21/12/2024

TË KËRKOHET DËMSHPËRBLIMI PËR PUNËTORËT E PËRJASHTUAR PREJ PUNE

0
Adil-Fetahu

Grupi për bisedime me Serbinë duhet të kërkojë dëmshpërblimin përpunëtorët e përjashtuar prej pune nga regjimi serb në periudhën 1990-1990

Për këtë kërkesë e ka një mbështetje relevante nga raporti i Organizatës Ndërkombëtare të Punës

Asnjë bisedues me Serbinë deri më tash nuk e ka ngritë këtë çështje

Nga Adil FETAHU

Çështja e dëmshpërblimit të puëtorëve më e rëndësishme se Fondi i Pensioneve

Nga informimi dhe dokumentacioni që kryetari i Republikës së Kosovës ia dha para dy ditëve Grupit për bisedime me Serbinë, përmendi se deri më tash i paska ngritur nëntë çështje për t’i zgjidhur, ndër të cilat disa ishin shumë më pak të rëndësishme e me peshë më të vogël dhe me bazë më të brishtë për t’i zgjidhur, se sa është çështja e dëmshpërblimit të punëtorëve të përjashtuar prej pune nga regjimi i Serbisë, në vitet 1990-1999.  Ndër temat e ngritura deri më tash, kryetari përmendi edhe çështjen e Fondit të Pensioneve që e ka marrë Serbia. Çështja e fondit të pensioneve nuk është as për së afërmi e rëndësishme, sa është çështja e dëmshpërblimit të më se 130 mijë punëtorëve,të të gjitha veprimeve dhe të gjithë sektorëve shtetërorë e shoqërorë, të përjashtuar prej pune në mënyrë të padrejtë dhe të kundërligjshme. Jo vetëm përkah numri, por edhe përkah rëndësia e pozitave të njerëzve të përjashtuar, përkah vëllimi i dëmit të shkaktuar, çështja e dëmshpërblimit të punëtorëve është ku e ku më e rëndësishme, se sa  fondi i pensioneve. E para, sepse nga fondi i pretenduar i pensioneve nuk mund të nxirrënshumë mjete sa pretendohet. Për shkak se në fond nuk janë grumbulluar aq shumë mjete gjatë asaj periudhe, që karakterizohej me krizë ekonomike, sanksione dhe inflacion të lartë e me numrin e vogël të punëtorëve që kishin mbetur në punë. Kështu që për atë periudhë, mjetet e grumbulluara nga kontributet për sigurimin pensional dhe invalidor, nuk kanë mjaftuar as për pagesën vijuese të pensioneve, por gjithnjë janë marrë subvencione prej buxhetit të Serbisë për t’i paguar pensionet. Pensionet u janë paguar pensionistëve deri në fund të vitit 1998. Numri i përgjithshëm  i shfrytëzuesve të tri kategorive të pensioneve dhe të ndihmave tjera nga sigurimi pensional dhe invalidor, në dhjetor të vitit 1998 ka qe 88901 shfrytëzues. Norma e kontributeve për sigurim pensional dhe invalidor në periudhën 1990 deri më 1999, ka qenë:

1990 ……… 24,66% nga bruto të ardhurat personale,

1991…….. 29,83%

1992……..23,40%

1993 (për shkak të inflacionit dhe sanksioneve, nuk janë paguar kontribute)

1994 ………….23,40%

1995…………….22,0%

1996…………….26,34%

1997……………25,40%

1998…………… 28,20

1999 ……………32,0%

Duke marrë parasysh numrin e vogël të punëtorëve në raport me numrin e shfrytëzuesve të pensioneve, kontributet nuk kanë mund të mbulojnë më tepër se 85% të mjeteve të nevojshme për pagesën e pensioneve, prandaj pensionet janë subvencionuar  çdo vit nga mjetet e buxhetit të Republikës së Serbisë, që ishte obligim ligjor.

Raporti i mesatares së pensioneve ndaj mesatares së të ardhurave personale ka qenë:

1990………………81,30

1991…………….. 76,50

1995 …………..79,45

1997………….. 107,27

1999…………  89,97

Prej këtyre të dhënave, mund të konkludohet se nga fondi i pretenduar i pensioneve, nuk mund të nxirret ndonjë shumë mjetesh për të dhënë. Por, sa u përket pensioneve duhet kërkuar aq sa u ka mbetur borxh Serbia pensionistëve për pensionet e papaguara, që e ka pasur obligim ligjor.

Ndërkaq, nga dëmshpërblimi për punëtorët e përjashtuar prej pune, shuma e borxhit, për kompensimin e të ardhurave personale dhe për kontributet për sigurim pensional dhe invalidor (bruto të ardhurat), kapin shumën shumëfish më të madhe, të cilën do duhej ta paguante Serbia. Sepse, shumë punëtorë të përjashtuar prej pune ishin kuadro profesionale e shkencore, me kualifikime të larta e pozita udhëheqëse në organet, institucione e ndërmarrje, dhe ata kishin paga më të larta.

Raporti i Organizatës Ndërkombëtare të Punës – bazë e mirë për kërkesë

Për kërkesën e dëmshpërblimit për punëtorët e përjashtuar prej pune, Grupi për bisedime e ka një mbështetje të fortë dhe bazë të mirë në Raportin (Konfidencial) të Organizatës Ndërkomëtare të Punës (ONP/ILO), GB/253/15/27, Gjenevë, Maj – Qershor 1992. Ai Raport është hartuar në bazë të një Padie të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, paraqitur ONP kundër Jugosllavisë. Padinë e BSPK-së para ONP e ka sponsoruar dhe përfaqësuar Organizata e Sindikatave të Lira, anëtare e së cilës ishte BSPK-ja.

Unë. nga pozita e Sekretarit të Përgjithshëm të BSPK-së, në vitin 1991, pasi kisha mbledhur dokumentacion autentik për mënyrën dhe shkaqet e përjashtimit prej pune, përpilova një tipologji me 32 shembuj më eklatant të përjashtimit individual dhe kolektiv prej pune, në kundërshtim me të gjitha ligjet federative, republikane dhe krahinore të punës, duke i bashkangjitur aneks vendimet me shkrim,- i paraqita Organizatës Ndërkombëtare të Punës, në Gjenevë,  padi (nënshkruar nga kryetari i BSPK-së, Hajrullah Gorani) kundër Jugosllavisë, me kërkesë që punëtorët të kthehen në punë dhe t’iu kompensohet dëmi i shkaktuar. Në kohën e ngritjes së asaj padie (1991), numri i punëtorëve të përjashtuar prej pune ishte rreth 40.000 veta, numër ky që çdo javë, çdo muaj e çdo vit rritej. Ankesa kundër diskriminimit të punëtorëve pastaj kanë paraqitur edhe Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, sindikatat e degëve të arsimit, të shëdetësisë, të policisë, të zejtarisë, etj. ONP e kishte formuar një Komision (Komitet) Hetimor lidhur me padinë e ngritur, i cili erdhi në Kosovë, vitin tjetër (1992) dhe e gjeti gjendjen akoma më keq se që kishte informacione prej padisë sonë dhe burimeve tjera, sepse gjendja përkeqësohej çdo ditë. Me të kthyer në Gjenevë, Komiteti kishte hartuar Raport (Konfidencial), në emër të Drejtorit të Përgjithshëm, në të cilin, në 48 faqe tekst, të shkoqitur në 246 pika, ka konstatuar gjendjen, ka përshkruar komunikimin me Qeverinë e Jugosllavisë, ka nxjerrë përfundime dhe në fund ka bërë këto Rekomandime:

1)ta miratojë raportin aktual, në veçanti konkluzionet dhe rekomandimet e përcaktuara në te;

2) të ftojë Qeverinë (e Jugosllavisë, apo sukcesorin RFJ, v.j.), të marrë në konsideratë si duhet konkluzionet e këtij raporti, në veçanti ato që përmendën në paragrafin 238 më lart (fjala është për diskriminimin në punë dhe në profesion, në përgjithësi dhe në degë të caktuara në veçanti, v.j.);

3) të heq dorë nga kërkesat në fushën e punësimit dhe ushtrimit  të profesionit në Kosovë, nga Ligji mbi masat e autoriteteve të Republikës në rrethana të jashtëzakonshme dhe të Ligjit mbi marrëdhëniet e punës në rrethana të jashtëzakonshme, në çfarëdo forme e cila është në kundërshtim me dispozitat e Konventës Nr.111, veçanërisht në lidhje me diskriminimin në bazë të prejardhjes kombëtare dhe bindjeve politike;

4) të shfuqizojë ose modifikojë çdo dispozitë ligjore që nuk është në pajtim me dispozitat e Konventës Nr.111;

5) të marrë të gjitha masat e nevojshme duke përfshirë në bazë të procedruave të duhura të apelikimit për të siguruar dëmshpërblime adeukate për punëtorët të cilët kanë qenë subjekt i trajtimit diskriminues në kuptim të Konventës Nr.111, pavarësisht nga sektori i aktivitetit të tyre;

6) për të rivendosur dhe siguruar aksesin në arsimimin dhe trajnimin e të rinjëve të moshës shkollore;

7) të kërkojë bashkëpunimin e organizatave të punëdhënësve dhe puonjësve dhe të organeve tjera të nevojshme, siç përcaktohet në nenn 3 (a) të Konventës Nr.111, për miratimin dhe zbatimin e masave të rekomanduara më sipër, dhe në përgjithësi të promovojë pranimin dhe zbatimin e një politike kombëtare për të eliminuar të gjitha diskriminimet sipas Konventës;

8) të ofrojë, në raportet e dorëzura në bazë të nenit 22 të Konventës së ONP, informacion të detajuar mbi masat e marra, në përputhje me rekomandimet e bëra më lart, në mënyrë që t’i mundësojë Komitetit të Ekspertëve për Zbatimin e Konventave dhe Rekomandimeve të vazhdojë shqyrtimin e situatës që nga séanca e tij e marsit të vitit 1993;

9) të deklarojë mbylljen e procedurës së inicuar si rezultat i përfaqësimit të bërë nga Konfederata Ndërkombëtare e Sindikatave të Pavarura.

Gjenevë, 28 maj 1992 (nënshkruar): Santiago Perez del Catillo,Ronlie Hak, Marc Blondel

972)n/v.(Conv.)

Raportin e cituar më sipër,  mund t’ia jap  të plotë, Grupit për bisedime, në gjuhën angleze dhe të përkthyer (përkthim jozyrtar) në gjuhën shqipe dhe serbe.

Grupi për bisedime nuk duhet të bëjë kërkesa të hamendshme, arsyetimin e të cilave nuk mund ta mbështesë në prova dhe argumente të pakontestueshme. Për kërkesën e dëmshpërblimit për punëtorët e përjashtuar prej pune e ka këtë raport të Organizatës Ndërkombëtare të Punës, e cila është agjension i rëndësishëm i  Organizatës së Kombeve të Bashkuara.  Raporti i ONP, në rekomandimet e veta (shih pikën 5 më sipër), e detyron (sukcesorin e palës së paditur – ish RSFJ, që e pretendon Serbia), të sigurojë dëmshpërblimin adekuat për punëtorët e përjashtuar prej pune, të cilët i ka diskriminua në baza etnike ose politike.

Për këtë raport e këtë të drejtë të punëtorëve, kam shkruar e botuar disa herë deri më tash, por ato nuk i ka dëgjuar askush. E konsiderova me vend dhe me kohë, që edhe njëherë ta ngris zërin për këtë çështje, dhe Grupit për bisedime t’i ofroj një argument shtesë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok