Standarde që bota perëndimore nuk i kupton

0

Nga Ndue Ukaj

Kur e sheh si flasin, si mendojnë dhe si veprojnë udhëheqësit e sotëm të Kosovës, me çfarë gulçi i përshkruajnë ndërkombëtarët, me çfarë epshi përçmues flasin kundër të gjithë kundërshtarëve, si i shenjtnojnë kauzat e tyre të rreme, si shpallin të vërteta religjioze mendimet e tyre, si ua falin mëkatet atyre që ju bashkohen tufës së tyre politike, e kupton një gjë të frikshme: këta njerëz nuk janë të ngimë me liri, nuk e kanë idenë e lirisë perëndimore, prandaj nuk çajnë kokën për lirinë e të tjerëve.

Dhe këtë të vërtetë e kanë kuptuar edhe ndërkombëtarët të cilët duket qartë se janë demoralizuar prej paudhësive tona dhe standardeve tona të mjera politike.

Sepse, ka kohë që në vendin tonë nuk flitet për kurrfarë vlera politike, humane ekulture, dhe për rrjedhojë, as për zhvillim.

Duket sikur na ka rrëmbyer epshi i mendësisë së rrënimit dhe ndihet kudo një stagnim i frikshëm ndërkohë që përditë e më shumë po standardizohet budallallëku si forma më e lartë e shprehjes publike.

Të kujtojmë se Ibrahim Rugova në kushte shumë të rënda, fliste butë, nuk urrente askënd, kundërshtonte me argumente dhe gjithmonë angazhohej e fliste për shpirtin e tolerancës.

Me gjasë, mideja jonë e ushqyer gjatë me ideologji ekstreme nuk po i duron mendimet e bukura, të lira e humane.

Dhe kështu, përditë shohim frikshëm sesi shoqëria jonë po  i bjerrë standardet europiane dhe përditë e më shumë po shëmtohet imazhi ynë i ndërtuar me mund ndër vite.

Këto ditë të acarta shoqërore, kujtoj shpesh Faik Konicën. Ai duke e parë përçudnimin shqiptar, tregonte si na sheh bota:

“Ta dini se në sy të Evropës së qytetëruar, jemi të prapambetur, dhe asgjë më shumë.”

Me gjasë, sot pakkush ka dëshirë ta di si na sheh bota

Ama përgjigja nuk është larg përshkrimet që bënte Konica.

Dhe për këtë katandisje, meritën më të madhe e kanë udhëheqësit tanë që ndryshe flasin, ndryshe mendojnë e ndryshe veprojnë, standarde këto që bota perëndimore nuk i kupton.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok