25/05/2024

UÇK ishte një dhe e papërsëritshme

0

Nga Prof. Blerim Latifi

Erdhën, protestuan, i thanë qëndrimet e tyre dhe u shpërndanë në mënyrë të qetë. Pra nuk pati kurfarë komploti për trazira dhe destabilitet. Sepse trazirat dhe komplotet ekzistojnë vetëm në fantazinë paranojake të atyre që nuk e mendojnë jetën pa pushtet.

Veteranët e vërtetë të UÇK- së janë të tillë si këta që i pamë sot. Paqësorë, sepse termi “dhunë”, për ta, nuk ka kuptim jashtë luftës për çlirimin e Kosovës.

Natyrisht në protestë kishte edhe politikanë të cilët veteranët i shohin thjesht si korpus votash. Kishte aty-këtu edhe të tjerë që nuk janë shquar në mbrojtjen e vlerave të luftës çlirimtare. Por protestat janë tilla. Gjithmonë ka njerëz që marrin pjesë për qëllime që s’lidhen me to. Sidoqoftë mesazhi i protestës së sotme ishte i qartë si loti: tek veteranët e vërtetë të UÇK- së nuk do të gjeni kurrë mjetet për ta poshtëruar e dëmtuar Kosovën. Përkundrazi. Sepse UÇK ishte një dhe e papërsëritshme. Në krejt historinë e lëvizjeve çlirimtare.

_____________

Postimi i ministrit Sveçla për protestën i plotëson të gjitha kriteret e teorive konspirative. Kur budallenjtë e këtij zhanri flasin nëpër media, dëmtohet mentalisht publiku, por kur një ministër policie e shpjegon kundërshtimin opozitar në terma konspirativë, atëherë rreziku merr dimensione të tjera. Ai bëhet rrezik për rendin demokratik të gjërave. Sepse, duke e projektu veprimin opozitar brenda një konspiracioni kundër shtetit, ti e projekton atë si armike të shtetit. Hapi tjetër logjik është: arrestimi dhe burgosja e saj.  Nëse si ministër i rendit, pas zbulimit të komplotit antishtetëror, nuk vepron, atëherë logjikisht i bie se pasivisht je duke e ndihmuar zbatimin e komplotit…

Këto janë vetëm disa nga rrjedhimet logjike të kësaj mënyre të rrezikshme të të menduarit politik. Fatmirësisht jetojmë në Europë, se po të jetonim në një hemisferë tjetër, këto rrjedhime nuk do të konsumoheshin vetëm brenda përplasjeve verbale politike.

_____________

24 vjet pas çlirimit nga Serbia dhe 15 vjet pas shpalljes së pavarësisë prej saj, pyetja ma e nxehtë në politikën kosovare është: cila nga partitë ka pshtjell më së shumti me Milan Radojçiqin, kryekriminelin e Veriut.

Debati rreth kësaj pyetje është aq i zjarrtë, sa që vetëm fjalët nuk mjaftojnë, prandaj hidhen në veprim edhe grushtet.

Dhe nuk u vjen hiç marre.

Dhe vazhdojnë të rrahin gjokset si përfaqësues të popullit.

Dhe vazhdojnë të flasin për dinjitet e shtet.

Dhe ndërkohë të rinjtë e Kosovës përcëllohen nga vapa duke pritur para ambasadave, në kërkim të një vize për të ikur diku, diku ku dinjiteti e shteti janë gjëra reale, e jo veç retorikë boshe në gurmazin e politikanëve.

_____________

Edhe Hollywood-in e kanë kapë ethet e luftës në Ukrainë. Në nëntor del në kinema filmi “Napoleon” me të famshmin Joaquin Phoenix në rolin e perandorit francez. Napoleon Bonaparti është gjenerali i vetëm europian në histori që ia ka dalë ta pushtoj Moskën. Rikthimi i tashëm i vëmendjes së Hollywood-it tek figura e tij është i lidhur në një farë mënyre me dëshirën e demokracive perëndimore për ta parë disfatën e Rusisë në luftën e Ukrainës. Ashtu si Moska ra pas Betejës së Borodinos, një Borodino e re në Ukrainë, mund të shkaktojë rënien e autokracisë së Putinit.

Por lufta në Ukrainë e ka rikthyer edhe një ankth tjetër nga e kaluara: ankthin e përdorimit të armëve nukleare. Ndaj këtij ankthi Hollywood ka reaguar me një film tjetër, me trillerin “Oppenheimer”.  Filmi trajton jetën e fizikantit Julius Robert Oppenheimer, i cili njihet si “babai i bombës atomike”.

Të dy këta filma shprehin një ndjesi të përbashkët të kohës tonë: iluzioni se e kishim arritur në “Fundin e Lumtur të Historisë”, pas rënies së komunizmit, tanimë ka vdekur përfundimisht. Fantazmat dhe djajtë e të kaluarës janë rikthyer prapë. Ukraina është dëshmia e parë e këtij rikthimi, ndërsa Hollywood-i është duke e bërë punën e tij: sensibilizimin botëror të kësaj dëshmie. Përmes përformancës artistike të aktorëve më të mirë të tij, në mesin e të cilëve me plot merita bën pjesë edhe Joaquin Phoenix.

_____________

Unë duke i lexu kujtimet e Xhemal Kusit mbi dhunën dhe përgjakjet e deputetëve në Parlamentin Shqiptar të viteve ’20 të shekullit të kaluar, kur qe papritur filluan grushtet në Kuvendin aktual të Kosovës. Thua se dolën nga faqet e librit dhe u shfaqen në sallën e këtij kuvendi. Pasionet e hakmarrjes dhe ato për pushtet, i kanë çmendur dhe vazhdojnë t’i çmendin shqiptarët. Dhe ka pak gjasa që kjo të ndryshojë edhe në të ardhmen. Jashtë po bën një vapë e tmerrshme. Kjo vapë mund të përballohet vetëm duke iu qasur birrave të ftohta, prandaj po shkoj t’i marrë ca të tilla. Lavdi gjeniut që shpiku birrën!

_____________

Amerika e futë në Listë të Zezë shefin e UDB-së, Aleksandër Vulinin. Tipi i përfshirë në krim ndërkombëtar, destabilizim të rajonit dhe në bashkëpunim me Rusinë në funksion të këtij destabilizimi.

Pas bombardimit, kjo është goditja ma e madhe për Serbinë, sepse është goditje në mekanizmin më të rëndësishëm të sigurisë shtetit, në shërbimin inteligjent. Dhe sërish goditja vjen nga Amerika, të cilën me budallakun dhe axhamillakun tonë të turpshëm patëm fillu me përçmu e ofendu.

_____________

Janë shkruar mijëra libra për totalitarizmin e stalinizmin, por askush më mirë nuk e ka treguar thelbin e tyre se Kundera në veprat e tij letrare, duke filluar me “Shakaja” dhe “Lehtësia e padurueshme e qenies”.

Janë të pafundme studimet mbi modernitetin dhe kulturën e tij, por asnjëra nuk matet me shkreptimat ndriquese të veprave të Kunderës mbi frymën e kohëve moderne.

Arti i romanit dhe mendimi filozofik në letërsinë e Kunderës arrijnë sintezën më të përkryer, sintezë që asnjë shkrimtar e filozof nuk e ka arritur ndonjëherë. Kjo është sinteza që na mundëson kënaqësinë e rrëfimit letrar dhe njëkohësisht edhe nxitjen e parezistueshme për të reflektuar mbi ekzistencën tonë në botë. Shpirti i kësaj sinteze është brenga e përhershme për lirinë. Në këtë kontekst, të lexosh Kunderën do të thotë të hapesh ndaj një edukimi të trefishtë: edukimit estetik, edukimit filozofik dhe edukimit për lirinë.

Dje Kundera vdiq në shtëpinë e tij në Paris, ndërsa Parlamenti Europian mbajti një minutë heshtje në nderim të këtij europiani të madh. Njëri prej më të mëdhenjve në Republikën Perëndimore të Letrave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok