11/12/2024

Të vlerësohet kontributi i grave malësore në luftë për liri

0
Tringe-Smajlja-Ivezaj

Nga Gjekë Gjonaj

Pozita e grave shqiptare  në Mal të Zi  të lindura, të rritura   në një shoqëri të mbyllur dhe patriarkale, të lidhura  ngushtë me traditat e vjetra,  e pranuan fatin e tyre shekullor se burrat e fortë lindin nga një grua të fortë. Shoqëria jonë  patriarkale  nënkupton një grua e cila është e detyruar të besojë  në mirëqenien e përgjithshme  të dominimit mashkullor. E kaluara historike  tregon se një barrë të rëndësishme në ndodhitë e shumta shoqërore dhe ndryshimet që ka pësuar ajo, e kanë  pasur gratë, ndërsa meritat i kanë marrë vazhdimisht burrat. Kjo nga vetë fakti se gruaja  në shoqërinë shqiptare është trajtuar si qenie e dorës së dytë, si një pjesë e familjes e cila është e destinuar për të lindur, për t‘i shërbyer burrit dhe për t’iu nënshtruar atij.

Në trevat shqiptare  në Mal të Zi, ku dikur u përplasën perandoritë, u përzien popujt, kulturat, fetë, ku liria më shpesh pushtohej sesa mbrohej, njerëzit  u brumosën  me një ndjenjë të fortë lirie, ndërsa  gratë  u bënë rojtare e të gjitha vlerave, shtëpisë, trashëgimisë, traditës, gjuhës… Ato me dinjitet   e pranuan faktin se barrën  në këto hapësira  e kanë mbajtur ashtu siç u ka hije grave të nderuara e të forta. Njëkohësisht ato ishin të vetëdijshme  dhe krenare se shqiptarët   ishin  trima përballë armikut, kurse ato  ishin dhe mbetën trima përballë jetës.

Virtytet e femrës shqiptare – frymëzim i luftërave për liri

“Burrat trima lindin dhe rriten vetëm nga nënat trimëresha”, thotë një fjalë e popullit. Femra  shqiptare, qoftë si nënë, motër, bijë apo bashkëshorte me krenarinë shqiptare nuk e ka duruar kurrë tradhtinë dhe pabesinë ndaj atdheut. Kjo nënkupton se gratë shqiptare  kanë  qenë trimëresha e heroina.  Historia jonë kombëtare gjatë shekujve të rëndë të robërisë është e mbushur përplot shembuj të heroizmit të femrës shqiptare. Roli dhe kontributi i saj në periudha të ndryshme historike për lirinë e atdheut është shumë i rëndësishëm, për të cilin ka se çka të shkruhet dhe të flitet.  Virtytet e femrës shqiptare ishin frymëzim i luftërave për liri të atdheut. Emrat  e grave malësore ( shqiptare)  si: Tringë Smajlja   e Grudës, Nora e Kelmendit etj., e kanë shkruar emrin e shkruar  me shkronja të arta  në historinë e Shqipërisë.

Margjinalizimi i padrejtë i rolit të grave  në luftë

Disa gra   shqiptare  morën pjesë në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore.  Dihet se ato kanë marrë pjesë në betejat e luftërave të mëparshme, kanë mjekuar të plagosurit dhe kanë shpërndarë ushqime për luftëtarët në front, duke dhënë kështu një kontribut të madh në luftën për liri. Nuk ka pothuajse asnjë betejë apo luftë që është bërë për lirinë e  trojeve të veta  në  Mal të Zi, në të cilën gratë shqiptare  nuk kanë dhënë kontributin e tyre. Ato ishin logjistika më e mirë, më fisnike dhe më sublime e luftëtarëve  shqiptarë. Duke marrë pjesë aktive në  format  të ndryshme të luftës dhe të organizimit, deri në kryengritjen me armë, gruaja shqiptare theu mjaft koncepte e praktika të vjetra dhe afirmoi veten e saj të denjë për një shoqëri të lirë dhe demokratike.

Historianët  të  afirmojnë  kontributin e  grave shqiptare në historinë e luftërave shekullore të popullit tonë  për liri e pavarësi.

Për aktet e larta të trimërisë   dhe të vetëmohimit të grave shqiptare  është shkruar shumë pak, për të mos thënë aspak. Për frymëzimin , guximin, trimërinë, ndershmërinë dhe pastërtinë morale e  shpirtërore të  grave shqiptare në radhët e luftëtarëve të lirisë duhet të shkruhet  shumë më shumë se deri më tani. Sepse  nuk do të na e falë as  historia as njerëzia të injorojmë e të margjinalizojmë  rolin  jashtëzakonisht të madh të  pavlerësuar të gruas shqiptare në luftë, i cili kushtëzohet pjesërisht nga  ndërtimi i një narrativi se lufta  është një “ lojë mashkullore”. Mbetet  në radhë të parë detyrë e historianëve shqiptarë që,   përmes kërkimeve dhe hulumtimeve  historike  të argumentuara, të  shpalosin kontributin dhe  heroizmin e treguar të  grave  dhe të vajzave  shqiptare në këtë shtet në luftë kundër pushtuesve të huaj dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Kjo është një detyrë jo thjesht profesionale, por  obligim kombëtar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok