18/11/2024

SYLË ZARBINCA- FORCAT ANGLO-AMERIKANE DO TË ZBARKOJNË NJË DITË DHE SË BASHKU ME NE DO TA BËJMË SHQIPËRINË ETNIKE

0

T’I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:

(1898- e vranë në muajin gusht, 1946)

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Sylë Zarbinca u lind në fshatin Zarbincë , më 15 maj të vitit 1898, nga babai Shaban dhe nëna Halime. Fshati ku u lind Syla, shtrihej në Malësinë e Gollakut. Dhe, është fshat tipik kodrinoromalor, i tipit të shpërndarë. Zarbinca rreth e përqark kufizohet me fshatra të banuara me popullsi shqiptare me përjashtim të fshatit Drenoc i cili është i banuar kryesisht me serbë. Nga ana veriore, Zarbinca kufizohet me Tërstenën, në perëndim me Pribocin e në jug me Ramabuçën.  Për shkak të shpërnguljes të vazhdueshme në drejtim të Gjilanit dhe Kamenicës (Dardanës), por edhe ikjes në perëndim, Zarbinca jo vetëm që nuk ka arrit ta shtoj numrin e popullsisë por gati është përgjysmuar në krahasim me vitet e pas Luftës së Dytë Botërore). Prindërit e Sylës kishin katër fëmijë, tre djem dhe një vajzë, si: Syla, Murseli, Ramizi dhe motra Ilmije. Ai vinte nga një familje mesatarisht e kamur dhe fëmijëria e tij nuk dallonte shumë nga fëmijëritë e fëmijëve të fshatit. U rrit me dashuri dhe i përkëdhelur nga të gjithë. Babai Shaban i çmonte njerëzit e mençur, andaj Sylën e vet e mendonte se një ditë do të bëhej i tillë. Për ta bërë të zot, mendoi se ai duhet shkolluar. Andaj, e dërgoi për të mësuar në fshatin Doberçan, fshat që ishte disa kilometra larg nga vendlindja. Në shkollë mësimi zhvillohej  në gjuhën turke, ku kryesisht mësohej për mësimet e fesë islame. Ai, atje kreu shkollën fillore me sukses të shkëlqyeshëm, por për të vazhduar më tej nuk kishte mundësi. Shkollat e nivelit më të lartë ishin në gjuhën serbe, andaj u kthye në fshat por e ndjente në shpirte se fshatarëve të tij  iu mungonte liria. Kureshtja e djalit e  detyroi babën Shaban, që dal nga dal ta fuste në odat e burrave të Zarbicës. Aty, në ato oda, kuptoi se tokat shqiptare ishin të robëruar dhe duhet bërë diçka për ti liruar. Për nga natyra Syla, ishte i urtë, dhe dallohej për vëmendjen që tregonte për bisedat e burrave më të rritur që bëheshin aty. Në ato oda, ai u burrërua duke dëgjua histori nga më të ndryshmet. U takua me njerëz të mençur e atdhetar të kohës dhe dëgjoi shumë për të bëmat e tyre. Aty dëgjoi se Perandoria Osmane po ikte por ekzistonte rreziku nga një tjetër armik, që ishte edhe më i zi se ai në ikje. Ky armik planet kaherë i kishte bë për të gllabërua tokat shqiptare. Serbia, propagandonte se të gjitha këto vise ishin tokat serbe dhe duhet rimarr përsëri. Kosovën e quante “Stara Serbia” dhe “Tokë të shenjët serbe”. Veç kësaj si gjithmonë, me bandat e veta kriminale herë pas here futej në fshatrat shqiptare, plaçkiste, vriste e tmerronte fshataret e pafajshëm, e qëllimi dihej, të krijonte panik, dhe fshataret të shpërnguleshin nga aty. Mu kjo, kishte ndikua që Syla i ri të brumoset me idealin kombëtar dhe patriotik.

Kah fundi i vitit 1918, Serbia përsëri e okupoi Kosovën. Me Konferencën e Ambasadorëve në Londër, më 1913, dhe Konferencën e paqes në Paris më 1920, u copëtuan trevat etnike shqiptare, duke iu dhuruar fqinjëve tanë grekë e sllavë më se 2/3 e tyre, pra rreth 60 mijë kilometër katrorë ndër to ishte edhe Vilajeti i Kosovës. Ky okupim zgjati rreth 20 vjet, deri në prill më 1941, kur ushtria gjermane e dëboi ushtrinë jugosllave, madje vetëm brenda 7 ditëve. Kështu Kosova përsëri iu bashkua Shqipërisë, siç ka qenë edhe gjatë Luftës së Parë botërore. Pra, sa herë që ka hyrë Serbia në Kosovë, ajo ka qenë vetëm okupatore e përkohshme e asgjë tjetër, madje edhe kur ajo vetë ka qenë vasale e fqinjëve, sidomos e Turqisë .

Gjatë viteve 19181941, Serbia mori masa të ndryshme drastike, e për ti përsëritur edhe më vonë, të njëjtat metoda që sa më shumë shqiptarë për t’i shpërngulur nga trojet e tyre etnike dhe për t’i kolonizuar me kolonë serbë e malazezë. Është i njohur memorandumi i Vasa Çubrilloviqit, i cili në atë kohë hartoi planin gjenocidal dhe ia kishte paraqitur qeverisë mbretërore më 1937, për zhdukjen e shqiptarëve nga Jugosllavia. Këtë referat qeveria jugosllave, përkatësisht serbe, e ka zbatuar me dhunë të përhershme ndaj tyre, me taksa të rënda, burgim të njerëzve të pafajshëm, tortura e vrasje, kështu që më se 250 mijë shqiptarë janë detyruar t’i braktisin trojet e tyre e të vendosen në shkretëtirat e Anadollit në Turqi dhe pjesërisht në Shqipëri. Në atë kohë, vetëm në fillim, janë vendosur në Kosovë, në pronat e uzurpuara shqiptare, më se 60 mijë kolonë serbë e malazezë. Për ta kamufluar këtë terror ndaj popullsisë së qetë shqiptare, qeveria e Beogradit deklaronte se kjo është vetëm ‘’reformë agrare’’, ‘’aksion kundër komitëve dhe armiqve të shtetit’’ etj.

Këtij terrori dhe kësaj dhune nuk i shpëtoi as familja e Sylë Zarbicës. Për të shpëtuar nga kjo zallamahi e tmerrit, ata detyrohen që të largohen nga fshati i tyre për tu vendosur diku në brendi të Kosovës. Pasi kaloi kjo, familja e Sylës u kthyen përsëri në fshatë për të vazhduar jetën e zakonshme por tani nën robërinë serbe. Syla në këtë kohë ishte 14 vjeçar dhe situatën e krijuar shumë mirë e kuptonte. Ata u vendosën në fshat por asnjë herë dhe në asnjë moment nuk u pajtuan me robërinë  nga pushteti i Serbisë, andaj rezistenca kundër okupatorit ishte fati ynë historik.

Në moshën e adoleshencës, Syla kishte një zë të mrekullueshëm, dhe shpesh ndodhte bashkë me vëllain Murselin këndonin nëpër dasma të fshatarëve, e sidomos i këndonin bukur këngët që bënin fjalë për heronjtë si për Mujin e Halilin, këngët e Nizamëve, këngët e kurbetit e shumë këngë të tjera që i përmallonin fshataret dhe në një mënyrë indirekte i motivonte, i nxiste dhe i cyste për të luftua për lirin dhe bashkimin e trojeve shqiptare. Po ashtu, si i ri, i donte kuajt jashtë mase, ata i rriste dhe i kultivonte për të bërë gara në fshatra të ndryshme të asaj ane. Bile, flitej se,  njëherë kishte zënë vendin e parë, në garat që kishin karakter kombëtar e që ishin mbajtur në dasmën e Muharrem Fejzës, në fshatin Hogosht.

Fshataret duke e parë mençurin dhe autoritetin që e gëzonte te fshataret, ata e zgjodhën për tri vjet kryeplak të fshatit. Po ashtu ai njihej si njeri i pa anshëm dhe i sinqertë, dhe mu për këtë e kishin zgjedhur kryetar të këshillit për pajtimin e gjaqeve. Dihej se gjatë asaj kohe sa ishte në këshill, shumë plagë u mbyllën dhe shumë ngatërresa u shuan, dhe për një kohë të gjatë në këtë fshat nuk pati konflikte ndër fshatarë. Populli e donte  dhe e admironte për zgjuarsinë e tij.  Qysh si i ri, paraqitej si mbrojtës i fshatarëve duke iu dal krah dhe i mbronte ata. Ai edhe për nga pamja, kishte një fizik, që xhandarët e kralit i kishin frikën. Sidomos, kur ata donin të arrestonin ndonjë fshatar për hiq gjë, ai ishte i gatshëm ti mbronte. Sidomos ishte i pa kompromis kur vërente se shqiptarët  fyheshin apo malltretoheshin pa kurrfarë arsye nga pushteti. Syla i ri ishte aty për ti mbrojtur. Andaj, fshataret serb filluan të bënin plane për ta likuiduar.  Filluan ta përcillnin çdo kund, dhe vazhdimisht kërkonin ndonjë shkak që ta fusnin në burg e pastaj ti jepnin leksion duke e rrahur pa mëshirë. Në fshatrat e kësaj ane doli fjala se Sylë Zarbicën nuk e zë plumbi dhe askush nuk mundet ta arrestoi e më së paku xhandarët serb që silleshin për rreth. Të tëra këto që fliteshin për Sylë Zarbicën, pushteti e xhandarmeria serbe nuk mundte me i kollofit dhe përgatitnin hakmarrjen ndaj tij në momentin e duhur.

Sylë Zarbica u martua dy herë dhe nga këto dy martesa i pati tre fëmijë- Feratin, Laliferen dhe Eminin. Fëmijët i donte shumë dhe sidomos me djalin Feratin kishte krijua raporte të lakmueshme babë e birë. Ai, atë e donte dhe e respektonte se tek ai shihte tiparet e tija dhe ishte krenar me të. Laliferja ishte e qet dhe e dashur, e dëgjonte babain dhe kujdesej për të, me aq sa mundej.

Më vonë, koha do të dëshmoi se Sylë Zarbica ishte trim dhe atdhetar i madh. E ky patriotizëm i pashoq erdhi në shprehje sidomos në fund të Luftës së Dytë Botërore, kur me aftësitë e veta organizative e luftarake mbrojti me pushkë në dorë territoret e Shqipërisë Etnike.

Kjo periudhë kohore  karakterizohej me një jetë politike e cila ndonëse ishte e determinuar nga fuqitë e mëdha që ishin vendosur në Kosovë, por pjesë e saj ishin edhe nacionalistët shqiptare. Kjo ishte periudhë tejet dramatike, ngase rryma të ndryshme përplaseshin pikërisht në Kosovë, duke sjellë tensione të vazhdueshme brenda saj. Atdhetarët shqiptar e kishin kuptuar se në truallin e Kosovës po luhej loja me hile. Komunistet premtonin   që pas luftës Kosova t’i bashkohej Shqipërisë, e cila pastaj do t’i bashkohej federatës jugosllave ose ballkanike. Këto plane nuk u realizuan për shkak të ndarjes mes Titos dhe Stalinit.

Siç dihej, Kosova gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte pushtuar dhe ndarë në tri zona pushtuese: Në zonën italiane; në zonën gjermane dhe në zonën bullgare. Midis viteve 1941 dhe 1945, Mbretëria e Italisë aneksoi pjesën më të madhe të Kosovës dhe ia bashkoi Mbretërisë Shqiptare të Shqipërisë, nën protektoratin italian. Dy pjesët tjera të Kosovës u pushtuan nga gjermanët dhe bullgarët. Italianët e paraqesin veten si çlirimtarët e shqiptarëve, se ata gjatë sundimit të tyre, në administratën në Kosovë, lejuan gjuhën shqipe dhe hapën shkolla në gjuhën shqipe, dhe lejuan përdorimin e flamurit kombëtar. Nga shqiptarët u formuan njësitë ndihmëse të policisë, një batalion i milicisë shqiptare dhe formacione të ndryshme vullnetare. Organizimi i administratës në zonën italiane u bë sipas modelit të Shqipërisë. Efekti ishte i përnjëhershëm, ngase këto masa ndikuan në forcimin e lidhjeve, të unitetit e të vetëdijes kombëtare të shqiptarëve. Italianët me politikën e tyre në fushën e arsimit, i dhanë mundësi popullsisë shqiptare që në “Tokat e Liruara” të çliroheshin nga shtypja e mëparshme sllave, dhe të krijonin kushtet objektive në interes të kombit shqiptar, në veçanti në fushën e arsimit shqip.

Në kuadër të zonës gjermane, komfor marrëveshjes së arritur në Vjenë, hynte rajoni i Mitrovicës, Vushtrria, Podujeva dhe pjesa tjetër e Veriut të Kosovës, për shkak të industrisë, minierave të Trepçës dhe pasurisë nëntokësore që ofronte ky rajon. Sipas dokumenteve rezulton se gjermanët ndiqnin një politikë të dyfishtë me shqiptarët me qëllim për të gjetur mbështetje në territoret e pushtuara. Andaj, nga njëra anë njihnin “Shqipërinë e Madhe” dhe u premtonin shqiptarëve Mitrovicën, nga ana tjetër, lejonin Drazha Mihajloviçin e çetnikët tjerë të kryenin mizori ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë.

Pas kapitullimit të Italisë në vitin 1943, gjermanët pushtuan edhe Shqipërinë dhe pjesët tjera të cilat ishin nën kontrollin italian. Po në atë kohë u formua organizata patriotike Lidhja e Dytë e Prizrenit, më 16 shtator 1943. Në fund të vitit 1943 dhe në janar 1944 u mbajt Konferenca e Bujanit, në të cilën Komiteti Nacionalçlirimtar i Kosovës mori vendim për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Vendimi i partizanëve të Kosovës për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë nuk u zbatua për shkak të ndikimit të madh të serbëve dhe malazezëve në udhëheqjen komuniste jugosllave.

Zona e pushtimit bullgar, mund të thuhet se ishte vazhdimësi e politikës së ndjekur nga bullgarët gjatë Luftës së Parë Botërore. Në zonën e Kosovës të pushtuar nga bullgarët nuk u lejua që në administratë të përdorej gjuha shqipe, por për më tepër i gjithë personeli administrativ erdhi nga Bullgaria, ndërsa gjuha bullgare zëvendësoi serbokroatishten, si gjuhë zyrtare, në çdo veprimtari duke përfshirë edhe arsimin.

Gjatë kësaj periudhe, Sylë Zarbica u caktua komandant i xhandarmërisë në Karaqevë dhe pastaj kaloi si komandant i vullnetarëve në Kamenicë. Forcat vullnetare u krijuan për ta ndihmuar ushtrinë e rregullt në mbrojtjen e kufirit nga depërtimet e forcave serbe. Forcat vullnetare ishin nën komandën e drejtpërdrejt të Regjimentit të katërt të ushtrisë Shqiptare i dislokuar në Prishtinë. Regjimenti në fillim udhëhiqej nga kolonel Rexhep Gjilani e më vonë nga kolonel Fuad Dibra.

Sylë Zarbica ishte komandant i vullnetarëve për Kamenicë dhe zëvendës i tij ishte Isen Shehu. Njësi të tjera që komandoheshin nga Sylë Zarbica ishin në fshatrat Velegllavl, Zajçec, Svircë dhe Hajkobill. Këto njësi u përballën  shumë herë me forcat serbe, me ç’rastë treguan trimëri dhe vendosmëri në mbrojtje të kufirit, detyrë të cilën këta ia kishin dhënë vetes me përkushtim dhe vetëmohim. Po përballjet më të mëdha të njësive vullnetare të Sylë Zarbicës dhe njësive të tjera ishin ato në Kikë dhe Velegllavë. Lufta e Velegllaves filloi me 28 qershor 1944 dhe vazhdoi edhe me datën 29 qershor. Sipas disa të dhënave forcat armike të brigadës së divizionit të 13-të, kishin rreth 200 serb të vrarë, dhe 131 të zënë robër, në mesin e te cilëve ishin edhe 5 femra. Edhe forcat vullnetare patën humbje, kishin 17 të vrarë, nga të cilët 2 oficerë dhe shumë të plagosur. Kjo fitore, rriti edhe më shumë moralin dhe guximin tek forcat vullnetare që i dilnin në mbrojtje kufirit. Në fund forcat serbe u detyruan të tërhiqeshin në vijën ku ishin para sulmit. Lufta e Kikës u zhvillua më datën 26 korrik të vitit 1944 dhe ajo u shtri deri më 20 kilometra, duke filluar që nga Shahiqi e deri në Tërstenë.

Në këto lufta, dalloheshin sidomos vullnetarët e Sylë Zarbicës, që nuk kursyen asgjë vetëm e vetëm që të mbronin kufirin nga hordhitë çetnike që ia kishin mësy fshatrave shqiptare. Me gjithë trimërinë e treguar, më vonë forcat serbe e thyen kufirin dhe depërtuan në Kosovë. Kosovën e pritnin ditë të vështira, më 8-10 korrik 1945, në Prizren, u mbajt Mbledhja e Dytë e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, e njohur me emrin- Kuvendi i Prizrenit. Ky kuvend, u mbajt në rrethanat e administrimit ushtarak. Puna e kuvendit u sigurua nga forca të shumta ushtarake, ku  “me dëshirën e popullit”, Kosova iu bashkua  Serbisë, dhe tokat tjera shqiptare u copëtuan në tri republika të Jugosllavisë.

Nacionalistët shqiptarë nuk iu besonin partizanëve dhe as çetnikëve komunist. Ata nuk donin rikthimin e Jugosllavisë, në të cilën ishin të diskriminuar skajshmërisht. Pasi se Gjermania naziste kishte kapitullua, në dhjetor të vitit 1944, në pjesën më të madhe të Kosovës ndodhën  kryengritjet e shqiptarëve, të cilët nuk donin të ri okupohen nga Jugosllavia e Serbia. Pakënaqësitë më të mëdha të shqiptarëve erdhën në shprehje sidomos në Kryengritjen e Drenicës, të cilën e udhëhoqi patrioti i madh Shaban Polluzha. Për ta shuar këtë kryengritje Shtabi Suprem i LNÇ të Jugosllavisë kishte dërgua mbi 30.000 luftëtar për të shuar kryengritjen. Masakrat dhe gjenocidi që bënë forcat jugosllave në Drenicë ndikoi që Shtabi i Zonës IV Mbrojtëse të Kosovës e që vepronte në kuadër të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, kishte për obligim të mbrojë zonën Ferizaj-Gjilan-Kaçanik. Në Kuvendin e Tërpezës më 1 dhjetor 1944, u formua Shtabi Suprem i Kosovës dhe u mor vendimi për ta sulmuar Ferizajn dhe Gjilanin për t’i çliruar nga sllavo-komunistët. Në krye të shtabit për sulm në Gjilan ishte caktuar Mulla Idrizi, sekretar Muharrem Fejza dhe anëtarë ishte Sylë Zarbinca dhe Shefki Haliti i Desivojcës. Por duhet theksua se, nuk ishte vetëm Drenica që ishte e pakënaqur, po ashtu pakënaqësinë e tyre e shprehen shqiptarët gati në të gjitha pjesët ku jetonin. Janë të njohura luftërat që u zhvilluan në Gjilan, më 23 dhjetor 1944, në Ferizaj, më  2 dhjetor 1944 e vende të tjera. Gjatë luftimeve kishte reprezalje të mëdha ndaj popullatës që mbështeti kryengritjen. Me këto masa të ndërmarra, u arrit që vetëm në mars 1945 të thyhej rezistenca kryesore e shqiptarëve të Kosovës.

Sylë Zarbica me shok ishte nacionalist i përbetuar kundër komunizmit, por edhe ishte properëndimor, se gjerë në fund, shpresonte se, anglo amerikanët nuk do i lënë vetëm dhe do angazhohen për një Shqipëri Etnike. Ata luftonin me aspirata të çarta për çlirimin e Kosovës nga pushtuesit sllavo komunist dhe për bashkimin kombëtar të trojeve etnike të ndara dhe të copëtuara në pesë shtete. Ata kurrë nuk pranuan pushtimin e Kosovës duke luftuar e përballur me një armik që ishte shumë më i përgatitur se ata. Sylë Zarbica pas shpartallimit të forcave nacionaliste, pati oferta të shumta që të largohet bashkë me vullnetaret e tij, për të shkuar për Greqi. Një gjë të tillë, trimi i Zarbicës nuk e pranoi. Vendosi të qëndronte në tokën nënë bashkë me vullnetarët e vet, të cilët e kishin dhënë besën që në fillim, se kurrë nuk do të largohen nga trojet e veta.

Pas kësaj ai u tërhoq në malësinë e Zarbicës për të marr vendim se çka duhej bërë më tej.  Ai, pas dështimit të forcave nacionaliste,  kryesisht strehohej në Desivojcë, Suharrnë, Novosellë, Priboc dhe rrethin. Edhe pse ishte në fshatrat që i njihte në çdo pëllëmbë të tyre, edhe pse i njihte fshataret e vet në të cilët kishte besim të plotë, megjithatë OZN-a, e përcillte në çdo hap. Kishte angazhuar persona shqipfolës, mjerisht që ta përcillnin dhe ti informonin ata. Rrethi i ngushtohej Sylë Zarbinces. Ai edhe pse ishte i izoluara në këto pak fshatra, dhe lufta kishte përfunduar, ai ende shpresonte dhe besonte tek aleatët, duke i bindur shokët, se “forcat anglo-amerikane do të zbarkojnë me siguri një ditë dhe s bashku me ta, do ta bëjmë Shqipërinë Etnike”. Edhe kur ishte në rrezik ai nuk i humbte shpresat duke iu dhënë kurajo shokëve se  Shqipëria Etnike do të bëhet. Por ndodhi e kundërta, OZN-a e kishte zbulua vendndodhjen e tij dhe diku kah fundi i muajit gusht, të vitit 1946, në fshatin Gjergjec, në malësinë e Bujanocit e vranë tradhtisht. Mendohet se Syla u vra me një plumb në shpinë nga përcjellësi i tij. Pas vrasjes, kufoma e tij u zhduk pa gjurmë, gjë që edhe sot nuk dihej se ku është varri i atdhetarit. Thonë se është varrosur në malet e Gjergjecit, por nuk ka kurrfarë dëshmie për këtë.

Pas vrasjes  së Sylë Zarbicës, OZN-a për të fshehur gjurmët e krimit dhe bashkëpunëtorin e tyre, në Gjergjec , organizon manovra ushtarake dhe me këtë rast trumbetonte se Sylë Zarbica, u rrethua dhe u vra nga forcat ushtarake. Populli kurrë nuk gaboi, ai me zgjuarsinë e tij e nuhati vrasësin, dhe nga ajo ditë, kjo familje u bojkotua dhe u shpall antikombëtar.

Me rënien e tij, Sylë Zarbica,  me të gjitha të bëmat kaloi në legjendë edhe pse trimat nuk kanë nevojë për to. Se vet trimëritë e tyre janë legjenda që nuk vdes kurrë. Pas vdekjes, pushteti ia konfiskoi pasurin

Dhe krejt në fund, Sylë Zarbica i takon plejadës së atyre luftëtarëve të devotshëm që ndjenjën më të fortë kombëtare e lidhi me lirinë dhe çlirimin e atdheut të vet. Këtë dashuri dhe këtë dëshirë e shohim në tërë veprimtarinë patriotike të Sylë Zarbicës, i cili me veprën e vet patriotike u ngrit në piedestalet më të larta të kombit të vet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok