Ta mbrojmë fitoren e madhe!

0
Florim-Zeqa1

Shkruan: Florim Zeqa

Për aq sa jam pro zgjedhjes së presidentes së re, Justina Shiroka-Pula, po aq jam kundër mënyrës së zgjedhjes së saj, për faktin se presidenti duhet të zgjedhet drejtëpërdrejt nga populli e jo si produkt i marrëveshjeve (pazareve) politike!

Zgjedhje me imazh pozitiv për vendin

Megjithatë kjo ishte zgjidhja më e mirë dhe më fatlume në dhjetvjetëshin e fundit, e cila e nxori vendin nga kriza e thellë politike dhe e shpëtoj republikën nga dhuna dhe kaosi qytetar si pasojë e situatës së krijuar pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë!

Nuk më ka pëlqyer aspak sjellja dhe papërgjegjësia e disa partive politike në procesin e zgjedhjes së presidentes së vendit dhe të votimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara në Hagë!

Me zgjedhjen e presidentes përveq shmangies së zgjedhjeve të reja dhe evitimit të dhunës qytetare u arritën edhe këto suksese të rëndësishme për vendin, siq janë: mandati katërvjeçar i ‘Qeverisë Kurti 4’, mandati pesëvjeçar i Presidentes Justina, stabiliteti politik në Kuvend dhe krijimi i imazhit pozitiv të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Efekti pozitiv i një proteste trejavore

Protestat trejavore, edhe pse nuk do të ndikojnë në verdiktin e Gjykatës Speciale, ato ndikuan në arritjen e marrëveshjes politike për zgjedhjen e Presidentes pas votimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara në Hagë!

Nuk duhet harruar, në demokraci kush i fiton zgjedhjet e merr pushtetin, bllokadat politike, protestat dhe dhuna fizike nuk kanë vend.

Siq e ceka në fillim të këtij shkrimi, edhe pse nuk më pëlqyen rrethanat e zgjedhjes, për të cilat presidentja nuk mbanë përgjegjësi, sikurse që nuk mbanë përgjegjësi për problemet e akumuluara (shkaktuara) ndër vite dhe dekada, Presidentja Justina Shiroka-Pula e meriton mbështetjen e gjerë qytetare dhe të mërgatës sonë!

Justina Shiroka-Pula ishte zgjedhje fatlume dhe e qëlluar për vendin!

Kjo fitore bëhet akoma më e madhe, pasi në çastet e fundit u evitua tendenca për ta kthyer Kosovën në kaos dhune me përmasa tragjike të vëllavrasjes për interesa meskine të politikanëve të papërgjegjshëm kosov(r)ar!

Në evitimin e skenarit tragjik të vëllavrasjes shqiptare dhe shpëtimin nga tragjedia e përgatitur nga jashtë për Kosovën, meritat u takojnë dy liderëve partiakë, Albin Kurti dhe Bedri Hamza, të cilët i thirrën zërit të arsyes për arritjen e marrëveshjes së imponuar nga protestat në rrugë!

Sikurse për meritat, të njëjtët e mbajnë edhe përgjegjësinë historike për ruajtjen e stabilitetit politik pas fitores së madhe për Kosovën në minutat e fundit të afatit kushtetuues!

Ligji i miratuar për Gjykatën Speciale në Hagë, do të kujtohet si katalizator i një marrëveshje politike që i solli institucionet e reja në Kosovë, por jo edhe lirimin e të burgosurve të dënuar në Hagë!

“Shkopi magjik” nuk është në dorën e Presidentes

Kosovës nuk i duhen më përplasjet politike, por përgjegjësia shtetërore dhe përpjekjet e përbashkëta ligjore për të kërkuar drejtësinë në Procesin e Apelit! Ne, mund të mos pajtohemi për shumë gjëra, por duhet të pajtohemi me faktin që Kosova është e të gjithëve dhe nuk mund të jetë peng i askujt!

Justina Shiroka-Pula është zgjedhur presidente e re e Republikës, në njërin prej momenteve më të vështira dhe të pazakonta politike në historinë më të re të Kosovës.

Tendenca e disave, që zonjen Justina Shiroka-Pula ta portretizojnë si presidente partiake dhe më përkatësi fetare është produkt i armiqve të Kosovës, e njerëzve të ligë dhe injorant pa taban kombëtar, të cilët në secilën situatë kërkojnë t’i nxjerrin një mijë arsye për kundërshtime!

Mbetemi me shpresën që tani e tutje, Kosova do të ketë më shumë stabilitet institucional dhe politik, progres në integrimet euro-atlantike, mbi të gjitha në forcimin e partneritetit me BE-në, SHBA-në dhe NATO-n, përfshirë botën e civilizuar dhe demokratike.

Presidentes së re i uroj shëndet, suksese dhe mbarësi në detyrën e re. Uroj që gjatë mandatit të saj të udhëhiqet nga dashuria për vendin dhe qytetarët, e motivuar nga uniteti, drejtësia dhe barazia qytetare, zhvillimi dhe forcimi i institucioneve të Republikës së Kosovës.

Florim Zeqa, analist i pavarur politik

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok