26/12/2024

TREGIMTARIA POETIKE E BEDRI TAHIRIT

0
Bedri-Tahiri-Gur

(Bedri TAHIRI, “Gur i diellit shenjëtor”, “Meshari”, Prishtinë, 2013)

Shkruan: Xhemail PECI – Londër

DIELLORI: PUSHKA DHE STRALLI

PENA: ESHKA DHE UNORI

“Natën time të fundit në Zyrën Ovale tashmë të boshatisur, unë mendova për arkën e qelqtë që unë e kisha mbajtur në tavolinën time të kafes pak hapa larg meje. Aty ishte një gur të cilin Neil Armstrong e kishte marrë në Hënë në vitin 1969. Sa herë që diskutimet në Zyrën Ovale e kapërcenin arsyen njerëzore, unë ì ndërprisja ata dhe thoshja: ‘A e shihni atë gur? Është 3,6 miliardë vjeç. Ne të gjithë do t’ì nënshtrohemi kohës si ai. Le t’ì ftohim gjakrat dhe t’ì rikthehemi punës’. Ai gur hënor më dha mua një këndvështrim krejt të ri të historisë dhe të ‘rrjedhës së gjatë’ proverbiale.” (Bill Klinton: Jeta Ime)

“Dielli është sundimtari i botës. Besimin në fuqinë e tij e trashëguam nga të parët tanë. Diellin e çmuam më shumë se jetën…” (Bedri Tahiri: Diellori)

Përmasat Monumentale të Diellorit

Lirisë së Kosovës i ka munguar Ushtria Çlirimtare e saj, kurse Epopesë së Ushtrisë Çlrimtare të Kosovës, pas luftës sikur i ka munguar deri diku letërsia e saj në përmasat në të cilat do të përfshiheshin shumë anë vrojtuese. Bedri Tahiri mëton për ta plotësuar një zbrazëtirë të tillë.

Tregimtaria e tij shquhet për rrëfimin retrospektiv, i paraqitur përmes kryepersonazhit që evokon, që shpalos kujtime, që me monologun e vet e paraqet sa dramën individuale po aq edhe ate kolektive. E gjithë kjo me një shprehje të pasur gjuhësore, me një frazeologji të larmishme e me poetikën e veçantë të narracionit krijues, ku shquhet sa urtësia e të medituarit, po aq edhe lartësia e stilit.

Libri “Gur i diellorit shenjëtor” hapet me tregimin Helmimi, ku nëpërmjet dialogut i cili vihet në funksion të zbërthimit tematik të gërshetuar me rrëfimin retrospektiv, rikujtohet periudha “në mote ogurzeza.” Profesor Petrit Mala është personazhi i rrëfimi që në vete ngërthen elemente autobiografike të narratorit. Profesor Mala kujton ballafaqimin me vdekjen dhe segregacionin me helmimin, si plane të ekspirementuara “për herë të parë në komunën” e Vushtrrisë. Përmes një evokimi të gjallë, ai i ka ende të freskëta pamjet trishtuese me: “Djem e vajza të alivanosur”, të cilët “përpëliteshin me vdekjen.”Rrëfimi zhvillohet në dy linja kryesore, në ate ku paraqiten pushtuesit VRASËS që në shënjestër kishin rininë shqiptare, të cilën e godasin përmes helmimit, siç shprehet autori: “sipas skenarit të sofistikuar”, e ku për krah mjerisht kishin “edhe ndonjë puthadorës shqipfolës”; dhe në linjën e dytë ku paraqitet qëndresa e masës dhe pathyeshmëria e saj, e cila kulmon me figurën e profesorit si një sublimim i atdhedashurisë dhe rezistencës së pathyer: “Listën e emrave të nxënësve të helmuar të shkollës së tij dhe në gjithë rrethinën e Vicianës së lashtë, nuk ua dha se nuk ua dha cerberëve kaprpatianë e as kukudhave trutharë.”

Rrëfimi Një thëllëzë për nipin është pak më i veçantë në diskursin krijues të Bedri Tahirit. Mund të thuhet kështu sepse ky tregim shquhet për një kontrast ndejnjash, për një “mallëngjim trishtues”, e që në kontemplacion e sipër e ka porosinë e gjyshit: “Mos u gëzoni se po vjen Viti i Ri, por mërzituni se po shkon jeta!” Një filozofi e këtillë popullore shfaqet përmes frazeologjisë së pasur që e përshkon sa rrëfimin edhe librin në tërësi, e ku autori e njeh aq bukur botën e florës dhe të faunës shqiptare, të cilave në përshkrimin që u bën, u falë aureolën e tregimtarisë së tij poetike. Personazhi është vetë autori që ecën dhe mediton. I ndodhur mes kujtimeve për apotheozën e ujit e cila “gjithë vendin kërcënoi pamëshirshëm” (si një parodi e Apotheozës së Misrit që e hasim tek Migjeni) dhe bardhësisë së natyrës: “Kjo bardhësi verbuese seç më gici thellë në shpirt”, autori e shpalos botën e tij përmes një kuadri të ri, në të cilin shfaqen: “lepujtë, pëllumbat e egër, thëllëzat, patat e egra.” Në një sfond të tillë, autori kërkon diçka të veçantë, shumë më të veçantë se ajo që shfaqet në pamje të parë: “Ecja e ecja gjithë ditën nëpër borën deri mbi gjunjë dhe kur kthehesha në mbrëmje, i lodhur e i bërë qull, frymëzimi për të hedhur diç në letër më priste te pragu.” E në mënyrë të veçantë, autroi shprehet se: “Thëllëzat më joshin si vera nëntëvjeçe me aromën e saj dehëse.” Një thëllëzë e goditur për nipin e vet Taulantin, e shtyn shkrimtarin të nxjerrë në pah mendimin e shprehur në mënyrë filozofike nga holandezët, se: “çdo gjë ndryshon, edhe ndryshimi ndryshon!”

Në tregimin Shterani, si në një parabolë projektohet ripërtëritja e jetës në një idilë familjare, e cila “në gjirmë të vatrës së tyre të stërlashtë” shquhet për “bujari, burrëri, mençuri e mature”. Gjakimi për trashëgiminë – ripërtëritjen e jetës jepet në sfondin se a mund të bëjë dikush magji të zeza, e ku përgjigja është tepër simbolike: “askush nuk mund të bëjë magji aty ku ka harmoni familjare”. E njëjtë gjë mund të thuhet edhe për shtetin, e dëshira për ta parë një fëmi në votër: “një bimë në atë truall stërgjyshor”, bëhet njëmendësi, sepse aty “ku, përherë kënduan ëmbël grykëhollat”, tani “një zë i mekur grisi memecllëkun e kullës së vjetër”. Në përmasat e gëzimit të tillë, autori e fut frazeologjinë e pasur popullore e të modifikuar në penën e tij të mprehtë, prandaj ardhjes në jetë të një djali, bën që t’i gëzohen edhe kulmi, por edhe trarët e shtëpisë.

Nga kjo pikë, shkrimtari Bedri Tahiri e bart tregimin në rrafshin e futjes së motivit të gurbetit (fjala vjen, si tek proza e Çajupit), ku burri ka shkuar për të mbajtur familjen, e që del i portretizuar si një karakter i formuar “për shtatë gjaqe nuk i vihej gisht”, dhe më tej nëpërmjet të rrëfyerit retrsopektiv, e shpalos gjenezën e një familjeje “Ujkan. Ashtu quhej stërgjyshi i tij, i humbur e i tretur si gjynli, diku në Galici, në luftërat ruso-turke. Zatën, që nga ajo kohë kjo familje mori në thua dhe më kurrë nuk e mori të mbarën.”

Filozofia e heshtjes është ajo që e karakterizon më tej kryepersonazhin Ujkan Mala (“Tipari i tij më karakteristik ishte heshtja”) që “rritej e gufonte si buka në çerep”. I portretizuar me nuanca autobiografike, ky persoanzh shembëllen me Diogjenin, sepse ai është njeriu që gjithë jetën flet me zë të ulët, gjë që nuk e kuptojnë as rrethi e as “Cerberët e përtej Tunës”. Ai është aq modest sa në përgatitjen e fjalimeve nuk i thotë askujt jo! “Historia e zërit të ngjizur” e që “i kishte rrënjët në trashëgimi e në edukatën familjare”, ishte ‘një “sëmundje e pashërueshme” dhe që “nuk kishte mjek që mund ta diagnostifikonte”.

Përmbi çdo gjë, Ujkan Mala megjithatë është njeriu i urtë që nuk rrah gjoks, por që në ngritet në piadestalin e një Akademie duke shkëlqyer madhërishëm, dhe se ai shkëlqen madhërishëm pikërisht për faktin se ai i ngjet aq shumë Diogejnit, i cili u thoshte bashkëkohanikëve të tij: lëshomani hisen e Diellit!

Në tregimin Arrestimi, Bedri Tahiri ka projektuar të djeshmen dhe të sotmen, kujtesën e ditëve të hidhura me krenarinë e ligjshme të një solidariteti (përmes studentes luaneshë, e cila e rrezikon veten duke ia marrur gazetën profesorit- që gazeta të mos përdorej si provë nga policët), solidaritet i cili mjerisht sikur po na zbehet pakëz. Në tregimtarinë poetike të këtij shkrimi, ndeshen dy botë: ajo e “zvarranikëve tejkarpatianë” dhe çlirimtarët e një kombi, bishat gjakatare që nuk ngopeshin duke pirë gjak, dhe viganët e levendët e një kombi që i dalin zot fateve të truallit që i lindi e i rriti: Tahir Meha e Adem Jashari.

Autori e kthen në të kaluarën rrëfimin e tij, duke e rishpalosur në kujtesën e lexuesit kohën e zezonave e të ligatinave me postblloqe policie, me ndjekje e përndjekje, me arrestime e me tortura, me burgosje e me malltretime mesjetare. Dorëshkrimi për daljen e një meteori në qiellin shqiptar suferinë dhe tramundanë, me emrin Ushtria Çlirimtare e Kosovës, është sfondi rreth të cilit thuret tregimi: pasojat e të shkruarit, krenaria, sepse luftëtarët e lirisë: “Një ditë ata dolën hapur dhe shpalosen gjokset e tyre si nositët vetëflijues lasgushianë.”

Në tregimin me elemente autobiografike (“Dorën në zemër, studimet i kishte bërë për vesh gjilpëre, në skamje e për gazep. Kurrë nuk kishte banuar atje, madje as edhe një natë…Të udhëtosh për çdo ditë mbi dyzet e pesë kilometre në njërin drejtim, nuk ishte punë e lehtë…Ditën në shkollë me nxënësit, natën nëpër istikame me ushtarët e lirisë”), vuajnë edhe biri e edhe babai.

Figura e babait është gdhendur bukur dhe portretizuar si një simbol i qëndresës dhe atdhedashurisë: “Aty kishte vuajtur edhe i ati, ndjesë pastë. Ishte 1968- ta. E kishin arrestuar kur po kthehej nga demonstratat e përgjakshme studentore. Ah, sa e kishin munduar të shkretin. Të gjithë thonjtë e duarve ia patën shkulur me dara dhe asnjë fjalë për be! Ishte një burrë trupvogël e imëtak, por me zemër sa bjeshka e Qyqavicës. Atij duhej t’i shëmbëllente…”

Që të dy provojnë burgun, dhe që të dy shquhen për qëndresën heroike. Liridon Shkëmbi kujton me krenarinë e ligjshme artikullin e tij dhe kauzën që mbronte aty: “Një faqe e plotë për aktin më të madhërishëm e më sublim të atyre ditëve: Daljen në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!”, por edhe traditën fisnike të dyerve të mëdha që Shqipërinë e ngritën nga hiri: “Madje, shpirtshiturit i kemi urrejtur më shumë se armiqtë.”

Tregimi Arrestimi shquhet për rrafshin psikologjik, për mëdyshjet dhe monologun, për ankthin por edhe krenarinë, e në mënyrë të veçantë tregimi përfundon duke theksuar se hakmarrja u takon të ligëve.

Në tregimin Shpirtplagomë, jepet në prizmin shumëdimenzional fati i maturantes me emrin Liridonë, e cila edhe pas katërmbëdhjetë vjetëve e kondisedron si mrekulli të mbijetuarit “kur pati ngelur pa ndjenja midis rrotëve të traktorit.”

Në penën e Bedri Tahirit, ajo është një botë e njomë, dhe se simbolika e emrit ka domethënie të veçantë: as Liridon Shkëmbi e as Liridona, ndonëse të pagëzuar ashtu nga ata që lirinë e kanë dashur mbi çdo gjë, që krenarinë e kanë dashur mbi lumturinë, nuk kanë pasur liri!  “Shpirtnxirët karpatianë” kanë bërë plojën: “Nga vdekja iknin, drejt vdekjes shkonin!” Me ngjyra tepër të gjalla poetike, Bedri Tahiri e ka shpalosur Ferrin Dantesk: “O Zot, lugetërit me hanxharë në dorë, porsi shushunjat, zunë të thithnin etshëm gjakun e pafajësisë. Ata, si hijenat tinëzare, u futën midis tyre për të bërë hatanë. Vrisnin e kë nuk vrisnin! Mjaftonte që ishin shqiptarë. Asgjë më shumë. Një patologji e hershme e sojit të vet, trashëguar, që nga koha kur në kope hordhish, u zvarritën nga përtej Tuna.”

Liridona e Bedri Tahirit, shëmbëllen me një Ana Frank gjatë Holakaustit. Masakrimi i familjes 13 anëtarëshe, dhe më tej “116 të martirizuar” ishin dy nga kapitujt e shumtë në një “holakaust marramendës.”

Por skena është tepër makabre: “O Perëndi, ishin currilat e gjakut të trupit të babait!…Ai lart e kjo poshtë. Një lidhje e thellë shpirtërore. Një lidhje gjaku. Një vazhdimësi jetike…Një grusht fëmijë, fund e krye larë në gjak dhe pa asnjë plagë në shtat! Ama, e tëra dhe e bëra e larë në gjak, saqë as sytë nuk i dalloheshin…Që nga koka deri tek këmbët kuq, kuq dhe vetëm kuq. Kjo është arsyeja që vajza e urrente ngjyrën më të preferuar të botës femërore, të kuqen.”

Nëpërmjet Liridonës, shkrimtari Bedri Tahiri e ka paraqitur fatin kolektiv të kombit, i cili ka përballë “Cerberët e përtej Tunës”, të cilët erdhën e u shtrinë gjërë e gjatë në tokat tona, duke thithur përherë gjakun më të njomë të një kombi nga më të lashtët!

Zemër- klithja e shkrimtarit për breznitë e pagëzuara Liridonë Guri, është e tillë sa latohet me shprehjen lapidare dhe përmbyllëse të tregimit:“bota e saj shpirtërore- psikologjike, ka një shpirtplagomë të pashërueshme mu në gjirmë të zemrës.”

Nga një përkufizim i tillë nuk del as bota e narratorit, për të cilin mendimi i nënvziuar prej tij aktualizohet sa e sa herë: “vetëm heshtja dhe qetësia janë hyjnore” (tregimi Shterani), madje edhe kur e rithekson mendimin e njohur të Mitrush Kutelit, kur i shkrunate të shoqes nga burgu: “Terreni i letërsisë është një tokë tek gëlojnë gjarpërinjtë…Të vrasin shokët, se u bën hije. Dhe kur nuk u bën hije do të thotë se nuk je i zoti për letërsi…” .

Në tregimin Tjetërsimi shpaloset idila e një jete pastorale, ku del në sipërfaqe përmes evokimit figura e gjyshit si simbol i mençurisë, i qëndresës por edhe si frymëzim: “Gjyshi, një babagjan sederli, një kokë katërqind dërhemshe, me mustaqet vesh më vesh e me plisin e bardhë dëborë, ulur këmbëkryq në postaçinë e ogiçit galan, ia shtonte hijeshinë vendit.”

Në procedimin narrativ shkrimtari ka shpalosur kohën kur ktheheshin nga shërbimi ushtarak jugosllav djemtë e vrarë nëpër arkivole:“E sollën dy oficerë serbë dhe nuk lejuan ta hapnin arkivolin me një dritare të vogël, nga mund t’i shihej vetëm fytyra me një buzëqeshje të ngrirë djaloshare. Ka bërë vetëvrasje”; ankthin për të ikur nga lubia vrasëse, ballafaqimin me epokat dhe me psikologjitë e puthadorëve, por mbi të gjitha edhe parandjenjën si profeci: “Nuk do të shkojë larg e do të rrezatojë dielli edhe për ne. kjo që po bëjnë të mallkuarit është parakobi i tyre, dhe, shpejt do ta hanë kokën e vet si qoftëlargu smirak.”

Në një linjë paralele është zbërthyer edhe raporti etër dhe bij, do me thënë brezat që parakalojnë dje dhe sot me gjithë kompleksitetin e tyre, ndërsa dallimi qëndron në faktin se brezi i vjetër është përballur me pushtuesin e egër dhe me qëndresën ndaj tij, kurse brezi i ri është përballur dhe po përballet me tejtërsimin, me tretjen, me shuarjen, me përthithjen, me asimilimin.

Brezi i vjetër përfaqësohet nga gjyshi, kurse brezi i ri nga Petrit Shkëmbi në mëdyshjen e cila sikur e sfidon mëdyshjen hamletiane, sepse në kompleksitetin e saj ajo ka edhe tragjikën e saj: “Pra, kujdes! Asgjë nuk të bënë plumbi, karshi përzierjes së gjakut. Ajo është një bombë e kurdisur që pëlcet më vonë. Plasja e saj të shkatërron me rrënjë si damllaja.”

Në treimin e fundit Diellori, shpaloset figura e plakut “mjekërbardhë me emrin Tanush…I urtë e babaxhan durimtar si deti i thellë që nuk trazohet dot.” Rrëfimi në fjalë zgjon remenishenca me tregimin e Çehovit Pilivricka, në të cilin të gjallët nuk ia dinin vlerën mjekut derisa ky vdes! Edhe në këtë rrëfim, fjalës dhe figurës së plakut Tanush “nuk ua vari veshin gati askush nga të rriturit dhe mocanikët.” Rrëfimi procedon me evokimin e kujtimeve që ka plaku me peshën e viteve mbi supe: “Tri luftëra i provova e tri herë isha ushtar”, për të kaluar kështu tek figura qendrore e luftës për liri, Azem Bejtë Galica.

Historia përsëritet sërish në kalvarin e vet të gjatë: “Mbi tridhjetë gra, pleq e fëmijë, bashkë me kryeplakun që u printe, Shaban Tahirin, i pushkatuan në qendër të katundit, te Ftojtë e Tahirit.” E megjithatë është kulla si simbol i luftës dhe i qëndresës epike ajo që nuk shembet edhe kur e godasin gjylet e topave, edhe kur e përfshijnë flakët. Por nuk ishte vetëm kulla që e bënte luftën: “Xhandarët shqiptarë, që me zor i kishin vërë përpara për t’u prirë gjakatarëve serbë, tinëz e nihmonin luftën tonë çlirimtare.” Duke e shpalosur një njëmendësi të tillë, Bedri Tahiri e nxjerrë historinë nga pluhuri i harresës dhe i bën tribute nderi gjakut të derdhur për lirinë e mëmëdheut: “Njëri nga xhandarët, sa më kujtohet Mehmet Vushtrria i thoshin, na tregoi se edhe topxhiu kryesor është shqiptar nga Mitrovica. Ai, qëllimisht, tri gjylet e para i huçi. Të shkretin djalë, kur ia kuptuan hilën, e pushkatuan menjëherë aty te Lugu i Behramit.”

Në pjesën përmbyllëse të ciklit të rrëfimeve, autori i ngre një peadestal gurit: “Diellori është një Gur i shenjtë…Një Gur i butë e i madh, në të cilin ishte skalitur Dielli, simbol i të parëve tanë, ilirëve…ai Guri kishte vlerë të madhe. Azem Galica vetë e emëroi ashtu, Diellor, dhe i porositi mjeshtërit ta vendosin në ballë të kullës së re, pak mbi derën e hyrjes…Dielli është sundimtari i botës…Ai Gur vlente sa krejt Kulla…Tridhjetë e gjashtë vjet më vonë, kur cerberët karpatianë, të vënë para tytave liridashëse, kishin ikur në theqafje, ngjau mrekullia. Diellori po kthehej në vendin e vet. Kulla e kryetrimit lëshonte shtat mbi themelet e veta. Kishte dy muaj që qe rrafshuar kati i parë i saj dhe puna zvarritej në heshtje. Rrallëkush e dinte arsyen. Pritej Diellori që të vinte nga Prekazi, ku qe ruajtur kujdesshëm nga një atdhetar zemërzjarrtë…Po kthehej, por i lënduar me tre plumba në shtat, aq sa pati kryezoti i tij, ku vajti në pavdekësi. Tre plumba të hasmit shekullor, me gërvishtjet e tyre të vrazhdëta, ishin përpjekur ta zbehnin shkëlqimin e Diellorit.

Por, jo. Sot Diellori rrezaton atdhedashuri e besnikëri në ballë të kullës së trimërisë, aty, ku nëntëdhjetë vjet më parë zuri embrion shtetësia e Kosovës, në Arbërinë e Vogël të Kapedanit të Madh, AZEM GALICA.”

Bardhësi në Peshkopi

Pjesa Reportazhe, hapet me shkrimin Bardhësi në Peshkopi në të cilin përshkruahet udhëtimi nëpër viset gjithë bukuri të kësaj ane, si dhe mikpritja bujare e njerëzve zemërbardhë. Hapësirë të veçantë zë historia e Dibrës: “Dibra. Një emër përplot histori. Dibra e trimërisë, e mençurisë, e besnikërisë, e bujarisë…malësi e patundur gjatë gjithë historisë”.

Në rrugëtimin e tij “drejt majave kësulëbardha që puqeshin me qiellin”, shkrimtari Bedri Tahiri s’ka se si të mos magjepset nga bardhësia e shfaqur përpara: “Bardhësi në natyrë e bardhësi në zemrat e malësorëve trima e mikpritës. Madje, kjo e dyta ia kalonte të parës”. Shfaqet kështu në përshkrimin e detajuar familja tradicionale shqiptare, e paraqitur përmes “Prençëve zemërgjerë, trima e bujarë”, me të cilët, shkruan autori: “biseda rrjedh e qetë porsi uji i pastër i liqejve të Lurës”. Vërhet kështu prirja e autorit për të krahasuar bukuritë e pafundshme të natyrës me ndjenjat e njerëzve zemërbardhë, por pa munguar as historia e lavdishme e këtyre anëve. Ajo shpaloset në kujtesën e plakut “95 vjeçar, Gjetan Prençi”, i cili me ndjenjën e mallëngjimit dhe të krenarisë së ligjshme e ka evokuar historinë e luftërave për liri: “Në luftën e madhe që u zhvillua më 1912, në Kolesjan të Lumës kundër forcave serbe, mbetën 12 mijë serbë të vrarë e të mbytur në ujë. Aty u vranë edhe dyqind shqiptarë, në mesin e tyre edhe të fisit tone, si: Rushit Prençi, Isuf Prençi, Destan Prençi etj. Sot e kësaj dite atje ekzistojnë “Varret e Prençëve”, por jo vetëm Luma: “Rroftë Drenica-djep i trimërisë! Jam lodhur dhe ende nuk kam qenë në Drenicë, por mos vdeksha pa e parë atë kështjellë burrënie. Dhe, po më zuri vdekja rrugës, atje le të më varrosin!” Pastaj sfondi i bardhë i historisë i shpalosur nga zemra: “Trim si Hasan Prishtina nuk bën nëna, – thotë ai sypërlotur. Edhe vetë kishte qenë nga ata burra që e kapërcejnë varrin për së gjati, – siç thonë dibranët.”

Pasi ka theksuar se “përkundër Mirditës që organizohej në bajraqe, Dibra organizohej në male”, duke qenë nën pushtetin e përshtypjeve të një natyre kaq të bukur, shkrimtari ka theksuar se Peshkopia dhe sheshi i saj shfaqen në pamjet e tyre ylberore: “veshur me vellon e bardhë të nusërisë.”

Reportazhi përmbyllet me përshkrimin nëpër Kala të Dodës, dhe me epopenë e krahinës së Lumës: “Lufta e Lumës kundër forcave serbe që zgjati rreth një muaj (9 nëntor- 6 dhjetor 1912)…qe një luftë e hatashme ku u vranë e u mbytën në ujë rreth dymbëdhjetë mijë ushtarë serbë”, e që i bën serbët të kujtojnë edhe sot këngën e pararendësve të tyre: “Askush s’e di se çka janë vuajtjet me shpirt ndër dhëmbë,/ për pa e kaluar Shqipërinë me këmbë!”

Ukshin Kovaçica-Levend i Lirisë së Shqipërisë, Mehë Uka-Ky Burrë i Madh i Kombit, Selatin Ymeri- Pinjoll i Derës së Atdhedashurisë, i Dritës dhe Diturisë

Shkrimet në vijim shtjellojnë shënimin e datave historike dhe përkujtimin e personaliteteve të shquara kombëtare. Me syrin vrojtues të shkrimtarit, Bedri Tahiri frymëzohet nga data dhe figura të tilla, si fjala vjen në shkrimin Një manifestim i qëlluar, por që la për t’u dëshiruar, në nderim të Heroit Mehë Uka, të cilin me të drejtë e ka quajtur “ky burrë i madh i kombit”.

Një emblemë urtësie dhe një pinjoll i denjë atdhedashurie, i dalë nga Porta e Mëdha të Familjeve të Mëdha që e bën Shqipërinë me hir o me pahir, një njeri sa i urtë po aq edhe fisnik, sa bujar po aq edhe pishtar drite e diturie: si një gjakim dhe përjetim i përhershëm e i denjë në dashurinë për diturinë- për filozofinë, pa dyshim se është Selatin Imeri, i cili bashkë me veteranin e arsimit Bedri Shytin, me pedagogun e zellshëm Galip Avdiun e me profesorin e përkushtuar Bedri Tahirin, kishte shkuar për të nderuar tribunin liberator Mehë Uka.

Bedri Tahiri me pak fjalë e ka shpalosur Portretin e bashkudhëtarit:“Makina e Selatinit nxitonte vetëtimthi atyre zigzakeve malore si me krahë. Ngasësit të saj mbase edhe i takonte një gjë e tillë, ishte djalë i Kovaçicës, kishte qenë shok i Mehë Ukës dhe një kohë kishte punuar në atë shkollë.

Historia është ajo që e frymëzon autorin, prandaj ai nuk kursehet për ta shpalusr ate: “Nuk nguteshim shumë ngase ishim herët dhe dëshironim t’i shijonim ato bukuri të rralla të mëmës natyrë. Tej, në një kodër përplot fier e ahishta lëkurlëmuara, ndaluam dhe ia hodhëm një sy truallit të trimit të madh të kësaj ane Ukshin Kovaçicës, themelet e kullës së tij ende gjallonin në anën karshi nesh…”

Duke e shpalosur pjesëmarrjen e “pinjollëve të Ukshin Kovaçicës, Avdi, Avdyl e Selatin Ymerit” edhe në Marshimin e Madhërishëm Mbarëkombëtar – në Njëqind Vjetorin e Çlirimit të Shkupit, shkrimtari dhe intelektuali Bedri Tahiri ka nderuar Breznitë Orëmira, e përmbi çdo gjë ka nderuar dhe lartësuar kështu, luftëtarin e paepur e komandantin zemërzjarrtë, fatosin e maleve e tribunin e odës shqiptarte, Burrin e Madh të Qëndresës Kombëtare Shqiptare, Levendin e Lirisë së tërësisë tokësore të Shqipërisë- UKSHIN KOVAÇICËN.

Njëqind Vjetori i Kuvendit të Kurillovës dhe Ngritjes së Flamurit në Vesekofc, edhe e ka dëshpëruar Bedri Tahirin me bashkudhëtarët, sepse siç shprehet ai, historianët dhe shkencëtarët “kishin dalë nga tema”, prandaj me stilin e tij të hollë ai lëshon një zemërthirrje shumë të qartë dhe po aq domethënëse: “mos të përpiqemi kot të fluturojmë drejt diellit me krahët prej dylli, sepse na i shkrijnë rrezet e tij dhe paskëtaj dihet ku mbesin e si përfundojnë! Të vërtetën mund ta gjejmë vetëm tek të thjeshtët, tek përjetuesit, tek POPULLI!”

Në një zemërklithje të tillë, Bedri Tahiri e dëshmon se ai beson fuqishëm tek bijtë e dalë nga gjiri i popullit, që ecin me popullin dhe për popullin.

Hasan Prishtina- Komandant i Kryengritjes Shqiptare

Marshim i Madhërishëm dhe Mbarëkombëtar, është shkrimi ku lartësohet marshimi i “krushqve ogurmirë” për të cilët në fjalët e yllësisë shqipe që ka përzgjedhur shkrimtari Bedri Tahiri, “kufiri i mallkuar vëllandarës” s’ishte gjë tjetër veçse “një mish dhie në trupin arbror që lypset shkulur sa më parë”, prandaj një marshim i tillë ka pasur për qëllim lartësimin dhe nderimin e “Komandantit të kryengritjes shqiptare, Hasan Prishtinës.”

Hasan Prishtina lartësohet dhe nderohet edhe në shkrimin Hasan Prishtina në Shkupin e Tij të Dashur. Gjatë “ditëve hasaniane”, siç i ka pagëzuar autori, “më 12 tetor 2012, sërish Shkupi u bë epiqendër e gjithë shqiptarisë.” Zbulimi i “shtatores së përjetësisë”, i ka mundësuar shkrimtarit për të shtruar pyetjen me vend: “Kush tha që ëndrrat mbesin vetëm ëndrra?- për të dhënë përgjigjen e dëshmuar nga koha: “Dhe, këtë mund ta bëjnë vetëm njerëzit me ideale të larta e me synime të qarta atdhetarie.”

Përjetësimi dhe Dekorimi i Parisë së Drenicës, është shkrimi i radhës që e rithekson të vërtetën se: “Gjakun nuk e tretë as uji, as zjarri, as dheu.” Duke e nderuar kështu “gjakun shekullor”, Bedri Tahiri e ka përsëritur thënien aq kuptimplote se: “Kush nderon historinë, krijon ardhmërinë!”

I vetëdijshëm për një mision të tillë fisnik, janë nderuar me të drejtë ata burra, “gjaku i të cilëve u bë dritë lirie dhe përgatiti terrenin e shpalljes së Pavarësisë në Vlorë më 28 nëntor 1912”, por është thenë gjithashtu me vetëdije të lartë dhe me krenari të ligjshme se: “Ne jemi pasardhës të atyre burrave që ishin të gatshëm për sakrificat më sublime…”

Një traditë e tillë kombëtare, e përcjellë brez pas brezi, me të cilën është rritur Bedri Tahiri e të cilën e njeh aq mirë, është shpalosur edhe në shkrimin Tahir Meha luftoi me revolën e Azem Galicës.

“Sa të mençur ishin derëbardhët!…Amanet mbi amanete kishin shqiptarinë.” Duke e shpalosur një brezni të tillë mençurie, trimërie e zemërbardhësie, Bedri Tahiri ka përkujtuar se ishte gjyshi Emil Lati, ai i cili ia dha revolen e Azem Bejtës trimit Tahir Meha (i cili ishte betuar: “për të gjallë nuk dorëzohem, por kam me luftue deri në vdekje”) e në përsëritjen e këtij cikli epik të keshnikëve, Jasharët do të betoheshin përpara Varreve të Nebih e Tahir Mehës.

Kur Pushka Frymëzon Penën

Edhe në shkrimin përmbyllës Lasgush Poreadeci i frymëzuar prej Azem Galicës, Bedri Tahiri e ka shpalosur gjakimin e tij të përhershëm të “leximit e studimit me laps në dorë”, duke pohuar me një shije të hollë estetike se: “nuk mund ta fshehë dobësinë që kam për Shqipërinë e ëndrrave, mbase të idealizuar nga librat e lexuar.”

Tek ka bërë një shfletim të librit me udhëpërshkrime të shkrimtarit Nasho Jorgaqi, me titullin Udhëtime Letrare, autori ka bërë një bashkëbisedim mes penës dhe pushkës, mes luftëtarit epik dhe poetit lirik. I pari e ka frymëzuar të dytin, siç ka vërejtur Nasho Jorgaqi: “Po për Lasgushin kjo mbeti një erë skënderbejane. Këta trima s’donin t’ia dinin se ç’kishte vendosur Evropa, donin Kosovën e lirë dhe s’e kishin për gjë vdekjen.”

Linja tjetër pos shtrirjes historike është ajo letrare në të cilën Lasgush Poradeci duke e ditur se ku do të binte Ora e Shqipërisë, poetët nga Kosova i kishte pyetur: Jeni poetë e profesorë, po Azema, jeni ndopak?

Më vjen mirë që Kosova ka poetë. Një herë e një kohë kishte vetëm trima, që mbushnin me zulmë jo vetëm Kosovën por gjithë Shqipërinë. Hajde, hajde, general Isa Boletini, trimi me fletë Idriz Seferi…Kur suleshin ata mbi armiqtë ndizej qielli dhe toka.

Po Azem Galica?

Nuk gjej fjalë ta tregoj. Ai binte si rrufeja, kur serbit s’ia priste mendja. S’ia priste mendja, sepse Azemi jo vetëm që ishte i mençur sa s’ka, por edhe luftonte në tokën e tij dhe për token e tij, luftonte tok me kaçakët dhe s’i linte naçallnikët e Beogradit t’ia merrnin Arbërinë e vogël. Hajde, hajde Azem Galica. Kur ia donte puna, një tren të tërë ndalonte. E kam parë vetë me sytë e mi. Ka qenë behar i 1921, kur shkoja për herë të parë në Rumani. Vajta me kalë deri në Ohër dhe pastaj me tren mes përmes Kosovës. atij treni kokën ia shihja, po bishtin jo, aq i madh ishte. Me të udhëtonte Lasgushi, kur papritur ai, fap, ndaloi dhe u dëgjuan të shtëna. Sapo dolëm në penxhere, kur ç’të shihje, nga të dy krahët plisabardhët mizëri, me pushkë në krah. Ishin trimat e Azemit. Erdhën edhe në vagonin tonë. Ca burra si të përrallave, të gjatë e të pashëm, gjallë Gjergj Elez Alia. Isha gati t’u hidhesha në qafë. Kur më pyetën se ç’je thashë gjithë mburrje se jam shqiptar, u ndritën sytë e mustaqet. E gjithë kjo zgjati sa një ëndërr. Erdhën e ikën si era. Kapet era ë? Po për Lasgushin kjo mbeti një erë skënderbejane. Këta trima s’donin t’ia dinin se ç’kishte vendosur Evropa, donin Kosovën e lirë dhe s’e kishin për gjë vdekjen. Lasgushi shkonte në bankat e universitetit, me një mësim të madh që ia jepte Azem Galica me kaçakët e tij. Kështu jeni ju kosovarët trima përmbi trima…Tani shoh që jeni dhe poetë e professorë, po Azema jeni ndopak?

Veçori të stilit dhe të gjuhës në diskursin krijues të  shkrimtarit Bedri Tahiri

Petrit Mala, Ujkan Mala, Liridon Shkëmbi, Liridona, Petrit Shkëmbi, janë disa prej personazheve që ka skalitur shkrimtari në sfondin e kohës, ku emri i personazhit është një pagëzim në raport me ashpërsinë e kohës, kurse mbiemri është vetë cilësori që shënon qëndresën.

Shkrimin e Bedri Tahirit e karakterizon stili lakonik, gjuha e qartë, e rrjedhshme, e bukur dhe e kuptueshme, mendimi i shtruar, fjalia e goditur bukur, struktura kompozicionale origjinale e rrëfimit, si dhe frazeologjia e pasur: “dielli nuk mbulohej me shoshë”, “Dielli që hera-herë shfaqej në horizont, kafshonte me dhëmbë ujku” (Helmimi); “Po u bërë dele të ha ujku” (Arrestimi); “ua kishin zënë hisen e diellit” (Arrestimi).

Bukuria e shprehjes së gdhendur është një veçori tjetër e diskursit krijues të shkrimtarit Bedri Tahiri, shprehje e përdorur në funksion të tekstit, të përshkrimit por edhe të tipizimit të personazhit: “mallëngjim trishtues”, “kroi i Kodrinës, burim që nuk shterron kurrë e që rrjedhë bilur e i ftohtë akull nën galeritë e xehes së magneziumit”, “E gjithë natyra zbardëllinte me një hijeshi të purpurtë prej mëndafshi të tejdukshëm”, “Kjo bardhësi verbuese që më gici thellë në shpirt”, “ferra mbyllëcake”, “nëperka kryehudër”(Helmimi); “në gjirmë të vatrës së tyre të stërlashtë, të njohur për bujari, burrëri, mençuri e trimëri”, “në atë truall stërgjyshor, ku, përherë kënduan ëmbël grykëhollat”, “një zë i mekur grisi memecllëkun e kullës së vjetër” (Shterani); “Barbaria dhe egërsia e zvarranikëve tejekarpatianë mbi shtratin e drobitur arbëror, nuk dinte të ndalur”, “Një ditë ata dolën hapur dhe shpalosen gjokset e tyre si nositët vetëflijues lasgushianë”, “gjakatarëve sypërgjakur. Tytat e automatikëve të tyre e përthekuan si rrathët e ferrit dantesk”, “kalvar biblik mizorie”, “Madje, shpirtshiturit i kemi urrejtur më shumë se armiqtë”, “Ditën në shkollë me nxënësit, natën nëpër istikame me ushtarët e lirisë” (Arrestimi); “Mornica ngacmuese ia përshkojnë shtatin e hajthëm e djersë të akullta i shkojnë çurgë faqeve të mërdhizura, sa herë që mendjeshkreta i vete atje ku nuk duhet, në atë të shkuar të kobshme”, “Kukuvajkat sorolateshin gjithandej si një ogur ndjellakeq. Ofensivat e soldateskës shfrenuese e serbe s’kishin të ndalur. Shqipet e lirisë çanin mes për mes qiellit të përflakur si në beteja dragonjsh”, “O Zot, lugetërit me hanxharë në dorë, porsi shushunjat, zunë të thithjnin etshëm gjakun e pafajësisë”, “përtej ferrit çmendës”, “krrokamë korbi”, “Hija e zezë u doli para dhe ua zgurdulloi sytë nën maskën futë. Automatiku i tij volli zjarr mnershëm mbi babanë e saj. Kapaku i kokës i fluturoi në ajër. Trutë e bardha, përzier me vrushkuj të mpiksur gjaku, u derdhën të troshitura gjithandej në rimorkio. Plumbat vrastarë kositën edhe të tjerët që ishin aty”, “Institktivish u përpoq të zvogëlohej edhe më që t’i bishtëronte mortjes shtrigë, e cila po ia lëmonte flokët e bardha me dorën e zezë” (Shpirtplagomë); “Gjyshi, një babagjan sederli, një kokë katërqind derhemëshe, me mustaqet vesh më vesh e me plisin e bardhë dëborë, ulur këmbëkryq në postaçinë e ogiçit galan, ia shtonte hijeshinë vendit” (Tjetërsimi); “Kurrë nuk u ndahej e kurrë nuk ulej. Ashtu, në këmbë, kotej. Trupmadh e paksa i kërrusur, siç ishte, mbështetej fort në kërrutën e fortë prej thane, dhe i mbyllte sytë e dremiste ëmbël”, “Diellori, ore ju paça, është histori në vete. Kulla që nuk u rrëzua nga topat e Zhupanit, u rrënua nga vandalët e Pashqit dinak”, “Dielli është sundimtari i botës. Besimin në fuqinë e tij e trashëguam nga të parët tanë. Diellin e çmuam më shumë se jetën. Kur na e shanin kaurrët e shkinisë, ishim në gjendje t’i shqynim me dhëmbë” (Diellori); “Eh, sa e sa burra të motit, me armë në dorë e zjarr në gji kishin gicur gurët e saj të latuar ngeshëm nga të dënuarit me vdekje” (Marshim i Madhërishëm Mbarëkombëtar)

Leximi i dyfishtë: citatet si kurorë e mendimeve të përzgjedhura

Duke përzgjedhur gjatë leximit me laps në dorë, shkëputje mendimesh të autorëve shqiptarë dhe të huaj, shkrimtari Bedri Tahiri i ka vënë ato në funksion të semantikës narrative, përkatësisht në funksion të tekstit dhe përmbajtjes letrare, duke krijuar kështu një enciklopedi të vogël përmabjtësore të ideve të shpalosura aq bukur nëpër shekujt letrarë:

Një shkrimtar është më tepër se një parti, ai është një atdhe në vete (Ismail Kadare); Nuk ka asgjë të përhershme përveçse ndryshimit (Herakliti); Sa herë që njerëzit janë në një mendje me mua, më duket sikur e kam gabim (Oskar Uajldi); Historia është aventura e lirisë (Pitigrili); Terreni i letërsisë është një tokë tek gëlojnë gjarpërinjtë…Të vrasin shokët, se u bën hije. Dhe kur nuk u bën hije do të thotë se nuk je i zoti për letërsi…(Mitrush Kuteli); Po t’u shkosh vizitë xhuxhëve, do të shtrembërohet shpina (Stanislav Leku); Popujt do të ishin më të lumtur, nëse mbretërit do të filozofojnë dhe filozofët të mbretëronin (Plutarku); Vetëm nëpërmjet shembullit tënd mund t’i mësosh të tjerët (Ajnshtajni); Kur njerëzit pajtohen me mua, e kam atë ndjenjën se diku kam gabuar (Ernest Heminguei); I hape derën e shtëpisë serbit, ai të nesërmen do ta kërkojë gjysmën e shtëpisë si të drejtë të vet, dhe një ditë më vonë do të hedh jashtë nga dritarja si hajdut (Faik Konica); Gjaku e borxhi kurrë nuk harrohen, nëse nuk falen e pajtohen (Populli); Njeriu mund të humbasç çdo liri, por po ruajti lirinë e mendimit është parpë i lirë (Sami Frashëri); Derisa të na mungojë liria, ne do të jemi gjithnjë kryengritës (B. Xhaferi); Njeri, nëse ke humbur të qeshurit, ke humbur ekuilibrin (Ken Kesey).

Bedri Tahiri flet me Levendët e Historisë së Shqipërisë

Shkrimtari Bedri Tahiri në shkrimet e tij, por edhe në kronikat e tij flet me historinë, hyn në odën e saj të madhe si një akademi diplomatike, takon levendët e historisë së Shqipërisë, flet me ta, kuvendon gju më gju, frymëzohet nga ata, i adhuron dhe i përjetëson nëpër portretet e gdhendura aq bukur, duke na i shpalosur sërish të gjallë e si shkëmb në këmbë me gjithë trimërinë dhe me madhështinë e tyre.

Por gjithashtu, mes Scillës dhe Haridbës, mes kudhrës dhe çekanit, nuk ecë vetëm shkrimtari, e as vetëm personazhet e tij. Është atdheu ai që ecë këmbëzbathur përmbi shpata. Janë kalorësit e lirisë ata që gjoksin shpalosin përballë plumbave.

Gjurmë gjaku në penën e kalorësve të letrave dhe të arteve. Mes tingëllimave të lahutës dhe krismave të grykëve të pushkëve liridashëse në të cilat lartësohet Diellori, pena – herë si eshka e herë si unori përkujton se përkrenarja u ngrit sërish në plisat e Kullës së Mehajve e të Kullës së Jasharëve, ku ata në një heshtje që ngjante aq shumë me heshtjen e maleve vigane, e kishin terur barutin me shekuj dhe prisnin të ndizej stralli i kryengritjes çlirimtare.

Ata ia kthyen përgjigjen Gjakimit të Lasgush Poradecit, tek pyeste: A ka Kosova, Azem Galica?

Lahuta e ndezi gur- zhargun, pushka çarkun. E pena nderon gjakun. Vendimet arbitrare të Kongresit të Berlinit e të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, në Penën e Bedri Tahirit: Pikojnë Gjak!

Kundruar nga prizmi krahasimtar, Marin Beçikemi e Milel Meruli shplaosnin kronikat e gjakut të shqiptarëve tek nata e gjatë osmane po binte mbi sytë e Shqipërisë. Marin Barleti shpaloste kronikat e rrethimit të Shkodrës, e Kronikat e Motit të Madh të Krye-Kapedanëve të Arbërisë, që gjokset i vunë mburojë për kështjella. Gjon Buzuku lëshonte Zemër-Klithjen e tij: harresa është mallkim, kujtesa është bekim. Ai që ty të mallkon, të jetë i mallkuar. i që ty të bekon, të jetë i bekuar!

Në misionin aq fisnik që toka bujare e gjakut vë mbi shpatullat e misionarëve të lirisë, shkrimtari dhe intelektuali Bedri Tahiri na kujton për të satën herë se po u harruan të rënët, të gjallët nuk kanë vlerë.

Me tregimtarinë e tij poetike, Bedri Tahiri e nderon, e lartëson dhe e përjetëson, atë që Lasgush Poradeci e ka quajtur: PELERINATA E GJAKUT.

Shkrimtari Bedri Tahiri, me krijimtarinë e tij letrare, me biografitë historike, me udhëpërshkrimet e tij, me gdhendjen e portreteve të figurave historike, me përkujtimin dhe lartësimin që u ka bërë Breznive Orëmira, gjithsesi më kujton thënien e Ernest Koliqit se: në gjak janë muzat që na bëjnë të shkruajmë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok