24/06/2024

Fatos Tarifa ka mprehur shpatën kundër Albin Kurtit

0

(Pjellat e sorosizmit janë hedhur në sulm)

Nga Eshref Ymeri

Në faqen e internetit “Demokracia” të datës 09 qershor 2023, lexova artikullin e Fatos Tarifës, me titull “Rreziku që vjen nga Albin Kurti”. Që në fjalinë e parë, ai deklaron:

“Nuk e shoh të nevojshme të flas si një diplomat”.

Dhe me të vërtetë. Fatosi “ka përvjelë mëngët”, e ka flakur tutje etikën diplomatike, ka marrë në dorë “sëpatën e dardharit” dhe i është turrur Albinit me tërë “baterinë” e epiteteve të mundshme. Sipas bindjes së patundur të Fatosit, Albini është “demagog, dritëshkurtër, i dobët, i shurdhët, i verbër, jo i mençur, jo politikan mendjehapur, jo vizionar, kryeneç, mendjembyllur, me kokë “demi”, mendjengushtë, populist, rrezik për Kosovën, “sovranist” folklorik, nuk është politikan i mençur, nuk është  diplomat i zoti, nuk është trim”.

Me këtë vargan epitetesh, Fatosi ka dhënë një ndihmesë mjaft të ndjeshme për pasurimin e Fjalorit të gjuhës shqipe me sinonime bukur të goditura për vlerësimin negativ të punës së një kryepolitikani  “të  paaftë”. Prandaj leksikografët duhet ta kenë parasysh, për ta tërhequr si bashkëpunëtor në hartimin e fjalorëve sinonimikë të gjuhës shqipe, paçka se pena e tij është e zënë me zejen e politikës neokomun(social)iste.

Pas gjithë breshërisë së epiteteve sinonimike që përdor kundër Albinit, Fatosi nuk i thotë lexuesit asgjë konkretisht se cili na qenka “faji i tij i rëndë”, por mjaftohet vetëm me shprehjen  “… është një papërgjegjësi e madhe t’u bësh  karshillëk Uashingtonit dhe Brukselit…”. Pra, rezultuaka sikur Albini, si kryeministër, na qenka mëkatar i madh. Dhe ku qëndruaka “mëkati” i tij? Ja shpjegimi i Fatosit:

“Diplomacia është një gjuhë e huaj për kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe një kulturë shtetërore që ai qartazi duket se nuk e njeh, ndryshe nga z. Enver Hoxhaj dhe qëndrimet realiste të tij”.

Po cilat na qenkan këto qëndrimet “realiste” të Enver Hoxhajt, të cilat i pëlqyekan kaq fort nekomunistit Fatos Tarifa?

Përmes internetit është bërë i njohur informacioni në vijim:

“Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, deklaron se e ke parë dhe e ka vlerësuar draftin e kryeministrit Edi Rama për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke e cilësuar si të rëndësishëm dhe të mirë” (Faqja e internetit “top.channel”. 08 qershor 2023).

Enver Hoxhaj, si bashkargat i Thaçit në shërbim të Vuçiçit, i bën reklamë draftit të Ramës, i cili, për shkak të komplekseve të inferioritetit, kërkon t’i rritë famën vetes, duke deklaruar:

“Një dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar, që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e Asociacionit dhe që Asociacioni është pjesë e organizimit të jetës për Kosovën” (Citohet sipas: Idriz Zeqiraj. “Dje sabotuan luftën, sot me asociacionin duan Serbinë hisedare në Kosovë”. Faqja e internetit “merbraha.com”. 21 qershor 2023).

Pra, ja ku fleka lepuri: Fatos Tarifa e paska mprehur shpatën e sulmit të vet kundër Albinit për të vetmen arsye se, në kundërshtim me Albinin, qenka plotësisht solidar me Vuçiçin dhe me Ramën për krijimin e një shteti serb brenda territorit të Kosovës, të maskuar me mantelin e “bashkësisë së komunave serbe”. Ndaj dhe nuk i bën përshtypje absolutisht drafti sekret, të cilin Rama ia pati nisur Berlinit dhe Parisit, a thua se Republika e Kosovës na qenka një fëmijë jetim që pret dikë t’i bëhet strehë. Rama s’mund të veprojë ndryshe, sepse, si servil dhe argat i kriminelit Vuçiç, Kosovën, faktikisht, nuk e konsideron shtet të pavarur dhe sovran. Fatos Tarifa, si  një diplomat karriere, si ia lejon vetes në këtë rast të deklarohet në mbështetje të Ramës dhe të Enver Hoxhajt, servilit të njohur të Hashim Thaçit? Ky Enver Hoxhaj është ai farë burri, i cili, si njeri pa personalitet para Thaçit, ka pasë deklaruar (sipas një citimi të Berat Buzhalës në njërin nga emisionet e tij “Ditari i Buzhalës”, të transmetuar në muajin gusht të vitit të kaluar): “Ne do të bëhemi hi e pluhur dhe emri i Hashim Thaçit nuk do të shuhet asnjëherë”. Pra, i parapëlqyeri i Fatos Tarifës, Enver Hoxhaj, e ngre në qiell Hashim Thaçin, i cili, siç e ka cilësuar bukur mirë Presidentja Vjosa Osmani, hyri në histori si “faqja e zezë” e vendit me marrëveshjet tradhtare që nënshkroi me Beogradin, duke e shndërruar Republikën e Kosovës në Palestinë të gadishullit tonë, çka i erdhi shumë për zemër Brukselit dhe taborit të sorosistëve, duke filluar nga Rama i Tiranës deri te Eskobari i Blinkenit në Departamentin e Shtetit. Vajmedet për diplomatin e karrierës Fatos Tarifa, që sulmon Albin Kuirtin, Kryeministrin me dinjitet të lartë kombëtar, dhe rreshtohet në të njëjtën llogore me Ramën dhe Hoxhajn – pasardhës të Enver Hoxhës në shërbim të serboshovinizmit gjakatar.

Për dijeninë e Fatosit, si anëtar i taborit të sorosistëve shqiptarë, me në krye Ramën, shumica e popullit kosovar, me votën e vet të 14 shkurtit 2021, Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit u ngarkoi detyrën “… për ta finalizuar faturën e dokumentuar të krimeve të luftës dhe padinë ndërkombëtare për krimet dhe gjenocidin e ushtruar nga një shtet, në krye të të cilit gjendet njeriu kryesor i ish-regjimit të Millosheviçit, i cili bart mbi vete edhe sot këtë barrë të trashëguar e të papastruar” (Citohet sipas: Hajrrullah Tërnava. “Me Vuçiqin në krye të shtetit të Serbisë, të përfshirë në masakra, gjenocid dhe krim, nuk mundë të ketë marrëveshje dhe pajtim”. Faqja e internetit “Kosova Sot”. 24 qershor 2023).

Në artikullin e Fatosit të bën përshtypje shakaja e tij e lezetshme që përcillet në paragrafin në vazhdim:

“Në Rambuje, shqiptarët e Kosovës u përfaqësuan nga djem e burra trima, të mençur dhe diplomatë të zotë; kryeministri Kurti është sot e kundërta e tyre, as trim, as një politikan i mençur, as një diplomat i zoti”.

[Një parantezë: diplomat i zoti ishte vetëm Dr. Ibrahim Rugova, i cili, gjatë viteve ’90, pati vizituar shumë vende evropiane dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për ta ndërkombëtarizuar Çështjen e Kosovës dhe arriti ta ndërkombëtarizojë.]

Mes përfaqësuesve të delegacionit kosovar, të cilët  Fatosi i vlerëson si “djem e burra trima, të mençur e diplomatë të zotë”, ia vlen të ndalemi vetëm te njëri prej tyre, te Hashim Thaçi, si përfaqësues i UÇK-së. Vetvetiu shtrohet pyetja: vallë me të vërtetë Fatosi nuk e ka pasur informacionin e duhur se cili ishte “diplomati dhe trimi” Hashim Thaçi?

Në një film dokumentar special francez të Canal +, të realizuar nga Pascal Henry, i çirret maska “diplomatit” të Fatos Tarifës. Në atë film thuhet:

“Hashim Thaçi është agjent i Francës. Kështu thotë ish-shefi i shërbimit francez, Pierre Siramy. Sipas tij, në historinë e rekrutimit të Thaçit është i përfshirë Arnaud Danjean, në atë kohë, oficer hulumtues për çështje të Ballkanit” (Citohet sipas:“Ish-shefi i shërbimit sekret francez tha se Thaçi është agjent i tyre, e rekrutuan në Rambuje”. Faqja e internetit “Kosova Sot”. 09 shtator 2020).

Pra, “diplomati i talentuar” i Fatos Tarifës, me emrin Hashim Thaçi, rezultonte agjent i Francës. Dhe, nënkuptohet, i rekrutuar nga shërbimi sekret francez për llogari të Serbisë, me qëllim varrosjen e interesave kombëtare të Kosovës. Dhe praktikisht u vërtetua në disa raste që Hashim Thaçi, si argat në shërbim të Serbisë, që gjatë luftës kreu akte të rënda tradhtie kundër popullit shqiptar të Kosovës.

Së pari, Hashim Thaçi, si drejtues politik i UÇK-së, nuk lejoi hyrjen e saj në Mitrovicën e Veriut, për të dëbuar që andej të gjithë serbët (siç i pati dëbuar Kroacia, si vend me zot, me në krye të Madhin Franjo Tuxhman), të cilët patën  bashkëpunuar me bandat e ushtrisë fashiste serbe për masakrimin e shqiptarëve.

Nga data 15 deri më 19 nëntor 1999, në Kosovë, në rolin e përkthyesit, pata shoqëruar një grup gazetarësh rusë. Në fshatin Grejkoc të komunës së Prizrenit vizituam familjen e zotërisë së moshuar Azem Canaj. Në bisedë e sipër, ndërhyri njëra nga nuset e djemve, e cila u tha gazetarëve:

“Ushtarët fashistë serbë armatosën të gjithë popullsinë serbe, duke filluar që nga fëmijët 12-vjeçarë, të cilët na kërcënonin me automatikë se do të na vrisnin”.

Naim Miftarit, luftëtar-veteran i njohur, ish-epror i lartë i UÇK-së, G2, UÇK-TMK dhe pjesëtar i Shërbimit informativ të Kosovës (SHIK), në një intervistë që i pati marrë Asllan Dibrani, i qe drejtuar me këtë pyetje:

“Po pse nuk u përqendruat në Mitrovicë ju me forcat e UÇK-së?”.

Ja përgjigjja e tij në vijim:

“Pesë ditë para se me u vendosë forcat e huaja, ne prisnim urdhrin që të futemi në Mitrovicë, por na erdhi urdhri nga Shtabi i Përgjithshëm që mos të sulmojmë…” (Citohet sipas: “Intervistë me Naim Miftarin, hetues i luftës kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar”. Faqja e internetit “Forumi shqiptar”. 30 maj 2009).

Së dyti, Hashim Thaçi nuk lejoi marrjen nën kontroll të minierave të Trepçës. Njëri nga aktivistët e shquar të diasporës shqiptare në Gjermani, zotëria Xhafer Leci, e ka denoncuar publikisht Hashim Thaçin, si agjent i francezëve në shërbim të Beogradit. Ai i është drejtuar me pyetjen në vijim:

“Pse përpjekjet e UÇK-së për të marrë kontrollin e  minierave të Trepçës u penguan nga trupat franceze më 3 korrik 1999 dhe pse heshti Hashim Thaçi?” (Citohet sipas: Xhafer Leci. “Mitrovica, Trepça dhe Hashimi”. Faqja e internetit “Tribuna Shqiptare”. 23 nëntor 2013).

Pas luftës, “diplomati” Hashim Thaçi kreu një tjetër akt të rëndë tradhtie në Mitrovicën e Veriut.

Naim Miftari, duke iu drejtuar Hashim Thaçit, ka deklaruar:

“… Sa i butë je për shefat e tu francezë, te cilët, në koordinim me Serbinë dhe me ju, e ndanë Mitrovicën, që ju tani po doni me e nda me letra, me marrëveshje. Nuk shpjeguat rolin tuaj në 2 dhe 3 shkurt 2000, kur e pastruat veriun e Kosovës nga shqiptarët, në koordinim me shefin tuaj francez, Denjear Arnaud, dhe me republikën e Serbisë, e cila kishte sjellë me autobusë paramilitarë, mercenarë dhe MUP-ovca (ishin vendosur si pacientë kinse në spitalin e Mitrovicës) disa ditë më herët, kur edhe ishte bërë plani për dëbimin, vrasjen, plaçkitjen, rrahjen e mbi 14.500 shqiptarëve që jetonin në Mitrovicën e Veriut” (Citohet sipas: “Demantohet Thaçi, personi që ishte prezent në sigurimin e tij, zbulon gjithçka se çfarë ndodhi në Mitrovicë”. Faqja e internetit “Bota Sot”. 09 qershor 2019).

Sigurisht, kryetradhtari Hashim Thaçi zbatoi urdhrin e Beogradit për dëbimin e atyre mijëra shqiptarëve nga shtëpitë e tyre në Mitrovicën e Veriut, se në ato shtëpi do të strehoheshin serbët e dëbuar nga Kroacia me dajakun e Franjo Tuxhmanit.

Pra, këto ishin krimet e rënda që “diplomati” Thaçi i Fatos Tarifës pati kryer në qershorin e vitit 1999 dhe në shkurtin e vitit 2000.

Fatos Tarifa nuk mund të mos e dijë se çfarë ka deklaruar Vuçiçi për këlyshin e vet Hashim Thaçi, sipas informacionit në vijim:

“Radio serbe B92, duke përcjellë një lajm nga Tanjug, sjell deklaratën bombë të Presidentit të Serbisë, drejtuar Hashim Thaçit. Aleksandër Vuçiç e nxjerr zbuluar Hashim Thaçin! Presidenti i Serbisë ia tha këtë deklaratë  Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi gjatë takimit të përbashkët në samitin e Brdo-Brijunit, të zhvilluar në Tiranë, Shqipëri. Ja çfarë citon Tanjug t’i ketë thënë Vuçiçi Hashim Thaçit:

“Ti Hashim varesh nga ne. Jam duke t’u lutur të flasësh, për të mos thënë atë që ti do apo atë që ti nuk do!”.

Vuçiçi përsëriti se ai nuk ka folur kurrë për zgjidhje,  por për arritjen e një marrëveshjeje” (Citohet sipas: “Deklarata e Aleksandër Vuçiçit: Hashimi varet nga ne! Nuk na ka kërkuar kurrë që Serbia ta njohë Kosovën…”. Faqja e internetit “Gazeta Impakt”. 12 maj 2019).

Në artikullin e Fatos Tarifës bëhet e ditur se Hashim Thaçi paska qenë edhe “trim”, por nuk sillen fakte konkrete se ku qenka provuar “trimëria” e tij. Në periudhën e zhvillimit të luftës në Kosovë, Hashimi s’pati rënë në sy absolutisht për ndonjë “akt trimëror”, sepse njihej si klient i Rognerit.

Naim Miftari i është drejtuar përsëri Hashim Thaçit. Ai kësaj radhe e ka ftuar që të tregojë të vërtetën se a ishte  në luftë apo jo? Ai shkruan:

“Hashim, trego djalë definitivisht, a je kanë në luftë a jo se brenda ditës herë po thoni po keni luftuar me armë në dorë, e herë kur po frikohesh nga Gjykata e Hagës po thu se ju keni qëndruar shumë larg vijave të frontit në Kosovë?” (Citohet sipas: Miftari: ”Hashim, trego definitivisht a je kanë në luftë?”. Faqja e internetit “a-news 24”, 10 qershor 2022).

Po si shpjegohet që ky “trimi” i Fatos Tarifës, si  kryekomisar i UÇK-së, s’paska marrë pjesë në asnjë betejë absolutisht dhe, pa e shkrehur pushkën as edhe një herë të vetme, e paska lënë t’i zërë ndyshk? Kjo të kujton atin shpirtëror të Thaçit, kryekriminelin Enver Hoxha,  kryeargatin e Beogradit, për të cilin Sejfulla Maleshova, në Plenumin e Beratit (23-27 nëntor 1944), duke iu drejtuar të pranishmëve, tha:

“Shikojani Enverit koburen që mban në brez se i ka zënë ndryshk”.

Kur Hashimi mbante postin e kryeministrit dhe të ministrit të jashtëm, në vitet 2013 dhe 2015, në Bruksel  janë  firmosur dy marrëveshje tradhtare, me pasoja shumë të rënda për Kosovën – marrëveshjet për krijimin shtetit serb në territorin e Kosovës – bashkësisë së komunave serbe. Pra, me Serbinë fashiste, e cila vrau dhe masakroi popullin shqiptar, dogji 200 mijë shtëpi, poshtëroi 20 mijë femra dhe shkatërroi krejt ekonominë e Kosovës, Hashim Thaçi pranoi të ulej në bisedime për copëtimin e Kosovës, bisedime, të cilat i ka vazhduar edhe pasi Gjykata Kushtetuese nuk e ka pranuar krijimin e bashkësisë së komunave serbe. Ku e gjeti të drejtën Hashim Thaçi për të firmosur për krijimin e tyre?  Zbatoi urdhrin e Beogradit, ndaj dhe nuk i interesonte absolutisht se cili ishte vullneti i popullit. Thjesht ndoqi praktikën e atit të tij shpirtëror, kryetradhtarit Enver Hoxha, i cili, duke shpërfillur mendimin mbarëpopullor, në mbledhjen e Byrosë Politike të 15 dhjetorit 1947, mori vendimin për bashkimin e Shqipërisë një sahat e më parë me Jugosllavinë, çka nënkuptonte shndërrimin faktik të saj në koloni jugosllave, nën maskën e republikës së shtatë.

Fatos Tarifa nuk mund të mos ketë dijeni për këto akte të  rënda tradhtie që janë kryer në Kosovë gjatë kohës që Hashim Thaçi ka qenë në majat e pushtetit. Dhe, për ironi, ai bën të paditurin për skenarin që patën përgatitur kriminelët e Beogradit me Millosheviçin në krye.

Fatkeqësisht, s’mund të ndodhte ndryshe, sepse skenari serb për Kosovën ishte përgatitur me kohë. Publicisti dhe analisti i talentuar Idriz Zeqiraj shkruan nga Gjermania:

“Serbia i kishte argatët e vetë të gatshëm. Ajo kishte planifikuar, që, sido që të rrjedhin ngjarjet në Kosovë, donte që njerëzit e saj të vihen në pozicione favorizuese për atë, Serbinë. Por, asaj nuk i mjaftonte vetëm ndihma e social-komunistëve të Tiranës. Bëri si bëri, koordinoi me miken tradicionale të Serbisë, Francën, e cila do t’ia ofronte Hashim Thaçit “mikun” e gatshëm, Arnaud Danjean, agjent i Sigurimit francez, DGES” (Citohet sipas: Idriz Zeqiraj. “Hashim Thaçi u arrestua për vrasjen e Ali Ukajt, u lirua pas telefonatës së Xhavit Halitit”. Faqja e internetit “MekuliPress”. 14 gusht 2017).

Pra, Beogradi vuri në jetë në Kosovë po të njëjtin skenar që pati zbatuar në Shqipëri për vendosjen e agjentëve të vet në krye të partisë komuniste në vitin 1941, të cilët do t’i përdorte për përçarjen e popullit tonë gjatë dhe pas luftës. Shërbimi sekret jugosllav, përmes agjentit të vet Stanoje Simiç (1893-1970), konsull në Korçë në vitet 1930, peshkoi Enver Hoxhën, si njeri pa kurrfarë morali, të cilin ia rekomandoi Beogradit për ta vënë në krye të partisë komuniste, në mënyrë që kjo parti të shërbente si agjenturë jugosllave në Shqipëri, në përputhje me udhëzimet që u kishte dhënë dy emisarëve të vet pranë Enver Hoxhës – Miladin Popoviçit dhe Dushan Mugoshës. Pasojat tragjike u dukën shpejt: që gjatë luftës, krimineli Enver Hoxha, i frymëzuar nga dy emisarët në fjalë, filloi vrasjet e kundërshtarëve politikë, për çka e imitoi edhe Thaçi gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Dhe tradhtia e Enver Hoxhës arriti kulmin, pas Marrëveshjes së Mukjes. Ja çfarë shkruan një trashëgimtar i nderuar i nacionalizmit shqiptar:

“Ishte nisma e PKSH që kërkoi bashkimin… Në Mukje u morën vendime të rëndësishme. Ishte një program model, jo për në atë kohë, por dhe për sot. Këtë marrëveshje e prishi Partia Komuniste. Miladin Popoviçi e grisi marrëveshjen dhe ia hodhi Enver Hoxhës në fytyrë…” (Citohet sipas: “Marrëveshja e Mukjes, Uran Butka: Miladin Popoviçi e grisi dhe ia hodhi në fytyrë Enverit”. Faqja e internetit “Ora news”. 22 shkurt 2015).

Miladin Popoviçi, me atë qëndrim prej banditi që mbajti ndaj Enver Hoxhës, argatit të Beogradit, poshtëroi  krejt drejtuesit e partisë dhe të ushtrisë që ishin të pranishëm dhe, për pasojë, mbarë kombin shqiptar, se Enver Hoxha ishte i poshtëruar me kohë me servilizmin e vet para tij. Por megjithëse të lartpërmendurit ishin të pranishëm, që të gjihë me uniforma ushtarake dhe me kobure në brez, mes tyre, fatkeqësisht, s’u gjend një burrë trim, që Miladin Popoviçit t’i kishte treguar vendin dhe të kërkonte që të dëbohej një sahat e më parë nga vendi ynë. Që të gjithë, me heshtjen e tyre. u treguan burracakë.

Fatos Tarifa, i rreshtuar përkrah Ramës, në artikullin “demaskues” kundër Albin Kurtit, shkruan:

“Kryeministri Rama ka të drejtë kur thotë se ndërkombëtarët janë të zotët e shtëpisë në Kosovë dhe s’mund t’u dalësh kundër”.

Kjo deklaratë e tij të kujton atë të famshmen fjalë të urtë në vijim, në të cilën shprehet mungesa e theksuar e respektit të shqiptarit ndaj vetvetes:

“Shtëpia e shqiptarit, është e mikut dhe e shtegtarit”.

Shqiptari, gjatë jetës së tij, ka respektuar më shumë të huajin sesa vetveten. Dhe ia ka parë hairin të huajit me  rrudhosjen tragjike të trojeve të veta etnike.

Fatosi, si neokomunist, ndjek gjurmët e Ramës, i cili, si tradhtar i shqiptarëve, vazhdon traditën e tradhtisë së Enver Hoxhës, i cili, duke shkelur mbi gjakun e dëshmorëve dhe të viktimave kosovare në masakrën e Tivarit, për organizimin e së cilës bashkëpunoi me kriminelët serbë, për paturpësinë e tij, pati dhënë porosi, që, në faqen e parë të Abetares së vitit 1947, të shkruhej:“Tito luftëtar, Tito çlirimtar, Tito shpëtimtar i popullit tonë”!!! I kthente Borxhin Titos, i cili,  në vitin 1945, e kishte shpallur “hero të popujve të Jugosllavisë”!!! Për çfarë meritash para popujve të Jugosllavisë? Se kishte kryer tradhti të rënda ndaj Shqipërisë. Po Enver Hoxha ishte ai, i cili, në vitin 1951, pati deklaruar: “Bashkimi Sovjeti është ajri, uji dhe dielli për ne”, duke harruar që Stalini, në takimin me delegacionin jugosllav në Moskë në muajin shkurt të vitit 1948, kërkoi, sipas kujtimeve të Gjilasit, që Jugosllavia ta gëlltiste Shqipërinë. Fatos Tarifa të mundohet të mësojë sadopak nga intelektualë me brumosje të shëndoshë atdhetarizmi, njëri prej të cilëve shkruan:

“… kam gjithë të drejtën e Zotit të them se ky është një nënshtrim e përulje e neveritshme, autorët e të cilit jo vetëm që i damkos, por edhe do të mbahen mend gjatë si burralecë shteti pa dinjitet. Ka qenë një kohë gjatë sistemit komunist, kur politikanët shqiptarë nxitonin kush e kush të shpallte dashurinë e madhe ndaj Jugosllavisë, pastaj Bashkimit Sovjetik dhe në fund, ndaj Kinës. Betoheshin gjithë solemnitet se do t`u mbeteshin përjetë besnikë atyre”  (Citohet sipas: Shpend Topallaj. “Nuk ka asnjë arsye…”. Faqja e internetit “Fjala e Lirë”. 18 qershor 2023).

Edhe Rama, duke u lëpirë me kriminelin Vuçiç, ka shkelur mbi gjakun që derdhi populli shqiptar i Kosovës gjatë viteve ’90.

Në kor me tradhtarin Rama dhe me kopenë e analistëve servilë të tij, Fatos Tarifa sulmon Albin Kurtin në mënyrën më fshikulluese, me mllefin karakteristik të paraardhësve të tij komunistë. Ai citon Ramën, sipas të cilit “ndërkombëtarët janë të zotët e shtëpisë në Kosovë dhe s’mund t’u dalësh kundër”. E ka fjalën për Brukselin dhe Vashingtonin. Dihet që Rama njihet si kryetradhtar i Shqipërisë dhe shpërfillës i Kosovës, po Fatos Tarifa, si diplomat i karrierës, si ia lejon vetes të bëhet servil i Ramës, duke mos ia  shtruar vetes pyetjen se si shpjegohet që ai Brukseli, si ndërmjetës në dialogun Kosovë-Serbi, ka caktuar Borellin spanjoll dhe Laiçakun sllovak, dy përfaqësues nga dy vende, të cilat nuk e njohin pavarësinë e Kosovës? Vallë nuk e kuptuaka Fatos Tarifa që Brukseli, pas përfundimit të luftës, u rreshtua në anën e Serbisë? Mirë do të ishte që diplomati i karrierës Fatos Tarifa, për qëndrimin e Borellit ndaj Kosovës, të marrë leksione nga një politikane perëndimore. Në informacionin në vijim thuhet:

“Këshilltarja lokale e Bashkimit Evropian, Kati Schneeberger, i ka bërë thirrje Evropës që të qëndrojë me Kosovën dhe i ka kërkuar Jozef Borrell-it që të japë dorëheqjen: “Dorëhiqu para se të bësh më shumë dëme. Ti je një rrezik për demokracinë dhe paqen në Evropë. Na duhen njerëz që e mbrojnë demokracinë tonë, jo që forcojnë autokratët”, – citohet të ketë shkruar ajo në rrjetet sociale” (Citohet sipas: Frank Shkreli. “Për dorëheqjen e Jozef Borellit”. Faqja e internetit “Fjala e Lirë”. 18 qershor 2023).

Diplomatit Fatos Tarifa mirë do t’i bënin edhe leksionet e një intelektuali të botës akademike perëndimore, i cili, duke konstatuar që “shtetet perëndimore po tërhiqen  nga politika progresive”, ka deklaruar:

“Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet parë si një mjet i Serbisë për destabilizimin e Kosovës, sipas modelit të Republikës Srpska në Bosnje-Hercegovinë dhe ish-Republikës Serbe të Krajinës në Kroaci. Çështja nuk është se çfarë duket si një kompromis i drejtë në letër, por se si Serbia do ta përdorë një entitet të tillë në praktikë. Në praktikë, Serbia mbetet e përkushtuar ndaj politikës shoviniste të rimarrjes së Kosovës dhe çdo autonomi institucionale për serbët në Kosovë do të ndërtohet në atë mënyrë, derisa të bëhet një shtet serb-irredentist brenda një shteti, i cili do të përdoret për të përmbysur tërë Kosovën ose, ndoshta, copëtimin e saj” (Citohet sipas: “Intervista e “Albanian Post” me dr. Marko Attila Hoare, profesor në Universitetin e Sarajevës”. Faqja e internetit “Radio Kosova e Lirë”. 13 maj 2023).

Fatos Tarifa le të njihet edhe me këndvështrimin e ekspertit amerikan të marrëdhënieve ndërkombëtare, Daniel Serwer, profesor i Universitetit Xhons Hopkins. i intervistuar në youtube-kanalin kosovar “Mikrosoft Bing” të datës 13 qershor. Ai u shpreh kundër draftit të Ramës për Kosovën dhe deklaroi: “Berisha ka të drejtë… Amerikanët duhet të ndryshojnë qëndrim”. Kurse një javë më vonë, duke iu drejtuar Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, ai deklaroi:

“SHBA e ka ushqyer Vuçiçin kryesisht me karota… BE-ja dhe SHBA-ja po ndjekin me zjarr misionar prioritetin kryesor të Vuçiçit, Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe brenda Kosovës… Qasja juaj aktuale ndaj normalizimit nuk do të funksionojë: synon shumë lart dhe anon shumë… Ajo që do të funksionojë me Serbinë është më pak karota dhe më shumë shkopinj. Ajo që do të funksionojë me Kosovën është më pak shkopinj dhe më shumë karota. Vazhdimi me qasjen tuaj aktuale rrezikon të minojë normalizimin dhe të shkaktojë destabilitet serioz rajonal” (Citohet sipas: Daniel Serwer.Ëndrra ime për negociatorët e SHBA dhe BE me Kosovën dhe Serbinë”. Faqja e internetit “Voal”. 21 qershor 2023).

Analisti dhe publicisti i njohur kosovar, Skënder Kapiti, në  një artikull, të botuar në internet, ndër të tjera, ka deklaruar: “… Kurtit iu kanë kundëvënë edhe shtete aleate që kontribuan në çlirimin e Kosovës…”. Aleatë kryesorë ishin Shtetet e Bashkuara. Por, me kalimin e viteve, fatkeqësisht, në raport me Kosovën, ngjarjet në Vashington morën një tjetër drejtim. Ish-presidenti Tramp, në dhjetor të vitit 2015, në hapje të fushatës zgjedhore për president, pati deklaruar:

“Për mua personalisht, bombardimi i serbëve është një turp i vërtetë. Ndërkohë, Klintonët këtë e vlerësojnë si një sukses të paparë. Kërkoj ndjesë para popullit serb për të gjitha gabimet e politikës amerikane. Në qoftë se unë do të vij në krye të Amerikës, atëherë ka për të ndryshuar kursi i politikës së jashme, i cili deri tani shpeshherë ka qenë i gabuar” (Citohet sipas“Trampi i kërkoi falje Serbisë… për Klintonët”. Marrë nga faqja e internetit “stihiya.org”. 25 dhjetor 2015).

Pra, Trampi s’e kishte për gjë fare ta fyente rëndë dinjitetin e popullit shqiptar të Kosovës dhe të shkelte mbi gjakun e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare dhe të mijëra e mijëra viktimave nga radhët e popullsisë civile.

Madje, për ta nënvizuar simpatinë e vet për Serbinë dhe qëndrimin  kundër Republikës së Kosovës, Trampi, fillimisht, si të dërguar special për Kosovën, pati emëruar këshilltarin e vet Xhon Bolton (John Bolton), armikun e pavarësisë së Kosovës. Pas Boltonit emëroi Metju Palmerin (Matthew Palmer), dhëndrin e Serbisë, i cili pati deklaruar se kur të dilte në pension, do të zhvendosej me banim në Serbi. Më në fund, emëroi Riçard Grenellin (Richard Grenell), një njeri aspak i moralshëm ndaj Kosovës. Por qëndrimet kundër Kosovës po vazhdojnë edhe tani në Departamentin e Shtetit.

Ambasadori amerikan në Beograd, Kristofer (Christopher) Hill, ka deklaruar: “Formimi i Asociacionit është një parakusht për të ecur përpara” (Faqja e internetit “Reporteri”. 24 janar 2023). Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, po ashtu, ka deklaruar:  “Formimi i Asociacionit është një detyrë urgente” (Faqja e internetit “Konica”. 25 maj 2023).

Ish-senatori i Arizonës, i ndjeri Xhon Mekei (John  McCain 1936-2018), këtu e disa vite të shkuara, qe shprehur në Senat  kundër emërimit të Blinkenit në postin e Zëvendëssekretarit të Shtetit në vitin 2014, sepse e konsideronte “dangerous to America” (Citohet sipas:“Senator John McCain on Tony Blinken Nomination”. Faqja e internetit “c-span”. 16 dhjetor 2014). Blinkeni, siç dihet, është mik i Sorosit. Tani që Blinkeni është Sekretar Shteti, ka emëruar të dërguar të posaçëm Gabriel Eskobarin për të ndjekur dialogun Kosovë-Serbi. Dhe Eskobari ka marrë në dorë çelësat e shtëpisë në Kosovë dhe, për krijimin e shtetit serb, të ashtuquajturit asociacion, në territorin e Kosovës, ka deklaruar:

“Asociacioni është një kërkesë ligjore për qeverinë e  Kosovës. Është në marrëveshjen e Brukselit, është në konkluzionet e këshillit europian, është në marrëveshjen e Ohrit. Nuk është një marrëveshje mes Kurtit dhe Serbisë por mes Kosovës dhe Serbisë. Prandaj nëse Prishtina dëshiron të ecë përpara me integrimin, duhet të formojë asociacionin. Do të ndodhë! Pyetja që ngrihet është: nëse do të ndodhë me këtë qeveri apo një qeveri të ardhshme” (Citohet sipas: ““Asociacioni, detyrim ligjor”, Eskobar i prerë: Do të ndodhë se s’bën, me, ose pa Albin Kurtin”. Faqja e internetit “Opozita.com”. 07 qershor 2023).

Kjo deklaratë e Eskobarit, me tonet e një ushtraku të  lartë, karakteristike për zbatimin e një urdhri të prerë, është tepër arrogante, tepër fyese jo vetëm për Albin Kurtin dhe qeverinë e tij, por edhe për mbarë popullin e Republikës së Kosovës. Në këto kushte, është e çuditshme se si ka mundësi që treshja udhëheqëse në Prishtinë – Osmani, Kurti, Konjufca – deri tani nuk e kanë dëgjuar absolutisht zërin e disa intelektualëve me brumosje të shëndoshë atdhetarie. Ata intelektualë kanë kërkuar, që, marrëveshjet tradhtare, të cilat kryeargati i Vuçiçit, Thaçi, tani i ndodhur në qelitë e Hagës, ka nënshkruar në Bruksel vetëm për interesat e Serbisë, përfshirë marrëveshjen kryesore për krijimin e bashkësisë së komunave serbe, duhej të ishin hedhur poshtë, në përputhje me Vendimin e Gjykatës Kushtetuese, edhe me vendim të Kuvendit, edhe me respektimin e vullnetit mbarëpopullor përmes zhvillimit të një Referendumi. Intelektuali i shquar, Prof.dr. Mehdi Hyseni, historian i njohur dhe specialist i së drejtës ndërkombëtare, i është drejtuar Kryeministrit Kurti me një letër të hapur, në të cilën i ka bërë thirrje të mos e marrë përsipër faturën e përgjegjësisë për mospranimin e krijimit të bashkësisë së komunave serbe, por t’i përgjigjet presionit të ndërkombëtarëve me zërin e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe të opinionit mbarëpopullor me Referendum, mbi të cilin nuk mund të ngrihet absolutisht askush.

Për kombin shqiptar, Amerika ka qenë dhe mbetet një mik i pazëvendësueshëm për arsyet që dihen. Edhe Amerika është e bindur plotësisht që shqiptarët janë i vetëmi komb më proamerikan në mbarë botën. Por në marrëdhëniet midis miqve ka një marrëveshje të heshtur, sidomos kur është fjala për miqësinë midis një më të madhi dhe një më të vogli. Miku më i vogël duhet të jetë i kujdesshëm në marrëdhëniet me mikun e madh, të cilit nuk i duhet thënë vazhdimisht si urdhron, si urdhëron, si urdhëron për çdo gjë. Sepse kjo mënyrë sjelljeje, me kalimin e kohës, bëhet shkak që miku i madh, në heshtje, të fillojë ta shpërfillë mikun e vogël, madje deri në përbuzje. Prandaj kur miku i madh gabon, miku i vogël nuk duhet të pajtohet kurrsesi me të. Por tani që miku i madh bën presion në mbështetje të Serbisë, taborrët e analistëve, në shumicën dërrmuese të mjeteve të informimit masiv në shërbim të Ramës, si edhe krejt opozita në Prishtinë, si një kope e uritur hienash, janë turrur kundër Albin Kurtit.

Duhet përshëndetur përzemërsisht publicisti i nderuar shqiptaro-amerikan, Aurel Dasareti, ekspert i shkencave ushtarake dhe psikologjike, i cili, në shumë faqe interneti të datës 20 qershor 2023, ka deklaruar:

“Të huajt e ledhatojnë Serbinë dhe tallen me Kosovën, sepse e dinë se edhe tradhtarët e shtetit amë (Shqipërisë londineze) janë në anën e barbarëve terroristë…”.

[Ambasadori amerikan në Beograd, Kristofer (Christopher) Hill, e ka shprehur publikisht ledhatimin e vet për Serbinë. Ai ka deklaruar:

“… NATO-ja e ka bërë të qartë se Serbia, nëse dëshiron, mund të bëhet pjesë e asaj aleance, por gjithashtu theksoi se kjo do të ndodhë kur ta dëshirojnë qytetarët e saj” (Faqja e internetit “top.channel”. 11 gusht 2022).

Pra, vendimtare për pranimin e Serbisë në NATO, na qenka dëshira e popullit serb, jo vendimi unanim i anëtarëve të Aleancës Veriatlantike. A ka vallë qëndrim më ledhatues për Serbinë, sesa ky i ambasadarit Hill? Po pse Hilli nuk ledhaton edhe Kosovën, e cila dihet se sa të madhe e ka dëshirën për t’u pranuar në NATO? Për qytetarët e Republikës së Kosovës, vetvetiu lind dyshimi se ambasadorët Hill, Hovenier dhe të dërguarin Eskobar, i ka blerë Beogradi]

Edhe neokomunisti Fatos Tarifa, si  vegël e bindur e Ramës, mikut të Vuçiçit  dhe të Thaçit, treshes komlotiste, e cila në Nish hartoi në fshehtësi planin për copëtimin e Kosovës, plan ky i denoncuar nga Zonja e nderuar Sonja Biserko, nuk mund t’ia lejonte vetes të mbetej jashtë kësaj kopeje. Me këtë rast, pjesëtarët e kopesë së hienave ia kanë çjerrë  maskën vetes dyfish.

Së pari, ata mundohen ta reklamojnë veten si proamerikanë, meqenëse, sipas trurit të tyre të lajthitur nga servilizmi me pagë, Albini na qenka “antiamerikan”, ndërsa në të vërtetë ata vetë janë antiamerikanë të kulluar.

Së dyti, si pasardhës besnikë të pararendësve të tyre veteranokomunistë, ata e zbulojnë veten ashtu siç janë faktikisht: neokomunistë të thekur, trashëgimtarë besnikë të politikës tradhtare të Enver Hoxhës në shërbim të Beogradit, armikut shumëshekullorë të kombit shqiptar.

Analisti Skënder Kapiti ka nxjerr në pah një dukuri tragjike që  vihet re në Shqipëri, dukuri, e cila ndikon shumë negativisht mbi krejt bashkëkombasit tanë. Ai shkruan:

“Si politika, ashtu edhe mediat në Shqipëri, janë të zhveshura nga patriotizmi dhe nacionalizmi dhe kanë një antikosovarizëm të maskuar me hipokrizi dhe shumë të pabesë e tinëzar…  Patriotizëm do të ishte dhe do të kishte atëherë kur Shqipëria të kishte hyrë në luftë për mbrojtjen e shqiptarëve të Kosovës nga gjenocidi serb dhe për çlirimin e Kosovës” (Citohet sipas: “Në Shqipëri ka pak e rrallë ndonjë politikan, intelektual e media nacionaliste”. Faqja e internetit “gazeta.mk”. 17 qershor 2023).

Ka shumë të drejtë analisti i nderuar Skënder Kapiti, por Shqipëria në vitin 1999 nuk mund të ndërhynte në luftë për mbrojtjen e Kosovës, sepse në krye të vendit ishin dy komunistë antinacionalistë, pasardhës të Enver Hoxhës në zejen e servilizmit ndaj serboshovinizmit, si Fatos Nano dhe Rexhep Meidani. Asokohe, siç më ka rrëfyer specialisti i shkëlqyer i artit usharak, kolonel Dilaver Goxhaj, ish-zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, në Veri të vendit tonë ndodheshin 400 tanke. Por të dy të lartpërmendurit nuk dhanë urdhër që, qoftë edhe një tank i  vetëm, të kalonte matanë kufirit, në mbrojtje të vëllezërve tanë të një gjaku. Për më tepër, kolonelin Dilaver Goxhaj, i cili, si intelektual me vetëdije të lartë kombëtare, me vetiniciativë, shkoi vullnetarisht të mbronte Kosovën dhe, si specialist i anglishtes, dha një kontribut të jashtëzakonshëm për koordinimin e veprimeve luftarake të pilotëve të NATO-s me forcat tokësore të UÇK-së, Presidenti Rexhep Mejdani, pas luftës, në vend që ta gradonte gjeneral dhe ta dekoronte me Medaljen më të lartë “Nderi i Kombit”, u tregua krejtësisht shpërfillës ndaj tij, një qëndrim ky shumë i pahijshëm për postin që mbante.

Majtizmi shqiptar, i përfaqësuar  nga komunistët e djeshëm dhe neokomunistët e sotëm, ka qenë dhe mbetet argat në shërbim të serboshovinizmit shtazëror, armikut të egër të shqiptarëve. Kjo është një e vërtetë tragjike në historinë tonë gjatë më shumë se 80 vjetëve të fundit: Enver Hoxha – argat dhe servil i Beogradit, Fatos Nano, i cili dikur, që nga Lisbona, kërkonte t’u jepte leksion vëllezërve tanë në Kosovë se kryeqytet i tyre na qenkej Beogradi, argat dhe servil i Beogradit jo më pak se Enver Hoxha, Edi Rama – argat dhe servil i Beogradit edhe më shumë se Enver Hoxha dhe Fatos Nano, sepse me minishengenin e kriminelit Vuçiç kërkon ta futë Kosovën nën ombrellën koloniale serbe. Fatos Tarifa, si diplomat karriere, do të ishte mirë të ndodhej në një tjetër pozicion, duke pasur parasysh qëndrimin e vendosur të Kryeministrit Albin Kurti dhe të Presidentes Vjosa Osmani kundër shovinizmit serbokriminal, shovinizëm ky, përkrah të cilit Brukseli ka qenë i rreshtuar që pas përfundimit të luftës dhe tani janë rreshtuar edhe diplomatë të Departamentit të Shtetit. Sepse e vërteta duhet thënë pa dorashka: ky Departament tani nuk është më ai i kohës së Medlin Ollbraitit (Madeleine Albright 1937-2022), e cila, dikur, gjatë bombardimeve të NATO-s, në një bisedë telefonike, Hashim Thaçit ia pati futur të dyja këmbët në një këpucë. Tani, në krye të atij Departamenti, ndodhet Blinkeni, i cili, siç është bërë e njohur në mjetet e informimit masiv, njihet për lidhjet miqësore familjare me Sorosin. Për pasojë, Departamenti i Shtetit ndodhet nën ndikimin e fuqishëm të sorosizmit. Vallë të mos e kuptojë Fatos Tarifa që po vihet në jetë një strategji fort djallëzore kundër shqiptarëve? Kjo është strategjia e ftohjes, e hedhjes në mëri të shqiptarëve kundër Shteteve të Bashkuara, për çka kanë qenë me kohë të interesuara dy kryeqendrat armiqësore kundër kombit tonë – Serbia dhe Rusia. Fatos Tarifa bëhet mbështetje e Ramës, i cili, si kryeministër i shtetit amë, në vend që të ngrinte padi në Gjykatën Ndërkombëtre të Hagës kundër Serbisë për të kërkuar dëmshpërblim për të gjitha krimet e rënda dhe shkatërrimet e panumërta që pati kryer në Kosovë, ai, përkundrazi, është bërë servil dhe argat i kriminelit Vuçiç. Por Fatos Tarifa s’mund ta ndryshojë dot pozicionin e vet, prandaj e sulmon egërsisht Albin Kurtin. Domosdo, sepse në “kozmologjinë” komuniste dhe neokomuniste shqiptare, ku endet Fatos Tarifa, gravitacioni komunist nuk e lejon ta ndryshojë pozicionin drejt krahut nacionalist, drejt krahut të atdhetarizmit ndërshqiptar. I rreshtuar përkrah Ramës, i cili, bashkë me Vuçiçin, ka kohë që komploton kundër Republikës së Kosovës, Fatos Tarifa, me sulmin kundër Albin Kurtit, tërthorazi, bën kauzë me ushtarët serbë, të cilët, siç thuhet në faqen e internetit “telegrafi” të datës 30 maj 2023, “bëjnë fushatë kundër ushtarit amerikan që po qëndron në veri, bëjnë thirrje edhe për vrasjen e tij”. Ёshtë fjala për ushtarin Stanley, i cili është duke qëndruar bashkë me ushtarët e tjerë të KFOR-it në komunat veriore të Kosovës.

Në këto kushte, Kryeministri Albin Kurti dhe Presidentja Vjosa Osmani duhet të mbështeten fuqimisht te populli, për të vjelë mendimin e tij me Referendum. Sepse kjo dyshe e nderuar udhëheqëse është pikërisht ashtu siç e ka karakterizuar analisti atdhetar Skënder Kapiti:

“… Kurti, dhe jo vetëm ai, por edhe Presidentja Znj. Osmani, janë dy politikanët dhe shtetarët shqiptarë model e shembull patriotizmi real, përgjegjshmërie publike e kombëtare, të pakorruptuar, shembull pastërtie, sinqeriteti dhe aftësie për të qenë në krye të Shtetit të Kosovës” (Citohet sipas: Skënder Kapiti. “Shqipëria, Kosova dhe Kurti e Osmani”. Faqja e internetit “Fjala e Lirë”. 18 qershor 2023).

Në mbyllje, dëshiroj të theksoj edhe diçka:

Kryeministri Kurti dhe Presidentja Osmani duhet të vazhdojnë të qëndrojnë burrërisht në mbrojtje të tërësisë territoriale të Republikës së Kosovës, kundër krijimit të çdolloj bashkësie serbe, pavarësisht nga presioni i ndërkombëtarëve, sepse një bashkësi e tillë është poshtërim i dinjitetit kombëtar para Serbisë, e cila, për shkak të natyrës së saj fashiste-shoviniste, Kosovën e quan pjesë të territorit të vet, duke harruar që i ka shumë borxhe të papaguara mbarë kombit shqiptar. Diplomatët brukselistë, me të cilët, fatkeqësisht, janë bashkuar edhe diplomatët sorosistë amerikanë, si Eskobar, Hill, Hovenier etj., do të vazhdojnë të ushtrojnë presion mbi Kryeministrin Albin Kurti dhe Presidenten Vjosa Osmani, që të pranojnë krijimin e bashkësisë së komunave serbe, sepse, për fajin e politikës sonë tradicionale, ata kanë krijuar bindjen se shqiptarët janë mendjelehtë dhe tërhiqen para të huajve. Në një información, të botuar shumë vite më parë, flitet për periudhën para Marrëveshjes së Ohrit të 13 gushtit 2001, të nënshkruar nën presionin e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Në atë informacin thuhet:

“Dihet, po ashtu se asokohe, në Shkup, kishte shkuar Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, admirali Gregori Xhonson, dhe i kishte bindur autoritetet e qeverisë së Shkupit se nuk mund ta fitonin luftën kundër shqiptarëve, por mund ta ruanin shtetin e tyre, nëse do të nënshkruanin një marrëveshje, e cila do t’ i joshte shqiptarët mendjelehtë dhe do të ruhej statusquoja edhe për një kohë të gjatë në këtë shtet…” (Citohet sipas: Ahmet Qeriqi. “I robëruari s’ka ç’ka humb në luftë, përveç këmishës së zezë të robërisë”. Faqja e internetit “Radio Kosova e Lirë”. 16 dhjetor 2009).

Ndërkombëtarëve, të cilët Serbinë fashiste, që humbi luftën, duan ta shpallin fitimtare  pas luftës, duke e shpërblyer me territore të Republikës së Kosovës, Kryeministri Kurti dhe Presidentja Osmani nuk mund t’u bëjnë asnjë lëshim absolutisht, se janë plotësisht në të drejtën e tyre. Kjo për arsye se Brukseli dhe diplomatët e Departamentit të Shtetit, presionin duhej ta kishin ushtruar fuqimish me kohë kundër Beogradit për flakjen nga kushtetuta të nenit, sipas të cilit Kosova konsiderohet pjesë e Serbisë. Ai nen dëshmon se ndërkombëtarët janë tallur dhe vazhdojnë të tallen me Kosovën, duke i kërkuar dialog me Serbinë, dialog ky, i cili ka qenë dhe vazhdon të mbetet paradoksal për shkak të tradhtisë së Hashim Thaçit. Në respekt të dinjitetit të Republikës së Kosovës, dialogu paradoksal me Serbinë duhet të ndërpritet, deri në flakjen e atij neni nga kushtetuta e Serbisë. Veç kësaj, Kryeministri dhe Presidentja e Kosovës duhet ta sfidojnë Serbinë, duke vënë në jetë propozimin që u ka dërguar me kohë Akadamia Shqiptaro-Amerikane e Arteve dhe e Shkencave për zëvendësimin e toponimit serb Kosovë me toponimin  tradicional iliropellazg Dardani.

Kaliforni, 28 qershor 2023

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok