20/06/2025

TË BASHKUAR TE KËNGA DHE TRADITA SI NJË FAMILJE E MADHE

0
Prend-Buzhala-Cabiq

(Në Çabiq të Klinës hapet festivali folklorik “I KËNDOJMË LIRISË”)

Nga Prend BUZHALA

Është i njëzetetreti edicion me radhë i festivalit “I KËNDOJMË LIRISË”,  i cili mbahet në shenjë të ditëlindjes së rapsodit dëshmor e komandant lufte, Mujë Krasniqit. Në fakt, prej vitit 2005, festivali hapet në fshatn Çabiqi  të Klinës, vendlindjen e Mujë Krasniqit, me moton SOFRA E ÇABIQIT. Kështu për herë të 20-të, fshati Çabiq, sot e pati dasmën e vet kombëtare.

Në oborrin e Kullës së Mujë Krasniqit, në Çabiq të Klinës — aty ku gurët ende ligjërojnë, aty ku flamuri kuqezi nuk ndalet së valëvituri — u hap me solemnitet Festivali Folklorik “I Këndojmë Lirisë”. Drejtor i festivalit është regjisori Alban Gashi.

Në këtë vend të shenjtë të historisë sonë, ku kujtesa dhe nderimi për heronjtë e luftës çlirimtare janë të gjalla, u mblodhën qytetarë, artistë, këngëtarë e valltarë për të sjellë zërin e një populli që nuk harron. U mblodhën edhe miq të çmuar. Kulla, me themele të gurta si vetë qëndresa shqiptare, i priti fjalët përkujtimore, këngët për heronjtë dhe ritmet e lashta që ngjallin shpirtin e Kosovës.

1.

Ambientet skenës në oborrin e Kullës memoriale të Mujë Krasniqit, memorial i qëndresës dhe i sakrificës, ashtu si dikur, arenë qëndrese e lufte, sot ishte arenë ku fjala, kënga dhe vallja shqiptare morën jetë për t’i nderuar heronjtë e luftës çlirimtare dhe për ta përkujtuar rrugën e gjatë drejt lirisë.

Prandaj edhe pati mysafirë të rrallë e të veçantë: veteranë të UÇK-së, gjeneralë e komandantë lufte e paqeje, kryetari i AAK-së e mik i madh i familjes së Mujës, Ramush Haradinaj, përfaqësuesi i OVL Xhavit Jashari, deputetë të Parlamentit të Republikës së Kosovës Nait Hasani e Lahi Ibrahimaj, përfaqësues të institucioneve të tëra shëtitore…

Në hijen e Kullës së Mujë Krasniqit, në Çabiq të Klinës, hapet me solemnitet, me intonime himnesh shtetërore e kombëtare dhe me përjetime të bukura Festivali Folklorik “I Këndojmë Lirisë”.

Para të pranishmëve Fjalën e Hapjes së festivalit, e paraqiti kryetari i Komunës së Klinës Zenun Elezaj, pastaj Ramush Haradinaj që lartësoi kujtesën e luftës, por edhe mesazhet për të sotmen: se edhe në prceset e sotme gjyqësore do të dëshmohet pafajësia:  “Është e vërtetë që kurrë s’do ta harrojmë ndihmën e aleatëve tanë… Kurdo që bashkohemi, në Prekaz e Çabiq e kudo tjetër, nuk do t’i harrojmë luftëtarët e dëshmorët, ashtru si nuk do t’i harrojmë edhe ata që përballen me procese të padrejta, Nuk është në nderin tonë të bëjmë ndarje, sepse të gjithë ata ishin luftëtarë për lirinë e popullit tonë… do ta ruajmë Kosovën edhe në këtë kohë ngërçesh politike… do ta gjejmë rrugën për të ecur përpara…”

(Personalisht, kisha rastin, edhe kësaj radhe, ta paraqes një Fjalë timen të Mirëseardhjes e për fshatin Çabiq, traditat e për këtë hapje të Festivalit që po bëhet qe dy dekada rresht).

2.

Në këtë hapësirë legjendare të kujtesës, dolën në skenën e amfiteatrit këngëtarët e rinj, si Sefë Ibrahim Gashi me këngën kushtuar Ali Krasniqit, Drinor e Valentin Gashi, pastaj Yllka Tërdevaj, Halil e Dren Gashi me këngën “Zani i Beqës e pushka e MUjës”, pastaj valltarët dhe valltaret, përmes ritmeve të çiftelisë, sollën në dritë këngët e brezave që nuk u përkulën. Në secilën këngë përmenden emra, histori, amanete. Valltarët e valltaret e Ansamblit “Jehona e Dukagjinit, interpretuan një valle tradicionale shqiptare me motive matjane. Dolën, me lëvizje dinamike, valltarë dhe valltare të rinj e të reja, me veshje karakteristike shqiptare — femrat me fustan të bardhë, përparëse të zeza, shamia të kuqe në kokë dhe elementë folklorikë në duar; burrat me tirq të bardhë, jelekë të kuq e të zinj dhe plis të bardhë. Dekori i këtij ambienti stolisej me flamuj kombëtarë shqiptarë dhe pankarta përkujtimore, që i kushtohet historisë dhe sakrificës për lirinë, Mujë e Al Krasniqit e Beqir Gashit. Ky aktivitet është dëshmi e ruajtjes së trashëgimisë kulturore shqiptare dhe e ndjenjës së fortë patriotike, që përcillet brez pas brezi përmes këngës dhe valles popullore.

Në fund, si rëndom, të pranishmit shijuan mikpritjen me ushqime tradicionale e pije freskuese. Festivali vazhdon sonte në orën 20, para pallatit të Kulturës “Jehona e Dukagjinit» në Klinë, për tri net me radhë.

3.

Pjesë nga Fjala ime:

“Tashmë Festivali I KËDOJMË LIRISË është pjesë e festave të Klinë dhe Çabiqit, pjesë e kalendarit kombëtar kulturor. Për çdo vit nga këtu është përcjellë mesazhi i madh për ruajtjen e vlerave të shenjta të kombit tonë. Ky Festival është festë që përsëritet nga brezat e pas luftës, në Kosovën e lirë, gjithmonë duke ruajtur thelbin e tij – siç janë traditat, heroizmi, mikpritja dhe uniteti. Ky fshat, ndër festivale i pret me moton “Mirë se ju ka pru Zoti. Shpia asht e mikut dhe e Zotit”, ashtu siç është shtruar kjo sofër te kjo Kullë, nga e cila, dikur dëgjohej Kënga e Mujës dhe fluturonin Pëllumbat e Bardhë të Mujës, simbole paqeje, pastërtie dhe vigjilence. Nëpër festivale rrugëve të këtij fshati kanë defiluar e vallëzuar valltarë nga të gjitha trojet etnike. Qe dy dekada ende do të jehojnë vargjet e një kënge:

Kreshtat e Kosovës kanë marrë ngjyrë të kuqe,

Krushqit e Dardanit janë nisë me marrë nuse,

Po u prin përpara shqipja e Kastriotit,

lulëbozhure çelin nëpër flakë baroti.

Çabiqi është një vendbanim i lashtë, ndërsa dokumentet flasin për një vendbanim dikur mjaft të madh e i shtrirë në shumë zona përreth. Këtë e dëshmojnë edhe gjetjet arkeologjike përreth, si enë, gjëra nga jeta shtëpiake, tunele të nëndheshme, gur të mokrës, mbetje që dëshmojnë ekzistencën e kishave iliro-shqiptare. Në krisobulën e manastirit të Deçanit të vitit 1330, përmendet edhe emri i fshatit Çabiq, me 182 familje.

Në periudhën deri në luftën e fundit, Çabiqi kishte 151 familje me mbi 1100 banorë, kurse lufta dogji mbi 98 për qind të objekteve të banimit, të ekonomive familjare, shkatërroi blegtorinë e bujqësinë, dëboi banorët që jetuan nëpër male në të dy ofensiva të egra, më 1998 e 1999, vrau 24 burra, gra, pleq e fëmijë, Çabiqi dha tre dëshmorë, komandantin Mujë Krasniqin dhe të vëllaun e Mujës, Ali Krasniqin, si dhe Muhamet Gashin, ndërkohë që sivjet varrosëm një profesor që u zhduk gjatë luftës, Adem Buzhalën, kurse vëllau i tij Ismeti ende është i zhdukur. Çabiqi gjithnjë ka reflektuar kulturë, gatishmëri për sakrifica, ka dhënë njerëz të artit e të krijimtarisë popullore e folklorike; gjithnjë e ka reflektuar tolerancën ndërvëllazërore fetare, e ardhur si traditë nga të parët e nga pleqtë tanë fisnikë e të fisëm, sepse ende ruhen lidhjet e gjakut me rrënjë të përbashkëta familjare.

Këtu qe dy dekada jehojnë kënga e vallja.

Ka diçka të shenjtë në tingullin e çiftelisë.

Në festivalin “I këndojmë lirisë”, këndohet e vallëzohet me shpirt. Me zemrën që mban brenda historinë e gjyshërve tanë.

Ky festival është rikthim tek vetvetja. Një përkulje ndaj atyre që, përmes këngës, ruajtën identitetin tonë, kur gjuha jonë ndalohej, kur fjala jonë shtypej, kur u përpoqën ta shuanin edhe këngën tonë. Ky festival na tubon si  në një familje të madhe,  ku secili vjen me historinë e vet de me plagët e  veta. Kënga folklorike është zemra e lirisë sonë. Ajo është ajo që na mban të bashkuar kur gjithçka duket se po ndahet. Ajo është gjuha e shpirtit tonë, që nuk harron kurrë se kush jemi dhe nga vijmë. Le të qëndrojmë pranë njëri-tjetrit, si familje e madhe, e bashkuar nga kënga dhe tradita, edhe në festat e sotme folklorike e fetare.

Të ndajmë jo vetëm bukën, por edhe zemrën dhe ëndrrat tona.

Festojmë sot lirinë, por edhe rrugën që kemi bërë për ta arritur.

Festojmë kujtimet që na lidhin, dhe shpresën që na forcon për të nesërmen.

Të dashur miq,

Mirë se erdhët!

Sot jemi një familje, njësoj si dikur, kur gjyshërit na mblidhshin rreth sofrës, ku  shija e bukës është shija e dashurisë.

Në këtë sofër, nuk ka të huaj. Ka vetëm miq. Sofra na lidh. Na bën një.

Sofra është dritarja e zemrës. Pas çdo secilës copë të bukës, ka një buzëqeshje. Pas secilës  pije, një përshëndetje.

Liria është dashuria që ndajmë si copën e bukës.  Është kënga që nuk shuhet kurrë.

Le të festojmë së bashku, me zemër, me këngë, me shpresë.

Mirë se erdhët në Sofrën e Çabiqit!

(6 qershor 2025)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok