27/07/2024

Të hanë shalqinin dhe desh na rrahën me zhapat

0

Tregim humoristik

Nga Shyqyri Fejzo

Të katër burrat e ardhur në fshat, kur u afruan tek shtëpia e Nekiut, ngadalësuan këmbët. Ata  kishin ditë që kishin ardhur së bashku në vendlindje. Sejcili prej tyre i kishte vënë një bisht prapa arsyes së vizitës dhe justifikimit para grave, po e vërteta ishte se i kishte marrë malli shumë për vendin e njerzit. Me Nekiun të katër kishin lidhje gjaku, miqësie e shoqërie. Thirrën dhe e shoqja e Nekiut doli tek shtegu i avllisë, u përshëndet me ta dhe i ftoi të urdhërojnë brenda.

-Do hynim brenda të hamë dhe një kafshatë bukë sa të mundim qyqen e fshatit, po ti nuk e paske dhe burrin këtu- foli profesor Dajlani, kushuriu i Nekiut.

-Po këtu ka gra si burra i dashur kushuri. Pastaj Nekiu sa ta lajmëroj, zere se ka ardhur.- Dhe vërtet, i zoti i shtëpisë pas dyminutash, me një kovë plastike mbushur dingëz me qumësht u dha tek shtegu.

-Hë! Pse rrini këtu dhe  nuk hyni brenda?-ju drejtua të porsa ardhurve. Ai la kovën me qumësht në vend të sigurtë të mos derdhej dhe po përqafohej me miqtë.

-Ne mendojmë të qëndrojmë ndën atë arrën, monument natyre-Tha profesor Dajlani, duke bërë me dorë nga druri shekullor. Pas një debati të shkurtër, vendosën të qëndrojnë ndën arrë, prej ku fshati duket si në pëllëmbë të dorës. E shoqja e Nekiut, duke ndukur faqet fshehur miqve, për turpin që po bëhej, duke mos hyre brenda shprehte revolten e saj të zonjës së shtëpisë. Se ajo e dinte sa ishte munduar ta bënte shtëpinë “nuse” e të mos turpërohej me asnjë vizitor të rastësishëm. Kur ndodhi kështu, ajo mori një fshesë të madhe, sajuar prej purtekash e rrozga dhe po fshinte myshqe, gjethe, karthja e mbetje të tjera që kishte ndën arrë. Me të shoqin hapën qilimin e madh shumëngjyrësh cep më cep duke e shkundur se mos në të kishte ndonjë plesht. Në mes të qilimit Nekiu  vendosi një sofër prej rrobulli mbi suprinën e së cilës zinin vend disa pjata me prodhime të arës, bletarisë, kopështit, pemëve e blegtorisë si meze dhe gotat e vogla që mbusheshin e zbrazeshin me raki kumbulle të egër të këtyre anëve, të zier dy herë. Në sofrën simpatike tashmë nuk kishte vend të lirë ku mund të vije pirunin e thikën.

Nekiu dukej më i shqetësuari, se jo vetëm çeli muhabetin me urimet e tij po herë pas here ngrihej e shkonte pranë një zjarri aty afër ku i nipi rrotullonte hellin që rënkonte nga pesha e mishit të qingjit dhe një kokorec me të brendëshmet e tij.

-E mora vesh se kishit shkelur në fshat dhe me tim nip po e sajojmë një nga ato që pëlqehen nga të gjithë-tha Nekiu duke bërë me dorë andej nga dilte tymi e piqej mishi.

Sapo shkel behari në këto anë vizita të tilla shoqëruar me ziafete ka përhera. Dialogët e muhabeteve, dollive në dasma e gosti,i kam pasur qejf shumë. Edhe në këtë rast,”pa egjër” dhe “pa dushk” po tregoj bisedën që u bë në këtë lloj trapeze, kur gotat ishin mbushur e zbrazur tre katër  herë dhe era e mishit që piqej të cponte hundën, edhe pse ende rrotullohej mbi prush.

–Kam vizituar e shetitur në shumë shtete të botës. Kam marrë pjesë në takime e bankete të mëdha, po lezetin e sofrës tonë tradicionale, të rakisë e prodhimeve tona nuk e gjen në asnjë vend-e merr fjalën profesor Dajlani, duke i nxjerrë fundin një gote plot e për plot me raki. Nekiut i u ngritën supat dhe ju duk sikur i ishin rritur veshët nga fjalët që dëgjoi.

-Ke të drejtë profesor. Po ka një problem djalli e mori.-ja nisi Nekiu.- Nuk ka më bagëti si  më parë. Kullota në mal dhe në vërri ka pa hesap. Çdo familje ka pasur shumë bagëti. Në popull në atë kohë flitej shumë se “gjëja e gjallë të mban gjallë.” Ky zanat trashëgohej nga brezi në brez. Po tani nuk ka më brez të ri. Ushkuret na kanë mbetur,se brezi ivjetër iku.Ikën të gjithë.Kush do merret me bagëtitë?!” Sejcili, përveç se përtypej dhe shijonte ushqimin, tundëte kokën e mendonte sipas mendjes tij.

-Pse bëhesh merak o Neki. Ato që bënte blegtoria tani po i bën shkenca, intelegjenca artificiale. Ke dëgjuar ti Neko për intelegjencën artificiale?-E hodhi idenë guzhinieri, Batushi, kushuriri i tyre i cili kishte kohë që punonte në një resort madhështor në Tiranë.

-Para shumë vitesh unë vetëm për ndërzimin artificial kam dëgjuar dhe punuar.Se morëm seriozisht në fillim, po na doli mirë atëhere…

-Po ti na çove një shekull prapa more Neko.- e merr fjalën profesori.-Batushi ka të drejtë.Ti do lije tufën në mal nën kujdesin e ujkut dhe do të zbrisje në fshat të bisedoje në postë në ata telefonat me mulli me çupën në shkollë, apo djalin ushtar. Tani me atë telefon si patllake që ke ti, lidhesh që nga stani me tërë vendet e botës.-tha profesori duke çukitur me pirun një copë mëlçi qingji e sapo shtruar në sofër e cila avullonte.

-A, do ruajtur dhe kullotur ajo e uruara blegtori more burra.-foli gjysëm zëri Nekiu.

-Sot, ajo intelegjenca artificiale ka futur duar e këmbë  kudo.- e merr fjalën ish kryeingjinieri i uzinës, Maksi.-Ja,të pyesim guzhinier Batushin. Sa ushqime të reja që nuk i kemi njohur  më parë janë futur në guzhinën tuaj?

…-Ohu! Shumë.Erën e shijen e qumështit origjinal që mjel sot kushuri Nekua, ne nuk e njohim. Kemi futur në guzhinë qumështin pluhur, orizin artificial, petulla prej fluturash e buburecësh  e së shpejti do futim edhe mishin artificial….

-Haj, haj,haj! –habitet Nekiu.-Ku kemi arritur! Para shumë vitesh djali më solli një libër.”Dimë të hamë, a dimë të ushqehemi?” Ai që e kishte shkruar, Xoxja mirë e kishte qëndisur, po në atë kohë nuk i kishim të gjitha ato që duheshin ngrënë. Tani  që i kemi bëhemi nazelinj të mëdhenj.-

-Në disa ushqime, thonë dhe doktorët,nuk duhet tepruar. Nuk bën mirë kur vazhdimisht mishi nuk hiqet nga tavolina. Ai duhet shoqëruar me ushqime bimore të gjelbra, barishte njomishte…

-Ah, të dëgjosh një mikun tim. “Delja ndaj rron shtatë vjet se ha bar”thotë ai.- kur flitet për barishtet,hithrat, qumështoret.

-Diskutoni sa të doni dhe si të doni, po sofrën time mos ma ngatërroni me këto barishtet-foli  Nekiu dhe hapi krahë e duar rreth tavolinës, sikur të kishte frikë se  do ja rrëmbenin.

-Jo, Neko, jo. Nuk e luajmë. E dini ore miq se si thotë doktori për këto raste? “Bëni sikur harroni se jini të sëmurë dhe lëshojuni mirë atyre që ju nxjerrin përpara”. Dhe ne atë po bëjmë..

-Ah more kusho! Gjyshi im dhe juaji, ndjesë pastë, thoshte se “kur thonë që qershitë kanë shumë sivjet, merr shportën e vogël.”…-Si o kushuri, si? Mish artificial? Se ne fshatarët njohim mish kau, lope e viçi, mish dashi, cjapi, qingji dhe keci, mish derri dhe pule. Po ky artificiali prej se do jetë? Çfarë do të theret?-pyeste e këmbëngul si  mushka Nekua.

-Se unë kam ndier nga babai se në kohën e Zogut një mësues-shkrimtar Migjen më duket se kishte qënë, “u thoshte fëmijëve që mësonte e njerëzve të mësohen të hanë hekur.”, se hekur,topa e  mortaja kishte shumë vendi  atëhere, qesëndiste ai njeri. Më duket se ajo kohë paska ardhur.-

-Me këto që gatuajmë ne sot, nuk ka nevojë të mësohesh. Boll ta shikojë në pjatë të kavërdisur me vajra e qepë e hudhër e piper dhe gjithëçka  kllapitet “në gropën e Xhelos”. Të gjithëve atyre që u kam shërbyer e ju shërbej, njëlloj flasin: “Se është më mirë të hash  se sa të rrish  pa ngrënë- tha guzhinieri, duke përlarë një copë mëlçi prej kokorecit që avullonte e shoqëruar me një ohohooo të zgjatur.

-Sa prapa paskemi mbetur ne të fshatit! Po si ore u prodhuaka mish artificial dhe unë “vras veten”gjithë vitin me një tufë bagëti të shes qingja, të bëj pastërma për vete e për të shitur të mbledh bulmet nga qumështi. Jo,or jo. Ne kemi mbetur akoma tek ura…-ulërinte Nekua dhe herë pas here u a bënte “bromp” mysafirëve të cilët sot e kishin sajndisur këtu, ndën hijen e arrës.

Rakija e zier dy herë “që nuk shkonte në pjesët e sëmura të njeriut”mishi i qingjit të pjekur.aroma e të cilit po ndihej në tërë lagjen, u a zgjidhi më shumë gjuhën miqve. Vyrtualja, artificialja bashkëkohorja mbasi dilte nga goja e sejcilit, qëndronte pak pezull mbi sofër e hynte pa teklif në veshët e të gjithëve dhe veçanrisht ngacmonte keq Nekiun. Ai valonte përbrenda se miqtë po nginjeshin e dëfrenin me prodhimet tradicionale dhe veç lavdëronin e po çonin në qiell artificialen, bashkëkohoren shkencoren e më the të thashë.

Nekiu puliti sytë, ngriti kokën dhe vështrimin e treti lart, tek degët e gjethet e arrës. I kishte shkrepur të ngacmonte “atë dregëzën”  e mishit artificial.

-Ore  miq. Më mbeti merak dhe nuk ma thatë se cfarë theret në thertore t’i hiqet lëkura dhe  të merret ai mishi artificial?

– Nuk theret ndonjë gjallesë  o kusho,jo. Do vijë lënda e parë në thasë, zihet, përzihet e përpunohet në ato laboratorët dhe produkti që del, paketohet.E do mish safi, pa eshtra, e do me dhjamë apo vetëm mish të kuq, e do për gjellë, bërxolla, biftekë apo qofte, këto i përcakton kërkesa e tregut….Nekiu kishte hapur sytë si të kaut tij,”Kazilit” kur e conte për të pirë ujë atje tek gurra e ujit.

-Po ato brenda atyre thasëve cfarë janë? Miell? Rërë? Gjethe pylli, dru, apo gurë stralli?-dhe vargu i pyetjeve të zotit të shtëpisë nuk mbaronte.

Të tjerët po gatiteshin të sulmonin se nipi i Nekiut kishte “zbarkuar me hellin e kukurecin e sapo hequr nga zjarri, me tepsi e thika gati për theror.

Gruaja e zotit të shtëpisë deri tani nuk kishte hyrë në këtë bisedë burrash. U duk sikur atë e zgjoi nga gjumi pyetja që bëri profesor Dajlani.

-Na thuaj ndonjë gjë që mban mend nga e kaluara për këto punët e ngrënies dhe të guzhinës. A ishin tekanjozë si sot fëmijët atëhere?-foli profesori pasi uroi dhe me  bromp me një gotë  raki.

-O,o,o! Ishin shumë. Një herë vëllaj im që po hante bukë me djathë në dorë, po qahej se ishte duke i mbaruar djathi dhe do i mbetej të hante bukën thatë. Na qetësoi gjyshi im. Ai ju drejtua gjyshes në formë urdhëri.- merri bukën nga dora që të harrojë djathin.- tha ai. Dhe ashtu u bë. Vërtet vëllai e kishte harruar djathin kur mbeti pa bukë.- Qeshën pak si hidhur të gjithë.

-Kur na ftuat të kthehemi në shtëpi, të hamë një kafshore bukë, profesori e dha sinjalin e sulmit, “Do hamë sa të mundim qyqen e fshatit tonë.”Po këtu, ndën hijen e arrës sikur e prishëm marveshjen-tha ish ingjinieri i uzinës.

-Oho,ho! Tani ju hëngërt sa dhe ariu i Mecës tu dalë përpara do e mundni.- mburri fituesit e mundëshëm Nekiu.

Si pinë disa shëndete, u bënë dhe dy dolli, siç bëhen në këtë zonë, pa harruar të ngrenë një shëndet dhe për arrën shekullore, rakija e mezetë tradicionale si duket e grisën napën e turpit e ndrojes.Kështu ka qënë dhe mbetet. Ajo e uruar gojë nuk flet po nuk hëngri.

Nekiu ju bëri një pyetje.

-More miq. Kemi dy orë që po bëjmë muhabet. Mua po më rrotullohet mendja për ato që folët, për atë bashkëkohoren, intelegjencën artificiale, ushqimet që u bëkan me industri etj. Nuk më thoni, veç mendjes a ka ndonjë lloz tjetër që e rrotullon tërë këtë punë?- Dy vetë deshën të përgjigjen njëherësh. Kryeingjinieri ja la fjalën profesorit. Profesor Dajlani, pasi u mbush mirë e mirë me frymë, ktheu një gotë raki me fund dhe tha:

– Pyetje me shumë vend bëre ore Neko. Energja, ore energjia është ajo që ve në lëvizje gjithëçka. E zemë se dielli do të bëjë pushime nja dy tre ditë e net. A e di ti se jeta do të shuhej në tokë e ne do na zaptonte errësira dhe i ftohti  i paparë.?

-Po dielli këtu ka qënë den babaden dhe nuk e bëri ndonjë pushim plazhi apo gjuetie more djem.-tha Nekua.Pastaj vazhdoi.-Këtu në tokë cila është energjia? A ka çelës ajo të lëshohet e të fiket.A shtohet e paksohet?

-Kudo ka energji more Neki.- e merr fjalën kryeingjinieri, Maksi. Po jo të tëra energjitë njeriu i ka vënë në hudut. Ka energji që  i komandojmë, po ka dhe energji që nuk i komandojmë dot e rrinë hergjele, si i thonë asaj fjalës. Kështu është energja e deteve, lumenjve, ajo e erës po edhe energjia e diellit.Shkenca…

-Më fal o ingjinier se po ta pres thekun e mendimit. Unë tek çelësi e kam hallin. A i ka njeriu të gjitha çelsat e energjisë në ato që na rradhite zotrote? E zemë se këtu, në fshatin tonë të madh u ngrit ndonjë nga ato që thatë ju. Filloi prodhimi i miellit, mishit, djathit e gjalpit nga ajo artificialja. Hoqëm dorë nga prodhimi i bukës, mishit bulmetit nga ajo që kemi trashëguar nga të parët tanë. Ranë shira me rrebesh, lumi shembi kanalet dhe hidrocentrali i fshatit ndërpreu punën. Mbetëm pa energji. Si do bëjë populli?

-Ohu ore burrë!-ndërhyn e shoqja.-Ti e bën më keq se ai tersi I Pojanit…

-Nuk ka gjë, Neta, jo.-flet profesori.-Ne rrahim mendime dhe kjo është më e mira.-rekomandoi ai sikur do ndodhnin nesër ato që diskutoheshin.

-Ah more miq. Na sajndisët shtëpinë dhe arrën, ju ardhëshim për gëzime. Tamam aty ku jini ulur sot ju, kam pirë e ngritur dolli me atë devolliun e madh, Driteronë. Nga ai i famshmi Zylo mbaj mend që kishte shkruar: “Unë jam mur i lartë!-po unë të heq gurin e fundit.” Tek kjo energjia po i fike çelësin, ky është guri i fundit. Po çelësin në këtë rast e ka ne dorë shiu. Dhe po ja hoqe atë gur, kalaja rrëzohet…Ndaj ne fshatarët nuk heqim dorë kollaj nga tradita.”Pyet  të vuajturin e jo të diturin” kemi trashëgim një fjalë  ne.-

Aty, nën hijen e arrës atë ditë muhabeti midis miqësh e shokësh vazhdoi gjatë. I zoti i shtëpisë  herë pas here merrte gotën e rakisë dhe u drejtohej me “bromp” miqve. Ngacmime i bënte ingjinierit, Maksit.

-Hë!Më qafsh o ingjinier.Na fol më shumë për këto të rejat në teknikë e teknologji se ne me zor hymë në to, djalli e mori.

-Ka shumë për të thënë o Neki.Sot është shekulli I intelegjencës artificiale dhe bota e Finteshit.

-Për atë artificialen u fol  po ky Finteshi ore më qafsh,cfarë është?

-A e dini si do e  merni pensionin tani e tutje? Me Bankë. Do celni llogarinë tuaj e do tërhiqni paratë me kartë…

-E kemi marrë vesh more të keqen,e kemi marrë.Po “nuk mësohen kuajt revan në pleqëri” thoshte im atë.  I morëm dhe ne ato kartat. Shkova një ditë atje te ai që i thoshin bankomat dhe ngatërrova dynjanë.Erdhi një punonjës i bankës që na kthjelloi mendjen e mbaruam punë. –foli Aneta.

-E moj grua dhe ti. Mos e bëj aq gogol se ishte më lehtë se ato qindisjet  që bënje në kohë dhe  i mësove dhe cupës- ndërhyri Nekiu.

U pi kafeja muarën nga një sy gjumë e më pas, pasi lanë sytë  e u freskuan shijuan luleshtrydhe të pyllit që i kishte mbledhur i nipi i  Nekiut. Ndërkohë Neta mishin, pjesë nga kokureci, kulaci e ushqime të tjera i kishte paketuar dhe ua dha me vete sejcilit kur po ndaheshin.

-Oho! Neta e bëri si ai që tregojnë. Në fshatin tonë ka ndodhur. Miku i ardhur nga Mokra hëngri e piu në darkë sa u dënd nga ato që shtroi i zoti i shtëpisë.

-Për të ngrënë nuk them gjë. Po për të pirë nuk na e tregove tamam burrërinë e mokrarit. Mbase nuk të pëlqeu rtakija.-foli një i afërm i zotit të shtëpisë.

-Ju betohem se për atë bukë që hëngrëm dhe për atë që do të marr me vete nesër, unë e pëlqeva rakinë tuaj dhe piva mirë.-u betua mokrari.

Neta  e kuptoi ku rrihte cekani i mikut dhe flakë për flakë nuk ja përtoi.-Hajde. Merrini, merrini. Gëzoni gratë dhe kalamajtë me keto prodhimet e fshatit se kush e di. Mund tu jete bërë mendja corbë dhe atyre nga kjo modernja, artificialja a si i thonë që këtu nën hijen e arrës e reja na shkundi sot dhe mua dhe Nekiun. Po të vini beharin tjetër tavë me mish artificial, byrek e petulla me  flutura e buburecë do gjeni.Nuk do rrimë prapa botës.Të jesh në mes të hithrave, qumështoreve, e të gjitha barishteve e mos i hash e mos presësh miq me ato, kjo nuk na falet, po them se ky gabim nuk do përsëritet.

Kur makina me të cilën po largoheshin, mori kthesën dhe do dilte në rrugën kryesore të fshatit, Neta ju lëshua keq Nekiut.

-Ç’na bëre ashtu, more ditë zi? Tërë ato që lëshove na turpërove shtëpinë.

-Turpëruan arrën thuaj. Ata nuk hynë në shtëpi. Po ti merr ato shoqet e tua të lagjes, llafosi mirë e mirë për këtë të sotmen dhe shikoni ndonjë  telenovelë turke sonte.

-Atë që na pëlqen do të shikojmë. A do vish dhe ti me ne?

-Do të vi të shikoj telenovela turke në television, kur të dëgjoj se turqit shikojnë me dëshirë filmin Skenderbeu dhe të marr vesh cfarë thanë për fjalimin e Ramës në Athinë.- u përgjigj Nekiu.

-Ja,ja, ja! Nuk mban gjëkund pluhur mbi kurriz.!Thuaj çfarë të duash, po sot me ata miqtë e të afërm e katranose.-vazhdonte avazin Neta.

-A,a,a! Dëgjo grua e dashur.Ti e di se kemi një jetë të tërë bashkë. Unë fajin nuk e kërkoj kurrë tek të tjerët., e kërkoj tek vetja. Në  më pafshi me thikë në dorë tu  ther mishra njerëzve që më vinë, të më varni në degë të kësaj arre.Do mundohem të gjej andej nga qyteti, miellin artificial, qumështin pluhur, mishin artificial, ato buburecat e fluturat per të bërë petulla.Ti do bësh bukë me miell  dhe pilaf me oris sintetik a si i thoshin. Nuk pranojmë të na thërresin të prapambetur ne.

-Dëgjo grua! Kushurinj e miq na hëngërn shalqinin dhe deshen të na rrahin me zhapat e tij. Ndaj nuk i durova.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok