TRE PARADOKSE NË TREQIND…
NGA NDUE DEDAJ
1
Ndodh një vrasje dhe nëpër ekrane shëtit fotografia e killerit dhe jo e viktimës. Njerëzit njohin aq mirë portretet e trafikantëve, vrasësëve, qeveritarëve të korruptuar, të kërkuarve nga drejtësia dhe interpoli etj. dhe jo të prokurorëve, gjykatësve, policëve etj. që përballen me krimin. Nga ana tjetër, njohin aq mirë fytyrat e qeveritarëve, politikanëve, personazheve të showbizit dhe jo të mjekëve të shquar të vendit që shpëtojnë përditë jetë njerëzish (vetëm në kohën e pandemisë po), të shkrimtarëve, artistëve, akademikëve etj. Nëse këta ta fundit “duan” të bëhen të njohur në publik, duhet të venë në debatet televizive!? Duhet të vdesin protagonistët e gjallë, që të dalin fotografitë e tyre pas vdekjes!? Vetëm tani shqiptarët po njihen me fotografitë e deputetëve të vrarë nga regjimi më 1947, apo të Bernardin Palajt, Trifon Xhaxhikës, Havzi Nelës, Bilal Xhaferit etj.
2
Sa herë që shohim në televizione konferencat e shtypit të stërzgjatura e të mërzitshme, na kujtohet leximi i gazetës në brigadën kooperativiste, ku ata as që e kishin mendjen se çfarë thoshte gazeta, por thjeshtë bënin sikur dëgjonin. Si arsimtar i ri, aty nga fillimi i viteve ’80, të vetmen herë që lexova “Zërin e Popullit” në brigadën e arave në Simon, në lagjen e tejshme të Shpërdhazës, te Përbibajt, komentova një artikull që i kushtohej Viktor Hygoit. Kooperativistët mbase për herë të parë u bënë të vëmendshëm ndaj një rituali të tillë propagandistik, ngaqë qe diçka ndryshe… Konferencat e shtypit bëhen qëllimisht për të mos thënë asgjë, për të shpërndarë tymtajë tek mbështetësit. Vetë ata që i bëjnë nuk i marrin seriozisht. Elektorati nga liderët tanë shihet si një kooperativë, që duhet “mjelur” njëherë në katër vjet. Dhe ajo e shton qumështin më “tagjinë” (propagandën) e Partisë. Harroje se elektoratit të sotëm zëdhënësit mund t’i flasin për ndokënd tjetër, si bie fjala, Bill Klinton, Zhak Shirak, Angela Merkel, veç liderit të vet historik… “apostolik” (falmë o Zot për këtë fjalë, edhe pse në thonjëza!)
3
Tregonte një zonjë në Tiranë. “Isha ulur për të pirë kafen e mëngjesit, bashkë me vogëlushën time që kishte marrë një bombon. Kur afrohet te tavolina një djalë adoleshent me tabelën “Më shpëtoni jetën”. I dhashë lekët e kafesë dhe ai vazhdoi në tavolinat e tjera. Secili i jepte sipas mundësisë. Pa e mbaruar kafen ne bamirësit e tij të mashtruar, ai flaku tabelën “rrezik vdekje” në një anë dhe u shtrua në një tavolinë mbushur plot me ëmbëlsira. Hëngri aq shumë sa filloi t’i dhembë barku…” Nesër, kur të mbetet prapë pa lekë në xhep, do të hyjë në “rol” në ndonjë tjetër lagje të kryeqytetit, duke mbledhur “taksën” e humanizmit të njerëzve që besojnë. Të ishte vetëm një rast, as që do të kishim zënë në gojë. Por këtë lloj lypje “moderne” e bëjnë dhe të tjerë, mundësisht dhe femra, për më tepër duke u shtirur si të shoqatave që kinse mbledhin ndihma për të sëmurët. Shkojnë ashtu dyshe dhe në qytete të tjera. Si ta kuptosh dhe besosh, kur vërtet dikush i sëmurë e ka të nevojshëm këtë lloj rituali?…