkuptohet, atje përcaktohet që të çarmatoset dhe t’i jepet gjyqit, gjë që u vërejt edhe në sjelljen armiqësore ndaj UÇK-së nga ana e forcave të KFOR-it, gjatë periudhës së pasluftës kur ajo ende nuk ishte çarmatosur, duke mospranuar që të quheshim më ushtri aleate. Edhe terheqja prej KFOR-it i ditarëve të luftës sonë, na jep të drejtën të dyshojmë se KFOR-i e ka bërë për t’ia fshehur historisë veprimtarinë luftarake të bashkeveprimit të UÇK-së me NATO-n. Dhe kjo na bën të dyshojmë se qëllimi ka qenë i hershëm, për ta shuar nga historia UÇK-në.

E shprehim këtë dyshim, bazuar, jo vetëm në unanimitetin “patriotik” të mazhorancës parlamentare në Kosovë (PDK+LDK+AAK e Nisma), për dërgimin e UÇK-së në Hagë me akuzen: “ushtri terroriste”, por edhe në mohimin që i bëhet UÇK-së nga politikanët shqiptarë, “analistët” dhe “filozofët”, andej e këtej kufirit, duke ia dedikuar tërë lavdinë e asaj fitoreje vetëm Perëndimit. Tradhëtia nuk ka brirë, bërë kjo me ndërgjegje apo nga idjotësia. Jo më kot edhe Presidenti Kroat, Ivo Josipoviç, në takimin me Presidentin serb Nikoliçin, midis të tjerave, tha : “Ne nuk veprojmë si të mjerë, siç veprojnë shqiptarët e Kosovës, të cilët harrojnë gjithçka për asgjë!”,(notification+zrdoog=1irpz@facebookmail.com).

Por, me sa duket, politikanët tanë dhe inteligjenca jonë kombëtare përfitojnë nga ajo që ende populli ynë është në stadin që e pat konstatuar para një shekulli Faik Konica: “Mjerimi i shqiptarëve ka qenë në tërë kohërat të kapej pas individëve dhe jo pas ideve… Historia e Shqipërisë është e mbushur fund e krye me prova të tilla të përngjashme. Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – jo t’i bëjnë qejfin këtij apo atij shqiptari”. (“Albania” nr.16, dt.15-30 korrik 1898).

Tiranë, 12 qershor 2022.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok