22/12/2024

TAMARË – KELMEND, DUKE MEDITUAR PËR UNAZËN E ALPEVE…

0
u6_Dedaj-Tamare-Kelmend8

Nga Ndue Dedaj

Malësia e Madhe nuk ka qenë pagëzuar rastësisht me këtë emër, por për t’u dalluar nga malësitë e tjera shqiptare si gjeografi. Atje gjendet maja e Shqipërisë.

Nuk do ta kishim këtë malësi pa zërin e lahutës dhe “Lahutën e Malësisë” së Gjergj Fishtës pa jehonën e lirisë së këtyre kreshtave. Atje i këndohet Oso Kukës, Dedë Gjo Lulit, Tringë Smajles etj., kurse pjesa e re, e pashkruar e “lahutës”, këndon për Prek Calin e Llesh Marashin.

Kemi ndaluar te Ura e Tamarës, monument kulture, ndërtuar në gjysmën e dytë të shekullit XVIII mbi Cemin e Vuklit, bash aty ku ai bashkohet me Cemin e Selcës. Bregu i Cemit në Tamarë nuk i kalon 250 metrat, ndërkohë që në të dy anët e lumit ngrihen male me maja të thepisura me pamje gjigande, që i kalojnë një mijë metrat. Dhe jemi ende në “paradhomën” e Alpeve Shqiptare.

Përgjatë historisë sonë mesjetare si duket kanë qenë femrat që kanë ndërtuar urat. Askush nuk mund të thotë se si ndodhi që Urën e Tamarës e ndërtoi me lekët e saj gruaja e vezirit të Shkodrës, me emrin Tamara, në vendin ku emri Marë ishte ndër më të përdorshmit nga gratë. Ndoshta u mahnit nga ujëvarat e pazakonta dimërore që burojnë nga çdo gji mali, si në Eposin e Kreshnikëve. Ndoshta i bëri magji kaltërsia e ujit të Cemit që e has vetëm në Valbonë, lumin tjetër alpin. Apo qenë njerëzit e Kelmendit që e befasuan me mikpritjen dhe bujarinë e tyre epike. Një jetë e ndërtuar në shkëmb, në “tri pëllambë tokë varur në brinjë”, siç thotë një këngë popullore e malësive tona, e megjithatë në këto anë gratë e së kaluarës dilnin përvit në logun e bukurisë, veshur me xhubletë, traditë që vijon dhe sot e kësaj dite në sfilatat festive që zhvillohen çdo verë në Qafën e Perdelecit, ku shpallet Mis Bjeshka. Për festën e bjeshkëve malësorët e emigruar të Hotit, Selcës, Vuthajt, Nikçit, Vermoshit etj. vijnë që nga Amerika.

Tamara, Selca, Lëpusha dhe Vërmoshi tani janë plot me bujtina dhe turistë vendas e të huaj. Ditë për ditë. Verë e dimër.

Klmendasit dhe banorët e tjerë të Alpeve shqiptare, tani që rruga e asfaltuar ka shkuar deri në Vermosh, Plavë e Guci, nuk e kanë ndërprerë ëndrrën. Ata presin që të ndërtohet ajo që ata e quajnë “Unaza e Alpeve”, pra, që Alpet të përshkohen nga të gjitha anët me rrugë makine, duke u ndërtuar aksi që lidh Vuthajn (Guci) me Thethin dhe këtë të fundit me Valbonën etj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok