25/05/2024

Sot u nda prej nesh aktori Anastas Nika

0

Nga Bardhyl Maliqi

Sot u nda prej nesh aktori Anastas Nika, kjo është humbje e madhe për familjes, për grauan, djemtë, motrat, por edhe për ne miqtë e tij kudo që ndodhemi. Baballarët tanë kanë qenë miq, unë dhe Anastasi po ashtu, shpresoj se miqësia do të ketë mbarësi edhe tek fëmijët tanë! Anastasi ka interpretuar disa prej poemave të mia dhe vetëm libra ka marrë si këmbim. Kafe kemi pirë shpesh, karrigia e tij ku ai ulej tani rri e brinjuar. por zëri, figura dhe emri i tij nuk vdes kurrë. Qoftë i lehtë dheu për ty Anastas!

Poema që po publikoj është pjesë e librit tim poetik të fundit “Zërat e detit” Ajo është shkruar 10 vjet më parë, kur ai recitonte bashhkë me Jonën, mesën time të vogë.poemën “Perandoria e Zogjve”

 

ZËRI YT TULAT STUHINË…

 

Kushtuar aktorit Anastas Nika

 

Të jesh aktor si ti,

do të thotë të lindësh me një uragan emocionesh,

që nuk i mban dot të strukura në gji,

ato me furi shpërthejnë kur ti blasfemon,

shtillen nëpër ajër si re të ngarkuara me shi,

e ti godet me zërin tënd të lartë;

si Jupiteri me rrufe vesin e shkallmon,

pastaj kthjellohet zëri dhe si qielli hapet,

retë e vogla qetohen dhe fluturojnë si pulëbardha,

ngarendin dhe ulen në brigjet e Sarandës si mjegulla të kaltra,

ndërsa ti, me “Në mundsh”, me zërin e mençur të Kiplingut

na kumton urtësi.

Anastas, e di, që të jesh aktor do të thotë

të edukohesh me të bukurat ndjesi:

Me aromën e çyrekut të bukës së ngrohtë të porsaprerë,

nën hijen e manit atje në Sopik,

me erën e rigonit, kur ngjyen vezën e zierë,

me kundërmimin e lules së blirit në oborr,

me zërin e nënës që ajrin përkëdhel,

kur emrin tënd shqipton te pragu i portës:

Erdhe bir? Anastas, o i miri i shtëpisë,

mbete në skena, si mbret, si lolo,

kudo e kurdo si kumt i urtësisë.

Të flesh e të zgjohesh në skenë,

mbi libra, me shokët në kantjer,

në sallën e studimit, në barakat karakatina,

mbi dallgë, në një triremë.

Anastas, trurin tënd e popullojnë,

fjalë arti plot çudira,

stil, figura, aforizma,

plot ide, filozofira.

Pishtarndezësit nuk mungojnë

nga mësuesi Vasil Kromidha,

te i madhi Prokop Mima!

Tullë pas tulle është bërë

gjigand i Sopikut i tërë,

me një shqipe të kulluar,

vetullharqet kreshpëruar

syri shigjetë e praruar.

Godet vesin, padrejtësinë,

për ta bërë Shqipërinë

më të bukur, më të mirë;

se rrënjët na mbajnë fort,

nuk na derdhin nëpër botë,

vulëhumbur në Evropë,

për një tas mbushur me çorbë…

“Kafeneja e ideve” të motivon ty si aktor,

“Aleksandri i Madh” – çmim merite i përkorë,

ndërsa tej vrapon “Pegasi”,

të shpall yll të një klasi;

me ty luan Margarita

dhe Kubatis plot merita,

në Sarandë, në Salaminë

zëri yt tulat stuhinë…

Zëri yt vëngon nga lumi,

Më buçet, më zgjon nga gjumi,

dhe tre idhuj bashkë më thonë:

Ali Asllanin dëgjon?

Dëgjon Konicën dhe Fan Nolin,

dëgjon Kuksin, Konispolin,

dëgjon Korçën trëndelinë,

a Vlorën, që shkund stuhinë:

“ edhe kujtoni tash e tutje

në të tilla dallavera

kukuvajka do ‘përtypë

zog e zoga si përhera;

por jo… grushti do të bjerë

përmbi krye të zuzarve

koha është e maskarenjve,

por ATDHEU I SHQIPTARËVE!”

Kryelartë si Kastrioti,

i hijshëm si Vrana Konti,

flokët e hapur nëpër erë,

fjalëëmbël si pranverë.

Si shqiponja syri i zi,

na magjeps, zëri i tij,

kur valëzon plot hijeshi

kur gjëmon nëpër stuhi.

Ajo mjekër e praruar,

që i shkon fjalës tënde,

se je burrë nga mosha e mendjes,

djalë i ri nga erë e ëndjes!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok