Sot Panairi i 25-të i Librit “Tirana 2022”
Shtëpitë Botuese “Bota Shqiptare”, “Morava”, “Argeta LMG” befasitë e këtij Panairi
Nga Albert Z. ZHOLI
Panairi i përvitshëm i librit mbledh sot, bashkë shtëpitë botuese nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, shkrimtarë, poetë, përkthyese dhe lexues, ku njihen me botimet e reja dhe një mundësi e shkëlqyer për të blerë libra me çmime të reduktuara.
Ngjarja me e madhe letrare e vitit sjell sot, libra të rinj, autorë, përkthyes, prezantime, konkurse, konferenca etj…. dhe sidomos shumë lexues.
Panairi i 25 i Librit “Tirana 2022” do të organizohet në mjediset e Pallatit të Kongreseve, nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë në datat 16-20 nëntor. Festa e librit tashmë është kthyer në traditë ku për më shumë se 25 vjet dashamirësit e librit frekuentojnë ambientet e Pallatit të Kongreseve . Për të gjithë lexuesit e rregullt, ky panair është një nga eventet më të rëndësishëm dhe një nga ngjarjet më të mëdha për gamën e madhe të shtëpive botuese dhe për numrin e madh të titujve.
Motoja e Panairit
“Jemi të gjithë lexues!” kjo është motoja e Panairit të Librit, në edicionin e 25-të. Ky Panair çelet sot në Pallatin e Kongreseve, ku marrin pjesë më shumë se 100 shtëpi botuese dhe janë 97 stenda për librat. Para tri ditësh, Petrit Ymeri kryetar i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë ndërsa foli rreth edicionit të këtij viti u shpreh dhe për problemet me botimet. Sipas tij problemet janë të shumta pëtr vetë rritjen e të gjitha çmimeve ku letra është bërë ndër më të shtrenjtat. Në këto kohë, sipas Ymerit shtëpitë botuese në vendin tonë nuk po përballen vetëm me humbjen e lexuesve, por edhe me tkurrjen e tirazheve, ndërsa për shkak të inflacionit kemi rritje të çmimit të librit. Ai u shpreh se: “Jemi në një situatë shumë të vështirë, ku 80 përqind e shqiptarëve nuk lexojnë dhe ne punojmë për 20 përqind. Nuk ka ndodhur kurrë më parë që ne të ulnim numrin e tirazheve. Dikur ne çonim për botim 1000 kopje, me tirazh minimal, ndërsa tani çojmë 200-300 kopje”, tha ai. Për të ëprmirësuar situatën për të lidhur lexuesin me librin kryetari Ymeri teksoi se “jo vetëm në Tiranë, por në çdo qytet duhet të nxiten festivalet letrare, të cilat mungojnë”. Sipas tij: “Organizimi i festivaleve letrare është një nismë që ne e kemi nisur këtë vit dhe do e vijojmë në mbështetje të librit, në disa qytete të vendit. Është shumë e rëndësishme të bëjmë aktivitete që mbështesin librin dhe tërheqin vëmendjen e institucioneve”.
Ulja e çmimeve të librave
Sigurisht si çdo vit edhe në këtë edicion të 25-të të panairit do të ketë zbritje çmimesh në libra dhe disa aktivitete, që do kenë në qendër kryesisht të rinjtë dhe fëmijët. “Të kënaqen lexuesit edhe të gjejnë gjithçka duan edhe për të përfituar nga ato uljet e çmimeve që bejmë ne, sepse të gjithë e kuptojmë situatën, por, ajo që është e rëndësishme është përtej panairit”, u shpreh Ymeri. Ndërsa në seminarin e përvitshëm për çështje të përkthimit, në kuadër të Panairit të 25-të të Librit, do të diskutohet për temën “Përkthimi dhe ripërkthimi i klasikëve të letërsisë”, ku janë të ftuar përkthyes, botues, studentë. Ndërkohë që përmbyllja e festës së librit 16- 20 nëntor do të jetë me çmimet letrare. Një hapësirë e veçantë u është rezervuar edhe trevave shqipfolëse. Kosova vjen e përfaqësuar me tre stenda kryesore: me stendën e Institutit Albanologjik të Kosovës, me Shoqatën e Botuesve të Kosovës, si stendë më vete, dhe me “Dukagjinin”. Maqedonia e Veriut ka një stendë më vete. “Logos” është shtëpi botuese e Shkupit, por sjell edhe botimet shqipe nga Tetova. Mali i Zi përfaqësohet me një stendë tjetër që është ajo e Podgoricës. Në panairi do të ketë dhe disa botues të huaj. “Ky është një vit jubilar, por është një vit i vështirë për ne si botues. Ka më pak libra të botuar, për arsye të situatës jo shumë të shëndetshme ekonomike, sepse ka pasur më pak shitje. Kjo puna jonë kështu shkon, duhet të shesim libra që të botojmë pak më shumë. Në këtë drejtim nuk ka qenë vit i begatë, si rrjedhim dhe aktivitete ka ndofta më pak, por kemi nga ana tjetër libra shumë të mirë. Një pjesë e madhe e tyre bëjnë punë shumë të mirë, qoftë me librat origjinalë, ashtu dhe me përkthimet, me përkthyes të mirë”, ka thënë Ymeri.
Shtëpitë Botuese “Bota Shqiptare”, “Morava”, “Argeta LMG” befasitë e këtij Panairi
Për çdo vit në Panair 3 shtëpitë botuse “Bota Shqiptare”, “Morava”, “Argeta LMG” kanë qenë befasitë e Panairit. Këto shtëpi botuese dallohen për librat cilësorë, autorë të njohur brenda dhe jashtë Shqipërisë, dhe për cilësinë e botimit. Secila prej tyre vjen në Panair me mbi 50 tituj të rinj të autorëve më në zë, por edhe me libra të tjerë me karakter historik dhe monografi që kanë tërhequr vëmendjen e lexuesit.
“Bota Shqiptare”
42 tituj të rinj do të prezantohen në Panairin e Librit Tirana 2022, në Pallatin e Kongreseve, 16-20 nëntor.
22 tituj për të rritur.
20 tituj për fëmijë.
Ulje surprizuese
“Ishulli i pemëve të zhdukura”
Është viti 1974, në ishullin e Qipros. Dy adoleshentë, nga anët e kundërta të një toke të ndarë, takohen në një tavernë në qytetin që të dy e quajnë shtëpia e tyre. Taverna është i vetmi vend ku Kosta, i cili është grek dhe i krishterë, dhe Defneja, turke dhe myslimane, mund të takohen fshehurazi, nën trarët e nxirë nga të cilët varen kurora me hudhra, speca djegës dhe barishte të egra. Këtu mund të gjesh ushqimin më të mirë në qytet, muzikën më të mirë, verën më të mirë. Por, ky vend, ka diçka tjetër: e bën njeriun të harrojë, qoftë edhe për pak orë, botën jashtë dhe dhembjet e saj të panumërta. Në qendër të tavernës, përmes një zgavre në çati, rritet një pemë fiku. Kjo pemë do të dëshmojë takimet e tyre të heshtura e të lumtura, do të jetë aty kur të shpërthejë lufta, kur kryeqyteti të bëhet gërmadhë, kur adoleshentët të zhduken dhe jeta në ishull të marrë të tatëpjetën. Vite më vonë, Kosta kthehet. Tashmë, është botanist që studion speciet e bimëve por, në fakt, ka ardhur të kërkojë dashurinë e dikurshme. Dhjetëvjeçarë më vonë, në veri të Londrës, gjashtëmbëdhjetë vjeçarja Ada Kazanxaqi nuk e ka vizituar kurrë ishullin ku kanë lindur prindërit. Në kërkim të shumë përgjigjeve, kërkon të zgjidhë sekretet e fshehura ndër vite, ndarjen dhe heshtjen. E vetmja lidhje që ka me tokën e të parëve të saj është një pemë fiku që rritet në kopshtin e pasmë të shtëpisë.Një roman prekës, i shkruar bukur, i ndërtuar me delikatesë mes ndërthurjes së historive të dashurisë, ndarjeve, historisë dhe vetëdijes, “Ishulli i pemëve të zhdukura” konsiderohet si vepra më e mirë e Elif Shafakut.
MBRETËRESHA E JUGUT
Një histori e paharrueshme, MBRETËRESHA E JUGUT kapërcen kontinentet, nga rrugët me pluhur të Meksikës tek ujërat rrezëlluese të bregut të Marokut, nga Spanja në Ngushticën e Gjibraltarit. Një histori emocionuese e ndërtuar mbi përjetimet magjepsëse të baladave të trafikantëve të drogës, ajo të ngërthen në sensualitetin dhe mizorinë, dashurinë dhe tradhtinë, ashtu sikurse është vetë historia e pluhurit të bardhë.
Shtatë bashkëshortët e Evelin Hygosë
Autori-Taylor Jenkins Reid
Ikona e filmave të Hollivudit Evelin Hygo, tashmë e moshuar dhe e tërhequr nga bota, më në fund ndihet gati të thotë të vërtetën lidhur me jetën e saj magjepsëse dhe skandaloze. Por, kur zgjedh gazetaren e panjohur të një reviste, Monika Grantin, për këtë punë, askush nuk habitet më shumë se vetë Monika. Pse ajo? Dhe pse tani? Monikës nuk i shkojnë punët mirë. Burri e ka lenë, jeta profesionale i ka marrë rrugë pa krye. Pavarësisht se pse e zgjodhi Evelina për t’i shkruar biografinë, Monika është e vendosur ta perdorë këtë mundësi për t’i dhënë një” shtysë përpara karrierës.
Shtëpia Botuese “Morava”
Shtëpia Botuese MORAVA e ka nisur aktivitetin e saj në fushën e shtypshkrimeve që në vitin 1991. Pas shumë viteve përvojë, aktiviteti i saj u shtri edhe në fushën e botimeve të teksteve shkollore dhe librave artistikë. Botimet në fushën e letërsisë artistike i përkasin grupmoshave të ndryshme, duke iu ofruar një kohë të vyer në praninë e librit.
Shtëpia botuese MORAVA i ka kushtuar një hapësirë të veçantë titujve të letërsisë së huaj bestsellerë dhe autorëve të vlerësuar, që të rrëmbejnë në tregimet e përshkrimet e tyre.
Me synimet më të këqija
Autor: Alessandro Piperno
Përktheu: Agim Doksani
Nr. i faqeve: 288
Çmimi: 1000 lekë
Ky roman është i krahasueshëm me veprat e Philip Roth-it dhe Saul Belloë-t. Një sagë e guximshme dhe e larmishme për ritualin dhe lirinë, dashurinë dhe luftën, seksin dhe tradhtinë, e vendosur në lagjet e pasura të Romës bashkëkohore.
“Argeta LMG”
“Argeta LMG” me një veprimtari 17-vjeçare boton letërsi për të gjitha moshat dhe në të gjitha fushat. Letërsi shqiptare, botërore nga letërsia e traditës dhe e ditëve tona, revista, manuale etj.
Botimet e reja
“Loja e dashurisë dhe e urrejtjes” – SALLY THORNE
Argëtues sa s’ka dhe super seksi, libri “Loja e dashurisë dhe e urrejtjes” do t’ju pushtojë jetën për dy ditë. Nuk do mund ta hiqni nga dora derisa urrejtja e pashtershme e Lusit dhe Xhoshit të shndërrohet në miqësi e më pas në një dashuri interesante, të butë dhe të
adhurueshme. Një romancë që do ju mbajë të mbërthyer do t’ju bëjë të qeshni herë pas herë.
28 rrahje zemre të përkryera matematikore
– Flogerta Krypi.
Seria e Robert Kiyosaki.
Ekskluzivisht për Panairin e Librit “Tirana 2022”- Seria e plotë e mjeshtrit të madh të librave të financës personale në të gjithë botën, Robert Kiyosaki.