12/06/2024

TRANGA, NJË NGA BEFASITË NATYRORE TË MIRDITËS

0

NGA NDUE DEDAJ

Reportazhin për Trangën e Selitës menduam ta shtyjmë për kah vjeshta, atëherë kur besohet se atje do të ketë ndonjë “surprizë” nga zonja e maleve shqiptare Marianne Graf, kështu që ky shënim shpreh veçse ca mbresa vetjake.

…Kisha ardhur në Lufaj që para 35 vitesh, gjatë një inspektimi të shkollës, apo dhe para 5 vitesh, kur në Majën e Ngallit u zhvillua një procesion kishtar nga ta rinjtë e fshatit bashkë me ipeshkvin Imzot Gjergj Meta. Por nuk isha ngjitur deri në Trangë, që është lagjia e sipërme e këtij fshati të banuar nga katolikë dhe myslimanë të “fiseve” apo trungjeve familjare: Loci, Ukaj, Neziri, Kaçorri, Këdheli, Balloshi, Lufi, Gjinaj, Bushprendi etj. Ngaqë për atje nuk kishte rrugë makine. Ashtu si ne nuk ishin ngjitur dhe të tjerë, duke u privuar nga një bukuri natyrore e pamatë.

Kur vështron këto pamje mahnitëse e kupton pse ishin me aq dritë dhe ngjyrë peizazhet e piktorit të njohur Lin Loci, në kullën e të cilit e përmendim me nderim në biseda me të afërmit; një çerek shekulli më parë e kishim lënë të vinim bashkë për ta vizituar Trangën e tij, por ai u shua shpejt.

Tranga është një pllajë e pazakontë, rreth 35 km nga Rrësheni, që shtrihet në 850-900 metra lartësi, nga ku kundrohen bjeshkë të pafundme. Të gjitha shtëpitë e saj janë kulla të forta, ndërtuar në shkrep, disa sosh në buzë të greminës, si vazhdim i shkëmbit, ndonjë me shkallë të gurta nga rruga deri në majë. Bardhok Pulaj, që është nip këtu thotë se Tranga kishte shtigjet e saj nga mund të ngjiteshe, si ajo kështjella që ka disa porta e nuk mund të ngjitesh nga gjithkah.

Tranga e Poshtme dhe Tranga e Epërme, përbëjnë një kurriz malor disa km të gjatë, si një “çati” natyrore e fshatrave poshtë, që zgjatet deri në Qafë Kishë.

Tranga i ka të gjitha, por nuk ka ujë. Dikush ka menduar dhe për këtë, por nuk është koha tani për të folur, fatmirësisht ka njerëz që nuk i duan lavdërimet, aq më pak si paradhënie, ata bëjnë punën në dobi të komunitetit, çelin përspektiva të reja na male dhe kjo u mjafton. Kështu që kësaj here të rrimë te natyra.

Nuk është se njerëzit nuk e kanë dashur rrugën që herët, por terreni është i pazakontë, nga ana perëndimore pjerrësia me fshatrat (Lufaj, Bardhaj, Lëkundë) është pingul, mos me u ngjit as dhitë e egra, kurse nga ana lindore në të gjithë gjatësinë e saj ajo kufizohet me Kanionet e Urakës, ndër më të mëdhenjtë e vendit, krejtësisht të paeksploruar dhe të pazbuluar për turistët, por jo dhe për ndërtuesit e HEC-eve. Fshatrat Lami i Madh, Gjoçaj, Dukagjin e të tjerë nga Tranga i ke si në pëllëmbë të dorës, kurse Mali i Dejës, edhe pse i jemi afruar tërthorazi, nuk e humbet madhështinë… Ka mjaft histori për të cilat mund të shkruash, por nuk do të ndalemi sot, thjeshtë s’rrimë dot pa thënë se na zunë sytë një gjysmë kandili karbiti, që dëshmon se këto kulla e kishin fatin të lidhur dhe me nëntokën e Kurbneshit, minatorët rronin mes thellësive dhe qiellit, të cilin e preknin me dorë, por pa mundur t’i shtrydhnin retë për të lëshuar shi sa herë e donte bashtina e tyre. Njerëzit e Lufajve kishin luksin të rronin në dy hapësira aspak të ngjashme, në fshatin poshtë si gjithë të tjerët, por dhe në katin e “dytë”, në Trangë, që vërtetë ishte e vështirë për t’u ngjitur, por tejet i begatë.

Mirëpo bash kjo lagje e “epërme” e Mirditës, që gjithë jetën është shkelur me mundim vetëm nga banorët e saj, falë rrugës që është hapur këto dy-tre vitet e fundit, nga një vend i mbyllur, ka gjasë të shndërrohet në një nga më të vizitueshmit. Dhe nëse ndodh kështu, ky nuk është një paradoks, por ravë e re zhvillimi në malet tona…

Së fundi, – në të vërtetë që në krye të herës – më duhet me e falënderue Nik Nikollin, drejtorin e Info-Kullës Rubik, që si mik i hershëm më mundëson udhëtime të tilla “aventurore” gjithandej Mirditës, jo vetëm duke më bërë të ecja në këmbë, në pikë të zhegut, nëpër livadhe, lendina, pyje, drejt kullave etj., apo me fuoristradë, në terrene të destinuara vetëm për ato të Rellit; tashmë duke më folur jo për ekuacionet e profesionit të tij, por për shtigje të markuara, shpella prehistorike, kanione, site arkeologjike, rrënoja fortesash të vjetra, por dhe një “kodër biblike”, siç e quan ai kodrën me gurë ciklopikë dhe lisa, nga vështrohet krejt pellgu i Matit.

Ne i soditëm kanionet nga lart, kurse nesër ato do të presin alpinistët e guximshëm dhe turistët e aventurës, që do t’iu prekin “themelet” në shtratrin shkëmbor të Urakës. Karmave të thepisura të tyre do të gjejnë dhe mjaltin e bletëve të egra, me hojet nëpër guva si kriptograme…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok