15/10/2024

Si ta duam më shumë Kosovën: Një shëtitje historiko-arkeologjike nëpër rrënojat e qytetit-fortifikatës Belas-Belasicë në Llapin e Epërm!

0

Nga Jahja Drançolli

Kjo shëtitje historike-arkeologjike, vite më parë u realizua me ndihmën e kolegëve të mi, MA. sc Ermal Gashi, Prof. Afrim Azemi, dhe studenti Xheladin Azemi. Në ato ditë, eksplorimi ynë i qytetit dhe i fortifikimit, Belas – Belasicë, nxori në dritë vetëm një kullë (kullë të madhe), dhe shumë rrënoja që nuk flasin, por lehtësisht duken strukturat e ndërtesave të mëparshme. Donzhonin, i cili po qëndron i lodhur, shoqërohet me disa shtëpi të braktisura të ndërtuara me gurë të fortifikimit të Belasicës. Aktualisht Belasica (35 km në veriperëndim të Podujevës) konsiderohet rrethi i fshatit Murgull.

Gjurmët e rrënojave dhe të strukturave të mbetura të qytetit- fortifikimit çojnë në një vertikal të thellë historik, të paktën në shekullin e gjashtë, kur u ndërtua nga Justiniani I (527-565), perandori bizantin i origjinës dhe i gjakut dardan, siç raporton Prokopi, një historian i madh i kohës. Sipas tij, dihet se, gjatë dyndjeve dhe pushtimeve avare dhe sllave, në krahinën e Llapit janë ndërtuar dhe rindërtuar disa qytete të fortifikuara, por shumë pak të njohura për shkencën dhe trashëgiminë tonë.

Nga pikëpamja onomastike mund të dyshohet se Belasi (Belasica e sotme) dhe Laberioni janë dy prej tyre, të ndërtuara në atë periudhë. Ndërsa Besiana dhe Labutza janë rindërtuar në të njëjtën kohë, edhe ato mund të dyshohen se i përkasin zonës së Llapit të sotëm. Sipas hartave të kohës, vihet re se në kohën në fjalë ka funksionuar edhe stacioni Vindenae (Gllamnik), qytet i njohur i epokës antike në rajonin e Llapit. Këto të dhëna të mësipërme konsiderohen edhe si lajmet e para, të cilat kanë të bëjnë me rrënojat e sotme të Belasicës, të cilat në vitet 1423-1448, në burimet raguzane, njihen si Bilassiza, Bilassiça, Bielasiza, Bilassica, Bilasiza, Ballasiza, Bilazizza.

Studimet tona deri më tani kanë identifikuar të paktën rreth 1200 puse të minierave të shtresës në zonën e Belasicës, shumica e të cilave janë të dukshme edhe sot.

Informacion më interesant, por edhe më sasior për Belasicën mund të gjejmë në regjistrat e pasurive të Republikës së Raguzës, dhe pikërisht në ato regjistra ku emërimi i konsujve të Raguzës në lidhje me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për pronat e tyre kishte të bënte me këtë qytet. Në periudhën 1423-1448, Qeveria e Raguzës caktoi 11 konsuj të shoqëruar nga 22 gjyqtarë midis ragzanëve, që banonin në Belasicë ose në zonat përreth. Nga gjithsej 11 konsuj, gjashtë herë janë emëruar nga radhët e fisnikërisë, anëtarë e familjës arbërore Krosi dhe katër herë nga familja tjetër arbërore, Gjurkaj, të cilët i ndeshim edhe në qytetin e Trepçës. Nga 20 gjyqtarët e zgjedhur, shumica ishin qytetarë të shquar të Belasicës, ndërsa pjesa tjetër ishin qytetarë të Raguzës që ndodheshin këtu dhe në vende të tjera, si në Prishtinë dhe qytete të tjera të Kosovës.

Qyteti antik i Belasicës, ndryshe nga qytetet e tjera që vuajtën shumë nga sulmet osmane (1455), zotëronte një pozicion të mirë gjeostrategjik që mbijetoi edhe në dy shekujt e parë të sundimit osman. Atë e gjejmë, aq më tepër, në regjistrat e sanxhakut të Vuçiternës dhe të sanxhakut të Prizrenit. Në këtë kontekst, minierat e qytetit në fjalë u shfrytëzuan në maksimum, kështu që sipas një njoftimi nga koha e mbretërimit të Sulltan Sulejmanit të Madhërishëm (1530/31), nga prodhimi i minierave të qytetit, lartësia e të ardhurave arritën deri në 73.000 akçe, pasuri kjo për t’u pasur zili për kohën.

Nga përnjohja e jonë historiko-arkeologjike, ne kemi konstatuar se një nga qytetet më të njohura të Kosovës mesjetare aktualisht është në gjendje të mjerueshme dhe ka nevojë urgjente për hulumtime dhe konservim. Aty kemi parë vetëm një kullë (kullë të madhe) dhe shumë gjurmë në një sipërfaqe prej 250-300 m, gjurmë këto nga rrënojat e ndërtesave të ndryshme. Si i tillë, qyteti antik sot ruan vetëm vlera të mëdha historiko-arkeologjike.

Donzhoni shihet edhe nga larg, ka një lartësi prej 7-8 m dhe nga pikëpamja planimetrike dallohet kati i parë dhe dy kate të tjera. Kulla u shemb vertikalisht më shumë se tre të katërtat. Është ndërtuar me gurë të lidhur me llaç. Këndet e kullës kanë një formë estetike. Trashësia e tyre varion nga poshtë lart nga 1,55 deri në rreth 1 m. Në dijeninë tonë, hyrja në donzhon, për arsye sigurie, duhet të ishte në katin e dytë, pasi në katin e parë, përveç dëmtimeve të rënda, hyrja nuk duket fare. Më tej, në kullë vërehen gjurmë vrimash, të mbetura si pasojë e prishjes së trarëve të papafingove të objektit!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok