23/12/2024

Silueta e Artistes, dhe kujtimi për Vaçen tonë kombëtare

0
u6_Zela-Papuciu

Nga Alfred Papuçiu

Lushnjes iu kthye vajza e saj një herë e përgjithmonë. Më e mira e të gjithave. Vaçe Zela. Prej disa ditësh në mes të qytetit të Lushnjes është vendosur statuja e Vaçe Zelës, ashtu siç na është fiksuar, duke kënduar „Moj Arbëri“ dhe duke i rënë kitares. Një vepër e përkryer e skulptorit të talentuar, Arben Bajo, që e ka portretizuar artisten me një vërtetësi të rrallë. Irma Rodiqi, vajza e vetme e Vaçes dhe Pjetër Rodiqit ishte e pranishme, tepër e emocionuar.

« Njerëzit e mëdhenj janë modestë » – më thoshte një ditë një miku im kompozitor, kur i fola për artisten tonë të popullit, Vaçe Zela. Shpesh e kujtoj atë dhe dëgjoj kasetën me zërin e saj melodioz, që të jep krahë, të kujton Atdheun, tokën e paraardhësve dhe të mbush me emocion. Si atë darkë atëhere kur dëgjoja tek « Çajupi »  tek Universiteti Popullor Shqiptar, këngën e saj për « Atdheun » dhe shihja siluetën e saj të bukur, tepër shprehëse. Ajo vërtetë ishtë modeste, por donte te komunikonte me dashamirët, dhe atë darkë, megjithëse zëri i saj nga ana tjetër e receptorit ndihej i lodhur, me ëmbëlsi shprehu mirënjohjen për Meritonin, duke dëgjuar zërin e saj. I shpëtuan edhe disa lotë nga sytë. Pastaj si çdoherë, ajo më kaloi bashkëshortin e saj, njeriun me kulturë dhe tepër të sjellshëm, të ndjerin, Pjetër Rodiqin. Ai më foli me përzemërsi si kurdoherë, për Vaçen tonë kombëtare dhe u shpreh se Vaçja është më mirë. Shkembuem disa mendime bashkë dhe kuvënduam edhe për mundësinë që një ditë Vaçja të vinte në Gjenevë dhe të dëgjonte tek Universiteti Popullor Shqiptar, këngët e saj të kënduara nga të rinj të talentuar…Ashtu siç shkoi me miqtë atje në Gjermani atëhere dhe ju bë zemra mal nga mikpritja e shqiptarëve në Diasporë.

Tek kutia e postës në “Burgfelderstrasse 11, 4055, Basel,  Suisse” vinin letra dhe kartolina të shumta të tjera nga miq e dashamirës bashkëkombas dhe të huaj që përgëzonin Vaçen tonë kombëtare, çdo 7 prill, me rastin e përvjetorit të lindjes së saj. Mbrinin edhe gazeta ku shkruhej për të. Bashkëshorti i saj fisnik, Pjetër Rodiqi dhe e bija Irma ja tregonin Vaçes dhe ajo e përmalluar lëshonte disa lotë nga sytë e saj të ëmbël. Telefonat dhe mesazhet nuk kishin të rreshtur, jo vetëm nga Zvicra, por edhe nga Shqipëria, Kosova dhe nga Diaspora. Zilja e telefonit sapo mbaronte një urim, binte përsëri.

Jam takuar  me Vaçen, Pjetrin dhe Irmën,  në veprimtari midis bashkëatdhetarësh, ku ajo na ka nderuar me pjesëmarrjen e saj. Më kujtohet dita e 9 majit 2009 që do te mbetet në kujtesë të mbi 200 shqiptarëve në Zvicër. Legjenda e muzikës së lehtë shqiptare, Vaçe Zela erdhi në Nëshatel, e shoqëruar nga bashkëshorti i saj, përkthyesi i talentuar i disa librave të autorëve zviceranë dhe të huaj, për Shqipërinë dhe Kosovën, Pjeter Rodiqi dhe e bija, Irma Rodiqi, ekonomiste e shquar e Institutit të Statistikave në Bazel të Zvicrës dhe poete. Po ashtu ajo erdhi edhe në Gjenevë, ku për nder të saj u shfaq edhe një dokumentar i bukur. Aty ishte e pranishme edhe këngëtarja e shquar nga Kosova, Nexhmije Pagarusha. Vaçja dukej se e kishte mposhtur sëmundjen që e shoqëronte prej vitesh. Ishte hera e parë qe Vaçe Zela, “Artiste e Popullit” dhe “Nder i Kombit”, me gjithë gjendjen e saj shëndetësore jo të mirë, mori pjesë në dy veprimtari kulturore. Hyrja e saj në sallën e madhe u prit me ovacione, që vazhduan më tepër se 20 minuta, shoqëruar me tingujt e këngëve të paharruara të perlës së muzikës shqiptare. E emocionuar, artistja jonë e shquar, por teper modeste dhe fisnike, pranoi të dalë në fotografi, si kujtim i bukur i kësaj mbrëmje të veçantë, me të gjithë pjesëmarrësit. Tepër e emocionuar, ajo shprehu kënaqësine e saj me fjalët “sot ju më shtuat jetën time, me një dekadë dhe nuk do ta harroj kurrë këtë pritje madhështore”. “Ju dhe të gjithë bashkëkombësit e mi, më keni frymëzuar që të këndoj dhe të jap një ndihmesë modeste për këngën në gjuhën shqipe, së bashku me të gjithë atë armatë këngëtarësh të suksesshëm, që po japin një kontribut të madh për të gëzuar shqiptarët, si dhe për të çuar së bashku më tej, demokracinë e vendosur në Shqipëri”, pohoi këngëtarja e madhe. Me një modesti të shquar, diva qe mbushi 70 vjet ato ditë të prillit 2009, shtoi se ndoshta nuk e meritonte nderin e madh, duke e cilësuar si “Personalitet te vitit 2009” nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe duke marrë njëkohësisht kënaqësinë e gjithë atyre telefonatave nga Shqipëria, apo Kosova.

Në enciklopedinë Wikipedia (Enciklopedi e lirë) për Vaçen tonë shqiptare thuhen këto fjalë të përmbledhura, por që flasin shumë : « Vaçe Zela. Lindi më 7 prill 1939. Këngëtare me famë të madhe gjatë periudhës së diktaturës komuniste. U zbulua rastësisht në moshë të re në Lushnjë. Vaçe Zela ka një zë të jashtëzakonshëm. Këngët e saj në vite mbeten popullore dhe të preferuara nga publiku. Prej kohësh Vaçe Zela e ka reduktuar në mënyrë dramatike aktivitetin muzikor. Sidoqoftë Vaçe Zela mbetet « Zëri » i jashtëzakonshëm që mbushte me energji skenat shqiptare. Disa nga këngët e saja janë ‘ Çelu si mimoza’, ‘Djaloshi dhe shiu’, ‘E dua vendin tim’, ‘Ëndrra ime’, ‘Lemza’ , ‘Nënave shqipëtare’, ‘O diell i ri’, ‘Sot mbusha 20 vjet’, ‘Të lumtur të dua’.».

Vaçja filloi të këndojë qysh në moshën dhjetëvjeçare. Ajo ishte fëmija më i madh e një familjeje me gjashtë fëmijë dhe siç shprehej ajo « këngën e trashëgova nga nëna ». Edhe vëllai i saj, Hysniu, e ndoqi pas në këtë rrugë. Prej këngës së saj të parë, ajo ruante në kujtesë vetëm refrenin e saj : « O pëllunb i bardhë, kur po don me ardhë »…Në Institutin e Lartë të Arteve, megjithëse kishte dëshirë të bëhej aktore, nuk i kërkuan asnjë etyd,  recitim, apo të paktën një monolog a pjesë drame, ajo mori kitaren dhe filloi t’i bjerë instrumentit dhe të këndojë. Siç shprehet prof. asoc.  Nexhat Agolli, në librin e tij të arrirë, me titull « Vaçe Zela…magjia e këngës shqiptare », « ndoshta e solli në këtë ‘zgjedhje’ dikushi apo fati ? Gjithsesi, ajo asnjëherë nuk do të paragjykonte se si ndodhi : atë që nuk e bëri komisioni i kantos, për t’u bërë këngëtare, e bëri komisioni i dramës. Por Vaçja nuk u bë kurrë njëherë aktore, por artiste e këngës : e këngës popullore dhe e këngës së lehtë. Kështu mund t’i ndodhë shpesh njeriut, veçanërisht artistit ».

« Të gjitha këngët e Vaçes i kam dëgjuar dhe i kam mësuar përmendësh. Vaçe është përjetësuar në këngët e saj. Vaçe u shëndrit rrugën këngëtarëve të rinj si dielli që shëndriste tokën. Rallëherë lindin këngëtare si Vaçe. Respekt për këtë këngëtare të madhe », shprehet Taibja.

Ja si shprehet Sokrati për diskun « Kënga ime » : « Disku është i përkyer, si nga cilësia e dëgjimit, po ashtu nga niveli muzikor dhe poetik i këngëve. Mua më ka pëlqyer gjithmonë Vaçe Zela dhe jam munduar të gjej sa më shumë këngë të saj. Nëpërmjet këtij disku u njoha me këngë që nuk i kisha dëgjuar ndonjëherë. Do të këshilloja cilindo që të dëgjonte këngën « Rrjedh në këngë e ligjërime » çdo mëngjes, ose të paktën kur duan pak frymëzim. Do t’ju ndihmojë shumë në kohë të vështira…Dhe nuk është aspak për pleqtë, përkundrazi unë besoj se zëri dhe këngët e Vaçes japin më shumë rezultate tek të rinjtë, sesa tek të moshuarit ».

Ndërsa Elona thekson : « Sapo e bleva CD e Vaces dhe jam shumë kurioze ta dëgjoj të gjithën. Jam 20 vjeçe dhe jam frymëzuar nga prindërit e mi ta pëlqej këtë këngëtare të paarritshme shqiptare ».

« Vace Zela is Albania’s secret weapon and anyone who wants to sample Albanian music at its best should buy this CD »- David Mitchel. “Vaçe Zela është një armë sekrete e Shqipërisë dhe çdonjeri që dëshiron të shijojë muzikën më të mirë shqipëtare, duhet të blejë këtë disk ».

Këto fjalë më mbushin me krenari, si çdo shqiptar në diasporë dhe ashtu siç kam shkruar për Celine Dyon, në ditën që u vendos ylli i saj në « Hollivud Bulevard » do të dëshiroja të shkruaja edhe për Vaçen tonë kur ta propozojnë shqiptarët tanë në diasporë në Amerikë.

Vaçe Zela ja dedikon suksesin e disqeve të saj tre faktorëve kryesorë : në një anë fatit që i dha atë dhunti, zërin melodioz, por edhe punës së saj të madhe prej vitesh, si edhe dashamirësisë së shqiptarëve kudo që janë. Të gjitha disqet e saj kanë një sukses të jashtëzakonshëm dhe turnetë e saj në Shqipëri, por dhe në skenat botërore kanë qënë të paharruar. Ajo ka kujtim të bukur ditën e nderimit të saj me titullin « Nderi i Kombit » nga presidenti Alfred Moisiu :

“Për vlerat e rralla si Artiste e Shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor”.

…Njerëzit e pranishëm atje në sallën e Lidhjes së Shkrimtarëve dëgjonin atëhere zërin melodioz të Vaçes dhe ajo këndonte prej së largu, këngët e saj të rinisë. Ajo artiste e vogël e një qyteti myzeqar, shkonte me grupet e shkollave për të dhënë shfaqje nëpër fshatra. Shoqja e saj e fëmijërisë, Violeta Librazhdi, kujton Vaçen kur ishte nxënëse shkolle dhe veshi një fustan të bardhë nusërie të sajuar me dorë, e doli me të në një kocert shkolle. Atje këndoi këngët « Piva ujë me dy bardhakë », « Qilimi me mollë » dhe mori duartrokitjet e të pranishmve, bashkëqytetarë lushnjarë. Me kitaren e saj do të këndonte Vaçja më vonë këngë spanjolle, italiane dhe amerikane që i kishte mësuar « vjedhurazi ». nga dëgjimi i radios. Një koncert i bukur, kujton Violeta, atje në atë shtëpizën në Tiranë, kur papritur ishin mbledhur dashamirë të shumtë që ishin ngjitur pranë dritares…Perlat e muzikës shqiptare do të vazhdojnë për vite të tëra të mbushin me gëzim zemrat e shqiptarëve të thjeshtë…Atë mbrëmje tek Lidhja e Shkrimtarëve, Pjetër Rodiqi, bashkëshort i Vaçes, falenderonte miqtë dhe adhuruesit e saj që donin të jepnin ndihmën financiare për kurimin e saj dhe shprehte mendimin që fondi i mbledhur të dhurohet për fëmijët Talasemikë në Shqipëri. Ai theksoi atëhere  se Vaçe Zela nuk ka probleme financiare. Kaloi me të vërtetë një çast shumë të vështirë për shkak të problemeve shëndetësore, por për fat të mirë financat nuk përbënin shqetësim për të dhe familjarët e saj. « E vetmja mungesë e pazëvëndësueshme për të, tha ai, është largësia nga miqtë dhe publiku shqiptar ».

Shpesh herë, si shumë dashamirës të Vaçes, flisja me të në telefon dhe mbrëmjeve pas ditës së lodhshme, dëgjoja kasetën me muzikë të artistes sonë të Popullit. Mallëngjehem atje tek Parku Gesendorf, apo buzë liqenit Leman dhe zëri i saj kumbues dhe i fuqishëm më bën të ndodhem pranë Atdheut tonë, pranë Myzeqesë, Devollit, Valbonës, Prishtinës, Voskopojës, Lezhës, Fierit, Pogradecit, Lushnjes, Sarandës. Më kujtohet dhe miku im, inxhinjer Budjon Pojani atje në Clearwater të Floridës që më pyeste gjithmonë për Vaçen, për Pjetrin. Ndoshta puna, hallet e përditshme nuk na kanë lejuar të shkonim e të vinim shpesh tek të gjithë bashkëbesëlidhësit tanë në Zvicër e mbi të gjitha me një artiste të madhe, e cila e kishte kohën e kufizuar dhe luftonte çdo ditë për të patur një shëndet të mirë. Pranë i qëndronin bashkëshorti i saj i përkushtuar, dhe të afërmit e tjerë, vajza e saj. Uronim që pa pritur Ditën Kombëtare të Shqipërisë, të kishim në gjirin tonë Vaçen tonë artiste të Kombit, e cila me zërin e saj, me këngën e saj qëndron pranë vatrave tona dhe na shoqëron çdo ditë edhe tani që nuk ndodhet më midis nesh, me mirësinë, me modestinë e saj.

Artistja e Popullit Vaçe Zela është pjesë e librit të 500 personaliteteve me më shumë influencë në botë, e vetmja shqiptare që mori këtë çmim nga Instituti i Biografive në Amerikë. Në Paris, e krahasuar me këngëtaren e madhe franceze Edit Piaf, ndërsa në Itali me të madhen Mina. Talenti i saj u zbulua qysh në fëmijërinë e hershme dhe më pas ajo do të ishte pjesë festivaleve të muzikës, që në fillimet e tyre në vitin 1962 e deri në vitin 1981, kur u largua nga skena si fituese e çmimit të parë. Fituese e shumë çmimeve në festivale, mund të përmendim shumë këngë të saj, si “Çelu si mimoza”, “Djaloshi dhe shiu”, “E dua vendin tim”, “Ëndrra ime”, “Lemza”, “Nënave shqiptare”, “O diell i ri”, “Sot mbusha 20 vjet”, “Të lumtur të dua” etj. I janë akorduar një sërë titujsh, si “Artiste e Merituar”, “Artiste e Popullit”, “Mjeshtre e Madhe e Punës”, “Qytetare Nderi e Lushnjës”, “Qytetare Nderi e Qarkut të Fierit” apo “Nderi i Kombit”. Vaçe Zela ka marrë “Diskun e artë” nga Amerika për kontribut në shoqëri. Në vitin 97 është zgjedhur gruaja e vitit 97-98 në Kembrixh të Anglisë “Mikrofoni i artë”, nga Ministria e Kulturës e Kosovës “Çmimi i karrierës” e shumë të tjera. Viti 1991 do të shënonte ngjitjen e fundit në skenë për të, pikërisht në Zvicër në një koncert për shqiptarët që jetonin atje. E kujtojmë me respektin më të madh Vaçen tonë kombëtare, ashtu siç e kujtoi këto ditë edhe Lushnja e saj, ku lindi dhe nisi rrugën e saj të bukur si këngëtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok