22/12/2024

“SHUMË ZHURMË PËR ASGJË”, SI PROVOKIM SOCIAL

0
Ndue-Dedaj

Nga Ndue Dedaj

1

Tek ne mezi pritet të ndodhë një “ngjarje”, qoftë ajo dhe një asgjë, dhe në çast do të jenë krijuar palët pro dhe kundra, me sa duket një huazim i panatyrshëm nga politika. Ajo kështu funksionon në demokraci, e ka të nevojshëm debatin për të peshuar alternativat e ndryshme të zhvillimit, por ç’kuptim ka që me këtë stil të debatohet masivisht edhe për ardhjen apo mosardhjen e këngëtarit Goran Bregoviç në festën e birrës “Korça”, a thua se kjo përcakton të ardhmen, të paktën të birrës me këtë emër. Ky, në rrafshin mediatik, është një njoftim biznesi për pjesëmarrje të korçarëve në koncert, por nuk mund të quhet lajm e, megjithatë, u ka marrë kohën dhe energjitë shqiptarëve, për afro një muaj, pasi nuk mund t’i mbyllesh veshët me pambuk për të mos dëgjuar “shumë zhurmë për asgjë”-në e këtij rasti. Nëse ka një lajm këtu, ai është se për herë të parë festa e birrës në Korçë bëhet kundrejt biletës.

Ndaj diskursi mbarëshqiptar rreth “Bregoviç” është zakoni ynë provincial i furtunës në gotë, i kërkimit të problemit aty ku nuk është. Asgjë patriotike apo jopatriotike nuk ka në këtë “histori” ta amplifikuar. Jo kudo ku flitet për serbë, duhen mprehur shqisat e atdhetarisë se mos po biem në gabime. Çështja nuk është nëse vjen apo nuk vjen këngëtari i sipërthënë në festën e birrës “Korça”, por teprimi në debatimin rreth kësaj gjëje, që padashur ka shkatuar një provokim social. Njerëzit gjithandej, në vend që të shijojnë pushimet e verës, duhet të shkatërrojnë nervat, në duhet të vijë apo mos të vijë (ar)miku në festën tonë!? Të kuptohemi, kujtesa tragjike historike, e largët dhe e afërt, e Kosovës në përballjen me Serbinë është e shenjtë dhe si e tillë është e kuptueshme çdo ndjesi njerëzore, çka nuk duhet ta lëndojnë as tingujt muzikorë, nëse vërtetë kjo mund të ndodhë. Në të kundërt, pse duhet parë si incident të kënduarit në qytetin shqiptar të serenatave të një artisti të një vendi tjetër. Për mendimin tonë, shenjtërinë e asaj kujtese e lëndon debati i panevojshëm, sado qëllimit të mirë të të përfshirëve në të. I zoti i shtëpisë, Bashkia e Korçës, ka deklaruar për një media të Kosovës se “nuk ka asnjë qasje politike pjesëmarrja e një këngëtari të lindur në Sarajevë dhe që, në dijeninë tonë, para se ta kontaktonim për të marrë pjesë, çka e kemi të saktë, nuk ka pasur asnjë lloj pozicionimi as kundër shqiptarëve, as kundër kosovarëve”.

2

Për fat të keq, bëhet shumë zhurmë jo vetëm për “asgjë”, por dhe kur është fjala për “shumë gjë”, si nisma politike rajonale “Open Balkan”, për të cilën flitet nga të gjithë, por jo dhe aq nga plitikanët, diplomatët, analistët që i njohin zhvillimet në rajon etj. Ata do të kishin sqaruar për publikun se kur dhe si ka lindur kjo ide dhe çfarë synohet me këtë projekt ku tani për tani është përfshirë vetëm Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut e ku ftohen dhe të tjerat vende të rajonit t’i bashkohen. Me të drejtë është ngritur problemi se çfarë fiton dhe çfarë humbet Kosova nga ky “mini-shengen” ballkanik? Nëse këto do të ishin bërë të qarta për publikun, gjërat nuk do të kishin mbetur në nivelin e një lajmi të “turbullt”, që nuk le prapa hije dyshimi për prapaskena politike. Deklaratat zyrtare me nga tri fjali të Ramës, Vuçiç-it dhe Zaev-it nuk mjaftojnë për të kuptuar se çfarë do të prodhojë “Ballkani i Hapur” për qytetarët e këtij rajoni, sado që në një Ballkan të mbyllur secili në “kullën” e vet e përherë në konflikt, në parim hapja ndaj njëri-tjetrit është me shumë vend. Por ndër ne mungon dëshira për transparencë të vërtetë dhe kultura e debatit në nivele specialistësh dhe ekspertësh të fushave, ata dhe kur ftohen ndonjëherë për të folur, nuk dëgjohen, pasi secilit i pëlqen mendja e vet, ditë e pa ditë gjë rreth asaj që flitet. Kjo do të thotë se bëhet “zhurmë” pa të keq dhe pse në çështje të tilla të rëndësishme, kjo është e papranueshme. Vërtet sot nuk ta mbyll njeri gojën për marrëzitë dhe spekulimet që bën me fjalën, veçse kjo nuk është arsye për të folur, përkundrazi për të heshtur.

Sado e largët në kohë të duket dhe në tjetër kontekst, zakoni për të folur pa thënë asgjë, po për të zhurmuar, është dukuri e monizmit. Të gjitha fushatat politike të kohës mbështilleshin nga një frazeologji boshe e “demokracisë popullore” e më pas “socialiste”, si në rastin e diskutimit për një vit rresht të projekt-Kushtetutës së re të vitit 1976, në çdo kolektiv punonjës, kinse po merrej mendimi i masave. Po ashtu, përgjithësoheshin me “zhurmë” shmbujt e të rinjve të paktë që gjoja shkonin me dëshirë në stane si barinj për të ruajtur tufat e dhive, apo që hynin nëntokë për të shtyrë vagonën me mineral. Një stisje propagandistike politike e një realiteti rozë që nuk ekzistonte. Të gjithë e shihnin se si ishte e vërteta e megjithatë “ushqeheshin” me gjellën e gatuar keq nga agjit-propi i partisë.

3

Zakoni për të stisur lajme e zmadhuar ato është kthyer në stil rutinë komunikimi. Për çudi sytë mbahen si tepër andej nga selitë e partive. Ku është lajmi, nëse disa njerëz të PD-së së Korçës kanë vendosur të ikin nga kjo parti. Lajm politik mbase do të ishte nëse një partie në opozitë i shtohen radhët. Kemi tridhjetë vite me këso “bombash” pa tym, me ca që ikin nga partia dhe ca që vijnë në parti. Ikje dhe ardhje të tilla mund të jenë njëfarë lajmi brenda partisë, por jo për publikun, për të cilin nuk përbën lajm as krijimi një partie të re. Duke u marrë me njoftime që nuk janë lajm, nuk e shohim lajmin aty ku ai është i “padukshëm”. Para ca ditësh u ndodhëm një mbrëmje në Kukës dhe mbetëm të befasuar nga xhiroja në qytet, njerëz pafund, si i thonë fjalës: mos me pas ku me hedh kokrrën e mollës, falë dhe infrastrukturës urbane. Pse ky është një lajm? Sepse ne shkruajmë vazhdimisht me shqetësim për braktisjen e vendit, ikjet e vetëm ikjet, por jo dhe për ardhjet e emigrantëve, qoftë edhe për pushime në vendlindje, apo disa prej tyre dhe për të investuar. E publikuam fotografinë e asaj mbrëmjeje kukësiane, në të njëjtën ditë që kishim publikuar dhe fotografinë e zjarrit në malin e Kalimashit. Besojmë se kjo është ajo që kërkon publiku, të informohet “në të mirë e në të keq”. Nëse do të ishim marrë këto javë me flakët që na shkrumbuan pyjet dhe jo me “flakët e kashtës” të marramendjeve tona, me siguri që do të kishim bërë diçka të dobishme për njerëzit.

Me stilin e rëndomtë të të bërit lajm të çdo “gjëgjëze”, në prodhojmë ditë për ditë “lajme” të veckël për veten në rrjetet sociale, për të qenë në qendër të vëmendjes së mehallës dhe nën miklimet e të tjerëve. Padyshim ky është një trend vulgar, në kohën postmoderne, ku dhe pse është fshikulluar shumë, prapë lulëzon hareshëm, duke ulur standardet e komunikimit të një shoqërie të qytetëruar. “Mos bëni like dhe mos më uroni për poezitë e botuara, nëse nuk gjeni kohë t’i lexoni”, shkruante një poete. Njerëzit që kanë me se merren, me punë, biznes, art, projekte etj., bezdisen dhe ndihen të fyer nga lajkat false të ca individëve mediokër që nuk ua përtojnë superlativave pa pikë vlere: “i madh”, “i shquar”, “i jashtëzakonshëm”, “legjendë e gjallë”, “heroi im” etj. Njeriu i “vlerësuar” kësisoj, natyrshëm e përqesh këtë ndotje të ligjërimit: “Po cili je ti për vete, që më dhënke mua “grada” kaq të larta?!”…

Shqiptarët kanë shumë proverba për fjalën e drejtë apo të drejtën e fjalës, si “Me ndejt shtrembët e me fol drejt”, që në kohën e sotme për shumëkënd është kthyer në të kundërtën, me ndejt drejt e me fol shtrembët, pa tu skuqur fytyra…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok