22/12/2024

THELLËSI E LEXIMIT DHE AFTËSI E KOMUNIKIMIT ME TEKSTE POETIKE MODERNE

0
Timo-Merkuri-Kacalidha

– Parathënie –

NGA ANTON NIKË BERISHA

Studimi i më i ri i Timo Mërkurit “Blatime poetike të Niko Kacalidhës” është një dëshmi e mirëfilltë e përkushtimit të tij në fushën e studimit të veprave të poetëve tanë bashkëkohorë, e leximit të vëmendshëm të tekstit të tyre, përkatësisht e aftësisë së komunikimit edhe me tekste të ndërliqshme poetike, të cilat kërkojnë më shumë dituri të qenësive dhe të veçantive të artit të fjalës. Po e them këtë për arsye se studimi i poezisë moderne, siç është ajo e poetit Niko Kacalidha, e vë para vështirësive dhe mëdyshjeve të pashmangshme secilin studiues që gjakon të vërë një komunikim thellësor dhe dinjitar me të, po dhe të përndritësojë ndikimin e mundshëm estetik të teksteve të kësaj natyre në marrësin.

Mënyra e qasjes dhe e ndriçimit të dukurive e të vlerave të poezisë së Niko Kacalidhës, që e zbaton autori, të shpjerë pandërmjetësisht tek dukuria sa e vjetër aq dhe e re, ndërlidhur me veprën letrare, me letërsinë: krijuesi – teksti – marrësi1 . Timo Mërkuri kërkon në tekstin poetik të vështruar dhe të interpretuar atë që ka brenda shpirtit të tij; që është pjesë e mendjes, e njohjes dhe e përvojës së tij; kërkon atë që heq peshë si vlerë në një krijese letrare, që nuk i përket vetëm një kohe dhe një personi; ai njësohet thellësisht me tekstin që e vështron dhe e interpreton, po dhe pjesë të tekstit të interpretuar njësohen me të, me botën e tij. Pra, në një farë mënyre, ata i japin njëri – tjetrit. Së këndejmi, nëse teksti letrar poetik është veta tjetër e shkrimtarit (shkrimtari i shndërruar në shenja dhe kuptime), në një mënyrë ose tjetër ai bëhet i tillë edhe për studiuesin dhe lexuesin (marrësin).

Kjo ndërlidhet me mendimin e Angelus Silesius-it për natyrën e tekstit letrar si syrin e padallimtë: “Syri nga ku e shoh unë Zotin, është i njëjti sy nga më sheh ai2” . Ndodh kështu nga se, siç thekson dhe Roland  Barthes-i, teksti poetik ka nevojë për hijen e vet: kjo hije, është pak ideologji, pak përfytyrim, pak subjekt: fantazma, skuta, gjurmë të mjegullta, re të nevojshme: subversioni duhet ta përftojë dritë- hijen e vet3” .

Timo Mërkuri nuk e shpjegon tekstin e poezisë së Niko Kacalidhës, as nuk e përshkruan; ai vë komunikim me tekstin si dhe ai (teksti) “vë komunikim” me të si studiues. Nga shumësia e kumteve të tekstit të poezive të Kacalidhës, Timo Mërkuri veçon atë që e ngrit dhe e dallon poezinë e tij; të veçantën dhe burimoren. Për t’ia dalë kësaj, atij i kanë ndihmuar dy përbërës të rëndësishëm: njohja e mirëfilltë e gjithë poezisë së Kacalidhës dhe njohja e rrjedhës së jetës dhe të kohës së hartimit të poezisë . Shpesh studiuesit i mjafton dukuria e parë – njohja e thellë e poezisë së një autori, po edhe dukuria e dytë (rrjedha e jetës dhe koha dhe vendet e përftimit të poezive) e bën punën e vet – kushtëzon njohjen dhe ndriçimin e poezisë përkatëse.

Brenda shumësisë së kumteve (mesazheve) të teksteve poetike, që veçohen në poezinë e Kacalidhës Timo Mërkuri dallon atë që përkon me botën e tij, me ndjeshmërinë, me tundimet shpirtërore me reflektimet në pasqyrë. Gjithë kjo është rrjedhojë e aktit të leximit, e përqendrimit dhe e kërkimit të asaj që një poezi e bën të qenësishme. Pra, akti i leximit i jep jetë vetë tekstit dhe shumësisë së kuptimeve që dalin (dhe mund të dalin) prej tij. Jashtë leximit teksti mbetet diçka e vdekur. Kjo a nuk mund të afrohet me atë që thoshte Walter Benjamini: “Mund të shkojmë edhe më tej e të pyesim veten: Raporti që narratori ka me lëndën, jetën njerëzore, a nuk është një raport artizanal4?”

Duke qenë i vetëdijshëm për shumësinë e kumtimeve të testeve poetike të Kacalidhës, studiuesi Timo Mërkuri e di se kur e interpreton një tekst modern, në të vërtetë jep një variant të mundshëm, jep atë që në një çast mendon se heq peshë dhe lartësohet mbi të tjerët e mundshëm; këtë e përligj me atë që thotë dhe me shembujt që sjell në studimin e vet. Them kështu nga fakti se tekstet poetike janë krijesa të përftuara e të shtjelluara përmes gjuhës poetike dhe të shprehurit poetik, janë krijesa para së gjithash të përfytyrimit. Këtë e dëshmon dhe ky tekst nga Libri i Fjalëve të urta (Proverbave) i të Besëlidhjes së Vjetër (të tillë gjejmë edhe në libra të tjerë të Besëlidhjes së Vjetër, si, fjala vjen, edhe në Librin e Psalmeve5 ):

Tri gjëra janë shumë të vështira për mua,

ose më mirë katër, që nuk i kuptoj aspak:

rrugën e shqiponjës në qiell,

rrugën e gjarprit në shkëmb,

rrugën e anijes në detin e thellë,

rrugën e burrit në një grua të re (Fu 30, 18 – 19).

Për këto vargje studiuesi dhe njohësi i madh i letërsisë së hebrenjve, Luis Alonso Schökel, thotë: “Kush i ka hartuar këto vargje është një poet i madh. E ne përpiqemi të shpjegojmë si ai e shpjegon atë që është e pashpjegueshme6? ”.

Natyra e poezisë është e tillë që “Pamjet nuk shërbejnë për t’i veshur idetë, po janë të lidhura me perceptimin e realitetit 7”, çështje që lidhet edhe me poezinë e Kacalidhës, për të cilën autori i studimit thotë “Qysh në botimet e fillimit ai u shfaq me një poezi metaforike surrealiste dhe afri stilistikore kishte me shumë me Fatos Arapin, ndërsa shpirtërisht ishte më i afërt me poezinë e Frederik Rreshpjes, por me një Frederik të “qeshur’ e plot dritë”8 .

Njohja e artit të fjalës, brenda tij dhe e poezisë, i ka bërë të mundur Timo Mërkurit të bëjë vlerësime të mëvetësishme e të qëndrueshme, duke prekur e ndriçuar ata përbërës që dalin nga teksti i poezive: “Poezia e Niko Kacalidhës është dashuri jo mendim dhe si çdo dashuri, ajo së pari ndjehet që është e tillë dhe vetëm më vonë kuptohet; është ndjenjë që rritet, e jo nerv i tendosur që këputet. Poezia e tij është shpirtërore, jo materiale; është ëndrra e prag-mëngjesit jo dielli që lind; nuk është lulja është aroma, nuk është buza është puthja. Ajo nuk është zemra është rrahja e saj, nuk është trupi është shpirti, është shpirti që gjallon te njeriu. Poezia e Niko Kacalidhës nuk është varg, është frymë, fryma e shenjtëruar e A(r)tit poetik. Unë ju them se ky poet është thjeshtë Biri i A(r)tit që solli Frymën e tij të Shenjtë te ne në formën e vargjeve poetike”.

Jam i bindur se studimi i Timo Mërkurit “Blatime poetike të Niko Kacalidhës” do të mundësojë përafrimin më të madh të lexuesit me poezinë dhe me botën poetike të autorit dhe do të nxitë një komunikim më të madh e më të mirëfilltë.

Prishtinë, shkurt 2023

1- Shih punimin Qenësia e marrëdhënies estetike: autori, vepra, marrësi. Në Estetika dhe estetika e letërsisë. Tekst për studentë. Bashkë me Labinot Berishën. Faik Konica, Prishtinë 2018, f. 184 – 210; shih dhe punimin tim Teksti letrar si komunikat dhe estetika e tij.Në veprën time „Teksti poetik.Vështrime e kritika”. “Rilindja”, Prishtinë 1985, f. 24 – 32.

2-Roland Barthes, Kënaqësia e tekstit. Përktheu nga frëngjishtja dhe shënimet Urim Nerguti. Buzuku, Prishtinë 2000. f. 27.

3-Roland Barthes, Kënaqësia e tekstit, vep. e përm., f. 49

4-Walter Benjamin, Narratori. Reflektime mbi veprën e Nikolai Leskovit. E përktheu nga

origjinali gjermanisht Ervin Lani, Zenit Editions, Tiranë 2021, f. 68.

5-Për Psalmet shih Parathënien time në Psalmet. Shqipërimin dhe parathënien Anton Nikë Berisha. Arqipeshkvia Metropolitane Shkodër – Pult, Shkodër 2017.

6-Luis Alonso Schökel, Manuale di poetica Ebraica. Editrice Quaeriniana. Brescia 1989, f. 124.

7- I Salmi. Nuova versione, introduzione e commento di Tiziano Lorenzin. Quarta edizione. Paoline, Milano 2009, f. 36.

8- Shih më shumë zgjedhjen Frederik Rreshpja, Era përkund pikëllimin e luleve. Poezi. Zgjedhjen dhe parathënien Anton Nikë Berisha, Beqir Musliu, Gjilan 2018.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok