21/12/2024

TRI DITËT TONA TË LUFTËS

0
Ndue-Dedaj

Tregim nga Ndue Dedaj

Tri ditët tona të luftës nuk u shkruan askund në kalendarin e fitoreve a humbjeve të republikës, as në ndonjë ditar të thjeshtë ushtarak, qenë s’qenë, paçka se atë dhjetor të vitit 1981 lanë një ndjesi të pashlyeshme habie ndër ne universitarët dhe nxënësit e shkollave të mesme të qytetit të lashtë mbi Barbanë, që zuri fill prej murimit, njëherësh, të tradhtisë dhe besës së tre vllazënve, në kodrën shkëmbore të Valdanuzit. “I ra mjegulla Buenës…” ishte e pamundur mos me të shoqërue si një kolanë zanore brenda teje. Aq fort e kishte mërmëritur era e malit, lumit e liqenit atë frazë, sa tashmë ajo ishte ngurosur ashtu si vetë vasha e flijuar e kështjellës, një flijim që do të ndodhte aty sa t’i binte dielli tokës, edhe në kohët moderne, ku përherë e flijuar do të ishte gruaja e gjithëhere flijuesi do të ishte burri…

Sapo ishim nisur dhe nuk dinim se kur do të sosnim atje ku të zhvillohej beteja. Ishte një luftë pa krisma. Pa komanda mësymje apo tërheqje. Pa strategë ushtarakë përkulur mbi harta luftimi, me shkop të hollë në dorë, si dirigjentë të rreptë. Pa topa e mitroloza që gjëmonin me batare mbi armikun. Pa radio ndërlidhëse dhe pa qendër zëri, ku të lexoheshin komunikatat pas betejave. Kush ra dhe kush mbeti gjallë. E si mund të ishte një luftë më e paluftë se kjo! Nuk na kishte sulmuar askush. Kufiri ishte i qetë, kordoni i tij varej mbi gryka të thepisura alpesh dhe vinte e binte në ultësirën e Hotit, për të përshkuar si një gjarpër gjigand liqenin më të madh të Ballkanit, që na duhet ta ruanim ditë – natë të mos kafshonte. Ëh, kufi londinez, pasi në të vërtetë edhe matanë kufirit flitej shqip, ishte tokë shqiptare, që banohej prej shqiptarësh etnikë, por shteti atje tej ishte serbo-malazez. Kufi gjarpër? Nëse kufijtë e shteteve gjithkund kanë qenë ngapak të tillë, kufiri që kishin ndarë për ne ishte gjarpër me shtatë krerë. Kishin ngritur dorën si shpatë Damokleu ata burrat hijerëndë të Europës veshur me frak, në vitin 13 të shekullit XX dhe këtu ajo dorë kishte rënë si sopatë duke krijuar, si një të çarë plage, vijën që ndante në dysh të njëjtin dhé.

Po në vitin e 13-të të atij shekulli, në familjen Shehu në Mallakastër, kishte lindur një fëmijë i guximshëm që një ditë do të bëhej luftëtar internacionalist në Spanjë, më pas komandant i Luftës Nacionalçlirimtare në atdheun e tij dhe pas çlirimit Kryeministër për afro tridhjetë vjet rresht. A ndiet? Një sheh – komunist! Dy hoxhë – komunistë! Njëri në Shqipëri, tjetri në Kosovë. Por të ndalemi te ngjarja e fundit. Vetëvrasja në Tiranë e kryetarit të Këshillit të Ministrave, tri ditë më parë, natën e 17 dhjetorit, kishte tronditur vendin, nga bregdeti i fortifikuar deri te stanet në bjeshkë. Ende nuk e kishim marrë veten nga lajmi “nervoz” i KQ, lidhur me atë vdekje, kur na urdhëruan të linim auditoret e të vishnim uniformën ushtarake, pasi të kishim përlarë kallashnikovët nga depot e armatimit. Viti i Ri dukej aq i largët, si të ishte viti një i epokës dhe jo se binte pas një jave, i vetmi shenjë i të cilit ishin disa makina me portokalle që vinin nga riviera e Jugut.

Si për ta bërë atë muaj dhe më mortor e luftën tonë më të hatashme, ia kishte behur shiu, një shi i çmendur, i ftohtë, kokërmadh, i përzier me breshniz, që sikur do ta shkulte nga rrënjët kështjellën e drobitur të socializmit. Sigurisht që atëherë nuk mendonim për këso gjërash, bile nuk mendonim fare. Kishte aq kohë që truri ynë qe zbërdhuk si një rrobë që kishte ndenjur gjatë në diell, edhe ata që kishin menduar dikur, kishin harruar ta bënin një gjë të tillë, përpos atyre që ishin ndryrë në tela. Qyteti numër një në botë për batuda, s’e kishte harruar zakonin, por tashmë ato i thoshte me gjuhë të ngjeshur pas dhëmbëve. Kushedi se çfarë mund të ishte thënë për luftën tonë ato ditë nga gjuhët e nëndheshme të qytetit, nga i madhi Tefë Palushi, ndërkohë që ne, me pajimet e hedhura mbi supe, marrshonim nëpër natë drejt së panjohurës. Djem që nuk kishin pasur kohë të na qethnin si rekrutët dhe vajza që nuk iu rrinin mirë flokët e gufosura poshtë kapave ushtarake. Karvani ynë ngjante i pafund ngaqë zvargej udhës, kryqëzohej ndonjëherë me atë të të rinjve të shkollave të mesme, që ishte dhe më i stërgjatë. Në gjithë atë fushënajë dimri silleshim vetëm ne. Asgjë tjetër s’pipëtinte. Nuk na ishin bashkuar as gratë e forcave vullnetare, që depon e tyre të armatimit e kishin në qendër të çdo fshati. Të paktën të kishin dalë me ndonjë tepsi me gështenjë të pjekura, pasi kodrat aty pari ishin plot me gështenja shekullore.

Qyteti i Veriut kishte garnizonin e vet ushtarak, me qindra ushtarë, rezervistë dhe oficerë aktivë, por ata nuk ishin në luftë. Në luftë ishim vetëm ne që nuk ishim gatuar për atë punë. Ama as në dasmë nuk po shkonim, ashtu si turmë mundimqare. Të ishim dasmorë, të paktën do të këndonim sipas motive të folkut të krahinave nga vinim. Kurse kështu as këngët partizane nuk na ngjisnin. Ndoshta ngaqë lufta jonë nuk ishte një luftë partizane. Kjo puna e luftës partizane ishte një gjë e ngatërruar, sa më mirë të mos ngatërroheshe me të. Do të luftonim partizançe si vietnamezët, apo kërkoheshin taktika dhe plane operative më të sofistikuara, pasi nuk ishim më në vitet ‘40. Çfarë do të kryenim, sulme apo kundërsulme, goditje apo kundërgoditje? Do ta shndërronim, po të vinte rasti, fushën në mal? Pasi, afërmendësh, malin s’e kthenim dot në fushë në asnjë situatë luftimi. Kjo ishte çështja, të rrosh a të mos rrosh. Shkurt, ajo situatë kishte ngrënë koka “puçistësh” të ushtrisë, ngaqë nuk kishin ditur si t’i hartonin ato tezat e mbrojtjes, e në vend të tyre, kishin formuluar kundra-teza!? Pra jo vetëm që nuk këndoheshin këngë heroike nga ne, por një shoqe e jona studente qante me lot shpirti që ia maskonte shiu. Tre muaj më parë vëllai i saj ishte qëlluar në përpjekje për të kaluar kufirin, bashkë me dy shokë të tijët. Ishin vrarë nga kufitarët tanë në njërën nga ato qafat e mbuluara me mjegull e gjak. Diku qanin dhe motrat e atyre dy të tjerëve, por nuk duhej t’i shihte askush me sytë e përlotur, pasi vëllezërit e tyre kishin dashur të arratiseshin, ngaqë (o Zot!) nuk e donin më vendin!? Ato vasha nuk mund të ishin Doruntina. Por nuk ishte koha për t’u djerrur as në ndodhi tragjike të ditës e as në balada të lashta bese. Këmbët tona shkelnin në baltat fushore të Malësisë së Madhe, kurse mendja na rrinte atje ku kishte ndodhur gjëma kryeqytetase. Nata me shi bluante e përbluante mendime të turbullta. Ishte e qartë që atje lart nuk kishte më besë. Besa kishte dhënë shpirt në Byronë Politike. Diçka e rëndë kishte ndodhur me të, përderisa për anëtarët e vdekur më parë të udheheqjes së lartë kishte pasur shtrat topi, të shtëna me breshëri sipas protokollit qeveritar, ditë zie, flamur në gjysmë shtizë, delegacione të huaja, gazeta me faqen e parë futur në shirit të zi, edhe ato sportive, fjalime të dhimbshme për humbjen e madhe, kurora të pafundme me lule, rapsodi të atypëratyshme, kurse për vdekjen e dyshit të partisë dhe të shtetit nuk kishte pasur asgjë nga këto, vetëm 7-8 rreshta të thatë në gazetë dhe radiotelevizion, ku thuhej se Kryeministri kishte vrarë vetën pas një krize “nervoze”. Kriza, pra, kishte qenë jo nervore, çka do të ishte një fjalë e pranueshme, por nervoze, që sipas kupolës “përligjte” në popull atë çka kishte ngjarë, nga një njeri me temperament të tillë, gjaknxehtë, çdo gjë mund të pritej!…

Të ecurit në kolonë fushënajës së Mbishkodrës nuk kishte të sosur. Si të ishim duke përshkuar Saharanë atë dimër. Mesnata na zuri në një fshat rrëzë malit. U ulëm të pushonim mbi ca gurë që ngjanin si gjollë, por shiu na futej ngado. E sa mund të na mbronte në atë rrebesh një pelerinë e hollë doku kaki. Atëherë sulmuam mullarët, kush e kush të futuj mes barit, që nuk e kishte depërtuar ende shiu nga brenda. Kur me dy shokë shkuam të futeshim në mullarin e vogël të sanës mbi një cuprrele, pamë se aty kishin ngrehur folezën e tyre të dashurisë dy studentë që njiheshin si Romeo dhe Zhulieta. Kur ata vunë oroe se ne po largoheshim, na zunë për duarsh që të mos iknim. “Nuk do të shkoni askund! Ky mullar na zë të pestëve”. Ata të dy s’bënë dashuri, ne s’bëmë gjumë.

Kishte nisur dita e dytë e marrshimit, nëpër shi e llohë, dhe nuk e dinim sa do të vazhdonte kjo monotoni nëpër tymtajë. Këmbët kishin filluar të na enjteshin. Kur erdhi mbrëmja na u bë se kishim një muaj që po ecnim kuturu. Fati jonë qe një stallë e madhe lopësh sa për të shmpirë këmbët, por nuk qemë ne fati i saj, pasi disa nga tanët i shkulën ndarëset dhe me to ndezën “zjarrin partizan”, siç e quajtën ata. Kjo bëri që të jepej alarmi dhe ne përfunduam në rresht. Menduam se më në fund ia kishte behur armiku dhe ne tashmë duhej të luftonim. Por jo, duhej bërë gyqi i atyre që kishin prishur stallën! Si masë dënimi për ta u caktua zvarritja tri herë deri te bregu i liqenit e kthim. Ashtu kaloi ajo natë. Pa na ngrohur ai zjarr…

Të nesërmen, që ishte dita e tretë e luftës, doli një larë dielli, po që nuk mjaftonte për të ngrohur shpirtërat tanë të mpirë. Ishim aq pranë kufirit sa nuk kishim qenë kurrë! Na vunë të bënim disa ushtrime ushtarake demonstruese, me brohoritje në fund, ani se nuk kishim zë. Ne po kundronim kufirin dhe kufiri pa na sodiste ne. Shefat na falënderuan, sa nuk kishte nisur prapë shiu, pasi retë qenë bërë sterrë mbi liqen. Dëgjonim ndonjë përshpëritje se tri ditët e tjera do të marrshonim drejt Bjeshkëve të Namuna… “Heu!” Nuk dihet se kush e lëshoi këtë pasthirrmë, si një psherëtimë. Ndoshta kishte dalë nga goja e oficerit të moshuar, që tash kujdesej për punët e prapavijës. Iu afrova dhe e pashë në sy. Ndihej i lodhur. Ishte ushtarak karriere, kishte shërbyer gjithmonë larg, e kisha njohur shumë vite më parë, kur ai pati ardhur në anët tona me një skuadër ushtarësh për të hapur një tunel të madh tankesh në rrëzë të Terbunit. Ai me siguri që po mendonte se si do të shkonte kjo ushtri e brishtë deri në Alpe. Mund ta bllokonte bora qysh në Leqe të Hotit. As Plaku i Qafës së Malit nuk kishte me e zgjidhë këtë punë. Ai që dinte se si do të ishte moti sot e pas një jave. Doemos që nuk ishte moti gjëja kryesore që e shqetësonte oficerin, por lufta që (s)na priste. Ajo pasthirrmë e tij mbeti si i varur në atë mjegull të ftohtë…

Por asgjë e re nuk ndodhi në frontin e perëndimit. Kur po errej, u dhanë dhjetëra makina ushtarake dhe na nisën për në qytet. Si duket kaq kishte qenë misioni ynë luftarak, që ia ruajtëm nderin tek ai mullari i vogël mbi cuprrele, por e njollosëm disi me djegien e asaj stallës. Kishte filluar të na vinte gjuha. Nuk kishim folur tri ditë rresht. Asnjë bisedë nga askush dhe me askënd. Bash për këtë dhe ky tregim nuk ka asnjë dialog. Edhe Romeo e Zhulieta nuk flisnin me njëri-tjetrin, dhe pse shkonin dorë për dorë në marrshim, falë komandantit të togës, një profesori filozofie liberal, që kishte lejuar pakëz dashuri në atë shinajë të mjegullt. Tash po donim t’ia kalonim dhe Tefës me batuda, megjithëse s’na kishte dhe aq grat, pasi ende këmishat i kishim të ngjitura për trup.

E harruam atë marrshim në shi e në të ftohtë, si të mos kishte ndodhur kurrë, edhe pse këmbët do të na dhembnin dhe nja dy javë. Dukej sikur kishte qenë një shaka e fatit, një trill i keq, një gjasë e paemërt. Në gjuhën e ushtrisë, për stërvitjet e mëdha, përdorej fjala Lojë dhe ajo e jona mundet që qe një e tillë. Një Lojë për t’i treguar armikut matanë kufirit se ne jemi shkëmb graniti, të pathyeshëm, nuk tundemi siç nuk tundet Taraboshi, edhe pse Kryeministri ynë legjendar nuk rron më… i përfolur atëherë e më sot, për vdekjen e tij enigmatike mes vrasjes dhe vetëvrasjes.

Oficeri i moshuar, që natën e kthimit në qytet u shtrua në spital pas një sulmi kardiak, i shpëtoi ndërhyrjes në zemër. Do të dilte në lirim me dëshirën e tij, pa e pritur pensionin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok