08/05/2024

TRI POEZI PËR REPUBLIKËN NDËR VITE

0

Nga Prend BUZHALA

DRITË E PASOSUN

(Vargje për Republikën)

Ja, edhe një Buzëqeshje e shkruan Ligjin e Republikës,

edhe një Vuajtje e Përbashkët e nënshkruan Fletën e Madhe.

Për një çast edhe dielli, thonë, u ndal

për ta përshëndetur një urim të ri

që u përhap në të katër anët e botës.

Thonë, dielli u ndal:

për ta dëgjuar edhe një zë që këndonte në thellësi të tokës,

zëri vjen e i mbulon klithmat tona, plagët dhe trishtimet,

e na thotë: secila plagë lehtë shndërrohet në ushtar,

secila klithmë lehtë shndërrohet në një armë luftëtari,

dhe secili trishtim lehtë i thyen kafazet e botës.

(Përtej këngëve dëgjon Tingullin e Palindur,

përtej Natës ndien ardhjen e Rrezes së Agut,

përtej Dhembjeve të Ndritshme ndien sythin e farës së Lirisë).

Dëgjoni këta zëra të fshehtë në barkun e tokës

që ndjekin loz pas loze gjakun tonë:

prej Stërgjyshit të parë e deri te Stërgjyshi i fundit

deri në Dardani e deri në Pellazgji,

nga I Pari i Dheut e deri te foshnja që lind në këtë ditë.

Pastaj Dielli lëvizi,

dhe e dhuroi Dritën e Pasosun që e mbron këtë dhé.

(17 shkurt 2020)

 

PORTA E THYER E REPUBLIKËS

(Çast lirik)

Mbesa i tha gjyshit sot në mëngjes:

Gjysh, ma mëso Himnin e Republikës sonë,

ta recitoj përmendësh!

Gjyshi heshti pikëllueshëm.

Nipi i tha gjyshit:

gjysh, më ço te Porta e Madhe e Kosovës

ta shënoj emrin e dëshmorit që unë e dua.

Gjyshi heshti. Ato Porta të Mëdha nuk ekzistojnë.

Porta e Fundit një mbrëmje më parë tashmë ishte thyer.

Mbesa i tha gjyshit:

gjysh, eja shkojmë ta blejmë një tufë lulesh

për ta nderuar Republikën.

Kishte vetëm lule plastike.

Kujtimi i të rënëve nderohet me plastikë.

Nipi i tha gjyshit:

pse sivjet nuk na erdhi në shtëpi Mysafiri i Nderit.

(Mysafiri i Pikëlluar nuk gjeti portë të vinte…).

Nipi dhe mbesa u nisën.

Në dorë kishin çelësin për ta hapur Derën më të Rëndë.

(17 shkurt 2019)

 

ME NJË BEKIM SOLEMN NË DARDANIA SACRA

(Çast lirik)

1.

Po i del në Takim Ditës Solemne

me Muzat e Helikonit e me Orën e Maleve.

Si t’i dalësh stuhisë përpara, me krejt mileniumet mbi supe.

Nuk po të kuptoj, ç’të duhen gjithë ato këmisha, flamuj dhe pergamena?

Thua:

krejt janë të palara, më duhet t’i pastroj nga balta e baltosjet.

Thua: u nisa për Takimin Festiv, e ika nga kutërbimi i miteve të rrejshme.

Më duhet t’i pastroj krejt Të Vërtetat nga bashkat e gënjeshtrës mbi lëkurën time.

Baltën që ma hodhën në fytyrë për 500 vjet. Lëkurën e plasur për një shekull.

U bëra Njeriu Më i Pafytyrë Me Vetveten. Më i gjymtuari në trup e në shpirt.

2.

Nuk më mbeti vend. Po ik edhe nga Shtëpia Ime, diku larg.

Te Një Atdhe i Tjetërsojshëm, ku ka vetëm diell e re. Banorë të Diellit.

Dielli e retë nuk kanë histori. Nuk u duhet historia. As monedhat e arta.

As shenjtëri të palarash me gur skalitjesh të ftohta. Ftohtësi polare.

Por mos u frikësoni, nuk është ky Apokalipsi që fshin gjithçka e shkatërron.

Sepse këtë tashmë e kanë bërë njerëzit duke eklipsuar gjithçka.

3.

Ani, po i sjell me vete Diellin e Retë këtu, nga Atdheu Im i Tjetërfarshëm.

Le të marshojnë nëpër hapësirën e paanë mbi ne.

Nuk ke si t’i pjesëtosh me shenja guri e kufij. Në këtë vend Banorësh të Diellit.

Te Ky Atdhe Yni i Përbashkët. Me vete solla dhe Pergamenën e Dardania sacra-s.

Le ta bekojnë dhe këtë Çast Solemn.

(17 shkurt 2014)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok