Spikerja dhe skenaristja Angjelina Xhara: Isha dashuruar me aktorët, Prokop Mima e Naim Frashëri!

0

-Mbeten ende ikona Virgjil Kule, Çlirim Poro, Violeta Kongo,  Amalia Çali, Ismail Sharra, Dhimitër Gjoka

-Për emisionet e lajmeve TVSH më përgatiti enkas një fustan sipas trupit

– Tek emisionet e fëmijëve, pata rastin të punoj me aktorët e mrekullueshëm, Reshat Arbana e Ilia Shyti!

Nga Albert Z. ZHOLI

Familja e mirë dhe shkolla, i dhanë mburojë në jetë një karakter të fortë, me natyrë të hapur e të përzemërt, me komunikim të menjëhershëm, që e ndihmoi shumë në profesionin si spikere e kineaste. Rrugën e profesionit tim e nisi që në 7 vjeçare vitin e fundit, kur u bë pjesë e folësve në emisione të fëmijëve e të rinjve deri tek lajmet kryesore në RTSH!

Fillesat e ëndrrës. Si hodha hapat e parë në RTSH

Ja, do më ndihmojë facebook, për të parë se lidhjet mes njerëzve nuk janë rastësore, por janë rrugë të zgjedhura nga Zoti…Facebook që herë e shtrëngoj në gji, se më kënaq me ribiseda të njerëzve të dashur, herë më mërzit me monotoni batutash, që bëhen shumë herë stereotipe, etj. Përfundimisht është shumë i domosdoshëm në rinjohjen… me miqtë e dikurshëm! Është thesar i vërtetë në këte drejtim! Kam ruajtur si fotografi edhe komunikimin e parë në fb. me Rina Deliun. Ajo ishte shoqe e motrës sime të madhe, Natashës, dhe komshije me ne, se shtëpinë e kishte tek një rrugicë para rrugës së shtëpisë sime. Si tani e kam parasysh takimin e papritur me të, tek oborri i shtëpisë sime. Unë hyra me vrap, se kështu e kisha stilin tim, gjithmonë, vrapoja… Ajo po fliste me mamanë time, po kërkonte motrën time apo diçka të tillë, kur u përplasa me të dhe ajo më kapi nga dora e më tha: -Shiko kam ardhur edhe për ty, Pupi…! Dinte dhe emrin tim përkëdhelës, që ma kishte vënë gjyshi im i dashur! Rina, më tha, direkt: – Ti je recituese shumë e mirë, ke zë të veçantë të bukur, a nuk vjen në radio, të flasësh bashkë me mua, në emisionin e fëmijëve?” Kaq ishte, unë u hodha nga gëzimi…-Po do vij, patjetër, do të vij…! Mami po më ndiqte me buzëqeshje dhe pak si ndryshe… Unë në çast e kuptova gabimin dhe shtova, duke parë poshtë, gurët e sokakut… –Më fal, mami, se do të pyes, ty dhe babin, pastaj do shkoj! Mami më mbështolli me dashuri pranë vetes e më tha: -Sigurisht, do të lemë, po mbasi ta bisedojmë me babin, kur të vijë nga puna. Të nesërmen unë isha bashkë me Rinën, në studion e Radios dhe bëra provat e para si folëse aty. Ishte një çast magjik! Që atë ditë dhe në vazhdimësi unë do isha në ambientet e inçizimit e transmetimit në RTSH- së, për 16 vjet rrjesht! Sa emocione, sa episode të bukura incizimesh, sa njohje me aktorë të njohur, që unë kisha fatin t’i shihja nga afër!

Isha dashuruar me aktorët, Prokop Mima e Naim Frashëri!

Zërat e tyre drithërues i dëgjoja tek emisioni i çdo të mërkure, “Teatri në mikrofon”! Tek emisionet e fëmijëve, pata rastin të punoj pranë mikrofonit me aktorët e mrekullueshëm, Reshat Arbana e Ilia Shyti! Unë kisha zë pak të veçantë dhe mbaj mënd, që edhe kur nuk isha më spikere në radio përdornin zërin tim tek rubrika e së dielës ”Teatri ynë në mikron, Fëmijë të dashur, mirëmëngjesi!” Në këtë çast ndërhyn Vetja ime e më thotë në vesh: “ Kujdes tani, se hyre në zonë delikate…” Nuk e di çfarë do të thotë kjo, por do ta marr vesh më vonë…Jo, jo, them se e mora vesh, duhet të flas për të tjerët , jo për vete!

Miket e mia të Radios

Heroina, Luiza, Violeta! Çudi, shtypa një buton, dhe më doli, në tre simbole numri 3. Po, do rreshtoj kujtime për 3 miket e mia të para…Rina…Një vajzë shumë e veçantë në të folurën e saj të ëmbël… Sikur kishte dalë nga hojet e bletëve…Ajo vishej shumë bukur, me kombinime ngjyrash të çuditshme, plot fantazi…Në studio ne hynim, mbasi kishim lexuar materialin…Rina, ishte ajo që më shpjegonte me hollësi, si duhej të lexoja, si duhej të merrja frymë, pa u dëgjuar, si duhej të ndaloja tek pauzat, etj. Luiza, ishte më e madhe se Rina. Ishte, në atë kohë, më e bukura vajzë, që kisha parë! Ajo buzëqeshte pak e ndrojtur, ishte me sy të mëdhenj, të zinj! Kënga ruse, “Oçi çiornoje”… ndoshta për një vajzë, si Luiza, do ishte krijuar! Flokët e zeza i rrinin, si kurorë, gjithmonë të plota, plot shkëlqim, me pak ondulacion, që ndonjëherë i çonte edhe pas veshit, si për të treguar, që çdo tipar të fytyrës e kishte të përsosur… Trupin e gjatë e të hedhur, vishej bukur edhe ajo si Rina…Unë e ndieja veten të sigurtë, me të dyja këto mike, që më donin dhe i doja shumë edhe për çudi, ndërsa Rina ishte shoqe e motrës së madhe Natasha, Luiza ishte shoqe, pra në një klasë me vëllain tim të madh, Sotirin. E nieja veten si në familje, pranë tyre! Violeta Kongo…Po vë dhe mbiemrin, mos ngatërrohet me një shoqe të afërt time, kur u bëra folëse në televizion, Violeta Vila. Të dyjave, unë u thërrisja Leta. Leta Kongo, më bëri për vehte me një sjellje shumë të ngrohtë, por edhe pak autoritare! Edhe Leta ishte një vajzë e bukur, që binte në sy, për trupin e bukur, për portretin e ëmbël dhe flokët kaçurrela ngjyrë lajthi, që i shkonin shumë çfarëdolloj modeli të zgjidhte… Me Letën, pata lidhje të afërta gjithë jetën, sepse në vazhdimësi ne ishim më pranë interesave të artit, kur hymë, me këmbë të sigurta në profesionet tona të mëpastajme, pas hapave të para si spikere në Radiotelevizion. Të dyja dhamë lajmet në Televizion, si folëse femra! Megjithatë çuditërisht mezi e thonë të vërtetën ata dhe ato, që duhet ta thonë…!

Në fillimet e televizionit shqiptar

Çaste të paharruara! Rastisi, që unë u caktova spikerja e parë femër, në transmetimin zyrtar të Televizionit shqiptar, krahas Kiço Fotiadhit. Me radhë rrjeshtohen spikerit e parë, Virgjil Kule, Çlirim Poro, Violeta Kongo e Amalia Çali, Ismail Sharra, Dhimiter Gjoka ! Pastaj pas meje, me punë 10-vjeçare, erdhi Tefta Radi, një folëse që mbajti peshën e transmetimeve direkte, duke u bërë dhe gazetare televizive nga më të njohurat! Në vitin 1991, na intervistoi për herë të parë, si folëse kryesore, në Televizionin shqiptar, mua dhe Teftën, gazetarja e talentuar, Juela Meçani. Transmetimi direkt është magji! Ti pushtohesh nga një përjetim emocional, nga një atmosferë detyre të lartë, përpara vetes, njerëzve që të kanë zgjedhur dhe përballë një opinioni të gjërë masiv. Kapërxen një prag, që është një si urdhër i brëndshëm, se ti me zërin, paraqitjen e leximin tënd, duhet t’iu imponohesh të tjerëve, me aftësi të veçanta që t’i ka dhënë Zoti.Talenti nuk zbukurohet dot, atë e ke ose nuk e ke! Unë kisha qënë recituese dhe spikere në Radio, ndaj kisha ato fuqi të brendshme dhe në sajë edhe të një mjeshtërie, që ta jep koha e puna, për të dalë me sukses në transmetimin e drejtpërdrejtë! Duke shtuar edhe rigorozitetin e asaj kohe, ne spikerit e parë, viheshim para faktit të kryer, hynim në valle që duhet ta kërcenim deri në fund. Në këtë intervistë unë fola edhe për leximin emocional të spikerit, për mësuesit tim të parë, Vera Zheji e Haki Bejleri dhe ndava kujtime të shtrenjta të jetës sime profesionale në të vetmin stacion televiziv në vend! Foli plot sinqeritet në këtë takim edhe spikerja e gazetarja e mënçur, Tefta Radi, dhe biseda shkoi aq bukur, sa ne nuk e ndjemë fare si kaloi, ndoshta gjysma e orës! E kam si kujtim hajmali këtë video! Do ta vendos në “YouTube”, për të qënë pasuri e së përjetshmes, që mbetet në internetin e pavdekshëm!

Bisedë në RTSH, me dy spikeret e lajmeve, unë dhe Tefta Radi

Viti 1992! Falenderoj dhe prezantuesen, yll të Tvsh-së, Silvana Braçen, që në një festival filmi në Vlorë, ku po bëhej shfaqja e dokumentarit për Margarita Xhepën, nga regjisori, Mjeshtri i madh, Kujtim Gjonaj, ku unë isha skenariste e filmit, Silvana këmbenguli para publikut të tregoja pikërisht kohën e parë, kur isha spikere me emër… Dhe unë diçka fola… Thashë veç të tjerave, se sa u shtanga kur më dhanë të vishja një fustan, të përgatitur nga Televizoni, me përmasat e trupit tim…Fustani në pjesën e sipërme ishte një tyl i zi, nën të, një e brendshme, tafta e bardhë…Tyl i zi… oh sa më dhemb, kur e kujtoj…! Atë kohë unë isha vetëm 20 vjeçe, e re e bukur, me ngjyrë rozë në portret…Nuk e mora vesh kush e kish bërë këtë zgjidhje?! E vesha shumë pak, se pastaj e zëvendësova me një veshje, që më kishte ardhur nga Amerika, nga kushërinjtë e mamasë sime. Ishte uniformë, që u zbardh nga përdorimi! Por ishte një kombinim i bukur, dhe një veshje e ngrohtë, sidomos për dimër. Ishte fustan deve ne ngjyrë gri e hapur, me një bolero, ose triko e vogël me viza si leopard! Ndërkohë unë vazhdoja dhe punën në radio. Vazhdoja të mbaja orën e mëngjesit, nga 5.30 – 7.30. Haki Bejleri dhe Vera Zheji, ose e kundërta Vera Zheji dhe Haki Bejleri, dy folësat brilantë të Radio-Tiranës, të pazëvendësueshëm, nga asnjë që erdhi më pas! Ndriçoi Virgjil Kule & Tefta Radi në Televizion, por çifti i parë kishte sharmin e të gjitha kohërave! Vetja ime përsëri më shfaqet, për të më tërhequr veshin, përsëri dhe unë pa e ditur pse, mbrohem me fjalët… “Për mendimin tim, gjithmonë, por edhe të viteve të paharruara…” Kam qënë e privilegjuar, se Zoti më ka vënë pranë, njerëz të jashtëzakonshëm!

Bashkë me Haki Bejleri

Haki Bejleri, spikeri i shquar i Radio Tiranës, ishte bashkë me mua në edicionin e parë të lajmeve, çdo ditë, në orën 6.30, rreth dhjetë vjet!. Ishte njeri me kulturë të thellë dhe fliste pak, për të mos thënë, aspak! Dua të sjell tre kujtime që më janë dukur shumë interesante. Njëherë papritur e pakujtuar më tha…-E di ti, Angjelina, mbiemri im është, Bejleri, këtë sigurisht e di. Por më propozuan njëherë ta ndërroja, unë nuk pranova! Doja te thosha se nuk e ndërroj sërën e familjes nga kam ardhur. Bejlerët nuk kanë qënë ashtu si i thonë sot! Unë nuk fola fare, por u kuptuam mirë…Njëherë tjetër më foli për spikeren e parë të radios, të hapur që në kohen e Zogut… Më foli për Zonjën, e cila ishte një grua me personalitet e kulturë të gjerë! Një herë tjetër me tregoi për një spikere të talentuar shumë, me zë të veçantë,… E quanin Vnjesa…U martua e jeton në Greqi, më duket! Dhe ja ku do them edhe unë diçka timen…Mami kishte bërë një kek të mirë e më dha 2 copa e më porositi që njërën, t’ia jepja Hakiut. Unë, sa erdhi Ai, vinte 5 minuta para orës së lajmeve… i zgjata copën e kekut…- Do ta ha më vonë!, – më tha. Mbeti copa e kekut, një orë aty, ma bëri me sy dhe e hëngra vetë! Kur hyri për të marrë çantën se do largohej, unë u mundova të justifikohesha…-Ska gjë, në mëngjes unë pi vetëm një kafe, asgjë tjetër… zëre sikur e hëngra… Dhe më shikoi me shumë dashuri atërore, përmes syzeve që i uli pak, si për të më përshendetur!

E veçanta Vera Zheji

Spikeren më të mirë të Radios, Verën, e kam patur si njeri të afërt, megjithëse mbaja dhe distancën dhe i zgjidhja fjalët, se e kisha edhe pak frikë… Ishte shumë serioze e autoritare! Kur do hyja në transmetim direkt, më shoqëroi në studio… Unë kisha marrë me vete edhe një shishe të vogël uji, se mos më kapnin emocionet… Ajo sa e pa shishen e kuptoi e më tha: – Harroje ujin, fol si të jesh me veten tënde, e lirshme, me zë të bukur…” Ashtu bëra dhe megjithëse, ngaqë isha shumë e ndjeshme, kisha dhe emocione, që shfaqeshin tek zëri im….Kur dhashë lajmet për vdekjen e Hysni Kapos, më përfshiu përsëri emocioni, por më bëri më të veçantë, si spikere.! Edhe Virgjil Kule në Televizion, më thoshte fjalë inkurajuese, megjithëse ishte një vit më i vogël, por kishte kulturë perëndimore, dinte anglisht dhe kishte një rreth ndryshe nga unë. Ra tërmet njëherë dhe të gjithë ia mbathën të iknin, unë vazhdoja të jepja lajmet… Kur erdhi Virgjili e u ul te vëndi i vet, u çudit vërtet. – Nuk e ndjeve tërmetin, Angjelinë…? Më thanë atëhere, që dikush kishte bërë një poezi për mua! Siç e kuptoni dhe vetë, ju fëmijët e mi, e nipërit e mbesat e mi, tani nuk po flet nëna Angjelina, por Egoja e saj! Nuk ka, njerëz pa të meta! Kështu dhe Nëna Pupi…Në vënd që të shkruante për kujtimet e mamit të saj, Vasilika, që ishte bilbil nga goja, sidomos kur tregonte për fshatin, e sidomos për mungesën e nënës, që e la jetime, 6 vjeçe… Tregimet e saj për xhaxhallarët e kushërinjtë në Bukuresht, për dajallarët e kujtimet e kushërinjëve në Amerikë, nëna Pupi vraponte të mbante shënime për aktoren e madhe Margarita Xhepa, se i dukej sikur mamaja e saj, do rronte100 vjeç!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok