21/12/2024

STACIONI TRENIT I TIRANËS

0
Stacioni-Trenit-Tirane

– Dhe një kujtim udhëtimi me “Kapedanin”-

NGA NDUE DEDAJ

Stacionet e autobusëve, trenave, aeroportet, aq sa të “rrëmujshme” e të zhurmshme janë, duhet thënë se janë dhe po aq intriguese, pasi janë stacione malli, emocionesh dhe dashurie. Askund tjetër nuk ka më shumë përqafime, përlotje dhe puthje se në stacionet e udhëtarëve, pasi gjithmonë dikush pret e dikush përcjell. Jeta askund nuk lëviz më vrullshëm se aty, ku njëri ikën e tjetri vjen. Thuajse gjithnjë ai që ikën është dhe ai që vjen. Duket se të gjitha urimet e njerëzve “kulmojnë” aty, sintetizuar në një formulim tejet të bukur “Shkofsh dhe ardhësh shëndosh”. Stacionet e udhëtarëve, të mëdha apo të vogla, shqiptare apo të huaja, janë antologji poetike të pashkruara. Udhëtimi është para së gjithash bekim…

Stacioni i Trenit i Tiranës, as pesëqind metra nga “Sheshi Skëndebej”, ka mbetur tashmë vetëm si emër, por dikur ishte porta kryesore hyrëse dhe dalëse e kryeqytetit, ku secili ka përjetimet e veta, përpos të rinjve që nuk e njohin e as e përfytyrojnë Shqipërinë me trena. Ruaj ende kujtimin e udhëtimit të parë me tren, më 1972, nga Laçi në Tiranë e kthim pasdite në të njëjtin stacion, për të marrë më pas autobusin e linjës për në Rrëshen. Prej atëherë treni, me atë “muzikën” e tij ritmike, ishte mjeti kryesor i udhëtimit tonë. Treni, në vrapimin e tij të pandalshëm, na krijonte ndjesinë e një lumi fushor, por që ecte shumë më shpejt se rrjedha e qetë dhe e ngadalshme lumore, bie fjala, e Ishmit, Erzenit, Shkumbinit. Soditja nga dritaret, bisedat me shokët e shoqet, apo të afërmit në kabinën tënde, që shpesh ishte e hapur, të qeshurat rinore, kontrolli i biletave, leximi i ndonjë libri, takimi i të njohurve, që nuk i kishe parë prej kohësh ishin “rutina” e udhëtimit në tren. Sot kanë mbetur sa për be dy trena tejet të lodhur, njëri që shkon nga Durrësi deri në Elbasan te Metalur-ziu dhe tjetri nga Shkodra deri në Laç tek i Shnandoj. Nëse për konstruktorët treni është hekurudha, shpejtësia, teknologjia  etj., për mua treni është njeriu. Prandaj kemi dhe kujtesën e trenave të udhëtarëve, apo dhe të mallrave, që mbartnin minerale dhe naftë drejt qendrave urbane. Pa harruar se të gjithë shqiptarët qemë ndërtues vullnetarë të hekurudhave, nga Hani i Hotit në Gurin e Kuq dhe se Ura e Bushtricës mbetet simboli i urave hekurudhore të vendit, që e ka merituar poemën e poetit të ndjerë, mikut tonë të paharruar Koçi Petriti. Arti, letërsia ka qenë shirit-prerësi i vërtetë e “ëndrrave industriale” të viteve ’60 dhe ëndrrat e një populli që sjellin industri, qytetërim, modernitet asnjëherë nuk janë të gabuara, paçka se kush e merr gërshërën në dorë dhe e pret shiritin përurues, atëherë e sot!

Kam qenë për një muaj vullnetar në ndërtimin e stacionit të trenit në Shkodër dhe disa muaj pas përurimit zbrita aty një mbrëmje së bashku me një personazh të veçantë të komedisë shqiptare, aktorin e shquar Albert Vërria, me të cilin na kishte bërë bashkudhëtarë treni, ndonëse kishte pas qëlluar ta takoja dhe vite më parë, kur isha gjimnazist e ai kishte ardhur njëherë në Mirditë së bashku me kolegun e tij Agim Shuke. Folëm gjatë gjithë kohës, ishte një burrë aq serioz e i shtruar, thua se asgjë nuk e lidhte me humorin. E bëmë bashkë në këmbë rrugën nga stacioni deri te Teatri Migjeni, ku “Kapedanin” e papërsëritshëm të skenës e përshëndesnin oreçast kalimtarët në të dy anët e rrugës. Ishte i vetmi rast kur më bëhej se Shkodra po përshëndeste dhe mua studentin e saj, që sigurisht nuk më njihte, por si “shoqnuesin” e zotnisë, pasi Vërria në atë kohë ishte dhe deputet i Kuvendit Popullor, një deputet që ecte me tren si gjithë të tjerët… dhe nuk kishte kurrëfarë pune me SPAK-un.

Krejt ndryshe do të jetë, kur trenat të jenë sërish në modë. Në marsin e ardhshëm (2025), sipas drejtuesve të hekurudhave do të përfundojë restaurimi i linjës hekurudhore Tiranë – Durrës, si dhe ndërtimi nga e para i asaj për Rinas, por nuk do të ndodhë më si dikur. Njerëzit, përveç makinistit të trenit, të gjithë do të jenë me sytë ngulur në telefon, duke dhënë e marrë me botën virtuale e duke e injoruar krejtësisht atë reale, dmth njeriun që ke në krah, i cili nuk ekziston më për ty as sa për një përshëndetje. Por frika është se do të ketë nga ata që do të zënë ndonjë bisedë me zë të lartë, me kushëririn e tyre në Amerikë apo Australi dhe ty do të dëgjosh me zorrët në fyt gjithë tallavanë e atyre të panjohurve, siç ndodh tashti në autobusa e furgona, që duhet t’i mbushësh veshët me pambuk.

Kështu, pra, kur të ndihet sërish sirena e trenit në Tiranë dhe stacioni i tij të rikthehet, druaj se nuk do ta ketë më atë emocionin e trenave të dikurshëm çek, ndonëse  jo komodë e sigurisht jo “ekspres”…

Ky shënim, sa nostalgji për kohën shqiptare me trena, aq është dhe prelud i trenave të rinj në ardhje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok