TI I MUNDE, O DJALË!

0
Protestuesi-Dhunuar-Arrestuar

Ese nga Gjon Marku

E trishtueshme kjo pamje! Aty, te dera e Ministrisë së Arsimit, ju e prangosët dhe e kryqëzuat si Krishtin. E trishtueshme është edhe pamja jote, o polic mjeran, simbol i një pushteti që mendon se mund ta nënshtrojë dinjitetin njerëzor me pranga, dhunë e poshtërim.

Por jo! Ai ju mundi! JU MUNDI!

Ky djalë ju mundi me dinjitet, i vetëm, sepse ju i zutë rrugën, e poshtëruat, ia vodhët ëndrrën dhe e plagosët shpresën, vetëm që ju të mbushnit xhepat me para. Vjedhje për të mbrojtur poshtërsinë, hajdutërinë dhe degjenerimin moral të një pushteti që duket se ka humbur çdo ndjenjë përgjegjësie ndaj njerëzve që duhet t’u shërbejë.

Atë që nuk e bëri dot një opozitë e tërë zyrtare, e shndërruar në një maskaradë politike, jua bëri ky djalë, i cili arriti të tronditë fort çdo zemër shqiptari të pashitur.

Ai ju mundi! Madje, ju poshtëroi, ju demaskoi dhe ju nxori lakuriq përpara ndërgjegjes së këtij populli.

Dhe si e bëri këtë?

Duke protestuar. Duke reaguar. Duke mos qenë në një mendje me ju. Duke mos u pajtuar me politikën tuaj. Duke vënë në dyshim autoritetin tuaj dhe duke mos pranuar të bëhej pjesë e heshtjes që ju ushqen.

Domethënë, duke përdorur armën më të fuqishme që mund të ketë një njeri përballë një pushteti arrogant: të menduarit ndryshe, dinjitetin, fisnikërinë, personalitetin, burrërinë dhe dijen.

Kujtoni se do të harrohet pamja e tij, i mbërthyer në hekura, në portat e Ministrisë së Arsimit, si një martir i kohëve mesjetare? Kujtoni se koha do ta mbulojë me pluhur këtë dëshmi të turpit tuaj?

Jo! Kurrsesi!

Ajo pamje do të mbetet gjatë në kujtesën e hidhur të këtij populli, në kujtesën e poshtërimeve, të dhunës dhe të barbarisë që nuk i ka hije një shoqërie që pretendon të jetë demokratike.

Ai do të mbetet pikërisht në vendin më të përshtatshëm për të dëshmuar turpin tuaj: në portat e Ministrisë që mban emrin e bukur të «Arsimit», por që, në atë çast, u shndërrua në skenën e një mësimi të hidhur për demokracinë, lirinë dhe dinjitetin njerëzor.

Pak rëndësi ka tani se kur do të ikni, si do të ikni apo pse do të ikni. Një ditë, çdo pushtet largohet. Çdo qeveri përfundon. Çdo karrige mbetet bosh.

Por disa pamje nuk largohen kurrë nga historia.

Dhe nga historia e qeverisjes suaj, këtë njollë nuk do të mund ta shlyeni kurrë!

Ashtu si heronjtë e Trojës, të cilët nuk u bënë të pavdekshëm duke iu nënshtruar armikut, por duke u ngritur mbi frikën, edhe ky djalë nuk u rrëzua në kuptimin e vërtetë të fjalës. Ai u ngrit. U lartësua. U bë më i madh se prangat me të cilat deshët ta nënshtronit. Dhe, pa e kuptuar as vetë, ju dha një mësim që nuk do ta gjeni në asnjë tekst shkollor: njeriun mund ta plagosësh, mund ta prangosësh, por nuk mund ta mposhtësh kur ai nuk pranon të dorëzojë ndërgjegjen e vet.

Tani, në shtratin e spitalit, i plagosur prej jush dhe i ruajtur prej atyre që e plagosën, ai vazhdon të qëndrojë në këmbë me shpirtin e tij. Ju dini të ushtroni forcën, të vendosni pranga dhe të ruani ata që keni dhunuar. Por a dini të bindni? A dini të dëgjoni? A dini t’i përgjigjeni një të riu që kërkon të drejtën e vet pa e trajtuar si armik?

Ai po ju tregon se nuk mposhtet. Se edhe kur e plagosni, edhe kur e rrethoni me hekura, edhe kur përpiqeni t’ia mbyllni gojën, mendimi i tij vazhdon të ecë i lirë.

Është njëri prej atyre studentëve që, edhe në kushtet më të pavolitshme, vazhdon të lexojë, të mendojë dhe t’ju sfidojë me armën e tij më të fuqishme: dijen. Edhe i prangosur, ai ju vë përballë një të vërtete që ju tremb më shumë se çdo britmë proteste: një mendje e lirë nuk pranon të bëhet skllave e një pushteti që kërkon bindje të verbër.

Dhe këtu më kujtohet Heinrich Heine, poeti gjerman, dhe ironia e tij therëse ndaj policisë prusiane, e cila kontrollonte bagazhet, sikur të mund ta kapte lirinë duke kërkuar libra të ndaluar.

Më kujtohet ajo ide e pavdekshme e poetit: ç’kërkoni kot mes rrobave e sendeve të mia, o të marrë, kur unë mbaj në kokë një bibliotekë më të rrezikshme se të gjithë autorët që keni ndaluar?

Ja, pra, pyetja që duhet t’ju shqetësojë vërtet!

Ç’do të bëni me bibliotekat që mbajnë në kokë të rinjtë shqiptarë? Si do t’i prangosni mendimet e tyre? Si do t’ua ndaloni librat, pyetjet, ëndrrat dhe guximin për të mos menduar si ju?

Si do ta ndaloni një brez që nuk pranon të trashëgojë frikën, heshtjen dhe nënshtrimin?

Nuk mundeni!

Mund të vendosni pranga në duart e një djali, por nuk mund t’i vendosni pranga ndërgjegjes së një brezi. Mund ta plagosni trupin e tij, por nuk mund ta shëroni dot plagën që i keni hapur ndërgjegjes së shoqërisë. Mund ta ruani ditë e natë në një shtrat spitali, por nuk mund ta burgosni të vërtetën që ai ka nxjerrë në dritë.

Dhe pikërisht këtu qëndron fitorja e tij.

Jo te forca fizike. Jo te numri i njerëzve që e rrethojnë. Jo te zhurma e protestës.

Por te fakti se ai nuk pranoi të përkulej.

Sa shumë të kam zili, o djalë!

Të kam zili, sepse ti munde të bësh atë që shumëkush e mendon, por pak kush guxon ta bëjë. Ti dole përballë frikës, përballë arrogancës, përballë një pushteti që, në vend të përgjigjej me argumente, të përgjigjej me pranga e dhunë.

Ti i kujtove këtij vendi se ende ka të rinj që nuk shiten, nuk blihen dhe nuk heshtin.

Ti u kujtove shqiptarëve se dinjiteti nuk matet me postin që mban, me paratë që vjedh apo me uniformën që vesh, por me atë që je i gatshëm të mbrosh kur të tjerët kërkojnë të të nënshtrojnë.

Prandaj, mos u mposht, o djalë!

Mos lejo që dhimbja të të vjedhë besimin, që padrejtësia të të shuajë shpresën dhe që kjo përvojë e hidhur të të bëjë të dyshosh te vlerat për të cilat u ngrite.

Ti ke fituar diçka që ata nuk mund ta blejnë me asnjë shumë parash dhe nuk mund ta marrin me asnjë urdhër: respektin e atyre që e njohin vlerën e lirisë dhe të dinjitetit.

Ti i mundë, o djalë!

Dhe nëse sot je i plagosur, kjo nuk do të thotë se je i mundur. Nëse sot je i prangosur, kjo nuk do të thotë se je i burgosur në shpirt. Nëse sot je në shtratin e spitalit, kjo nuk do të thotë se je rrëzuar.

Përkundrazi, ti je ngritur më lart se ata që menduan se mund të të ulnin.

Qëndro, pra, me dinjitetin tënd! Qëndro me mendjen tënde të lirë! Qëndro me ëndrrat që nuk arritën të t’i vrasin!

Sepse një ditë, kur të mos ketë më asgjë nga pushteti i sotëm, kur emrat të jenë harruar dhe karriget të jenë zënë nga të tjerë, ajo pamje në portat e Ministrisë së Arsimit do të vazhdojë të flasë.

Do të flasë për një djalë që nuk pranoi të nënshtrohej.

Dhe për një pushtet që, duke dashur ta poshtëronte, e lartësoi.

Mos u mposht, o djalë! Ti ke bërë atë që munde. Tani është radha e ndërgjegjes së këtij vendi të dëshmojë se e ka kuptuar mësimin tënd.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok