13/12/2024

TË GJITHË PËR KONGRESMENIN ELIOT ENGEL!

0
Eliot-Engel

Mik u mirë njihet në ditë të vështirë

Nga Frank Shkreli

Thonë se miku i mirë njihet në ditë të vështirë.  Në ditët më të vështira, Kongresmeni demokrat nga Nju Jorku, Z. Eliot Engel ka qenë dhe vazhdon të jetë mik shumë i mirë i shqiptarëve për një kohë të gjatë.  Për aq gjatë, në të vërtetë, sa shpeshëherë e pyes veten se si nuk u lodh ky ligjvenës amerikan me ne dhe me gomarlleqet tona shqiptare, me konflikte politike midis partive dhe udhëheqësve të këtyre partive shqiptare, me korrupsionin, me shkeljet e lirive bazë të njeriut, përfshir lirinë e medias, dështimit të ndërtimit të një shteti ligjor dhe të tjera halle që, kryesisht, shqiptarët po ia shkaktojnë vetvetes këto 30-vjetët e kaluara. Lista është shumë e gjatë e problemeve që po pengojnë seriozisht shtet-formimin duke detyruar shqiptarët të largohen masivisht nga trojet e veta, si nga Kosova ashtu edhe në Shqipëria.

Kurdoherë që politikanët shqiptarë vizitojnë Washingtonin, nuk largohen kurrë pa u ndaluar tek miku i shqiptarëve, Kongresmeni Eliot Engel, për tu konsultuar me të dhe për të marrë edhe fotografi, pasi ata janë të vetdijshëm për popullaritetin e Z. Eliot Engel në radhët e shqiptarëve, anë e mbanë torjeve tona, si njëri prej mbështetësve më të vendosur dhe parimorë që kemi pasur ndonjëherë në Washington.  Po, po,kemi pasur edhe mbështetës të tjerë të njohur të politikës amerikane – nga presidentë e, senatorë e deri tek kongresmenë gjatë viteve–kontributin e të cilëve për të drejtat e shqiptarëve, kur shqiptarët ishin në orën më të zezë të historisë së tyre, unë dhe të tjerë, jemi përpjekur ta vemë në dukje, nga koha në kohë. Shumë prej tyre janë larguar nga politika për arsye moshe, disa kanë ndërruar jetë e dotë tjerë kanë humbur interesin e tyre të dikurshëm për çështjet shqiptare,qoftë për mungesë të aktivizimit të komunitetit shqiptaro-amerikan, qoftë se psendoshta konsiderojnë se Shqipëria është e lirë nga komunizmi dhe Kosova është çliruar nga okupimi serb dhe sot gëzon pavarësinë dhe si përfundim nga më nevojë për një angazhim si dikur.  Por, mund të them me bindje të thellë se si asnjë tjetër politikan amerikan — megjithë qëllimet e mira të tyre dhe punës së tyre të mirë në favor të shqiptarëve gjatë viteve –nuk ishte si Kongresmeni Eliot Engel, i cili e ka trajtuar çështjen shqiptare me seriozitetin më të madh, si një kauzë morale, politike, kombëtare dhe ndërkombëtare të tijën – si një çështje e dinjitetit njerëzor.

Për më tepër, Eliot Engel – njëri prej demokratëve më të fuqishëm në Kongresin e Shteteve të Bashkuara — mbetet sot pothuaj i vetmi ligjvenës amerikan, si njohës i mirë i problemeve shqiptare në Ballkan dhe mbështetës i vendosur i interesave kombëtare shqiptare, në pozitën e tij të lartë si Kryetar i Komisionit të fuqishëm të Dhomës së Përfaqsuesve për Punët e Jashtme.  Në këtë kapacitet, ai vazhdon të jetë i angazhuar me punët shqiptare dhe nuk demoralizohet nga politikat dhe të bëmat dhe të pa bërat e kësaj klase politike shqiptare të dështuar, në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar, por mbetet  gjithnjë optimist për një të ardhme më të ndritur për shqiptarët në Ballkanin Perëndimor.

Në këto kohë të turbullta kombëtare dhe ndërkombëtare, Eliot Engel ka thënë se “Shtetet e Bashkuara janë më të forta në skenën globale kur ne zhvillojmë një politikë të jashtme të rrënjosur në vlerat thelbësore amerikane – në mbështetjen për demokracinë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit.”Një kampion i vërtetë i demokracisë dhe i të drejtave të njeriut anë e mbanë botës, Eliot Engel ka qëndruar dhe vazhdon të jetë pranë shqiptarëve kudo dhe gjithmonë, bazuar në këto parime të politikës së jashtme amerikane.

Por, sot, Kongresmeni Eliot Engel ka nevojë më shumë se kurrë për mbështejen e miqëve të tij shqiptare-amerikanë, sidomos të atyre në shqiptarëve që jetojnë e punonë dhe që kanë të drejtë vote si anëtarë të Partisë Demokrate në zgjedhjet paraprake në distriktin e tij elektoral, më 23 qershor, 2020.  Z. Engel ka nevojë urgjente për votën e secilit shqiptar e shqiptareme të drejtë vote në distrikin elektoral për anëtar Kongresi.  Kurrë mos mendoni se vota jote është vetëm një votë dhe si e tillë nuk ka rëndësi.  Sot miku ynë i madh, Eliot Engel gjëndet përball një dite të vështirë në jetën e tij politike dhe ka nevojë për ne, si individë dhe si komunitet shqiptare-amerikan, se pse ia kemi borxh, për të gjitha ato që ka bërë për ne gjatë 30-viteve të tija në Kongresin e Shteteve të Bashkua dhe jashtë tij!

Ka ardhur koha që shqiptarët t’i gjënden pranë dhe të ndihmojnë mikun e tyre Eliot Engel-in, në ditën e tij të vështirë.

Me 23 qershor mbahen votimet paraprake për të zgjedhur kanditatin e Partisë Demokrate për Kongres i cili do të përballet me kandidatin republikan në nentor. Kandidati demokrat që do zgjidhet këtë të martë, qoftë Z. Engel qoftë kundërshtari i tij democrat –do jetë i sigurt se do fitojë zgjedhjet e nentorit kundër kandidatit republikan, pasi ky distrikt zgjedhor banohet me një përqindje dërmuese demokratësh.  Kështuqë, votimet ditën e martë janë kritike për Z. Engel.  Analistët thonë se për herë të parë në 30-vjet, (Kongresmeni Engel është zgjedhur në Kongres për herë të parë në vitin 1989), Z. Engel gjëndet përballë sfiduesit më serioz të karjerës së tij politike nga radhët e Partisë Demokrate. Kundërshtari i tij është afrikano-amerikani 44-vjeçar Jamaal Bowman, një drejtor shkolle të mesme, i cili ka siguruar mbështetjen e krahut të majtë ekstrem të Partisë Demokrate, përfshirë Senatorin Bernie Sanders, Senatores Elizabeth Warren, kongresmenes Alexandra Ocasio-Cortez dhe të tjerë, madje ai kasiguruar edhe mbështetjen e gazetës së madhe të Nju Jorkut, The New York Times. Mbështetjen për Kongresmenin Eliot Engel, lajmeve të fundit, e kanë shpallur tanimë, ish-senatorja dhe ish-kandidatja për president, Hillary Clinton, Senatori aktual demokrat i New Yorkut, Chuck Schumer dhe të tjerë.

Sipas një sondazhi të ditëve të fundit, kundërshtari i Z.Engel udhëheq, tani për tani, me 10 për qind (41-31) ndërsa 27 për qind e votuesve mbetenende të pavendosur se për cilin kandidat do të votojnë të martën me 23 qershor.

Shqiptaro-amerikanët me të drejtë vote që jetojnë e punojnë në këtë distrikt elektroal mund të bëjnë ndryshimin e këtyre numrave, me qëllim që të sjellin Kongresistin Eliot Engel edhe për një mandat tjetër në Kongresin e Shteteteve të Bashkuara.  Shqiptarët kudo qofshin kanë ende nevojë për angazhimin e tij të mëtejshëm me çeshtjet dhe kauzat tona, të cilat ai i ka promovuar dhe i ka mbështetur si asnjë tjetër ligjvenës në Washington. Duhet të jemi të vetdijshëm se nëqoftse humb Kongresisti Engel në këto zgjedhje, shqiptarët do të humbasin shumë si komunitet këtu në Amerikë, por do ta pësojnë keq edhe marrëdhëniet shqiptaro-amerikane në përgjithësi, marrëdhëniet me Shqipërinë dhe me Kosovën në vepçanti.  Nuk do të ketë më një zë në Kongresin amerikan që t’i thotë kësaj administrate ose një tjetre nesër, ndal kur punët nuk shkojnë në interestë shqiptarëve! Jam i sigurt se Tiranës dhe Prishtinës zyrtare nuk ua “ndinë” kjo situatë, për të përdorur një shprehje popullore, sepse janë të nxënë me punë shumë më me rëndësi: për karriga e pushtet për vete dhe për partitë e tyre.  Më kujtohet kur isha Drejtor i NACC-ut në vitin 2005, grupi i çeshtjeve shqiptare në Kongres — themeluar nga Eliot Engel me kolegë të tij — kishte më shumë se dy dyzina anëtarë, gjysma republikanë, gjysma demokratë — dhe shumë mbështetës të tjerë.  Sot edhe nëqoftse ekziston ky grup, ekziston si emër,  vetëm sa për sy e faqe.Me humbjen e mundëshme të Z. Engel — largo Zot – thoni lamtumirë grupit të çeshtjeve shqiptare, sado i vogël dhe i pa influencë që të jetë aktualisht. Lutemi që Z. Engel të fitojë edhe në këto zgjedhje, se për ndryshe, shqiptarëve u humb zëri i fundit me rëndësi në Washington.  Duke votuar Kongresmenin Eliot Engel, ju, jo vetëm votoni për të dërguar në Washington edhe për një mandat tjetër një mbështetës të sprovuar të çeshtjeve shqiptare dhe një mbështetës i fortë ikomunitetit shqiptaro-amerikan, por edhe për të ndaluar shkuarjen në Kongres të një ultra majtisti socialist i tipit të Senatorit Sanders , sepse kush fiton të martën në atë district zgjedhor fiton edhe zgjedhjet e përgjithëshme në nentor, pasi ajo zonë është me shumicë dërmuese demokrate.

Fotot më poshtë janë nga udhëtimi i një delegacioni të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan KKSHA) në trojet shqiptare, nga data 2 deri 10 Korrik, 2005 (kur autori ishte Drejtor i (KKSHA) – me Kongresistin Eliot Engel dhe me disa anëtarë të bordit të KKSHA-s, përfshirë aktivistët e njohur të komunitetit dhe të çeshtjeve kombëtare, Harry Bajraktari dhe Rrustem Gecaj, si dhe disa përfaqësues të komunitetit shqiptaro-amerikan nga Nju Jorku dhe Detroiti.  Unë jam deshmitar i shumë veprave madhore të Z. Engel në favor të shqiptarëve, por kjo vizitë në trojet shqiptare është vetëm një shembull i angazhimit të pa kursyer të Z. Eliot Engel për çeshtjet shqiptare, në përgjithësi, atëherë dhe sot.

Ky pra është momenti për të treguar se komuniteti shqiptaro-amerikan është mirënjohës dhe i denjë i kësaj mbështetjeje prej tri dekadash për çështjet shqiptare, duke dalur masivisht në votime,për të hedhur votën në favor të kandidaturës së Z. Eliot Engel në zgjedhjet e ditës së martë edhe për një mandat tjetër. Gjëja më e vogël që mund të bëjnë shqiptarët në distriktin e tij elektoral, për t’i thënë, “Thank You, Congressman Engel”, për të gjithë ndihmën dhe kujdesin që kini treguarpër komunitetin shqiptaro-amerikan dhe për shqiptarët në përgjithësi jatë tre dekadave të kauara, është që të delni e të votoni për Kongresistin Eliot Engel, ditën e martë me 23 qershor – njërin prej 10 demokratëve më efektivë në Kongresin amerikan,sipas universitetit Virxhinia dhe universitetit Vanderbilt.

Mos ta presim në besë mikun tonë të madh, në këtë ditë të vështirë për të, kur ka nevojë për ne.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok