SHTYLLA NË OBORR TË PILATIT

0

Dr. Paulin Pali, jurist, ishte nji emen i ndigjuem për mirë; në të mbështeteshin shpresat e shumkujt prej atyne inelektualëve që thurshin plane të bukura për të ardhmen e atdheut. E takova për të dytën herë aty ku nuk duhej.

Nën shkallë ishte WC-ja alaturke, ngjitun hamamxhiku i vogël; të dyjave u kishin hjekë dyert për t’i kontrollue polici edhe prej së largu. Aty në hamamxhikun e vogël ishte nji burrë i gjatë, i madh, me nji mjekër të zezë deri në gjoks. Kambët e zbathuna të shtërngueme në zinxhirë kali, me dry të kapuna në murin mbrapa me një hallkë, durët të lidhura para.

-Kush je ti? – ndigjova zanin e tij, ndersa po i avitesha WC-së.

Ai e përsëriti nen za emnin që i thashë.

-A të njof un ty?…

Vetëm kaq, se në pjesën tjetër e zuni zani i egër i gardijanit që bërtiti prej së largu: Paulin…, Paulin, he derr as aty nuk rrin urtë, – dhe e mbylli franzen me nji të shame të turpshme.

Gjithë natën e gjatë e kalova i varun aty n’atë pjeshkë, mes oborrit të vogël në cegmën e dhjetorit. Sytë i drejtojshëm te ai burri në hamamxhikun e vogël. A ishte ky Paulini?…

Për bishtin e shkurtë të trumës, aty pranë derës, nji tjetër i lidhur kambësh, në një pozicion që as nuk rrinte drejtë në këmbë, as i ulur kacuk. Kushedi sa kohë ishte i lidhur ashtu, sepse lëshonte ulurima të tmerrshme, kishte kalue nga mendja dhe fliste fjalë të ndyta papushim. Ma vonë e mora vesht se ai ishte Taipi. Përbri meje disa tjerë largas njeni-tjetrit të shtrimë përtokë, të mbledhur palmuç, të mbuluem me nga nji batanije leckë, ndërsa përballë me fëtyrë të sjellun nga muri katër tjerë, në këmbë drejt qiri, të mbuluem me batanije leckë.

Në atë heshtje nate të tronditej kryet nga hapat e randë të rojës që sillej aty me automatik ngrehtë dhe të gjamave , pshertimave e ulurimve t’atyne që vuejshin n’atë oborr dhe të disa tjerëve që nuk shiheshin se ku ishin.

O Zot i madh, – thashë me vedi, – a thue ndoshta kam dekë e gjindem n’atë ferrin real, “ku nuk ka tjetër, por vajë e kërcllim dhambësh”?. N’atë moment mund ishte ora 1 mbas mesnate, po zbrisnin nga pvetjet apo torturat nji tjetër të mjerë. Kadalë e ulnin shkallëve; rojet kqyren pjeshkën ku ishm i varun un, njani kthej vrap përpjetë, mandej zbriti. Atëherë të mjerin tjetër e lidhen afër WC-së ndër parmakët e shkallëve. E kishin sakatue. Gjithë naten gjimonte ndersa roja i avitej e kercnonte dhe e shante me fjalët ma të ndyta. Atë natë nuk pat asnji krismë automatiku.

Në mëngjes heret filloi rradha për WC. Rojet u shtuan ndër të gjitha anët. Para ores 7 ra qetsi, mandej u ndrruan rojet. Kah ora 10 erdhen e më zgjidhen nga pjeshka. Kur kalova nga WC-ja përsëri ai Paulini aty në hamamxhik, ndërsa ai i varuni ndër parmakët e shkallëve nuk ishte ma i zoti me lshua kurrëfar zani. Në krye të shkallve ishte një salon, i cili shërbente për hymjen ndër katër dyer. Ndeja aty në këmbë. Përballë meje ishin dy persona të lidhun. Cin Lezha dhe nji tjetër që nuk e njofta. Bri murit ishte edhe nji raft i madh, i sjellun përsëmbrapshtit, në të cilin u mbështeta. Kapteri u largue, hyni dikun në një dhomë. Cini ndej gati dhe më pveti nën za:

Kur të kanë arrestue?

Unë i bana shej me gishta të durve të lidhuna. Ai më pveti:

Ditë apo javë?

N’atë çast, nga rafti ku ishem mbështetur filloi një ulurimë:

Ooh!… më mbytni more! Ma mirë më mbytni se me më lanë kështu!… Po ua fali gjakun, mjaft që të më mbytni sa ma parë…

M’u duk si za I njoftun. Pveta Cinin:

-Zani i Guljelm Sumës?….

– Po, – m’u përgjej, – ai asht.

– Po ku gjindet?

– Aty në raft ku je mbështetë ti.

– Këtu?… po ky nuk e nxen, Guljelmi asht i madh.

– Tash dy muaj që kam ardhë, aty e kam gjetë. Njeriu asht ma i fortë se guri!

Ndërkaq, ai tjetri përbri Cinit, ulun kambkryq  përkundej sa para mbrapa dhe lutej si nën za, tue shqiptue pa pushim: La ilahe il-Allah!

-O Zot në dorën tande  tha Cini. Por n’atë çast kapteri duel nga ajo dera ku kishte hi dhe filloi me i sha Zotin Cinit me fjalët ma të ndyta, mandej m’u suell mue:

– Fole ti me këtë pizeveng? Pse nuk rrin me ftyrë kah muri! Sillu! – dhe m’i dha dy të rame në fëtyrë. Ai zuni vend aty, dhe mbas pak kohe, u hap ajo derë ku unë hina për hetuesi.

Ishte séanca e dytë e hetuesisë. Nesti Kopali, ai officeri bukurosh, me unifromen e kapitenit I, me ato çizme lustër sillej rreth meje tue më pvetë:

He, je mejtuer?… Kalove nji natë të bukur i varur. Fol!…Fol! Këtu kanë ardhun burra ma të famshëm se ti dhe ua zgjidhëm brekët. Fol!

Vazhdoi nji heshtje ndersa ai siellej rrotull nëpër dhomë.

– Nuk don të flasësh?…

– Po shka të flas?

– Fol këtu, na trego përse të kemi arrestue?

– Pse më keni arrestue, këtë e dini ju; unë nuk dij gja, duhet të ma thoni ju mue.

– Si nuk ditke gja? Kujt i thue ti? Mblidhe mendjen e fol.

– Po shka të flas? Ti më pvet shka don, e unë të përgjigjem.

– Ti më përgjigjesh mue? Mejtohu mirë, se këtu para meje kanë vdekur burra më të fortë se ti.- Fol, ja këtu nxirre qumshtin e mëmës ose përndryshe vdiqe. Fol…Fol!…

– Nuk dij shka me folë.

– Nukdin ti ë?

Kapi shufrën e hekurit me të cilën shprishte zjarmin e sobës së ndezun dhe me te m’u versul mbi shpatulla, shpinë, kofshë e kambë. E vetmja fjalë që thonte: Fol! Këtu nxirre qumshtin e mëmës!

Unë nuk dishem shka me folë. Mbasi u lodh ai, edhe un ishem i dermuem, thirri kapterin dhe i tha: Merre. Kur më zbriti në oborr, ajo pjeshka ishte e zanun, sepse e kishin varë nji tjetër, atë që e kishin lanë ndër parmakët e shkallëve e kështu mue më varen aty përballë WC-së e hamamxhikut. Paulini aty. Kryqshim vazhdimisht shoqi-shojn. Por gardjani sillej aty afër e nuk mund folej. Në murin e WC-së ishin shumë shkrime, pothuajse të gjithë emna e data të grryeme në mur me prangat e duerve. Ajo që më mbeti e ngulur në mendje kje:

“Un Dom Vlash Muçaj këtu më 22 korrik priva urinën time për të mos vdekë etjet”.

U tmerrova. A thua njeriu arrin deri aty, ma keq se kafsha? O Zot, mos na provo!

Me t’u largue gardiani, roja tjetër ishte jashtë n’oborr, fola me Paulinin. Ai:

– A të njof?

– Jo, nuk njihfemi.

– Si fëtyrë e pame dikund. Kush je?

– Me At Gjon Sllakun; Fra Zef Pllumi.

– Në Kuvendin Françeskan?

– Po.

– Ç’bahet me Kuvendin?

– Na kanë shpernda krejtsisht.

-Të gjithë në burg?

– Shumica.

Atëherë ai fshani gjatë e gjatë. Ndjeu nji tronditje të thellë. Sikur e kapi një krizë, filloi me uluritë. Gradiani u avit:

-Ee derr i derrit! Ç’ke që ulërin?

Paulini vazhdonte të qante me britmë ndërsa kapteri e shante me fjalë ma të ndyta. Dukur gardiani u largue e mbetëm përsëri vetëm. Më kqyrte me dy sy të cungulluem. Me duert e lidhura në pranga krehte mjekrrën e gjatë e të zezë dhe shkundte morrat.

Jam lot morra, shif!

Me të vërteeë unë nuk kishem pa kurr aq shumë në jetën time, i nxirrte me grushta. U përgatita shpirtnisht edhe për një vuejtje të tillë.

– Kur të kanë arrestue?

– Një javë.

– Si janë punët? Anglezët shka thonë?

– Punët  i kemi keq. Anglezve nuk u besohet, ata na i prunë “këta”, le të thonë shka të duen. Interesat e tyne janë shkaktarët e vuejtjeve tona.

– E njef X?

– Jo.

Atëherë Paulini filloi me ulëritë përsëri. M’u duk sikur duel jashtë binarve. Filloi të flasë fjalë pa kuptim: …autosugjerstion…, jo, nuk funksionin asnjë metodë…, autosugjestion…

Ndoshta kjo shkëputje kontakti me Paulinin filloi të randojë mbi shpatullat e mia të varuna në parmakët e shkallve. Nji peshë përherë e ma e randë që vinte tue më djegë ndër sjetulla si prushi i ndezun. Kambët nuk i ndiejshëm ma se i kishem të miat, por si t’ishin drunit. Ulurimave të Paulinit erdhën e iu shtuan tjerat ma të tmerrshme: ato të kapterit që çfrenë me të shame gjithfaresh, mandej kërcnohej:

Pusho! Pusho se të lidha si Krishtin!…

M’u duk qesharake. Paulini, un, ai tjetri e tjetri, të gjithë ishim të lidhun si Krishti. Të gjithë të rrahun e të munduem si Ai. Po aty ku ishte Ai: në Pretorium. OZot i madh! Mbas njizet shekujsh, njerzimi i njajtë se i njajtë: tue rrahë,tue mundue e tue mbytë të pafaj!… E ç’ndryshim kishim na ndër ato çaste prej Krishtit? Shtylla në oborr të Filatit,  pjeshka në seksion të Sigurimit të Shtetit, ishin nji për nji. Ndoshta të njajtat fyemje e të njajtat shamje e ulurima. Por, kjo ishte vetëm faqja e jashtme. Përmbrenda shpirtit e zemrës sonë urrejtja sillte urrejtjen. “O Zot, fali se nuk dinë shka bajnë”,- thot Krishti aty. E na i përgjigjeshim:

Vrëtetë nuk e dijshin ata, atëherë, por këta e dijnë.” Këta me i falë… jo kurrë… Këta me i dashtë?… jo kurrë!… Kjo ishte ajo luftë e mbrendshme që randone edhe më shumë në litarin ku ishem i varun. O Zot, më jep ndihmë!

Mbas dite, filloi me u errë, erdhen  e më mueren përsëri. Po ajo zyrë e nroftë, po ai oficeri elegant, me çizme të lustrume. Po ajo “pritje e bukur”.

U mejtove? Sigurisht që je mejtue. Je djalë me shkollë dhe inteligjent. Nuk do ta marrësh veten në qafë. Fol, ç’ke për të thënë?

Heshtje.

– Jo ti nuk don të flasësh, por të bëj unë tani, të bëj atë që s’ta ka bërë kush, por më mirë fol! Fol!

– Po me pvet zotni major mbi shka të flas…

– Ëë… derr i derrit nuk flet ti! Ja, qumshtin e mëmës hidhe ktu! Qumshtin e mëmës.., dhe filloi me shputa kresë, mandej me gurshta, më shtyni, më përplasi përtoke, mu versul me shkelma me ato çisme lustër. Shkelma në bri, në këmbë, në shpinë, në krye e në fëtyrë, deri që më shpërtheu gjaku. Kur pa gjakun u ndal. Shkoi te radioja e vuni te nji stacion: ndëgjoheshin kangë Këshndellash. Ai iu avit në  dritare  dhe kqyrte kush po kalonte. Hapi xhamat.Poshtë ndihej nji za femne:

– Nuk mund të press humë, se është ftohtë.

– Pa eja mbas nji ore se jam shumë i zanë dhe nuk mund  ta lë punën.

Ashtu i shtrimë siç ishem i kappa mirë fjalët dhe u ngushllova se diur edhe urrejtja do të kish mbarim. Kur mbylli dritaren, hapi derën dhe thirri një aspirant që ishte dikund andej:

-Mbushja mendjen këtij të flasë, mund merreni vesh si shkodranë që jini, dhe ai duel jashtë.

Ai aspiranti (D.L) emnin ma dijte dhe më pveti çfarë shkolle kishem ba.Unë i thash për filozofi etj, ai m’u kthye:

– Ju doni të na shitni neve filozofi. Po na filozofinë e kemi ba në mal. A e sheh, unë nuk dij me shkrue e me këndue, ama filozofinë e dij njiqind here ma mirë se ti me shkollë: unë jam nji aspirant që ngrohem te soba, e ti aty i lame në gjak. Çohu!

– Filloi të flasë apo jo?

– Jo, u përgjegj aspiranti.

– Atëherë ndrrojmë filmin.

Dhe kur tha kështu, mue rnjë aparat të vjetër telefonik. Dy tela m’i lidhi ndër vesh mandej aparati fillo të sejllë manovelën. O Zot I madh? Korrenti elektrik; nji korrent që të therrte me mija, miliona, miljarda gjylpana në kokë e gjithkund në tanë trupin. Dridhje çuditërisht të tmerrshme, ndërsa oficeri i naltë sillej si bishë nëpër dhomë. Fol!… fol! Qumshtin e mëmës!… Fol…qumshtin e mëmës…! Nuk mund të  them me siguri se sa zgjati ky operacion e tmerrshëm, ndoshta nji orë. Por,në pastë kenë nji orë, atëherë mendoj se kje ora ma e gjatë e gjithë jetës sime. Nuk mujshem me folë, por n’ato momente kje e para herë që iu luta Zotit me ma të madhin përkushtim: “O Zot, ma merr jetën, më shpëto!”

Mandej erdhën dy roje, m’i shtinë krahët e më zbritën në oborrin e vogël e aty te pjeshka më varën. Nuk shifshëm kurrgja përreth n’at terrinë. Ajri i hollë i cigrimtë i dhetorit sikur më bani mirë. Fillova të ndigjoja, fillova të shoh edhe në terr. Këqyra në hamamxhik. Paulini nuk ishte aty, ai burri po te truma bishtëshkurtë te dera. Tjerë njerëz n’oborr, të shtrimë  palmuç e të mbuluem me lecka. Dikush në kambë pranë murit. Kishte pasë arsye ai oficer Nesti që i tha aspirantit: “Dërgoje të pushojë e të mejtohet”. Pushim i çuditshëm, i varun në një pjeshkë! Por kishte keq e ma keq.

————–

At Zef Pllumi: RRNO VETËM PËR ME TREGUE

Zgjodhi për ju, Adil FETAHU

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok