10/11/2024

SPARTAK BRAHO JEPTE DËNIME DHE KUNDËR LIGJEVE TË KOHËS

0

Nga Agron Tufa

Para një viti i drejtova një pyetje publike deputetit Spartak Braho, nëse ishte bërë problem ai ndonjëherë për falsifikim dokumentesh dhe si ishte larguar nga detyra e gjyqtarit popullor në Gjykatën e Rrethit Durrës. Braho vigjilent për nderin e komunistëve nuk dha përgjigje. Gjë që dihej kjo. Këtë anë të errët të jetës së tij, Braho ishte përpjekur gjithnjë ta mbante të panjohur. Kur u bë për herë të parë njeri publik, pra kur u zgjodh deputet i kallashparlamentit të vitit 1997, në manualin e Kuvendit për biografitë e deputetëve, nuk kishte asgjë për pozicionet e punës që kishte mbajtur Braho më parë. Braho që më “akuzonte” mua se kisha “falsifikuar” ligjin e ISKK-së, vinte për vete nga një përvojë falsifikuese. Në vitin 1974 ai u diplomua gazetar dhe menjëherë filloi punë si punëtor partie në Bashkimin e Rinisë së Punës së Shqipërisë në Rrethin e Durrësit. Këtë detyrë e mbajti deri në vitin 1978 për të shkuar jurist në Portin e Durrësit. Braho kishte nisur me korrespondencë Fakultetin Juridik në Tiranë për t’u bërë një vishinsk i përkushtuar i partisë për të dënuar armiqtë e klasës. Partia e emëroi jurist pa mbaruar shkollën se ishte djalë partizani de. Me përfundimin e Fakultetit Juridik, në vitin 1981 Braho u emërua gjyqtar, e më pas kryetar i kolegjit ushtarak. Këtë detyrë Braho e mbajti deri në vitin 1987, kur u bë i njohur për një skandal të paparë, dënimin në mungesë të një shtetasi, të cilin e internoi. Me iniciativën e tij si një bolshevik i vendosur kundër armiqve të klasës, shkon në Degën e Punëve të Brendshme Durrës dhe në dhomat e hetuesve bën komunikimin formal me të pandehurin. Për të qenë në rregull, përpilojnë një procedurë të falsifikuar sikur ishte zhvilluar gjyq.

Pasi i dënuari B.H. u ankua, Gjykata e Lartë nisi një hetim administrativ ndaj Spartak Brahos dhe sekretares Tatjana Doko. Kryesia e Gjykatës së Lartë, që ishte edhe organi epror për sistemin gjyqësor në vend, i thirri të dy shkelësit për t’i kërkuar llogari për “shkelje të rënda procedurale në një çështje penale”. Gjyqtari Braho dhe sekretarja e tij ishin përgjegjës për dy vepra penale: shpërdorim i pozitës zyrtare dhe falsifikim dokumentesh. Por meqë Braho vinte nga “shtëpi lufte”, bazë e luftës “nacionalçlirimtare”, partia e mbylli njërin sy dhe nuk e dërgoi në dhomat e hetuesve. Gjithë gjykatave iu dërgua qarkorja nr.240, datë 24.3.1987, në të cilën i tërhiqej vëmendja që raste të tilla mos të përsëriteshin më. Njëkohësisht, partia pati zemër të madhe me birin e saj. U ra dakord që Braho të largohej nga sistemi gjyqësor. Braho gjeti fijen dhe i ra në qafë Ministrit të Tregtisë së Jashtme, shokut Shane Korbeci, i cili e emëroi jurist në një drejtori të rëndësishme të kësaj ministrie. Në mbledhjen e organizatës bazë ku bënte pjesë, shoku Spartak bëri autokritikë që është e nivelit të lartë politik, e cila nuk u administrua vetëm në dosjen e tij si komunist. Në kartë iu shënua një vërejtje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok