22/12/2024
Ndue-Dedaj

Përsiatje

NGA NDUE DEDAJ

Ende në veshë, qysh nga fëmijëria, më vjen si një jehonë e largët ulurima e ujkut. Çfarë kishte më shumë në atë zë, trishtim, hakërrim, tërbim? Thonë se çdo ujk ka ulurimën e vet të ndryshme nga tjetri, si zëri i njeriut që nuk ngjet me të askujt. Mbase veç zëri i çjerrë i verrkeqes ishte përherë njësoj!… Tash që ujkun nuk e shoh, duke kapërcyer leqet, ngaqë ka kohë që jam ulur nga mali në fushë, sa herë meditoj rreth njeriut, më ngjan se uni është një kafshë uluritëse brenda tij, shkëlmon vazhdimisht dhe ashtu, i kalamendur siç është, mund të shkallmojë brinjët e të zot. O, kjo nuk ka të bëjë aspak me bestytninë e lashtë se çdokushi nga njerëzit ishte i lidhur me frymën e një kafshe a të një tjetre, si të thuash, dikush merrte frymë nëpër gabzerrin e ujkut, dikush të dhelprës, dikush të cjapit, dikush të qefullit…

Për këto mund ta vriste mendjen secili nga ne, po jo Njeriu i jermuar, ai nuk kishte kohë me mendue për gjëra të tilla të zymta apo bestyte, për më tepër që kishte qenë një natë e qetë, pa bubullima a stuhi. U zgjua si nga një ëndërr diellore. A po nuk kishin filluar rrezet e para të diellit të shponin xhamat e dritares e të binin mbi fytyrën e tij të larëzuar. Doemos që nuk iu shëmbëllye vetja me Aleksandrin e Madh, por kur erdhi puna te Biri i Kastriotit u lëkund pak! Mos, i tha vetes, prit, është shumë! Po kërceu fytafyt ajo vetja tjetër, ç’thua, Gjergji ishte kryekalorës mesjetar, ti je njeriu modern dhe mund të bësh famë trefishin e tij. Ja ku është Brukseli, një vrap pele. Dy vrapa pele Amerika. Tre Kina. Fama, or bablok Shtiqni, fama! Ke ardhur në këtë botë të ngazëllesh e të mos shkosh hupët në atë botën tjetër… A ndiet, pashë Zotin! Jam Uuuuuun’ që po flas, pas meje, poshtë meje, anash meje të gjithë janë miza, bubrreca, bubuzhela.

Kafka e tij ishte kalluar flakë, por ai vetëm sa e ftohte ballin me një faculetë të lagur….

*

Për ta kuptuar sadopak se ç’është në vetvete, i lumi Njeri, nuk do të gërmoj në hepet e antropologjisë, se ç’dëftojnë kafkat e gjenive të mrekullive apo marrëzive, por do të kundroj bash atë vetë, robin e ekzaltuar të kësaj kohe. Si ndodh që ai e mat vetveten me hijen e mëngjesit dhe e shumëfishon me pasqyrën e pa anë të detit, çka është tej sureales. Flet me veten oreçast, të vetmes që i rrëfehet dhe i beson këndelljet, tallazitjet, veset, britmat, klithmat, por*ët. Shpesh thotë të kundërtën e asaj që mendon dhe rreket ta besojë dhe vetë gjënë e shpifur.

Kështu më bëhet se miniera më e madhe nuk është ajo e floririt, por nënvetëdija, aty ku qenia jonë flladitet lakuriq, pa asnjë gjethe fiku përpara…

Aa, më duket se po hyj në të thella! Jo or jo. Mos mendoni se për të shkruar këtë përsiatje do t’iu drejtohem filozofëve, psikologëve, neuropsikiatërve, siç është bërë sot në modë, për të treguar një çikë kulturë perëndimore, se ç’thonë ata për qenien, dilemat e saj, ngasjet, turbullirën ku noton. Me gjithë nderimin e madh për ta, në djall Zigmud Frojdi, Martin Hajdegger, Claude Lévi Strauss… Më mjafton soditja bregut të Lanës, që nuk është as Danubi, as Amazona, bile nuk është hiç lumë, por diçka mes përroit dhe përroskës. Ja, dikush sot mbajti një fjalim në varreza! Dikush tjetër dje mbajti një fjalim në dasmë. Si është e mundur! Idiotësia, pra. Ah, mos këqyrni anash, duke kërkuar me sy atë Tjetrin! Shihni thellë vetes tuaj, ku është ajo kafsha që uluret pa zë. Si ai që mbajti fjalimin në varreza, si ai që moralizoi në dasmë, jemi Ne. Na ka kapluar mania e lavdeve marroke. Nuk shpëtojmë prej tyre sa të jemi gjallë. I lypim më pahir. Dy fjalimtarët, ai i varrezave dhe ai i dasmës, dalin jashtë natyrës së gjërave që të korrin lavdet e njerëzve…

Por mund të mos kemi faj për këtë gjendje qorollepsjeje ku gjendemi, e gjitha gurgullon nga përroi i nëndheshëm i pavetëdijes, ku duket se njeriu ka shkrolën e vet të kotësisë. Nuk ka si shpjegohet ndryshe, që xhentelmeni i sotëm për çfarë nuk llomotit, si duhet bërë shteti e paraja, filozofia e shoqëria, shkenca e arti, si gatuhet tava e krapit e si sush-i. I ka të gatshme të gjitha recetat, do ti njohuri për kibernetikën, për mutacionet gjenetike, për inteligjencën artificiale?…

Thoni ju sa të doni, kjo është trallisje, përçartje, shastisje për vdekje, vlim gjaku në tru, ulurimë ujku, psikopati pa kartelë. Asnjë nga këto nuk pi ujë. Uni i tij ka shpërthyer brenda dhe jashtë lëkurës si fruthi…

O sot, o kurrë! Gjallë a vdekë!

*

…Varrat e jetës sosën shpejt. Ai shkon në varreza dhe çmeritet kur sheh se janë pranë e pranë varri i një shkencëtari dhe varri i një sharlatani. Vetëm atëbotë nis e kthjellohet, zhvishet nga ajo pelerina e shndritshme e mitit të vet. Çfarë mallkimi! Kthen kryet dhe sheh se në krah të tij ka më budallain e qytetit, atë që i binte daulles pa kënduar ende gjelat…

“Vonë, i tha vetes, shumë vonë. Erdhe në këtë botën tjetër pa e kuptuar se ç’është ajo e para!”

Po dilte nga kllapia e gjatë. Nga jermi. Dhe sytë i shkuan te një fik, që bënte hije matanë varrit të tij. Zogjtë nuk e bënin aspak më qëllim, por duke i kokërruar fiqtë në vrap, i lëshonin lëvoret mbi varr si glaska. U ngushëllua kur mendoi se nuk ishin glaska të vërteta. Por nuk gjeti qetësi. Rrasa e vorrit brofi përpjetë. Nuk ishte amaneti i nënës së Kostandinit. S’kishte si të ishte. E gjithë varreza oshëtinte aaaaaauuuuuu dhe bënte me gisht nga ai.

“Ej ti, Njeri, ke lindur një fëmijë të paligjshëm!”

“Unë? A jeni në vete, o shpirtëra! Si mund të lindet një fëmijë pa ngjizje, për më tepër, i paligjshëm?”

“Po! Ai fëmijë kopil… është vetja juaj e kllonuar me djallin!”

Rrasa e vorrit ra me tërsëllimë dhe u thye në katërqind copa…

Tej në pyll dëgjohej ulurima e ujkut dhe kënga e verrkeqes…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok