26/04/2024

TRINOMI POSTMODERN LETRAR SHQIPTAR

0

Nga Nehas SOPAJ

Krahas Ismail Kadaresë, gjithsesi shkrimtarit më të afirmuar bashkëkohor shqiptar, në letërsinë e sotme shqipe janë disa shkrimtarë të rëndësishëm, të veçantë me veprat e tyre, që do të duhej të ishin figurat qendrore për të cilët do të flisnim përditë, t’i njihnim dhe t’i vlerësonim vazhdimisht. Por për paradoks nuk ndodh ashtu, ata vazhdojnë të mbeten në margjina, nuk vlerësohen, nuk botohen dhe prandaj edhe nuk arrijnë në duart e lexuesve që t’i njohë opinioni. Së pari, duhet thënë se shkrimtarët për të cilët është fjala, në opinionin tonë nuk janë edhe gjithaq të panjohur, sado që veprat e tyre nuk janë të vetmet për të cilët shoqëria shqiptare nuk çan kokën për – botimin, vlerësimin dhe popullarizimin e tyre si duhet dhe si meritojnë. Çështjen e trajtimit të keq të një shkrimtari, të vlerësimit shkart ose të vlerësimit me kute, siç dihet, në të kaluarën jo të afërme, krahas armiqve tanë të përbetuar, e ndihmonin edhe ideologjitë politike, prej të cilave ideologjia komuniste e epokës që e lamë mbrapa, sikur i vu kapakun.

Po sot? Sot në ditët tona kur s’ka kush mund të na pengojë, margjinalizimi i shkrimtarëve të rëndësishëm ngel përgjegjësi e atyre të cilët e kanë në duar fatin e tyre: këto janë institucionet e kulturës, botuesit, shoqatat dhe organet letrare, akademitë, institutet e letërisë e katedrat ku studiohet letërsia, të cilët e kanë për obligim të bëjnë çmos që veprat e këtyre shkrimtarëve të botohen, kritika letrare dhe studiuesit t’i interpretojnë, t’u ofrohen lexuesve ato që t’i njohin. Nga ajo që është bërë gjer më sot, asnjëherë nuk mund të themi se puna është kryer përfundimisht, sado të na duket se puna me letërsinë tonë është kryer. Sepse, kur shohim të mos duken në opinion disa emra shumë të rëndësishëm të letërsisë sonë për të cilët e dimë se kanë peshë të veçantë për kulturën tonë, kur nuk i shohim e nuk dëgjojmë të flitet për ta, atëherë kjo tregon se gjërat nuk janë në rregull. Kjo flet se shumë gjëra që kanë ndryshuar, ose nuk janë ndryshuar deri në fund ose ato që na kanë ndryshuar nuk kanë arritur të na bëjnë ta kapërcejmë veten tonë, të transformohemi plotësisht. Prandaj, duhet t’i ritheksojmë dobësitë tona. Kur na bie të shohim në mesin e botimeve autorë dhe vepra diletante tek na serviren nëpër antologji dhe prezantime që duhet t’i gëlltisim si ushqim i zgjedhur shpirtëror, atëherë kjo s’ka si të mos na dëshpërojë, prandaj pyetemi: si është e mundur, ç’po ndodh me letërsinë tonë, a akoma duhet të na dirigjojnë?!

Nuk ka dilemë se s’ka si mos të na brengosë të gjithëve tek i shohim të mënjanuara vlerat e dëshmuara, dhe në vend të tyre, vetëmashtrohemi me vepra të dështuara tek na prezantojnë! Kjo gjë duhet zgjidhur duke mos pritur as edhe një ditë të vetme, para së gjithash, në mënyrë që të ruhet kierarkia e vlerave të njëmendëta, sepse në këtë mënyrë mbrohet dhe ruhet tradita. Duke i prezantuar autorët e veçantë, më të rëndësishmit, përforcohet identiteti ynë, nuk lejojmë çaraveshjen e shpirtit tonë në emër të ndryshimeve që po ndodhin dhe nuk lejojmë të ngjasim çfarë s’jemi para botës. Pa asnjë fjalë, shkrimtarët që kanë dhënë dhe ofrojnë vlera të padisku¬tueshme, duhet ta kenë vendin e tyre të merituar. Nuk guxon të lejohet kurrfarë mbrapshtie rreth këtyre çështjeve që janë me interes nacional gjithëshqiptar. Çështja e ruajtjes së vlerave përmbi pseudovlerat, mund t’ua ngjeth mishtë vetëm interpretëve spekulantë të cilët me dekada na frustrojnë me manipulime. Ata, duke e ngritur infrastrukturën e gjithçkasë të mbrapshtë, ndikojnë dhe kontribuojnë që skena jonë letrare të mbetet e copëzuar; i dezorientojnë lexuesit në emër të vendosjes së vlerave dhe të kierarkisë, në fakt këto dukuri i përmbulojnë me ideologema dhe peudoshkencë, pra pa pardon i normojnë ato me dogma, skepsa dhe pseudoshkencë.

Prandaj, në këtë udhëkryq të kohës sonë është koha që të ashtuquajturin fenomen të distancës kohore   që ka të bëjë me shkrimtarët dhe veprat e tyre, ta orientojmë kah qëllimi fisnik që veprat të cilat kemi dëshmi të mjaftueshme se paraqesin vlera të mirëfillta, të dimë si t’i prezantojmë. Ta ndërtojmë idenë se si duhet ndriçuar akoma më shumë letërsinë dhe shkrimtarët duke i afirmuar, të kudesemi t’i materializojmë dhe t’ua sigurojmë vendin atje ku e kanë. Çështja e vendosjes së shkrimtarëve atje ku ata realisht e kanë vendin e tyre, është çështje që mund të na duket se është lehtë për t’u bërë, por kur fillojnë të numërohen të gjitha konstelacionet shoqërore që presupozon, ngel çështja më delikate: dora e ndershme për tundje para, e cila, është vështirë të gjendet. Sepse, vendosja e një shkrimtari në vendin e vet të merituar nis të ngatërrohet saherë nisin të përzihen kategoritë estetike me ato joestetiket, të cilat, në vend që t’i afrojnë – i largojnë vlerat, i mënjanojnë, i lënë të presin larg tempullit të tyre të receptimit nga opinioni.

Hiq Ismail Kadarenë, shkrimtarin më të studjuar strukturalisht në të gjitha aspektet, tre janë shkrimtarët bashkëkohorë shqiptarë të cilët, sipas meje, urgjentisht duhet të studiohen në hollësi, do të thoja të mikrostudiohen, si individualitete letrarësh ndër më të rëndësishmit të letërsisë sonë. Sipas risive që sjellin veprimtaritë e tyre të gjithanshme me vlerat e vërteta të patundshme, këta janë: Martin Camaj, Teki Dërvishi dhe Beqir Musliu. Ka edhe shkrimtarë të tjerë të rëndësishëm të letërsisë sonë që meritojnë të studiohen dhe të cilëve është detyrë e kritikës letrare t’u japë përgjigje edhe atyre, por ata të cilëve, si të thuash, kahmot u ka skaduar koha, janë pikërisht këta tre emrat të cilët i përmendëm më lart. Mendoj se kahmot pritet mendimi relevant shkencor ndaj këtyre shkrimtarëve, veprave të tyre të shumta; lexuesit presin të njihen e të studiohen dhe mikrostudiohen si nismëtarë të vërtetë të risive që kanë sjellur para kohe epokën postmoderne, prej nga ka filluar të evoluojë letërsia shqipe përpara me një varg ndryshimesh vërtetë të reja që kanë ndodhur dhe po ndodhin sidomos tani në periudhën postkomuniste .

Martin Camaj, Teki Dërvishi dhe Beqir Musliu që me kohë janë dalluar shumë nga të gjithë shkrimtarët tjerë bashkëkohorë shqiptarë. Ata janë krijuesit e parë të letërsisë së formatit postmodern që me prurjet në laboratoriumet e tyre, kanë dëshmuar veçantinë e tyre autonome. Prandaj, duke i parë temat dhe idetë shumë interesante, dhe sidomos duke i parë mënyrat krejt të reja të shkrimeve të tyre, të panjohur më parë në letërsinë tonë, ata duhet të jenë më të parët objekt shqyrtimesh, analizash dhe hulumtimesh të holla shkencore. Këta krijues kanë pikat e tyre të përbashkëta të përgjasimit, sikundër që kanë edhe pikat e dallimeve. Kjo mund të shihet në natyrat e tyre të mimezisit dhe të katarsisit që i shquan si krijues, veç e veç. Ky trinom krijuesish që krijojnë poezinë, prozën dhe dramën njëkohësisht (përjashtim bën Martin Camaj, i cili është edhe filolog, gjuhëtar), e kanë shkallën e superlativit të risive që sjellin në të gjitha zhanret letrare që i kultivojnë. Sado krijues llojesh dhe zhanresh të ndryshme letrare, ajo që më së shumti u flë në shpirt atyre, është poezia, prandaj do të theksoja se ata mbi të gjitha janë poetë dhe pastaj janë edhe prozatorë e dramaturgë.

Këta shkrimtarë, lexuesi shqiptar i njeh (i njeh mirë, i njeh pak ose s’i njeh fare) si shkrimtarë të formatit postmodern. Ky fakt, bën që sot për sot presupozon një inercion moskomunikimi ose një impakt të vogël të lexueshmërisë së tyre. Por, siç ndodh zakonisht me shkrimtarët që lindin me talent, po para kohës së lexueshmërisë së tyre, këta shkrimtarë sikur po përjetojnë moslexim dhe mosreceptim mbase për shkak të shfaqjes para kohe të kodifikimit teorik të lëvizjes letrare që paraqet ajo, në rastin konkret, të postmodernizmit, të lindur në kontekstin kohor të soc-realizmit zyrtar. Prandaj, karakteri postmodern i cili i tipizon stilet që aplikojnë ata në veprat e tyre, u shkakton “huti” dhe “kokëçarje” jo vetëm lexuesve, por edhe studjuesve, sidomos atyre me mbathje të vakët shkencore, në radhë të parë studjuesve pozitivistë që janë me shumicë ndër ne. Edhe pse mosreceptiviteti në një shkallë më të lartë borërore s’vihet në diksutim, them se si shkrimtarë bashkëkohorë, edhe këta shkrimtarë modernë dhe postmodernë, ka ardhur koha kur duhet të studiohen, madje edhe me përkushtim. Prandaj, duhet theksuar se kjo gjë ka për qëllim ta shënojë veçantinë e këtyre shkrimtarëve, e si lexues i pasionuar i tyre, por edhe profesional që insiston të mos lihen në harresë ata, sepse janë figura madhore të kombit.

Këta shkrimtarë të parë të mirëfilltë postmodernë shqiptarë, kanë sisteme poetike të veçanta që i aplikojnë. Ato lexuesi mund t’i pikasë menjëherë, me një pamje të parë të vëmendshme. Edhe pse kanë gjerësinë, thellësinë dhe madhështinë, pakrahasimisht më të pamatshme, përballë, le ta zëmë, veprave letrare të disa autorëve minorë të cilët sot i shohim si megashkrimtarë (e të cilët nuk ia vlente as të përmenden fare), këta shkrimtarë në shtetin amë s’i boton kush. O s’i njeh shoqëria e botuesve, o nëpunësit shoqërorë nuk janë çrrënjosur akoma nga mentaliteti soc-realist ose krahinorë duke i ruajtur kufinjtë e ndasive artificiale të kulturës sonë kombëtare e cila është e pa ndashme. Por, edhe nëse e botojnë ndonjërin sosh, si psh. Martin Camajn, nuk e lexojnë; pastaj mungojnë interpretimet dhe interpretuesit adekuatë profesionalë, të cilët dinë t’ua ndriçojnë kuptimet veprave të tyre.

Martin Camaj, mjeshtër i fjalës dhe i mendimit, erudit dhe enciklopedist i llojit të vet, për nga natyra shkrues dhe kultivues i të gjitha diskurseve, prej atyreve folklorike e deri te ato pastër postmoderne, në të gjitha llojet dhe zhanret, paraqet shkollë më vete letrare që nga tradita di ta marrë më të mirën për të dalë pastaj mjeshtrisht në një poetikë moderne dhe postmoderne, një futurist i çuditshëm që në kështjellat e tij prej metaforash dhe metonimish, bredh mes mundësisë dhe pamundësisë së fjalës, ndërmjet kozmogonisë, kozmopolitizmit dhe ngjyrërave të saj të zjarrta, shëtit me poezinë mes artit dhe artefakteve ku prehet pasi të jetë dehur. Shumë vjetë, shkollë për shkrimtarët e Kosovës, Martin Camaj nga një shkrimtar i angazhuar kërcen në krijues të artit të pastër, hermetiku i parë që evoluon drejt postmodernizmit.

Për arsye objektive dhe subjektive, pas vdekjes Martin Camaj u botua nga botues së ndryshëm, për çka figura e tij letrare filloi të ndriçohet dhe madhështisë e tij të gjithanshme sikur po i hiqet velloja e mosnjohjes. Vepra e gjerë e autorit pas botimit të dy kompleteve, botimeve të veprave  të zgjedhura dhe përzgjedhjeve të ndryshme, lexuesit ia kanë ofruar mundësinë e leximit. Gjithashtu, mund të thuhet se këtë autor sikur  e kanë lexuar dhe interpretuar edhe lexuesit profesionistë, sado që jo në masën e duhur. Me këtë, borxhi kombëtar ndaj këtij kolosi të letërsisë së sotme shqipe, në dukje të parë, duket sikur po lahet. Kjo gjë, megjithatë nuk po ndodh me të dy korifejt e tjerë, Teki Dervishin dhe Beqir Musliun, të cilët po vazhdojnë të jenë “të vegjël” në sytë e lexuesëve për shkak të mosnjohjes së veprave të tyre: pikë së pari për shkak të mos botimit të tyre në gjithë hapësirës shqiptare, kurse në shtetin ëmë posaçërisht, pastaj për shkak të natyrës së shkrimit të tyre postmodern që shpesh qëndron në diskordancë me horizontin e pritjes së lexuesëve.

Teki Dërvishi është demaskues, ironizues dhe alegorizues i koekzistimit të qenies shqiptare mes pushtuesit barbar serbosllav dhe veglave më besnike të tyre, shqiptarëve tradhëtarë. Ai në shkrimet e tij e zhvesh dhe demaskon pamjen artificiale të ish Jugosllavisë duke e koduar atë me një satirë tepër therrëse mu në kohën kur të tjerët i thurnin himne dhe panegjiri kreaturës së saj. Mjeshtër shumë i hollë i ironisë, sarkazmit dhe parabolës, i simboleve, metaforës dhe metonimive nga më të ndryshmet, që gjuhës së tij i japin forcën sintetike si në veprat letrare, ashtu edhe në publicistikë, ai do të jetë një individualitet i fortë e madje edhe unik i letërsisë sonë. Mes artit të angazhuar dhe të paangazhuar, mes syrealizmit dhe artit të pastër, Teki Dërvishi është i pari që përqafon eksperimentin dhe postmodernizmin dhe ia del me sukses të bëjë një mori veprash me vlera të padiskutueshme artistike.

Beqir Musliu është syrealisti i parë hermetik, një ngritës i figurave nga më të ndryshmet prej atyre mitike dhe biblike (ngjashëm si edhe T. Dërvishi) në nivel të komunikimit artistik, në një sistem figurash tjera, pastër të letrarizuara dhe të mitologjizuara, që i trajton brenda një kështjelle specifike shkrimi, pastër artistike, lëvrues i simbolit, metaforës dhe gjuhës abstrakte, pastër letrare, aplikues i lojës me fjalë, gdhendës i fjalës dhe të mendimit. Lojtar me fjalën artistike dhe durimin e lexuesit, B. Musliu mund të sprovohet me lloj-lloj eksperimentesh artistike tmerrisht të skajshme, një flamurtar i formalizmit që s’e gjen edhe një tjetër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok